REFLEKSION/Shpluhurosja e figurave kombëtare dhe rikthimi i vlerave

Postuar në 19 Dhjetor, 2014 05:46

Një pjesë e tyre kanë mbetur në harresën e kohës, një pjesë tjetër janë kujtuar përciptazi, ndërsa të tjerë vazhdojnë të jenë të pluhurosur pasi për vite me radhë kanë qenë krejtësisht të ndaluar. Duket si një klasifikim i zakonshëm që vjen nga një propagandë inkuizicioni, por nuk është se ka ndodhur krejtësisht kështu. Për më tepër kur flitet për njerëzit e letrave. Ajo ishte e sofistikuar që një pjesë të vlerave t’i kthente në antivlera dhe e kundërta.

Dihet mirëfilli që në rrugën e gjatë të popullit shqiptar shumë ngjarje të rëndësishme historike, shumë figura të ndritura të letërsisë apo historiografisë sonë kombëtare kanë mbetur të pastudiuara thellësisht ose krejt të pastudiuar një pjesë e tyre. Ideologjia ekstreme e së kaluarës kishte diktuar që, si ngjarje të veçanta ashtu dhe një sërë figurash të mohoheshin apo të mbeteshin nën mjegullnajën e kohërave. Për t’iu kundërvënë këtij konteksti lindën realitetet, që sollën nevojën e shpalosjes së gjithë asaj pjese të historisë sonë, që ishte kapluar nga eklipsi kohor. Në fakt, viktimë e kësaj ideologjie kishin rënë jo vetëm Faik Konica dhe At Gjergj Fishta, por në njëfarë mënyre edhe Fan Noli, për të cilin, në fakt ishte bërë një përjashtim i vogël. Gjithsesi, as Noli nuk mund të pretendonte se ishte i përkëdheluri i sistemit. Idetë e majta, krijimi i Autoqefalisë dhe sidomos Revolucioni Demokratik e kishin shpëtuar gjeniun shqiptar nga presioni i harresës. E megjithëse me një mendje brilante, arsimim të shkëlqyer dhe njohës i 15 gjuhëve të huaja, administratorët e shtetit komunist ishin mjaftuar që emrin e tij ta përjetësonin në një shkollë 8-vjeçare, diku pranë “Pazarit të Ri” në kryeqytet. Ndërsa vlerat e tij ishin për shumë më tepër, ndoshta për vetë universitetin shtetëror.

Po kaq i harruar ishte edhe një lirik si Lasgush Poradeci apo prozator si Kasem Trebeshina që, edhe pse e jetuan regjimin në të gjallë të tyre, në fakt duket të ishin gati inekzistentë. Njëri në burg dhe tjetri i “syrgjynosur”. Ndërsa vepra e tyre mbeti fare e panjohur, apo thënë ndryshe e pabotuar për vite më radhë.

E megjithatë dua të shtoj se "Letërsia e ndaluar", nuk ka pse të glorifikohet për hir të “ndalesës” nëse vlerat e saj janë të nivelit mesatar. Kjo ka ndodhur pasi ndonjë studiues, për hir të kompromist me peshën e emrit nuk i ka dhënë vlerësim objektiv veprës.

Ernest Koliqi është padyshim një nga krijuesit më të talentuar të fillimit të modernitetit në prozën shqipe. Këtë e kanë vërejtur në forma të ndryshme shumë studiues, që janë marrë me krijimtarinë e tij artistike. Por edhe ai, viktimë e një firme politike, do të zhytej në terrin e harresës 50-vjeçare, për të marrë më pas një dimension të ri të shpërfaqshëm. Me krijimtarinë e pastudiuar të Koliqit mund të bashkohen dhe autorë të tjerë, si Kuteli e Konica në prozë edhe Poradeci në poezi. Ndërsa Migjeni i përdorur me mjeshtëri si “poeti i mjerimit” i mbijetoi sistemit jo vetëm për shkak të vargjeve goditëse, por mbi të gjitha falë talentit të tij të jashtëzakonshëm.

Ka dalë nga harresa një publicist si Gjergj Bubani. Vepra e tij është botuar thuajse e plotë nga shtëpia botuese “Omsca-1” e më pas dhe eseja monografike “Gjergj Bubani i harruari i përkohshëm” shkruar nga Kliton Nesturi.

Gjithsesi ishin vlera të mbuluara nga pluhuri i harresës.

Tanimë një pjesë e tyre i janë nënshtruar një studimi të plotë. Vepra e Jeronim De Radës vjen gjithashtu tërësore në këtë 200 vjetor të lindjes së tij.Vlerat e tyre po dalin në dritë. Kështu na kanë ardhur në botime të panjohura Konica e Fishta, Noli dhe Koliqi, Poradeci dhe Camaj. Madje ky i fundit në një vështrim mjaft interesan tek “Camaj i paskajuar” i studiuesit Shaban Sinani. E ndërsa krijimtaria e tyre ka marrë jo pak kohë nga ditët e studiuesve, të cilët këtë herë e kanë parë gjithçka në dimensionin e tyre të vërtetë, jashtë kornizave.

Nisma e një shkrimi të tillë erdhi pas një vëzhgimi jo fort të hollësishëm, por gjithsesi të dukshëm e domethënës, ku dola në përfundimin se në valën e promovimeve, sot ndesh jo pak vëllime të mirëfillta studimore, kushtuar figurave që mbartin vlera të vërteta. Janë pikërisht këto dalje në dritë e vlerave që kanë pasuruar më tepër tregun e librit  shqip.

...Por ndoshta s’duhet të mjaftohemi me kaq. Tanimë, ajo që paraqitet më e mundshme si rrezik i paralajmëruar është harresa e një pjese tjetër autorësh. Jo vetëm Pjetër Bogdani, Pjetër Budi apo Frang Bardhi, që i përkasin një kohe më të largët, por dhe vetë vëllezërit Frashëri janë më pak të përkrahur nga fryma e re studimore. Ndre Mjeda ndoshta është nga të paktët me një korpus prej 8 veprash, ku shtrihet e përmbledhur vepra dhe studimet mbi të, nga studiuesi Mentor Qyku. Por ende shumë pak është marrë në konsideratë dhe vepra e Zef Skiroit, Jul Varibobës apo Zef Serembes. Ndërkohë që ende nuk kemi një evidentim të kontributit të viteve ‘30, ku hyjnë autorë e publicistë si në rastin e Terenc Toçit. Nuk kemi ende një studim se çfarë përfaqëson Asdreni apo Viktor Eftimiu në letërsinë shqipe. Ndërkohë që Çajupi mbetet ndër autorët më të studiuar, ku spikat dhe studimi i Ermir Nikës: “Vepra e Çajupit dhe takimet e saj me rrymat letrare”.

Ndërsa ata që epokën e tyre e bënë nën regjimin e para viteve ‘90 kanë probabilitetin më të madh të futen në labirintin e harresës, të paktën për njëfarë kohe. Kështu prodhimtaria e Jakov Xoxes, Kolë Jakovës, Dhimitër Shuteriqit, Vath Koreshit, Dhimitër Xhuvanit, Dionis Bubanit, Ali Abdihoxhës, Mitrush Kutelit, Faik Balancës apo dhe një sërë krijuesish të tjerë që u munduan t’i shpëtonin socrealizmit është ende e patrajtuar.

Por problem mbetet dhe dramaturgjia ku ende nuk kemi një studim të dramaturgjisë shqiptare, që zë fill me dramën “Besa” të Sami Frasherit shkruar më 1874. Ndërkohë që ende nuk ka studime për gjuhën dramatike të Fadil Krajës, atë të Teodor Laços apo Ruzhdi Pulahës. I njohur më së shumti për përkthimet e fjalorët e tij, Vedat Kokona ka qenë gjithashtu një dramaturg, vepra e të cilit nuk është e studiuar. Studime mbi dramaturgjinë shqiptare janë ende shumë larg. Një pjesë e studiuesve tanë ose kapen nga gjëra të çastit ose vazhdojnë të bëjnë referenca me pagesë. Nuk është ndonjë gjë për t’u lavdëruar deri këtu. Ndër të rrallët që ka shkruar gjerësisht për dramaturgjinë shqiptare është kritiku dhe studiuesi Mexhit Prençi, por që gjithsesi mbetet ende shumë për t'u bërë. Ndërkohë që jemi në një periudhë ku krijimtaria e shpluhurosur të rilexohet në një kontekst të ri.

E duket se gjithkush do kohën e vet.

Leonard Veizi

Comments

Submitted by Shkrimtaret jan... (not verified) on

Nje shkrim qe duhet lexuar e plotesuar me deshire te mire.

Jane thene e shkruar edhe me pare, keto probleme, e te gjitha rezultojne ne nje pike:

Ka Histori Letersie dhe Letersi.

Letersia jane librat, te shkruara ne nje kohe te caktuar, te lexuara e kuptuara brenda asaj kohe, dhe te rilexuara (qofte edhe te ri-shkruara) ne kohen Sot, apo ne kohen Neser.

Fishta si letersi, jane tere te shkruarat e tij, gje qe duhet ndare e shpetuar prej Historise se si e kane lexuar/interpretuar/shkruar/diktuar politikat e dites nen diktature apo sot.

Histori eshte se si ka mundur shoqeria, me dukshem ajo Elitare, ta njoh/ta doj apo ta perdore vepren e jeten e tij.

A duhet te neglizhohet qe dikush e quajti "shkrimtar shoven" Fishten, dashurorin e madh te Shqipes e te Shqiperise?!

A duhet te kerkojme ndjese qe e dinim Lasgushin Vdekur, teksa ne te gjallet rrembenim lavdine e Poeteve te Pare, ne gjallje te Tij?!

A duhet te jemi me serioze ndaj ndokujt qe hedh balte mbi Autoret qe ju permendni, me te drejte, per llogari te njerit apo tjetrit Sot, kur fare mire do duhej te majftoheshim me te qenit te drejte, me te gjithe...?

Ku mbaron Letersia dhe ku fillon Historia e Letersise, kjo duhet rrefyer me sa me shume deshire te mire, ngaqe te dyja respektojne njera tjetren dhe nderojne shqipen si Atdhe ne radhe te pare te poeteve e shkrimtareve, por jo me pak te kultures shqiptare dhe lexuesve te saj.

Submitted by ? (not verified) on

Autori shkruan për figurat e ndritura të letërsisë shqipe dhe përdor formën e gabuar «ç’pluhuros» si në titull ashtu edhe në artikull (fjalia e parafundit).

Nuk përdor formën e duhur «shpluhuros», ndërkohë që në brëndësi të artikullit ka përdorur formën e saktë (sh+folje, pa apostrofë) në fjalinë e mëposhtme  “Për t’iu kundërvënë këtij konteksti lindën realitetet, që sollën nevojën e shpalosjes së gjithë asaj pjese të historisë sonë, që ishte kapluar nga eklipsi kohor.”

Është “lapsus calami”, paradoks (flitet për lëvrues të gjuhës shqipe), ironi apo mosdije (injorancë)?!

Ky rast (që për fat të keq ndeshet shpesh nëpër faqet e shtypit shqiptar) i përshtatet më së miri (mendoj) çështjes së trajtuar nga Gilman Bakalli në gazetën Mapo dhe të publikuar edhe nga Respublica.al.

http://www.mapo.al/2014/12/elozh-moskuptimit/

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.