Kur do kemi një dekoratë për Nexhmije Hoxhën?

Dje qarkulloi në shtypin online lajmi që është dekoruar Vito Kapo, e veja e Hysni Kapos, si dhe ish-anëtare e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe ish-ministre e Industrisë së Lehtë në kohën e Enver Hoxhës dhe të Ramiz Alisë. Ky lajm na shtyn të shtrojme disa pyetje:
1. Kur do të dekorohet Nexhmije Hoxha? Përderisa motivet që u dhanë për dekorimin e Vitos vlejnë dhe për Nexhmijen, na duhet të presim dhe një dekorim të Nexhmijes?
2. Sa vite do të shtyjmë akoma me dekorata/qoka për të shlyer borxhe apo detyrime të paqarta?
3. A ka ndërmend Rama të mbajë ndonjë premtim të dhënë gjatë viteve 2011-2013 në lidhje me këto gjeste (e plot të tjerë)?
4. A duhet t'i kërkojmë ndjesë Sali Berishës? E shtroj këtë pyetje sepse i kemi kërkuar llogari Sali Berishes për të shkuarën e tij duke vënë në dyshim kredibilitetin e tij pas 1990-ës si dhe për të hedhur dritë mbi plot sjellje të dyshimta të tijat ndër vite, duke aluduar se këto sjellje vijnë si pasojë e lidhjeve të vjetra. A ishte Berisha "vetëm një mjek"??? A i kemi "rënë në qafë" gabimisht për afërsinë që kishte me pushtetin??? Shpesh herë kemi përdorur faktin që Berisha ishte doktori i Hysni Kapos dhe duke i kujtuar fotot e tij ne liqenin e Pogradecit me familjen Hoxha. Sa serioze janë këto "akuza" kur qeveria rilindase dekoron për mirenjohje të shoqen e Hysni Kapos?
Shënim i redaksisë: Nisur nga rëndësia e temës si dhe nga ngacmimet në "Facebook" të Berishës dhe Braçes, intervistuam gazetarin Mustafa Nano, njëkohësisht edhe themelues i "Respublica.al". Më poshtë po japim të plotë këtë intervistë:
Pyetje: Zoti Nano, ju ka shpëtuar lajmi i dekorimit të Vito Kapos për merita të sajat gjatë Luftës II Botërore?
Përgjigje: Jo, jo, nuk më ka shpëtuar. Përkundrazi, më ka kapur në befasi…
Pyetje: Ç’doni të thoni me këtë?
Përgjigje: Nuk e prisja. E njoh, madje dhe e mirëkuptoj, prirjen e të majtës shqiptare, posaçërisht të PS-së, për të nënvizuar rëndësinë e luftës kundër nazi-fashizmit dhe kontributin që kanë dhënë shqiptarët gjatë kësaj lufte, por nuk kuptoj pse këmbëngulin ta bëjnë këtë gjë nëpërmjet valorizimit të disa figurave të luftës që më pas, për gati 50 vjet, ua nxinë jetën shqiptarëve, madje edhe atyre shqiptarëve që kishin luftuar tok me ta.
Pyetje: Si e shpjegoni këtë nderim të tyre për eksponentët e diktaturës?
Përgjigje: Nuk di ç’të them. Nuk më shkon mendja se Mimi Kodheli është nostalgjike e komunizmit. Aq më pak më shkon mendja që është Edi Rama i tillë. Duhet të jetë një operacion i natyrës elektorale, ose një përthyerje e natyrshme e dialektikës në debatin publik mbi këtë temë (meqënëse të djathtët e tundin pa fund flamurin e antikomunizmit, të majtëve u duhet me pahir të mbajnë një qëndrim simetrik në këtë mes), ose një presion që ushtrohet mbi leadership-in e sotëm të PS-së nga segmente ende të ppsh-izuara të partisë së tyre; në këtë rrethanë, leadership-i e sheh të udhës t’u shkojë pas midesë, duke mos e bërë të madhe këtë punë. Por në fakt, janë duke e tepruar me këto nderime; apo me miratimin në heshtje të këtyre nderimeve.
Pyetje: Ju jeni me idenë se Enver Hoxhës nuk i duhet njohur kontributi në këtë luftë?
Përgjgigje: Jo, jam me idenë se ky kontribut ekziston dhe historiografia duhet ta njohë, por politikisht nuk ka asnjë kuptim, në mos përbën provokim, ta mbrosh e ta idealizosh. Ky kontribut është thjesht një parantezë krejt pa rëndësi në jetën e Enver Hoxhës, i cili do të mbahet mend më shumë për “kontribute” të një natyre tjetër në historinë e këtij vendi.
Pyetje: I njëjti arsyetim duhet bërë edhe për Vito Kapon…
Përgjigje: Në raportimet e bëra është thënë se Vito Kapo ka qenë një figurë qendrore e diktaturës komuniste. Në fakt, nuk është tamam kështu. Figurë e rëndësishme e diktaturës ka qenë i shoqi i saj dhe jo zonja në fjalë. Por ky saktësim, afërmendsh, nuk e justifikon dekorimin e bërë. Ajo vërtet ka luftuar atëbotë, por më pas, për dekada të tjera, i ka qëndruar në krah heroikisht burrit të vet, që ishte krahu i djathtë i diktatorit. Të isha në vend të ministres së Mbrojtes, veç tek dekorimi i gruas së Hysni Kapos nuk do më shkonte mendja.
Pyetje: Faleminderit …
M. Nano: Ah, një gjë të fundit. Në shënimin “redaksional” që është bërë në rubrikën “Billboard” të "ResPublica"-s “fajësohet” edhe njëherë Sali Berisha si doktor i Bllokut. Unë mendoj se ky “fajësim” ka pasur kuptim në kohët kur Berisha filloi karrierën politike. Ndërsa sot nuk ka kuptim që ai të denoncohet si “doktori që ka bartur shurrën e Enverit apo të Hysniut nëpër Europë”. Ai ka bërë zullume të pafundme më pas, deri dhe krime (të mos harrojmë, fjala vjen, 21 janarin 2011), për të cilat duhet të përgjigjet.

Comments
Po ju e keni hallin pse
<p>Po ju e keni hallin pse dekorohet Vitua apo keni hallin qe te dekorohet Nexhua?! Se nga titulli, madje dhe permbajtja, duket si kjo e dyta. Gjithsesi, Vitua te pakten ka meriten per ndjeshmerine njerezore, pasi eshte e vetmja qe ka kerkuar falje, nje fenomen qe neve shqiptareve s'na ngjet!</p>
Add new comment