Kurti: Bashkimin Shqipëri-Kosovë nuk do ta bëjmë për inat të tjerëve, por për të mirën tonë

Albin Kurti flet për herë të parë si kryeministër i ardhshëm. Për çështjen më të rëndësishme që ka të bëjë me negociatat me Serbinë, ai thotë se Vetëvendosjen në qeveri nuk do të ketë negociata me Serbinë.
“Nuk do të bëjmë bisedime me Serbinë, Do t’i vëmë kushte asaj: njohjen e Kosovës, heqjen e Kosovës nga kushtetuta e Serbisë, kërkim faljen dhe dëmshpërblimet e luftës etj. Ndërsa, tri lloje bisedimesh tjera që do t’i bëjmë janë: me Brukselin për ta transformuar EULEX-in në Kosovë nga një mision që është me fuqi ekzekutive këtu, në një mision i cili na ndihmon të zhvillohemi; bisedime me Tiranën për t’u afruar dhe integruar sa më shumë Kosova me Shqipërinë; dhe bisedime me serbët e Kosovës si qytetarë të republikës në rolin e tyre shoqëror me të drejtat e njeriut dhe të drejtat e pakicave. Pra, besoj që Kosova për t’u bërë me tamam republikë, ka nevojë që në vend të negociatave me Serbinë, të ketë bisedime me Brukselin, bisedime me Tiranën dhe bisedime me serbët e Kosovës”, thotë Kurti në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Bashkimin me Shqipërinë, Kurti e shikon si një veprim normal. “Ne besojmë që Kosova do të jetë shtet plotësisht sovran me të drejtën që të bashkohet me Shqipërinë. Natyrisht që duhet të bisedojmë me qeverinë në Tiranë për këtë. Pengesë e kemi nenin 1.3 të kushtetutës që na e ndalon bashkimin me një shtet tjetër. Kufiri midis Kosovës dhe Shqipërisë nuk është kufi i shqiptarëve,është kufi i Jugosllavisë dhe Serbisë. Dhe mendoj që nuk duhet të hezitojmë ta themi hapur këtë gjë. Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë unë nuk e shoh si diçka që shkakton luftën e tretë ballkanike. Por, në mënyrë paqësore dhe demokratike, pra me referendum, me bashkëpunimin e dy qeverive, ne do të mund të banim këtë. Jo për inat të të tjerëve, por gjithsesi për të mirën tonë.”
A kanë vullnet klasat politike të të dyja vendeve? “Është e vërtetë se shumë politikanë në Prishtinë e në Tiranë, por posaçërisht në Prishtinë dhe shumë biznesmenë rrotull tyre, i preferojnë këto feudet, principatat. Por, ne duhet ta tejkalojmë feudalizmin tash. Jemi në shekullin XXI dhe mendoj që po vjen një brez i ri i cili do që shqiptarët në Ballkan t’i shohë të dinjitetshëm karshi kombeve të tjera jo vetëm në Ballkan dhe mendoj që është edhe e drejta edhe interesi ynë për këtë. Unë besoj që brezi i ardhshëm i shqiptarëve që po vjen, do ta ketë jetën dhe perspektivën shumë më të mirë sesa brezat e shekullit XX dhe për këtë gjë, si kryetar i lëvizjes Vetëvendosje punoj ditë e natë që t’i shërbej këtij brezi që po vjen edhe pas meje le të them”, përfundon Kurti.
http://www.zeriamerikes.com/content/kosovo-albin-kurti-interview/1926723...
S.S
Comments
I uroj shume suksese, i vetmi
<p>I uroj shume suksese, i vetmi politikan ne kuptimin e plote te fjales ne hapsiren pan-shqiptare. </p>
Add new comment