Kujdes me ndërshkëmbimet shqiptare!

Postuar në 11 Dhjetor, 2011 03:45
Uk Lushi

Në historinë e gjertanishme të botës asnjë shekull nuk ka nxitur shkëmbim më të madh dhe afrim më të ngjeshur mes njerëzve se sa shekulli  XXI. Ky qindvjeçar i ri të njëjtën gjë ka bërë edhe me shqiptarët; posaçërisht prej çlirimit të Kosovës me 1999. Kurrë në historinë shqiptare nuk ka pasur më shumë gjezdisje, trambë dhe bashkëpunim se sa në dekadën e fundit. Hapësira jonë në Ballkan është përsëri një realitet unik gjeopolitik, demografik, ekonomik dhe kulturor. Shqiptarët e shekullit XXI jetojnë në shtete të ndryshme në Ballkan  dhe anembanë globit. Ky fakt mund të shihet si avantazh apo disavantazh – krejt varet prej perspektivës dhe sjelljes së një bashkësie njerëzore përkundrejt një realiteti, qoftë ai i përkohshëm apo i përhershëm. Pas  shembjes së mureve ndërshqiptare gjatë dy decenieve të fundit, (ri)lidhja jonë në Ballkan vijon të ngjizet përmes shkëmbimeve  familjare, ekonomiko-tregtare, politike, ushtarake dhe sportive. Të gjitha këto veprime pa mëdyshje që janë akte të rëndësishme dhe si  rezultat i tyre neksusi i shqiptarëve sigurisht që do të vazhdojë të kalitet.

Megjithatë, bashkëveprimi dinamik, përpos nga efekte kuruese  për dëmet e ndarjes së pavullnetshme gati njëshekullore, është duke u  përcjellur edhe nga efekte anësore negative si fjala bie asimetri, shfrytëzim mashtrues në emër të patriotizmit, dhe, aty-këtu, nga  mosgatishmëri dhe mosdashje e paramenduar për njohje panshqiptare. Mund të merren shembuj të shumtë për të ilustruar konstatimin e më lartë: problemet në shkëmbimin e produkteve bujqësore mes Shqipërisë dhe  Kosovës; turizmi njëdrejtimësh mes Maqedonisë dhe Shqipërisë; deficiti i lartë tregtar midis Kosovës dhe Maqedonisë etj.

Këmbimet fizike, ekonomike dhe materiale janë vetëm muskujt e trupit të një populli dhe  ata mund të riparohen dhe fuqizohen relativisht lehtë dhe shpejt nëse ka vullnet për punë dhe stërvitje. Porse, brenda çdo grupi njerëzor, si vështirësitë ashtu edhe zgjidhjet e tyre, prejardhjen burimore e kanë tek sasia, cilësia dhe barabarësia e shkëmbimeve shpirtërore e të  gjithë pjesëtarëve të grupit. Bile, nëse shkëmbimi fiziko-ekonomik mund të kualifikohet si kusht i mjaftueshëm, shkëmbimi dhe reciprociteti  spiritualo-kulturor në të gjitha mënyrat është kusht i nevojshëm dhe  domosdoshëm për progres të qëndrueshëm të komonuelthit gjeografik shqiptar. Përpos reciprocitetit sa më të barabartë, shkëmbimet ndërshqiptare po  ashtu nuk do të duhej të kishin një qendër centripetale në asnjërin pol të boshteve Tiranë-Prishtinë-Shkup.

Konglomerati i vlerave, vizioneve  dhe aspiratave shqiptare – në fakt – ka më shumë se tri pole, sepse  krijuesit dhe konsumuesit e tyre jetojnë, punojnë dhe edukohen në disa  shtete në Ballkan dhe gati në të gjitha kontinentet: Europë, Amerikë,  Australi dhe Azi. Pra civilizimi – gjegjësisht jetesa, arti, shkenca dhe kultura shqiptare moderne janë një – por multipolare – dhe si çdo fenomen  multipolar kërkojnë pranim, paanësi dhe njohje të secilit pol. Fatkeqësisht në disa raste këto parime nuk po respektohen. Në universin shqiptar janë trajtësuar grupe interesi, të cilat disa pjesë të caktuara të botës shqiptare i shohin vetëm si treg, kurse shqiptarët atje vetëm si blerës apo konsumatorë të produkteve, gjegjësisht  spektakleve të veta apo të zarbanikëve të tyre. Metodat e promovimit janë shumë të pacipa dhe thjeshta: reklamim, marketing agresiv dhe  himnizim nanuritës (nga njerëz që në të vërtetë janë pjesëmarrës apo aksionarë në  procesin e krijimit të produktit apo show-t); ndërsa që nuk ka aspak ose  fare pak inspektim neutral ose kritik. Gjithçka në rregull dhe sipas rregullave të lojës së tregut – ka të  drejtë të përgjigjet dikush.

Niveli i shitjes së çdo produkti apo shërbimi në fund të fundit përcaktohet nga dëshirueshmëria dhe cilësia, në njërën anë, dhe marketingu, në anën tjetër. Veçse korrektesa e mekanizmit të tregut shkon në bisht të sorrës kur marketingu në mënyrë  të padrejtë mbizotëron tërë fushën që duhet ta ndajnë oferta dhe kërkesa  si dhe kur ja merr anën asaj të cilësisë së përmbajtjes. Tregu, pjesëmarrësit në treg dhe mekanizmi mbështetës i tregut duhet të jenë transparent dhe të paanshëm për të gjitha produktet dhe për të gjithë  shitësit dhe blerësit. Për pasojë, kohëve të fundit, është ngritur shumë pluhur ankues për  shkëmbimet ndërshqiptare si në Prishtinë, si në Shkup, ashtu dhe në  Tiranë. Shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë qahen për arrogancë të  shqiptarëve të Republikës së Shqipërisë dhe përfillje minimale të vlerave dhe asaj çfarë ata ofrojnë, kurse këta të Shqipërisë londineze ankohen që si shqiptarët e Kosovës si ata të Maqedonisë kanë frikë nga  konkurenca dhe ende janë provincialistë me prodhimtari inferiore  krahasuar me Republikën e Shqipërisë. Të tri grupet janë gabim. Ndarja shqiptare e shekullit të XX-të gjithsesi ka qenë e egër dhe  jonjerëzore. Ajo ka rezultuar me gjymtime dhe si çdo çarje e dhunshme  ende prodhon mosnjohje, ndërkaq dihet mosnjohja pjell paragjykime dhe në  mbarim paragjykimet–dyshime. Mirëpo shqiptarët kanë krijuar vlera në të  shkuarën, ashtu siç i krijojnë ato ende dhe siç do të vazhdojnë t’i krijojnë përgjithmonë derisa të mbahet gjallë civilizimi dhe kultura  shqiptare si pjesë e civilizimit dhe kulturës njerëzore. Prodhimtaria e të mirave dhe vlerave shqiptare është goxha sasiore dhe nuk ka një  qendër të vetme gjeografike–kjo është e qartë për të gjithë ata që e njohin arealin e përgjithshëm shqiptar, ndërkaq të gjithë ata që nuk e dinë këtë fakt, apo që krekosen dhe gënjejnë se e dinë, do të duhej ta mësojnë. Penguesit dhe përfituesit dhelparakë, një dekadë brenda shekullit të globalizimit dhe integrimit të fuqishëm të mbarë rruzullit tokësor, duhet të neutralizohen dhe ndalohen. Kjo natyrisht nuk duhet të pritet që do të ndodhë nga ndonjë intervenim i marsianëve apo jashtëtokësorëve, por duhet të iniciohet dhe ngjet nga angazhimi i vetë shqiptarëve. 

Shkëmbimet ndërshqiptare para së gjithash duhet të jenë raport i  sinqertë i ndërssjelltësisë dhe ekuivalencës. Prandaj të gjithë atyre që abuzojnë me to, bashkërenditjet si dhe bashkëveprimet ndërshqiptare  duhet thënë sheshit: kujdes, shpërdorimi juaj do t’u kthehet bumerang. Mirëqenia, mbarësia dhe vlerat fine të çdo populli vijnë nga  marrje-dhënia dhe dhënie-marrja e lirë, vullnetare dhe detyrimisht e drejtë e secilës pjesë të tërësisë.

Comments

Submitted by arian (not verified) on

<p>ne fakt,korbat e tregut fluturojne te lire mbi kufijte,na tregojne mberritje te reja,por,e keqja qe sjellin ne kete rast,eshte me madhe se e mira;rrisin dyshimin,mosbesimin,zhgenjimin aty ku per arsye historike ata elemente vete kane &quot;lulezuar&quot;njefare maset.Imagjino pastaj,me ate homogjenitet te munguar kombetar(sidomos ne Shqiperi)se c&#39;bastisje i bejne atyre pak te&quot; mbjellave&quot; kombetare ata,korbat &quot;kombetare!</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.