Sa pak vëmendje për Personat me Aftësi të Kufizuar!

Sipas statistikave të Ministrisë së Punës, Ҫështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, rreth 3% e popullsisë ose 130 mijë, janë Persona me Aftësi të Kufizuar. Kjo do të thotë se 16% e familjeve shqiptare kanë në strukturën e saj një person me aftësi të kufizuar. Po të marrim një familje mesatare me katër persona ku ka në përbërje një person me aftësi të kufizuar, një pensionist, një të papunë dhe një fëmijë, të ardhurat e kësaj familjeje do të ishin vetëm ato nga pensioni i pleqërisë 12800 lekë dhe ai i aftësisë së kufizuar 9 mijë lekë, pra mesatarisht 5 500 lekë për person. Kjo do të thotë se këto familje jetojnë me më pak se dy dollarë në ditë, duke vuajtur dy fatkeqësi njëherësh. Nëse aftësia kufizohet nga rrethanat e momentit, natyra a zoti, varfëria vjen nga mosvëmëndja sa duhet e shtetit....
... Për hir të realitetit duhet thënë se në këta 20 vjet të demokracisë shteti ka marrë disa masa për të përmirësuar jetën e Personave me Aftësi të Kufizuar, si në hartimin e ligjeve për t'i përafruar ato me Konventat Ndërkombëtare, por edhe në fusha të tjera duke i bërë të prekshme nga përfituesit, por mbetet ende larg asaj që duhet. Pagesa e aftësisë së kufizuar dhe e personave kujdestarë është ende e ulët dhe nuk pëson rritje në sinkron me pagat e tjera, madje as kompensimi i çmimeve nuk bëhet i përvitshëm. Disa Qëndra të shërbimit social janë të përqëndruara në qytetet kryesore, duke mos u dhënë mundësi të marrin pjesë më shumë përfitues, por dhe nuk zgjidhin të gjitha problemet e Personave me Aftësi të kufizuar. Mjekimi në tërësi çalon për shkaqet e njohura të mungesës së medikamenteve në spitale, korrupsionit të lartë e ryshfetit si metodë pune. Për disa grupime brenda këtyre personave, për shkak të infrastrukturës jo të përshtatëshme në institucionet spitalore, mjekimi është i vështirë dhe torturë shpirtërore. Pas daljes nga spitali nuk bëhet fjalë më për rehabilitim shëndetësor për të mundësuar vetëshërbimin deri në një farë shkalle sa të jetë mundur dhe rehabilitim shoqëror për t'u bërë atraktivë për punë. Punësimi, me gjithë legjislacionin detyrues për punëdhënësit, mbetet i ulët. Strehimi si një e drejtë është e pa realizueshme duke i mëshuar zgjidhjeve të sforcuara personale për të arritur qëllimin. Ndërsa nuk mendohet aspak për pushimin e argëtimin e tyre, kjo edhe si terapi mjekimi kundër stresit që i kaplon që nga fillimi i hyrjes në statusin e personit me aftësi të kufizuar. Nuk ndihmonen sa duhet për të vënë në funksionim aftësitë dhe potencialin e intelektit që zotërojnë në fusha të caktuara, për t'i nxitur e pasuruar më tej dijen e talentin e tyre. Në fshat këta persona janë pothuajse të izoluar për shkak të infrastrukturës së lëvizjes jo të përshtatëshme dhe mundësive të pakta që u ofrohen.
Duke patur parasysh se Shqipëria aspiron që të hyjë në BE, ku kërkohet respektimi i të drejtave të njeriut, që më së shumti theksi vihet në pakicat kombëtare e ato kategori shoqërore të margjinalizuara të shoqërisë, ngritja e një Qëndre Kombëtare Multifunksionale sipas parametrave bashkëkohorë, ashtu siç e kanë dhe shtetet e tjera antare, për t'u ardhur në ndihmë në kohë e sa më mirë këtyre personave të shumvuajtur, që shtron koha është domosdoshmëri. Ky Institucion Multifunksional duhet të zgjidhë disa probleme të mëdha që kanë këta persona e që nuk i ofrojnë rrethet për shumë shkaqe, arsye e pamundësi. Si mjekimin cilësor me mjekë specialistë, rehabilitimin jo vetëm për personat që do ishin rezidentw, por edhe për të tjerë si terapi ditore, furnizimin me pajisje ndihmëse të domosdoshme për jetën e përditëshme, strehimin e atyre personave që nuk do e shihnin të arsyeshëm qëndrimin në familje, por edhe që mbeteshin pa përkrahje e të pa strehë, mundësimin e arsimimit në të gjitha shkallët e sistemit arsimor, punësimin brënda institucionit edhe jashtë tij, gjë që duhet ta marri përsipër institucioni, vënien në zbatim të ideve e talentit që zotërojnë Personat me Aftësi të Kufizuar, kjo edhe si pasuri kombëtare, deri edhe pushimin e argëtimin i tyre sa më të larmishm për t'u ndierë mirë me veten e tyre, do të ishte masë e duhur për mundësi të bararabarta në një shoqëri demokratike.
Me sa jam në dijeni ky projekt ka vite që është kërkuar edhe nga shoqatat e Personave me Aftësi të Kufizuar, por deri tani nuk është bërë e mundur. Ndoshta u takon atyre të ngrejnë zërin më fuqishëm me qëllim që kjo të realizohet në kohë. Nuk di se sa mund të jetë kostoja e ndërtimit të kësaj Qëndre Multifunksionale, por ma merr mendja më e ulët se fondi që do të përdoret për ndërtimin e parlament të ri moderrn, që thuhet se kalon përtej 100 milion eurove. Pavarwsisht kostos ngritja e kësaj qëndre nuk mund të jetë komoditet, por detyrim i shtetit për mundësi të barabarta në shoqëri. Më 3 Dhjetor ishet Dita e Personave me Aftësi të Kufizuar, dhe le të jetë ky shkrim sensibilizues për shoqërinë e shoqatat kujtesë për instancat qeveritare për mundësimin e fondeve dhe organizmat ndërkombëtare për asistencën e nevojshme.
Comments
Per neve shqiptaret personat
<p>Per neve shqiptaret personat me aftesi te kufizuar i konsiderojme se nuk ekzistojne fare, as i perfillim, as i mendojme, as u hapim rruge, as ... as ...as... - Mungese e plote ndjeshmerie ndaj tyre (mjerisht).</p>
me ka rene rasti te jem e
<p>me ka rene rasti te jem e pranishme ne biseda midis shtetaresh te cilet mburren se ne Shqiperi nuk kemi persona me aftesi te kufizuar, ndryshe nga venede te Europes perendimore. Jam habitur shume nga kjo shkurtpamesi, sepse ne te vertete shtetaret duhet te kuptojne qe, nese ne Shqiperi nuk shohim persona me aftesi te kufizuar kjo nuk do te thote se ata nuk ekzistojne, por se ata e kane te pamundur te jetojne midis te tjereve per shkak te barrierave te panumerta. qofshin fizike apo mendore, qe shoqeria u vendos ne menyre aktive (psh stigma apo infrastruktura e papershtatshme) apo ne menyre pasive (neglizhenca, abandonimi, izolimi)...</p>
Add new comment