Shqipnia: Zvicër apo Abisini?

Me këtë dilemë përballej në nji artikull të botuem tek e përkohshmja “Fryma”, në gusht të vitit 1944, intelektuali shkodran, avokati Muzafer Pipa, i cili mbas pak kohet do të martirizohej prej regjimit komunist.
Përgjegja e tij ishte se Shqipnia nuk asht (ishte) as njena as tjetra, por diçka e mesme, nji “mediokritet”, e quen ai - tue ruejt ngjyrimin etimologjik të skajit.
Gjendja e mjerueshme e Shqipnisë, për avokatin Pipa, mvarej kryesisht prej mungesës së ndërgjegjes qytetare dhe sensit të përgjegjsisë: “Lirí kërkuem e lirí do të kemi por, ndërgjegje personale e kolektive nuk patme kurr”.
Kanë kalue aq shumë dekada qysh atëherë, sa njeriu mundet me mendue se, vetvetiut, ashtu si vetvetiut vetë koha dhe inercia ka ba që fiset e Abisinisë të braktisin komunikimin e lashtë me lâmsha tymit e të kapin celularin, edhe ne të kemi krijue nji ndërgjegje qytetare e politike.
Por moti i mirë duket nadje e ne kemi 20 vjet liri por mot të mirë s’po shohim kund. Fjalët e mëdhaja kanë rrjedh lumë, por fakte shumë pak ose aspak.
Shkruente asokohe Muzafer Pipa: “Dhe kështu vazhdoi me triumfue politika e egoistave, e dallkaukve, e dallaveraxhive e të tillve qi e ndreqen vedin dhe nuk deshten m’e përdorë kapitalin e tyne landuer e menduer për të miren e përbashkët. Në çdo kohë dhe në çdo rasë, veprimet inkoshiente të nëpunsave e funksionarëve të naltë të shtetit dhe t’industrialve shpirtë-ultë, nuk e lanë me marrë frymë kët popull dhe nuk dhanë mundësi me ba as edhe nji hap përparimit të vërtetë”.
Duken si me qenë fjalë të shkrueme dje, por nuk asht kështu.
Mes nesh dhe Muzafer Pipës rrijnë ma se katër dekada të kobshme që jo vetëm nuk kontribuen me ndërtue ndërgjegjen qytetare, si fryt të dinamizmit të lirisë së shpirtit, por ndrydhën vetë shprehjen e saj të lirë. Mandej kemi edhe dy dekada tjera anarki shpirtnore e politike, korrupsion dhe shtet-shpërbamje që kanë pezullue pothuejse krejt rindërtimin shpirtnor të shqiptarit.
A jemi sot, rishtas, përballë dilemës Zvicër apo Abisini?
Unë besoj se jo. Askurrkush nuk rrezikon me na ngatrrue me Zvicrën, për ketë gja mjafton edhe nji shikim i hedhun edhe prej shtatëmijë metrash naltsi, prej avionit, tue pa malet e shpyllëzueme e tokat djerrë. E sa ma shumë t’i afrohesh jetës shoqnore e sidomos klasës sonë politike, e aq ma të qartë do ta kesh se e vetmja gja e përbashkët që kemi me Zvicrën asht ora legale.
Por ama nuk jemi as Abisini, pse nuk kemi as antilopë dhe as gomarë të egjër. Tek ne këto specie janë zbutë dhe dalngadalë kanë ngjitë shkallët ma të nalta të administratës, tue dhanë kontribute të çmueshme e hijeshi ekzotike, përpara botës që na sheh e çmeritun.
Muzafer Pipën e neveriste më 1944 deklarata e nji deputeti shqiptar, e lëshueme 10 vjet ma parë: “ç’i doni gjithato shkolla në vëndin t’anë; neve kemi nevojë për bujqër; ky milet është bile më tepër barí”.
Ky avaz vijoi edhe mbas vitit 1944, kur bujqësia u ba “çështje e gjithë popullit”.
Na ka mungue e na mungon shûjta (ushqimi) shpirtnore, parimet humaniste, kriteret shkencore, metodat ma të përparueme. E them ketë, tue pa sesi intelektualë a historianë që në kohën e Dullës nisnin e përfundonin pallavrat e tyne me lavde e citate të marruna prej ma të madhit mendimtar që kishte simbas tyne Shqipnia, sot vijojne në deliret e tyne senile me qenë altoparlanta të nji pseudoshkence ku realiteti cungohet, faktet tredhen pamëshirë dhe subjektiviteti kalon çdo përmasë të pranueshme edhe për partizanët ma të thekun të gjanave.
Janë këta pseudointelektualë që ua helmuen shûjtën shpirtnore brezave të tanë me rrenën e kthyeme në sistem, që e shitën vetveten dhe iu servilosën regjimit për me përfitue privilegje dhe për me ba karrierë.
Në qoftë se sot nuk kemi mbërrijtë me krijue nji ndërgjegje të mirëfilltë qytetare dhe politike, kjo gja i duhet dijtë për nderë edhe këtyne mistifikatorëve e mercenarëve të nji ideologjie të flligshtë e hibride siç qe komunizmi shqiptar.
Në të largtin vjetë 1927, filozofi francez Julien Benda botonte librin me titull “Tradhtia e klerikëve” (La trahison des clercs). Me termin “clerc” ai nënkuptonte intelektualët që kanë tradhtue misionin e tyne sherbestar në të mirë të ndriçimit shpirtnor të njerzve. Bahet fjalë për misionin e udhërrëfyesit të paanshëm, që me durim e me vendosmëni zhgulë prej shpirtit të njerzve injorancën dhe mbjellë farën e dijes.
Intelektualët që tradhtojnë idealet e dijes së vërtetë, thotë J. Benda, bahen palë me politikën, mbyllin sytë, të zezën e thrrasin të bardhë e të bardhën të zezë.
Kaosi i sotëm shpirtnor, korrupsioni, jo vetëm i politikës, mvaret edhe prej kësaj tradhtie.
Në Shqipnín tonë ata e treguen veten se ishin të zotët me qenë “good servants and bad masters” (sherbtorë të mirë dhe mësuesa të këqij).
Muzafer Pipa asht modeli i intelektualit që i qëndron besnik idealeve të veta. Antifashist, antikomunist, demokrat, progresist, atdhetar e sidomos njeri deri në fund.
Si avokat guxoi me mbrojtë të vërtetën në gjyqet farsa që regjimi komunist inskenoi menjiherë mbas marrjes së pushtetit për me dënue klerin katolik. Çoi zanin e tij të guximshëm për me i dalë zot të vërtetës. U arrestue dhe u vra pabesisht mbas shpine.
Sa intelektualë ka sot Shqipnia që kanë guxim me dalë e me thanë haptas të vërtetën, pa pasë frikë për rrjedhojat? Jam i bindun se ka e disa sish i njoh personalisht. Por duhet që të gjithë së bashku të themi të vërtetën, pse vetëm ajo na ban të lirë.
Nuk na lypet gja lëvizja e lirë në zonën Schengen, kur s’kemi guxim me thanë të vërtetën e për ma tepër vijojmë me i thanë përditë m... marshallah!
Tue folë për Shqipnin: “barka – vërente Muzafer Pipa – duhet me pasë jo vetëm motor të fortë, por edhe kapidana të zot e të sakrificës. Përndryshe, ajo do të mbytet me gjith njerz qi ka mbrenda”.
Comments
Respekt zoti Ndreca per idete

Respekt zoti Ndreca per idete dhe kulturen, por une te lexoj me shume veshtiresi dhe disa here jam ndalur nuk kam mberritur ne fund te disa shkrimeve.

Nuk di se c'ndodh me te tjeret, por kur kjo ndodh me mua qe kam lindur ne treva te Gegenise dhe i kam kalu te 40-t, ma merr mendja se me te rinjte e kane edhe me te veshtire.

Kurse une z. Ndreca e kuptoj

Kurse une z. Ndreca e kuptoj plotesisht, edhe une lindur ne treva te Gegenise, dhe me bahet se fjalet Ardianit i dalin nga shpirti, e ma bukur s'ka si shkruhet. Te lumte Ardian, shpresoj qe te bahen shume si ti qe i thone gjanat haptas se per kete kemi nevoje ma shume se kurre ne shqiptaret.

Kurse une mendoj se ja vlen

Kurse une mendoj se ja vlen me msue gegenishten vetem me te lexu ty! Fjale te arta! Marre prej nje njeriu qe e paska diagnostikuar kete vend 60 vjet me pare me nje mprehtesi gati gjeniale, por sidoqofte me nje qartesi dhe thjeshtesi sublime.

Por nga qe kam shume respekt per ju, kisha deshire me ju ba nje pyetje: si shpjegohet qe kemi ndryshuar kaq pak dhe si ka mundesi qe kemi po ate problem per 40 vjet dhe nuk po duket nje permirsim ne kete drejtim?

Add new comment