Duke kërkuar nëpër jetë me gishta të verbri

E mban mend herën e parë kur ke parë hënën apo diellin, kur ke parë errësirën dhe dritën, efektin e natës e të mëngjesit, kur ke parë detin, kur ke mundur të ecësh me dy këmbë e pa u mbajtur kund, kur ke çarë gjurin e të ka dalë për herë të parë gjak, kur e ke parë veten në pasqyrë? Besoj që jo. Normalisht mbajmë mend takimin e parë me gjëra që kanë ndodhur më vonë në jetë… ndoshta ditën e parë të shkollës, herën e parë kur kemi pasur një lodër të ëndërruar ose këpucët e para llustrafin, filmin e parë vizatimor shfaqur mbi një mur të ashpër, librin e parë që na ka bërë të ndiejmë se lidhja jonë personale me të menduarit e paska kapërcyer kompleksitetin e konkretes dhe reales; mbajmë mend stilografin e parë që dëshmonte se familja tashmë të quante të rritur. Herët e para formojnë harta kujtimesh me natyrë shumë lokale e personale. Vajzat e mia psh. çmeriten nga “herët e para” të miat. Këto harta herësh të para dallojnë individët sipas origjinës, seksit, klasës shoqërore, llojit të familjes, edukimit, qytetit, lagjes etj. Po ashtu, periudha historike të ndryshme e regjime qeverisëse të ndryshme përcaktojnë dukshëm herët e para të individit dhe kolektivëve, dhe i bëjnë ato tonat të ndryshme prej atyre të një grupi tjetër. Herët e para u binden këtyre akseve kategoriale, dhe, të rikonfiguruara më pas, hedhin dritë mbi ty si ngjyra e veçantë e penës me të cilën shkruhet jeta jote dhe vetëm ajo, ngjyra e identitetit tënd dhe identitetit të grupeve mbivënë njëri-tjetrit, të cilave ti u takon.
Unë mbaj mend herën e parë kur dëgjova hoxhën duke kënduar në minare, me zërin si qelq i hollë i tymosur pas të cilit nuk sheh dot, ndaj edhe e ke frikë. S’di se pse zërin e hoxhës atë natë, e lidh me herën e parë kur kam parë fishekziarrët. Të dy objektet, hoxhën dhe fishekziarrët, s’i ndaj dot në kujtesën e herëve të para. (Thua, në po atë mbrëmje në Bulevard, të më ketë pasur kush në krahë, e ta kem pasur kokën drejt qiellit me fishekzjarrë të zhurmshëm që nga çasti në çast do binin mbi mua të nxehtë e kërcitës, dhe, në të njëjtin drejtim, qëlloi e m’u shfaq hoxha me zërin e tij të lartë? Apo e ka pjellë e ndryshuar fantazia ime këtë lidhje? Kur i hoqi nga qarkullimi Hoxha i politikës hoxhët e fesë? Sa i bie të kem qenë unë atëherë?) Ndoshta, ato herë të para që kujtojmë qartë, nuk kanë aq rëndësi për jetën tonë, sa kanë herët e para që na shfaqen të mjegulluara, ose që na janë fshirë krejt nga kujtesa praktike.
Njerëz të ndryshëm ruajnë herë të para të tipave të ndryshëm, gjë që i bën unike, si herët e para, si njerëzit që i përjetojnë ato. Im shoq mban mend filmin e parë që ka parë; unë jo. Por unë mbaj mend kur shkrova rreshtin e parë me njësha në fletoren e arithmetikës; ai jo. Unë mbaj mend këtë takimin e parë me një hoxhë, zëri i të cilit zbriste nga qielli me fishekzjarrë; ai s’ka histori me prift e fishekzjarrë. (Pak me turp them se) unë mbaj mend edhe furçën e parë të dhëmbëve; ai jo. Unë s’mund të mbaj mend herën e parë kur kam hipur në një pemë, por një mikesha ime s’ka hipur kurrë, ndaj, po të hipë tani (gjë për të cilën kam shumë dyshime), sigurisht do ta kujtojë. Ime bijë s’ka si të mbajë mend herën e parë që ka fluturuar me avion, sepse ka qenë pak-muajshe, por unë pa dyshim që e mbaj mend eksitimin e trazirën që më dha avioni i parë. Në fakt, herët e para na veçojnë nga njëri-tjetri e na bëjnë të ndryshëm, aq sa edhe vetë shenjat e gishtave.
A ka rëndësi të rikrijosh hartën e herëve të para? Me fillin e herëve të para ti thur qilimin e jetës sate, ku ngjyrat dhe motivet shpesh kërcejnë nga dega në degë, por megjithatë arrijnë të japin trajektoren tënde sui generis; në saje të tyre, ti hipën mbi shkallaren e kohës dhe sheh poshtë, kupton më mirë ku je, pse je aty, e ku mund të shkosh më pas. Herët e para mua më shfaqen tre-krerëshe, në formën e eksperiencave ndarë kryesisht mes Shqipërisë, Italisë dhe Amerikës (Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë… por cili është cili mes tyre, ende nuk e di). Në secilin degëzim tresh unë jam një tjetër njeri, tjetër moshë e qëllim, tjetër grua, tjetër nënë, tjetër shoqe. Herët e para kanë zëra krejt të ndryshëm. E mbaj mend mirë endjen time me frikë që më digjte, e humbur nëpër rrugët e Tiranës kur duhet të kem qenë rreth katër vjeç e gjysmë: e para herë kur kuptova se kisha humbur. Ika nga kopshti pasi i shkula flokët një goce që ulëriti aq fort, aq fort, sa unë lashë skenën e krimit, para se të vinte edukatorja; e mbaj mend si më rëndonte qielli kur kalova oborrin e gjatë me kalldrëm e me pemë të kopshtit, si hapa derën e vjetër me kanate druri, si dola në rrugë, dhe pastaj si humba. Më digjnin trupi, këmbët dhe koka. Ecja si në jerm. Gjithçka ishte aq e madhe, aq pa kufi, aq marramendëse, por e mbaj mend që bëja ngadalë përpara, drejt gjërash që herë më kujtonin gjësend e herë asgjë. Doja vetëm të shkoja në shtëpi, por as atje s’doja tamam të shkoja. Mbaj mend qartë si më këlthiti shpirti i tromaksur “Eureka!”, kur më doli përpara Muzeu i Luftës Nacionalçlirimtare, një ndërtesë që e njihja shumë mirë. Që aty pastaj dija të shkoja në shtëpi. Nuk ishte fare afër me muzeun, por rruga qe pa kthesa.
Këngën e Beatles-ve Michelle, ma belle… e dëgjova për herë të parë në një dhomë gjysmë të rrënuar hoteli, mbi pastiçeri Partizanin --ku tani më duket i bie të jetë restorant Piazza-- (ah, shija e akulloreve dhe pastave të asaj pastiçerie të moçme!)… kam idenë që atëherë ishte tamam ai hotel me një si shkallë këmbanoreje të vjetër, që quhej Hotel Peza. Aty bashkëjetonin dy artistë që bënin jetë bohemësh, aq sa mund të kishte një jetë të tillë në Shqipëri. Ishin vitet 70, s’di saktë kur, dhe unë nuk e dija që kisha pak a shumë po atë moshë që kishte edhe kënga vetë. Dy artistët ishin miq të familjes që unë i ndiqja me adhurim, dhe nuk lija rast pa u mbirë në dhomëzën e tyre të errët e të rrëmujshme me krevat marinar e copa harasani që binin, me një ballkon vocërrak të paraluftës që shihte nga Bulevardi. Ata nuk gatuanin, por falë pastiçerisë poshtë, mua më servireshin gjithnjë gjëra të mrekullueshme. Nuk i harroj bisedat që dëgjoja dhe sidomos atmosferën poetike të gjithçkaje në atë kthinë, tymin, dritën e dobët dhe qirinjtë, bukurinë e lidhjeve dhe bisedave të atyshme, aq të pazakonta për shoqërinë e tharë e pa timbër të Tiranës së varfër, të frikësuar e proletare. “Michelle” po e këndonte me kitarë një mik i dy artistëve, djali i një poeti të njohur të realizmit socialist. Duhet të kisha qenë jo më shumë se dhjetë vjeç, dhe kënga, sido që nuk kuptoja asnjë fjalë, më bëri një efekt të jashtëzakonshëm. Për muaj më pas, në kokën time kisha veç ata tinguj që më bënin të ndihesha aq ndryshe dhe me kuptim; edhe sot, kur dëgjoj këngën, nuk mundem të mos rijetoj atë mbrëmje të viteve 70, ku thuajse në hijen e një qosheje, bashkë me këngën, përjetova një ndjesi të mrekullueshme dhe mendova se jeta mund të jetë e bukur; edhe në Tiranë.
Italia, kontakti im i parë me ‘jashtështetin’ e aqpritur, më shfaqet kryesisht me trazime në të gjitha herët e para të saj, siç isha e frustruar dhe e pasigurtë edhe unë vetë në ato vite rinie e maturie bashkë. Sidoqoftë, ishin aq shumë herë të para, aq shumë gjëra të reja; isha si një fëmijë që lind me sistem kognitiv të rrituri, por me eksperiencë zero, dhe i shfaqet e gjithë bota njëherësh për herë të parë; por ajo shfaqje ekstreme shoqërohej me aq pak mundësi për t’i jetuar frutat e botës si një qenie njerëzore normale dhe shoqërisht e mbrojtur; kujtimet e para italiane janë shpesh shtypëse. Vërtet, ka edhe herë të para të bukura Italia ime, por që diku ndërpriten pezmatueshëm. Në Itali provova edhe avokadon e parë: një frut që më ka lënë mbresa të jashtëzakonshme; nuk e kuptoja se çfarë i pëlqeja tamam, di vetëm se ishte hera e parë që, teksa e mbaja në gojë atë masë të butë e të gjelbër, analizoja qetë e filozofiskisht shijen komplekse të një ushqimi; ndoshta ishte umami i pashpjegueshëm i avocados që po haja mbi një tryezë 200-vjeçare me dru gjithë harta e gërvishtje. Celularin e parë e pata po në Itali në 1993 (dhuratë, kuptohet): i rëndë e më i madh se pëllëmba, aq sa m’u desh të ble një çantë më të madhe ku të mund ta mbaja. Po atë marrëdhënie të keqe që kam pasur me atë celular të parë primitiv, kam ende sot me celularin, të cilin, kur dal, e lë vazhdimisht në shtëpi, me dashje apo pa dashje. Herët e para amerikane i mbaj mend gjithnjë si intensive, rrethuar me zell e përpjekje. Ato mbushnin thuajse me forcë padijën time në një nivel tjetër tashmë: jo atë të jetesës së përditshme, që ish ngopur në Itali; por atë të gërmimit teorik e të punës së pandërprerë ditë e natë, që vetëm këtu arritën të më bëhen mënyrë jetese. Mbaj mend një leksion ku mësova në të njëjtën orë dy kuptime të reja për fjalët ‘epifani’ dhe ‘parokial’, kuptime që më pëlqyen, sepse m’u lidhën e sendorizuan shumë shpejt me plot eksperienca të miat. Ime bijë i mësoi ato dy kuptime në shkollën fillore. Hera e parë kur më dhanë një adresë emaili në 1995, më vjen në kujtesë bashkë me sikletin që m’u krijua ngaqë s’dija si të shkruaja shenjën @, sido që e kisha parë disa herë. Mbaj mend që bëra një rrotullame spiralore që s’dija ku ta mbaroja. Në fund, e mbulova me një shkarravinë dhe u kujdesa mos më shihte kush përreth ç’bëra. Hera e parë e takimit me profesorë të ditur aq sa edhe të thjeshtë me studentët, ishte për mua ardhur nga Mesdheu, mahnitëse. Ashtu ishin edhe hasja e parë e ndershmërisë dhe korrektesës së dhjetëra punonjësve publikë, pa tipare individuale të qarta, njerëz të cilët shpesh as nuk i vëmë re fare, por aq funksionalë profesionalisht e të panjollë moralisht. Dhe mbaj mend ditën e parë në rrugë, dhe sa të pazhurma e të sjellshme m’u dukën makinat.
Por nëse herët e para të bëjnë meditues e filozof të vetes e jetës, ka një tjetër dimension pozicionimi edhe me më shumë vlerë: jeta perceptuar sipas herëve të fundit. Koncepti a posteriori është i trishtueshëm e i dhimbshëm, gati mazokist… imagjino veten në pasvdekjen tënde, dhe ty, që end pëlhurën e jetës sate me fillin e herës së fundit që pe, që the, që bëre, që hëngre, që dashurove, që lëndove, që u vrave, që notove, që gatove, që takove. Imagjino të ushtrosh trurin dhe ndjesitë e tua, që të sensibilizohen ndaj arsyetimit sipas “herës së fundit”. Formësimi i aftësisë për të ndier herën e fundit praktikisht, para se ajo të vijë, ka më shumë vlerë sesa ai i herës së parë. Përballja me atë herë që nuk përsëritet, pra bëmën e së cilës nuk e ndreqim dot më, do na bënte më tolerantë me njëri-tjetrin. Do doje ti psh. që t’i thoje një fjalë jo të mirë dikujt, sikur ta dije që ishte hera e fundit që e shihje?! Unë jo, sido që tani ndodh që e bëj, sepse nuk e kam atë lloj ndjeshmërie! Gjëja e bukur e këtij ushtrimi, është se nuk është frika (nga Zoti a nga vdekja), që të bën më të mirë, por është zgjedhja jote e arsyeshme për të qenë më njerëzor e falës. Stërvitja për të mos kaluar pa vënë re herët e para, është më e thjeshtë, më e bëshme; ky i herëve të fundit nuk është i lehtë: do një lloj sakrifice individuale për të mos mbajtur mëri, do shkeljeje mbi veten në emër të tjetrit, do t’i shkosh kundër zakonit, do mendim pa materie.
Herët e para dhe të fundit, na ikin shpesh pa vënë re, e s’u lemë qoshkë në ditët tona të vrullshme e me halle. Por në fakt e gjithë jeta e bota që jetojmë është një zinxhir ngjarjesh që janë herë të para dhe herë të fundit. Sepse, në fakt, a nuk është çdo eksperiencë e papërsëritshme?
Comments
Nje ese poetiko-filosofike.
<p> Nje ese poetiko-filosofike. Caste te shperndara te jetes mbledhur ne nje shportez si luleshtrydhe ne pyll. Poezia, thone , eshte per ore te veshtira sythuar nga momente zjarrmie. Ky eshte thesari i gjithsecilit qe tregon se do te behet dikush tjeter, por tanime jo "i verber". Jeta eshte me teper ndjenje sesa shkence, dhe me dashje apo padashje kedo e ben paksa " filozof ". Horizontet kerkojne horizont. Horizonti kerkon njerez te ditur qe pranojne se nuk dijne gjithshka...Le ta kerkojme neper ngjyrat e jetes te thurrura ne tezgjahun (avelmendin) e perditshmerise...</p>
Fjale, fjali, paragrafe
<p>Fjale, fjali, paragrafe meditative.Nje zhytje nen suprinen e tyre zbulon margaritare te thesarit njerezor. Sa shume guacka kemi per te hapur. Kushdo nen ujrat e veta te rrjedhshme. "Relaks" i domosdoshem ne keto kohe.</p>
Add new comment