Lëvdatë për Zvicrën

Postuar në 14 Shtator, 2012 03:32
Halil Matoshi

Ndaj pesëshes kosovare që luan futboll për Kombëtaren zvicerane ka shpërthyer një terror verbal në Tiranë, por në një masë më të vogël edhe në Prishtinë. Nga një spektakël sportiv, mendësia e deformuar shqiptare, ngrehalucët – siç i cilësonte Gjergj Fishta – mburravecët shqiptarë, duan të na e bëjnë Lorik Canën Ismail Qemal, kurse Xherdan Shaqirin Haxhi Qamil! Nga Halil Matoshi Edhe Cana edhe “Shaq” (emër përkëdhelës për Shaqirin nga tifozëria zvicerane) janë profesionistë të mirë dhe duhet t’u themi bravo ju qoftë – por mbi të gjitha duhet t’ua respektojmë zgjedhjen e tyre të lirë, se ku e kur, për kë e si do të luajnë futboll, ose ku e si do t’i ndërtojnë jetët e tyre individuale. Kjo është një e drejtë e pakontestueshme. Por prapa futbollit shpesh fshihet fantomi i quajtur politikë, që prish gjithçka.Zjarrit i fryu së pari Armand Duka, shefi i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, i cili nuk e mbajti gojën duke trandur topuzin njëqind okë, për t’i cilësuar djemtë e Kosovës që mbrojnë ngjyrat helvetike hiç më pak se tradhtarë!? Pastaj në mediat shqiptare t’ia dha era edhe shtrëngata, pse kosovarët paskëshin tradhtuar!? Pasardhësi i Gjergj Kastriotit, Duka, së këndejmi dëshmoi se tributi tradhtar/patriot e ka turbulluar mendësinë shqiptare deri në urrejtje! Pse? Ashiqare nga ndjenja e inferioritetit, pse Shqipëria (dhe Duka) nuk di dhe nuk mund të organizohet që denjësisht të marrë pjesë në një garë sportive, e lëre më ta fitojë atë. Ndërsa në anën tjetër trajneri zviceran, Otmar Hitcfeld, pasardhësi helvetik i heroit folklorik i shekullit 15, William Tell, (heroi legjendar i katër gjuhëve dhe popujve: p.sh. gjermanisht Wilhelm Tell; frëngjisht Guillaume Tell; italisht Guglielmo Tell dhe romane Guglielm Tel), ia ka dalë që të ngrejë një skuadër unike dhe për çdo respekt, jo vetëm nga katër gjuhët dhe popujt helvetikë të bërë bashkë, përmes një besëlidhjeje, por nga dhjeta gjuhë e popuj, ai ka ngritur një “perandori të vogël” futbolli, duke u mbështetur edhe tek zviceranë të mirë me rrënjë shqiptare dhe pikërisht pse tributit tradhtar/patriot i ka dhënë një kuptim krejtësisht tjetër, modern: një komb i vullnetit dhe solidarësisë qytetare. Zvicra tashti e një gjysmë shekulli strehon shqiptarët kosovarë, të ndjekur nga armiku, politikisht e ekonomikisht; u jep bukë e punë, shkollë a zanat, thjesht i bën të zotët e vetvetes. Zvicra qindra e mijëra kosovarëve të persekutuar u dha ligj e drejtësi, u dha mirëqenien si një e drejtë qytetare, madje ky shtet zemërgjerë u dha mundësi për jetë të dinjitetshme edhe disa shqiptarëve të Kosovës që kurrë s’e merituan, që zhvatën shtetin helvetik e në atdheun e tyre shitën kapadaillëk e mbollën dhunë. E fakte ka boll sa me u bindë dheu. Po kjo Zvicër që ka lejuar të veprojnë të patrazuara organizata politike kosovare, të majta e të djathta, madje edhe ngritje fondesh për idenë e lirisë së Kosovës. Zvicra jo që e ka njohur shtetin kosovar, por ish-presidentja Micheline Calmy-Rey ishte lobuese e vendosur për pavarësinë e Kosovës edhe para 17 shkurtit 2008. A nuk është koha që kosovarët në shenjë falënderimi të luftojnë në fushën e blertë për ngjyrat e këtij shteti gjeneroz, për krenarinë e këtij kombi bujar, të mbështetun në ligj? Jo, është edhe detyrim. Pra patriotizëm! A nuk duhet dhënë zemër pesëshes kosovare që të jenë patriotë konstitucionalë zviceranë dhe njëherësh shqiptarë shembullorë nga Kosova? Por tregimi për patriotë dhe tradhtarë s’ka të ndalur dhe bash ky metarrëfim po i shter kot energjitë e shqiptarëve duke i bërë ata me u kalamenë. Ky tribut po e çan kombin në epokën e globalizmit dhe integrimeve gjitheuropeane. Zvicra është shtet model që nuk është krijuar nga një komb etnik ose kulturor, por përmes një besëlidhjeje (Besëlidhja Helvetike) mes njerëzish, etnish, kulturash e rajonesh të ndryshme dhe kjo lidhje ka krijuar një shtet, i cili e ka krijuar një komb të ri multietnik, në të cilin secili që ka mend, qoftë edhe një kosovar, mund të bëhet hero, yll i adhuruar ose zviceran i mirë. Roger Cohen ka shkruar një kolumne në “The New York Times”, për Mesut Őzilin gjatë Botërorit 2010 në Afrikën e Jugut, me titullin në dukje paradoksal, “Őzil gjermani” dhe portretizimi që i bën amerikani futbollistit me origjinë etnike turke, (tashti luan tek Real Madrid), flet më shumë dhe më mirë se çdo teori identitare. Sidomos është shkollë se si nuk duhet folur e shkruar duke u nisur nga qasje idioteske dhe biologjistike për identitetin në Ballkan dhe ndër shumë shqiptarë.. “Őzil, 21 vjeç, ka klas. Ai është një gjerman. Kjo është pjesë e fascinimit tim. Oezil është një gjerman mysliman me prejardhje turke”, shkruan Cohen. Në kontekstin kosovar dhe shqiptar, debati shoqëror rreth kombit dhe shtetit është plot ngërçe, sepse për shumë kë, teoritë moderne identitare tingëllojnë utopike, e shpesh edhe si tendencë shkombëtarizuese. Pra këto debate i mbyt qasja emotive dhe shpesh argumenti i forcës (ad hominem) është mbi forcën e argumentit. Debatin e bën të vështirë etnonacionalizmi, që shpesh përmes bashkimit kombëtar si prononcim politik, mbush “zbrastësitë” patriotike në biografitë personale, ky diskurs arkaik i të folurit për patriotizmin, në mendësinë shqiptare, është në kundërthënie me veten dhe tërë botën, pengon perëndimorizimin e shqiptarëve dhe integrimin në Europë, e cila kultivon patriotizmin modern, që Jurgen Habermas e quan ‘patriotizëm ligjor’. Natyrisht, për ta hequr konfuzionin, Shqipëria dhe Kosova kanë ngjashmëri me Gjermaninë dhe Austrinë, të dyja me rrënjë gjermanike, por që jetojnë si dy kombe të ndara dhe paramendonie sikur një gjerman të thotë se është turp për austriakun patriot që të luajë futboll kundër gjermanëve!? Ndërkaq, që emërtimi Kosovë dhe kosovar ngërthen brenda vetes një përkatësi etnike shqiptare, njëkohësisht shpreh një identitet të dallueshëm si bashkësi shtetërore dhe politike, të ndryshme në zhvillimin historik, ngjashëm me emërtimin zviceran, që shpreh një bashkësi shtetërore supranacionale (Besëlidhja Helvetike.) Kosovarët e sotëm, shumica me një identitet të qartë, shqiptarë etnik, (etnia është statike) nëse arrijnë që shtetin e tyre ta anëtarësojnë në OKB, atëherë ata do të jenë një komb i veçantë, (kombi është variabël) ndonëse vazhdojnë të jenë shqiptarë etnikë, porse tashti si “njësi e rritur” (Urs Altermatt.) Në rastin kosovar veçantitë identitare, politike dhe historike e të shtetkrijimit vështirë mund të kontestohen. Sot kosovarët identifikohen me këto veçanti dhe me shtetin e tyre si e drejtë e arrirë, prandaj nuk janë futuristë fantastë ata që mendojnë për këtë komb të ri. Pesëshja e Kombëtares zvicerane me origjinë kosovare, Xherdan Shaqiri, Valon Berhami, Granit Xhaka, Blerim Xhemaili dhe Admir Mehmedi kanë rikthyer debatin mbi identitetin, kombet, politikën dhe futbollin. Një debat që ka degraduar në urrejtje ndaj secilit që nuk mendon kolektivisht, por që ka një zgjedhje individuale. Fjalia denigruese, si p.sh. “Ç‘racë janë këta ore, do të na pushtojnë si kinezët” – e shkruar në rrjetet sociale me rastin e këngëtares kosovare Rona Nishliu, pikërisht e dëshmon të dallueshmen nga ne, pra tjetrin, si më të keq, më të shëmtuar, të paqytetëruar etj. Stereotipin ballkanik për tjetrin – si të keqin. Dhe kjo është pasqyra më besnike ku projektohet fytyra e tjetrit, (sipas masës shqiptare të identitetit), që nuk përket në ne dhe kjo shpreh dallimet kulturore, identitare, qytetëruese mes dy shoqërive paralele shqiptare, që e kanë të njëjtin trung etnik, por që kanë marrë rrugë të ndryshme të zhvillimit historik dhe politik. Në ligën superiore të Shqipërisë aktualisht luajnë edhe futbollistët serbë e malazezë, si Bojan Maliniç për Besën, te Flamurtari, Petar Vukçeviç (Mali i Zi), te Kastrioti, Petar Borovicanin, Nemanja Laziç, Nikola Ashkeriç; në Kukës, Milosh Jevdjeviç; te Laçi Branko Milenkoviç; te Luftëtari Milan Nikoliç dhe Aleksandër Miliç; te Shkumbini Dushan Popoviç; te Skënderbeu Ivan Gvozdenoviç dhe Milosh Markoviç, ndërsa te Vllaznia, Miroslav Vujadinoviç dhe Ivan Daliç, të dytë malazezë. Nëse 15 serbë e malazezë luajnë lirshëm në skuadrat shqiptare, dhe madje duartrokiten e adhurohen, por as në shtetet e tyre të origjinës askush nuk i ndjek dhe persekuton pse luajnë në “vendin e shqipeve”, pse kontestohen ata pesë shqiptarë kosovarë, të rinj e të zotët, që arritën majat profesionale duke lartësuar flamurin helvetik në piedestal? Ose çfarë do të shkruanin shqiptarët zemërfyt e trutharë po të luanin Shaqiri, Behrami, Xhaka, Xhemajli e Mehmedi për Kombëtaren e Serbisë? Jo vetëm që do të shpërthente një “kryengritje” kundër tyre dhe familjeve të tyre, por do të bëhej hataja, do të kërkoheshin kokat e tyre “tradhtare”, do të linçoheshin… Xherdan Shaqiri, Valon Berhami, Granit Xhaka, Blerim Xhemaili dhe Admir Mehmedi janë ambasadorët më të mirë të Kosovës në botë – zviceranët tanë më të mirë. Ata e ngrenë imazhin e shqiptarit kosovar lart tek yjet, me sjelljet e tyre prej profesionistësh të zotët dhe me lojën e tyre brilante, sikur edhe me përkushtimin e tyre ndaj ngjyrave të shtetit helvetik, që i rriti dhe ngriti me aq pasion, duke i shndërruar jo vetëm në zviceranë të mirë, por në zviceranë të mëdhenj. E kjo nuk i bë ata hiç më pak shqiptarë të mëdhenj. Këta djem që lojës së futbollit i japin sharmë, madje edhe karakteristika të artit, pak balet, pak dramacitet e ndoshta edhe pak epikë heroike, janë prodhim i gjenit shqiptar dhe i shtetit të organizuar zviceran. Paramendonie sikur këta djem të rinj të jetonin në Kosovë, ata ose do t’ia nxirrnin sytë njëri-tjetrit kinse duke luajtur futboll në livadhet kosovare, në ato kinse stadiume ku gjatë lojës hyjnë lopët për të kullotur. Në një shtet jofunksional e në një shoqëri të paorganizuar si shoqëritë shqiptare, probabiliteti do të ishte i madh që ata të shisnin kartela telefonie në tregun e zi kosovar, ose në variantin më ekstrem, ata mund të përfundonin nga ana tjetër e ligjit. Derisa viteve të fundit edhe ashtu është pështirosur imazhi i shqiptarit si gangster, dhunues, grabitës e narkodiler, ndërsa po ky shqiptar dikur trajtohej si punëtor i mirë dhe njeri i ndershëm, shtetas luajal. Prandaj pse kemi nevojë ta nxirosim edhe më shumë këtë imazh? Në këtë spektakël, (që shfaqet sonte, pasi ky shkrim të marrë udhën e botimit) ndonëse është traditë sportive të thuhet se “duhet të fitojë më i miri”, ai që i jep më shumë zemër e shpirt lojës, aq që investon më shumë art, përkushtim, strategji, megjithatë, lutem që të fitojë Zvicra, jo pse jam tifoz i saj, madje as për faktin se aty luajnë pesë aktorë kosovarë, por për inat të vet shqiptarëve, atyre ngrehalucëve fishtianë. Në çdo kohë duhet marrë ana e modelit më të mirë, që në këtë rast është Zvicra e pesë yjeve nga Kosova. Fati i mirë qoftë me djemtë nga Kosova në këtë spektakël futbolli – që kryetari Rugova i cilësonte si “brezi i Republikës” dhe u priftë e mbara! Bravo u qoftë atyre! Laudatio për Zvicrën!

Koha Ditore

Comments

Submitted by Anonim (not verified) on

Nje korrekture te vogel: Otmar Hitzfeld nuk eshte pasardhes i heroit imagjinar WIlhelm Tell por i Arminius-it, keshtu qe perandorine e futbollit ne Zvicer e gjeti gati, nuk e ngriti. Por, megjithate, fakti qe njerezit e harrojne qe ai nuk eshte helvetika flet per Hitzfeldin. Fakti qe ekipi funksionon si nje team, flet per Hitzfeldin. Fakti qe zviceranet e duan Hiltzfeldin, flet per Hitzfeldin.

Ndoshta duhet permendur qe seleksionimi per ne klasat e futbollit ne Zvicer fillon qe ne moshen 6 vjecare. Dikush ja thote patriotit dhe nacionalistit Armand Duka kete?

Submitted by Anonim (not verified) on

sikur 10% e popullsise shqiptare ne kosove te kishte mende e ketij serbofilit te lyer me boje ''shumekombeshe'',miloshevici nuk kishte per ta bere luften ne kosove sepse nuk nevojitej.

do ta kishte marre kalane nga brenda.

me ardhjen ne fuqi te nje qeverie shqiptare ne tirane ,mbas largimit te ''fazllicit'',do marrin fund edhe matoshizmat

Submitted by astrit pepkola (not verified) on

Autori ngaterron gjerat shume dhe ne te njejten fryme ngre ceshtje qe shkojne nga respektueshmeria e Zvicres si shtet ne identitetin kombetar shqiptar ne nje artikull me titull futbolli.

Se pari kur krahason shqiptaret/kosovaret me gjermanet/austriaket. Se nga del nje krahasim i tille vetem ai e di. Gjermanet edhe austriaket kane patur sejcili nga nje perandori te tyren shume kohe perpara se procesi i kombformimit te behej realitet ne Europe. Dhe megjithate, po te mos ishin episodet historike qe lidhen me dy luftrat boterore kombet gjermanike mund te kishin ndjekur nje histori krejt tjeter. Domethene se identiteti jo-gjerman i austriakeve ka qene ne nje mase te madhe i diktuar nga fuqite e jashtme dhe jo nga nje zgjedhje e brendeshme e kombit gjerman.

Se dyti, perse zviceranet me origjine shqiptare dhe gjermanet me origjine turke ua ngrikan lavdine kombit te origjines se prinderve te tyre? Kete logjike te autorit nuk e kuptoj fare. Cfare ka bere bie fjala Oezil per Turqine pervec se mban nje emer turk? Ama e kuptoj mire se cfare kane bere ata futbollistet e tjere turq qe refuzuan te luajne per Gjermanine pretendente e perhereshme per kampione bote por zgjodhen Turqine...

Se treti, cfare lidhjeje kerkon te beje autori midis serbeve dhe malazezeve qe duartrokiten ne fushat shqiptare dhe zviceraneve me origjine shqiptare qe duke u bashkuar me helvetet bejne publik faktin se identitetin helvetik e kane me te forte se ate shqiptar? Shqiptaret nuk jane ksenfobe te urrejne serbet a malazezet, futbollistet e tyre jo vetem qenuk na kane bere ndonje te keqe, por ata kontribuojne per ekipet shqiptare. Kjo lidhje me duket komplet artificiale.

"Qasje idioteske e identitetit kombetar"? Cfare quan autori idioteske? Qe njerez paqesore si puna ime dhe e shume komentuesve te tjere perdorin aritmetiken e thjeshte dhe thone se nese nje njeri zgjedh midis perfaqesimit te Shqiperise dhe identifikimit publik me nje perfaqesuese jo te Shqiperise, atehere identiteti i tij jo-shqiptar eshte me i forte se ai shqiptar. Ku eshte idiotesia ketu? Autori ketu behet ofensiv ne perdorimin e shprehjeve te tilla. "Keta djem qe vallezojne ne fushen e blerte" per cfare aresye duhet ti ngreme mbi nivelin e Lorik Canes? Une zgjedhjet e tyre i kuptoj, por sa shqiptar eshte Lorik Cana dhe sa shqiptar eshte Shaqiri, ky eshte nje krahasim qe as kemi nevoje ta bejme se i pari eshte Kapiten i Kombetares Shqiptare te Futbollit i dyti eshte futbollisti i kombetares zvicerane. Dhe meqe ra fjala, nje shqiptar i lindur ne kosove eshte kapiten i kombetares "shqiptare". Cfare logjike tjeter duhet perdorur te binde autorin se ndjenja kombetare e shqiptareve te Shqiperise se vogel dhe atyre te Kosoves nuk jane produkte surreale te nje "qasjeje idioteske"?

Autori flet kunder "qasjes biologjistike" por ne te njejtin paragraf flet qe pese zviceranet e talentuar jane "produkt i gjenit shqiptar"... A eshte e tepert qe lexuesi te kerkoje pak konsistence ketu dhe mos ta gjeje dot?

Personalisht pjesen me te madhe te jetes sime e kam kaluar jashte trojeve tona kombetare pra globalismin e kuptoj mire. Dmth autori nuk ka nevoje te me sqaroje per ate pike. Po ashtu personalisht nuk them se jam ndonje patriot i madh sepse shume pak kam arritur te bej per kombin. Por ama mendjen e kam top (dhe New York Times e lexoj une me shume se autori), qe ne vend te me quaje qasjen time idioteske ben mire te me jap nje argumentim logjik dhe te mbroje mbi baza teorike pretendimet e veta. Perndryshe kjo me jep mua (dhe shume te tjereve) te drejten te ndihem i fyer dhe te mos konsideroj me respekt as autorin e ketyre rradheve dhe as mendimet e tij qe nese ai nuk i mbron dot, une kam te drejte ti quaj dokrra pseudokozmopolitane prej nje provinciali injorant.

Nuk ka injorance me te madhe se gjysem-injoranca. Kjo e fundit te ben ti kthesh mbrapsht tere mendimet e zgjuara dhe nepermjet tyre te arrish ne konkluzione te marra.

Submitted by Anonim (not verified) on

Une vetem nje pyetje do kisha per kete personin qe ka shkruar kete shkrimin, me sinqeritet eshte me i lumtur kur sheh Lorik Canen dhe lojtaret e tjere me origjine kosovare  me bluzen e kombetares apo kur sheh Behramin dhe lojtaret e tjere shqiptare  me bluzen e Zvicrres?

Submitted by dritan (not verified) on

Mbeshtes ate qe shkruan autori plotesisht. Vetem njerez truthare do pretendonin qe keta djem kosovare qe kane derdhur lumenj djerse ne profesionin e tyre, qe jane investuar gjithe jeten per te mberritur aty ku jane duhej te refuzonin te luanin kunder kombetares kuq e zi me pretendime abusrde se gjoja qenkerkan tradhetare.

Askush prej nesh nuk eshte kujtuar per t'i mbeshtetur apo therritur ne kombetaren shqiptare. Askush prej nesh nuk ka dashur t'ja dije per hallet dhe gezimet e jetes se tyre dhe krejt papritur nje dite kujtohemi qe ata jane shqiptare e per rrjedhoje tradhetare meqe luajne ne fanellat e nje shteti tjeter kunder nesh !

Drama jone me emigracionin duhet te na jape mjaftueshem eksperience per te kuptuar se ne si shoqeri i kemi tradhetuar ata me sh sec na kane tradhetuar ata ne pasi keta futbolliste nuk kane qene kurre dhe per asnje moment investimi yne por i dikujt tjeter qe u ka hapur deren dhe i ka dhene shansin te arrijne me djerse statusin e tyre.

Si shqiptar une krenohem me Lorik Canen dhe Erion Bogdanin por krenohem edhe me keta shqiptare njelloj sic krenohem me Rita Oren apo me patriote te tjere te famshem te cilet kane care dhe bere emer ne vende te tjera. Ata nuk kane mohuar vendin e tyre perkundrazi duke shkelqyer ja shtojne vlerat. Le te mos i shtojme historise se tyre te emigrimit edhe dozat tona te injorances nen petkun e nje nacionalizmi fallco. Ata ne bejne reklame gratis pa marre asgje tjeter prej nesh pervec gjakut dhe geneve (per te cilat kane paguar jo pak racizem). Le te mos tregohemi bukeshkale ndaj tyre. Ne fund te dites futbolli eshte loje jo fushe beteje per te drejta apo kufinj !

Submitted by Saranda (not verified) on

Dritan ka shumë probleme serioze me logjikën tuaj.

1) Lojtarët që luajnë për Zvicrën që thonë që janë shqiptarë mund të luajnë edhe për Serbinë. Askush nuk guxon të të tregojë për kë të luash. Por gjuhët njerëzore janë kategori normative dhe miut i thuhet mi e elefantit elefant. Nuk mund t'i thuhet edhe Canës edhe Behramit p.sh. patriot. Cana ka mundur të luante për Francën dhe ka zgjedhur Shqipërinë, atdheun e tij. Shqipëria e varfër dhe më më pak opurtinitet ka qenë edhe për Canën edhe për Behramin dhe djemtë tjerë që luajnë për Zvicër.

2) Matoshi i quan shqiptarët e kosovës shqiptarët kosovarë. Sipas këtij gafi të rëndë logjik shqiptarët e Shqipërisë qenkan shqiptarë shqiptarë? A mund të bisedohet më tutje për tezat e një infantili në logjikë si ky Matoshei? A mund të merret serioziwht një palaço i tillë. Ky deri së voni thoshte kosovarët shqiptarë sepse kosovar (që rrjedh nga toponimi serb Kosovo ngase emri  vendor i Kosovës është Dardhani apo Dardani) mund të jetë edhe shkjau, edhe turku, edhe boshnjaku, edhe romi, edhe krijesat e padefinuara si Matoshi.

3) Disa nga ne Shqiptarët fatkeqesesht kemi mentalitet mercenar sepse natyrisht qe ata qe arrijne ne bote mund te luajne kudo, por jo kunder shqiperise. Kishim rastin e para disa diteve me Dardan Berishen lojtar i Polonise ne basketboll. Nuk lozi kunder Shqiperise.

4) Dhe krejt ne fund problemi nuk jane futbollistet shqiptare qe luajne me Zvicren. Ata ne fund te fundit jane sportiste dhe nuk jane intelektuale. Dine te luajne top. Aq. Por problemi jane njerezit e llojit Matoshi qe me cdo kusht done ta percajne popullin shqiptar. Me cdo kusht deshirojne te shprehin racizmin kunder shqiptareve te Shqiperise sic ka edhe ne Tirane deng hajvane qe deshirojne ta shprehin racizmin e tyre ndaj shqiotareve te Kosoves, Maqedonise etj. Ne duhet te farohemi, jo largohemi. Sepse delet qe shperndahen ujku i con ne vdekje nje nga nje. Kaq.

Submitted by Lira (not verified) on

Pajtohem plotesisht me komentin tuaj Znj. Saranda.

Per ata qe thone se futbolli eshte thjeshte loje, do te shtoja se nuk me duket qe te jete teresisht ashtu.  Kete e tregon edhe fakti se Kosova, pa miratimin e Serbise, nuk mund te luaje per kampionatet boterore, madje as edhe per miqesoret.  Pra, futbolli eshte teresisht i nderthurur me politiken dhe vendin.

Pervec kesaj, futbolli lidhet edhe me imazhin e vendit apo te cilitdo qyteti a organizate qe perfaqeson.  Ne Amerike, psh. universitetet me te mira kane skuadrat e tyre te futbollit (amerikan) per te cilat investojne me mijera dollare (College Footboll e quajne).  Kete e bejne kryesisht per t'u bere sa me shume te njohur tek populli amerikan dhe si rrjedhoje, per te terhequr sa me shume studente.  Nje analogji e tille vlen edhe per kombetaret.  Nje kombetare e mire qe arrin neper finale a gjysmefinale promovon vendin ne menyren me efikase te mundur.  Dhe kjo, per vende te vogla si ky i yni, nuk ka te paguar.   Ndaj, le te mos na hedhin hi syve me keto loj artikujsh gjysmake duke na thene se djelmoshat nuk kane bere asgje te pazakonte. Edhe pse s'kam asgje kunder, une do te thoja se djelmoshat-lojtare (jane dhe 5!) u sollen mire me vetveten, por duke luajtur me kombetaren e Zvicrres, ata perfundimisht kane ndryshuar kombesine (e jo nenshtetesine).  Popullin shqiptare nuk e perfaqesojne me.

Submitted by Lira (not verified) on

Sa per saktesi per autorin, kombi nuk eshte i ndryshueshem ose "variabel" sic e keni shkruar Ju.  Kombi ose etnia jane te perhershme.  Nenshtetesia eshte e ndryshueshme. Shqiptaret jashte shtetit ndryshojne nenshtetesine, dmth. behen nenshtetas italiane, amerikane, etc. por mbeten me kombesi shqiptare.  Pune tjeter eshte pse UNMIK-u juve ne Kosove ju ka mbushur mendjen se kombesia eshte e ndryshueshme.  Ne fakt, tek pashaportat e Kosoves lexohet: "Kombesia: Kosovare".  Dmth. i bie qe te gjithe, ashkalite, serbet e shqiptaret te jene nje komb.

Duke luajtur me kombetaren e Zvicrres - edhe pse s'kam asgje kunder sepse djemte jane te lire te bejne zgjedhjet e tyre ne jete - djelmoshat Zvicerjane me origjine shqiptare, vertetojne faktin se tashme jane zviceriane dhe se kombesia e tyre eshte zviceriane.  Ndaj dhe mendoj se ne si shqiptare nuk mund t'i shajme, por ne te njejten kohe, as edhe ti lavderojme.  Fundja, nuk na perfaqesojne me!

Submitted by Haliliada (not verified) on

Muç më vjen keq, ose nuk je i informuar, ose ke dashur të provokosh lexuesit, por Halil Matoshi në Prishtinë shikohet si një palaço. Ky njeri nuk ka javë që nuk shkruan për të larguar shqiptarët. Nuk ka shkrim ku nuk i bie daulles kundër shqiptarëve nga Shqipëria thuase ajo pjese e atdheut tonë të ishte Serbi. Pse bëhet ResPublica platformë e shpërndarjes së ideve të tij antishqiptare? Në Gjermani fjala e lirë respektohet, por nëse përhap urrejtje ndërnjerëzore futesh në burg. Ky soj i Matoshit është produkt i luftës së shumë shërbimeve dhe forcave që nuk mërziten për shqiptarët por punët e veta. Mos u bëni postierë të tij. Në Prishtinë ne bëjmë humor me këtu njeri që ja morri 23 vjet të kryente  shkollën e lartë, për këtë person që kur debaton me njerëz u thotë që ka lexuar literaturë në anglisht e gjermanisht dhe nuk di të thotë tri fjalë në këto gjuhë, por flet veç serbishten.

Submitted by Olti (not verified) on

Shkrim mediokerr! Perpjekje per te akumuluar fame personale duke mbrojtur heronjte kosovar me Bluza zvicerone dhe poshteruar Shqiptaret e Tiranes e Prishtines qe veshen bluzat e te vobekteve kuq e Zi!
Krahasimi midis Serbeve qe kane mbire ne klubet Tirones a Shkodres tregon verberine dhe keqdashjen e autorit te shkrimit per faktin se Shkijet Marrin paret e Tirones e Shkodres por nuk Luajne per kombetaren Shqiptare!
A e mendoni se do luanin 5 Serb bosnjeje me Suedine Kunder kombetares Serbe dhe 1 prej tyre do shenonte????? Nejse mund te ndodhe ne te ardhmen por deri sot ska ndodhur!
Krahasimet Jane bastarde e nuk dihet ku te cojne!
Kur si beri Shaqiri e Xhaka 6-7 gola Shqiperise se atehere dielli do ishte me i bukur.....

Submitted by Safija (not verified) on

Ne Kosove na bojme hajgare me Halil Matoshin. I ka nja 10 lexues dhe asnji ma shume. Tash paska depertu edhe ne Tirane fale Mustafa Nanos. Ju lutem na kurseni nga sharjet e ketij njeriu. Ky dhe nja 4-5 persona te tjere ne Kosove (Nexhmedin Saphiu, Migjen Kelmendi, Bardhyl Metaj dhe disa te tjere) e konsiderojne Shqiperine me keq se Serbine. Jane racista antishqiptare qe kamuflohen nen petkun e nacionalizmit kosovar. Mos bini ne gracken e tyre.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.