Heronjtë janë të uritur

Postuar në 23 Korrik, 2012 01:28
Gëzim Qëndro

“Më tregoni një engjëll dhe do ta pikturoj” shkruan Gustav Kurbeja në Manifestin e tij të 1855-ës duke e përkufizuar realizmin në art si vullnet për të paraqitur me anë të gjuhës artistike vetëm realitetin optik,  mbështetur tërësisht mbi shqyrtimin skrupuloz të fakteve reale pa shtuar apo hequr asgjë. Piktura realiste, sipas Kurbesë, është pasqyrim i jetës, sepse me paraqitjen e fakteve dhe zgjedhjen e subjekteve synon të prodhojë një “efekt të reales”, një realitet shoqëror të vendosur brenda kufijsh të qartë kohorë dhe topologjikë.  Piktura, sipas tij, është art thelbësisht konkret që duhet të paraqesë vetëm objektet reale të dukshme dhe marrëdhëniet njerëzore në gjithë shumëllojshmërinë e tyre pa zbukuruar asgjë. Elemente përbërës të këtij koncepti mund të jenë lirizmi, teknika e përshkrimit, etj.

Ndërsa në letrën e 20 janarit 1865 me rastin e vdekjes së mikut të tij, filozofit Prudon, Kurbeja shkruan : “dua […] të bëj portretin historik të mikut tim më të ngushtë, njeriut të shekullit XIX. »

Po në traditën tonë të arteve pamore a kemi vepra që i përmbahen kësaj kredoje estetike? Cili është kompozimi i parë me temë historike i traditës tonë të pikturës laike në të cilin “përshkruhen me saktësi zakonet e epokës,” ku piktori dëshmon “vullnetin për të pasqyruar me anë të gjuhës artistike realitetin nisur vetëm nga vëzhgimi skrupuloz i fakteve” dhe ku artisti përpiqet “të bëjë portretin historik të mikut të tij më të mirë, njeriut të shekullit XIX?” Ka të ngjarë (dhe këtë do të përpiqemi ta vërtetojmë) të jetë e mirënjohura tablo e Spiro Xegës Çeta e Shahin Matrakut (1930), e ekspozuar për herë të parë në Galerinë Kombëtare në vitin 1957.

Tablonë e njoh mirë, qysh nga koha kur vizitoja shpesh Galerinë në ndërtesën e dikurshme me arkitekturë elegante te rruga e Fortuzit dhe kur me dosje vizatimi në dorë, i ndrojtur mos bëja zhurmë, shëtisja nëpër sallat thuajse gjithmonë bosh të Galerisë. Bashkë me Skënderbeun e të njëjtit autor, tabloja në fjalë ishte asokohe ndër më të zgjedhurat e mia. Më kujtohet edhe sot vendi ku ndodheshin: në sallën në të djathtë të hyrjes kryesore, pranë portretit të gruas së Zef Kolombit, menjëherë pas dritares së parë. Si dymbëdhjetëvjeçar asokohe admiroja skrupulozitetin e realizimit dhe vëmendjen ndaj detajit, çka shumë më vonë do të ishin arsye për të mos i vlerësuar më. Por nëse më pas, tabloja Skënderbeu u hoq nga lista për shkak të ngjashmërisë së dukshme në kufijtë e plagjiaturës me Kapitenin e husarëve të Zherikosë, tabloja e Xegës, edhe pse kish humbur disa vende në renditje, mbahej ende në krye të saj. Kjo ngaqë diçka më kish mbetur nga adhurimi i dikurshëm ose lidhej me idenë që ndonëse tabloja nuk kishte vlera të spikatura artistike, të paktën rrëfente për një personazh të nderuar historik si Shahin Matraku, i cili, siç thuhej, kishte luftuar kundër ushtrisë turke në zonën e Mokrës dhe Oparit.

Opinionin e përgjithshëm se tabloja ishte romantike e kisha pranuar vetvetiu si të mirëqenë (madje edhe pata shkruar për këtë) deri ditën kur më tërhoqi vëmendjen diçka që nuk e kisha vënë re më parë. Besoj duhet të ketë diçka të vërtetë në shprehjen “djalli fshihet pas hollësive” pasi ishte pikërisht një detaj në dukje fare i parëndësishëm, që më shtyu ta rivlerësoja edhe një herë tablonë Çeta e Shahin Matrakut duke propozuar tashmë një kod të ri leximi.

Detaji

Detaji që më tërhoqi vëmendjen ishte ulja këmbëkryq përdhé mbi të njëjtën shtrojë e Shahin Matrakut me një komit tjetër. E ç’del nga kjo, mund të thotë me të drejtë dikush. Asgjë në pamje të parë, por megjithatë, diçka duhet të fshihet këtu. Përse Shahini, kapedani i vetëm i çetës, duhej ta ndante gunën me dikë tjetër kur dihet që hierarkia e pashkruar dhe rregullat e rrepta brenda grupit ishin të paprekshme, kështu që guna mbi të cilën ulej kryetari i çetës ishte po aq e shenjtë sa froni i mbretit. Pra, ky detaj përkthehej në ndarje të drejtimit të çetës. Por titulli i tablosë e thotë shkoqur se çetën e komandonte Shahini, pasi zakonisht ato mbanin emrin e kapedanit të tyre. A thua të ishte lajthitje e autorit? Si vështirë. Nga Vetportreti i Xegës që kemi në Galerinë Kombëtare na sheh një burrë sqimatar i veshur me shije dhe i kujdesshëm deri në skrupolozitet. Këtë përshtypje e përforcon mënyra e kujdesshme dhe e përpiktë e pikturimit, ku ai qëndis me durim çdo detaj (madje hera - herës duke e tepruar). Nëse shtojmë këtu edhe vitet e kaluara në Stamboll në studion e një ikonografi, del qartë se Xega me siguri nuk do ta ulte një kapedan të njohur bashkë me dikë tjetër ashtu kot. Po a thua ta njihte kaq mirë Spiro  Xega çetën sa të dinte hollësira të tilla? A mos ndodheshim përpara një vepre e cila si asnjë tjetër më parë, dëshmonte për “vullnetin për të dhënë me anë të gjuhës artistike vetë realitetin nisur vetëm nga vëzhgimi skrupuloz i fakteve”?

I bindur se këtu fshihej diçka u vura në kërkim të informacioneve mbi Shahin Matrakun, një personazh historik ky jo fort i njohur. U ndesha me shumë këngë folklorike dhe me artikuj ditirambikë të cilët nuk sqaronin asgjë mbi misterin e detajit që përmendëm më lart. Por kërkimet morën një kthesë të papritur dhe këmbëngulja u shpërblye kur në Bibliotekën Kombëtare gjeta një libërth të pluhurosur me titull Rrëmbyer nga Cubat, botuar në Zagreb në vitin 1921 në shtypshkronjën Illiricum. Autori i librit, Gjerasim Qiriazi, vëllai i dy motrave të dëgjuara në historinë e arsimit shqiptar, tregon në të kalvarin e vuajtjeve nga 12 nëntori 1884 deri 25 prill 1885, kohë gjatë së cilës u mbajt peng nga banda e Shahin Matrakut deri sa mbërritën paratë për lirimin e tij. Dorëshkrimi në shqip ka humbur, prandaj botimet e mëvonshme kanë si burim përkthimin nga varianti anglisht i librit të botuar në Londër nga Religious Tract Society në 1902. U çudita kur vura re se autori i cilësonte haptas Shahinin dhe shokët e tij cuba, madje qysh në titull. Larmia e informacionit dhe besueshmëria që Qiriazi arrin t’i përcjellë lexuesit përmes një rrëfimi të sinqertë dhe aspak fyes ndaj atyre që i shkaktuan aq shumë  mundime bëri që metoda e analizimit të tablosë të mbështetej kryesisht n krahasimin e të dhënave të  librit të sipërpërmendur me tablonë e sipërpërmendur ndërsa për sfondin historik të përdoreshin libra që trajtojnë dukurinë shoqërore të cubave në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë në Shqipëri.

Në librin e tij Gjerasim Qiriazi, ndërsa përshkruan me paanshmëri të paqortueshme personazhet dhe bëmat e bandës, zgjidh edhe misterin e detajit të mësipërm kur jep përbërjen dhe hierarkinë e saj:

“Kapedanë: Shahin Matraka (turqisht “Skifter”) nga Popqishta; Leftenar Nuriu (turqisht: ”Drita”) nga Bozhigradi.” [1] Dhe më pas vijojnë emrat e njëzet e shtatë anëtarëve të bandës shoqëruar me emrin përkatës të fshatit të lindjes.

Pra, detaji i treguar nga Xega përkon plotësisht me të vërtetën historike! Çeta drejtohej vërtet nga dy kapedanë dhe paraqitja e tyre ulur mbi të njëjtën shtrojë lidhet pikërisht me këtë fakt. Por ka edhe më: autori i librit rrëfen se Shahini përveç Leftenar Nuriut kishte edhe dy miq të ngushtë tepër të besuar me të cilët nuk ndahej, duke na sqaruar përfundimisht se katërshja e burrave të ulur në të majtë të tablosë janë Shahin Matraku, dhe Leftenar Nuriu (mbi shtrojë, përballë nesh), ndërsa me shpinë nga ne, Kajo Babjeni (djali i motrës së Matrakut) nga Gora dhe Tun Kokoneshi.

Pra, edhe ky detaj përkon bindshëm me marrëdhëniet reale në hierarkinë e bandës që na rrëfen Qiriazi duke provuar se Xega jo vetëm është vëzhgues i kujdesshëm i fakteve (parakusht i domosdoshëm për një piktor realist) por i përcjell ato me saktësi pa shtuar apo hequr asgjë, çka përputhet me kredon estetike të Manifestit të Realizmit të Kurbesë. Këto fakte reale të treguara me vërtetësi janë edhe një provë më shumë se Spiro Xega është nisur nga njohja e drejtpërdrejtë e personazheve dhe e mjedisit ku jetonin, të domosdoshme për procesin krijues të një piktori realist. Njohja e detajeve të tilla tregon se tabloja është ngjizur duke u mbështetur mbi fakte reale; se piktori, ashtu siç është thënë edhe më parë, e ka njohur vetë Shahin Matrakun dhe kaçakët e tij, madje duke bërë vizatime nga natyra të cilat, me sa duket, i kanë shërbyer më pas si material për tablonë.  Kjo bëhet edhe më e besueshme kur shohim që hapësira topologjike dhe ajo kohore përputhen. Autori i tablosë ka lindur në Opar, (fshati Llavdar) pikërisht në zonën e veprimit të bandës së Matrakut; periudha kohore përputhet po ashtu: i lindur në 1863, në kohën e ngjarjeve që përshkruan Qiriazi (vitet 1884-85), piktori ishte rreth 21 vjeç. Po ashtu ka mundësi që peizazhi ku është vendosur skena e kompozimit të paraqesë  “njërin nga pyjet afër vendlindjes së tij (Matrakut, shënimi im); si pyllin e Gavlishtit që është në krah të fshatit Gjinikas, ose pylli i Bakullit, në afërsi të fshatit Osojë [...]. Edhe vendlindja e piktorit është pikërisht në afërsi të këtij pylli.[2]

Por Xega mund të ketë përdorur edhe ndonjë burim tjetër të dhënash. Kështu, në një shkrim të Qerim Vrionit gjejmë një fakt interesant : fotografi korçar Kristo Panajot Shuli (Sulidhi, 1858-1938) “[...]fotografon çeta luftëtarësh dhe kapedanë të njohur të tyre si Shahin Matraku e Kajo Babjeni.” [3] Ka të ngjarë që përveç njohjes së drejtpërdrejtë, Xegës mund t’i kenë rënë në dorë edhe këto fotografi të cilat mbase i ka përdorur si material ndihmës për tablonë.

 

Cili është subjekti i vërtetë i tablosë?

Ndryshe nga artistët romantikë që zgjedhin subjekte të lidhura me përjetësinë, Xega, si piktor realist zgjedh një subjekt të lidhur me përditësinë. Elementi më i spikatur realist, që përcakton matricën realiste të tablosë është çasti i zgjedhur nga autori, pra, ngrënia e darkës nga kaçakët. Dihet se risia kryesore e artistëve realistë ishte jo vetëm paraqitja me besnikëri e fakteve reale, e marrëdhënieve njerëzore në një mjedis shoqëror të caktuar, por edhe zgjedhja e atyre momenteve të përditësisë të cilat deri atëherë ishin quajtur si të padenja për vëmendjen e artistëve. Më parë, nëse do të pikturohej ndonjë darkë, subjekti detyrimisht duhej të lidhej me rrëfenjat biblike (Darka e Fundit apo Darka në Emaus, ose një vajzë që përpara darkës po mëson lutjen “Bukën e përditshme falna sot.. [Sharden]). Ndërkohë Xega na paraqet një moment sa njerëzor aq edhe të rëndomtë, një ritual të lashtë që është pjesë e përditësisë njerëzore nga kohë që s’mbahen mend. Megjithë simpatinë e hapur që ka për komitët, autori nuk bën asnjë përpjekje t’i mistifikojë apo përlëvdojë dhe kjo duket te zgjedhja e momentit aspak romantik nga jeta e komitëve. Asnjë piktor romantik nuk do të kish zgjedhur një subjekt kaq “vulgar e të padenjë”. Çeta e Shahin Matrakut thjesht po shtrohet të hajë darkë bashkë me dy kryetarët dhe nga tabloja kuptojmë se në dietën e tyre përfshihet edhe mishi i pjekur i qengjit i cili është një detaj tjetër realist të cilit do t’i rikthehemi më poshtë. Paraqitja e luftëtarëve duke ngrënë mish qengji është e papërsëritshme në traditën tonë të artit pamor pasi kurrë më pas në kompozimet tona të realizmit socialist nuk do të ndeshemi me një temë të tillë. Sipas konceptit të ngulitur me zell të madh gjatë periudhës së realizmit socialist, heronjtë tanë nuk hanë, nuk pinë, veçse ujë burimi, madje edhe atë në këmbë. Ata janë ose duke vrarë armiq, ose duke rënë si engjëj me krahë të kuq mbi tanke, duke pastruar armën për betejën e ardhshme, duke folur para popullit, duke marshuar apo kënduar para litarit. Grykësia dhe obeziteti ishin karakteristika vetëm të armiqve të tyre ideologjikë dhe politikë. Në të gjithë artin e realizmit socialist, në pikturë, por sidomos kinematografi, ballistët paraqiteshin gjithnjë duke ngrënë e duke pirë, duke qëlluar njëri-tjetrin me miell, duke përplasur në gjendje të dehur  shishe rakie në mur, apo duke therur desh në sofër, fakt që tregon qartë se për moralin puritan komunist këto sjellje ishin të padenja për një hero, simptoma të shthurjes dhe zvetënimit. Edhe kur paraqitej ndonjë gosti personazhet e tablosë “harrojnë t’u kushtojnë vëmendje gostisë së shtuar mbi tryesë sepse shohin të magnetizuar dikë që po ngre dolli për Partinë, ndërkohë që Udhëheqësi shkëlqen me praninë e tij duke buzëqeshur nga fotoja në mur.

Nëse vërejmë me kujdes kompozimin do të vëmë re se subjekti i vërtetë i tablosë është darka. Le ta analizojmë:

Së pari, vendi që zënë personazhet në hapësirën piktorike është i tillë që përjashton çdo përpjekje për t’i paraqitur kaçakët si heronj çka do ta bënte të pamundur zgjedhjen e subjektit të mësipërm. Ata nuk arrijnë ta sundojnë kompozimin, ashtu të mbështjellë siç janë nga hapësira e tij, (duke e çuar tablonë fare pranë kufirit të peizazhit me figura) ndërsa qetësia dhe fshehtësia e një pylli të errët në majën e një mali, një humbëtirë e largët dhe e sigurt nga sulmet e taborreve turke, madhështia e peizazhit të larë në dritën e hënës (planeti më i dashur i poetëve romantikë) i konkurrojnë dukshëm figurat. Pra, heshtja e natyrës dhe prehja e kaçakëve shkrihen për të krijuar atmosferën e tablosë.

Në qëndrimin e shpenguar të kaçakëve gjejmë atë që Merlo Pontija, me një qasje të mirëfilltë fenomenologjike e quan marrëdhënia trup-subjekt, e cila zakonisht merret si e vetvetishme, por në të vërtetë lidhet me njohuri të cilat, pasi i ka mësuar nga përvoja,  trupi i përdor për të lëvizur natyrshëm në një mjedis të cilin e njeh mirë. Marrëdhënia trup-subjekt nuk është koncept arbitrar intelektualist, por pjesë e qenësishme e sjelljes së personave realë dhe marrëdhënieve të tyre me botën. Ndonëse bëjmë me mijëra veprime në ditë të cilat trupi i ka mësuar tashmë, ne nuk e vëmë re se marrëdhënia trup - subjekt na mundëson lirshmërinë e madhe që tregojmë kur lëvizim apo prehemi në një mjedis të njohur. Kjo marrëdhënie ndihet në qëndrimin e natyrshëm të kaçakëve, që ashtu si në rastin e teorisë së Pontisë,  tregon për njohuri tashmë të mësuara që u mundësojnë prehjen apo lëvizjen e natyrshme në një humbëtirë të tillë plot me të papritura të rrezikshme. Lirshmëria, natyrshmëria e sjelljes dhe qëndrimeve të kaçakëve është, mendoj, një dozë tjetër realizmi e kësaj tabloje.

Skema kompozicionale është në funksion të atmosferës: ajo është e thjeshtë dhe sundohet nga dy diagonale që shkojnë në thellësi të tablosë duke u takuar afërsisht tek silueta e rojës që mezi dallohet e ulur mbi një shkëmb. Baza e krijuar nga grupet e ulura në dy krahët e boshtit qendror të tablosë krijon një trekëndësh të cilit i shërben si kulm silueta e rojës, çka forcon perspektivën e vërtikshme të tablosë, ndërsa pjesa e sipërme e kompozimit sundohet nga dy gjysmërrathët e pemëve të cilat me siluetat e tyre të jo të plota shtojnë efektin e prehjes dhe paqes në tablo. Në tablonë e Xegës kontrolli racional i tensioneve të krijuara nga morfemat pamore të siluetave të grupeve të kaçakëve dhe pemëve, drejtpeshimi i vektorëve të forcave që modelojnë objektet dhe i tensioneve të krijuara nga lëvizja e njëkohshme paralele e figurave me rrafshin topologjik të tablosë, ndihmojnë po ashtu në përforcimin e ndjenjës së prehjes që mbretëron në tablo.

Ndonëse piktor realist në kufijtë e natyralizmit, Xega përdor një dozë të qartë optimumi optik duke thjeshtuar siluetat, duke vendosur marrëdhënie të qarta grafike të figurave me sfondin dhe duke shfrytëzuar efektin stabilizues të simetrisë në kompozim. Ai operon me njësi figurative apo module lehtësisht të lexueshme, të thjeshta, të rregullta, duke shmangur nga hapësira piktorike elemente apo pjesë të pavarura. Ndërtimi i kompozimit me kontraste të forta grafike mbështetet në alternimin e fashave të dritë-hijeve që rrotullohen rreth qendrës ku takohen diagonalet që u përmendën më lart. Dy figurat në mes të tablosë (komiti që rrotullon hellin dhe komiti në këmbë) janë funksionalë jo vetëm sepse ndihmojnë për të bashkuar dy grupet e mëdha të figurave që qëndrojnë në anën e majtë dhe të djathtë të aksit qendror të pikturës, por duke u vendosur mbi fashën e dritës që përshkon mesin e tablosë, thyejnë, nga ana grafike, monotoninë që do të krijohej nëse pjesa e ndriçuar nga drita e hënës nuk do të ndërpritej nga siluetat e tyre të errëta.

Një element tjetër në dobi të idesë se subjekti i vërtetë është ngrënia e darkës është fakti që piktori nuk përdor atë që në kompozim njihet si hierarkia e masës. Ndonëse personi më i rëndësishëm në tablo, duhej të ishte Shahini,  ai është paraqitur disi më trupvogël se Leftenar Nuriu përkrah tij  dhe nuk është vendosur më lart se të tjerët (e cila në gjuhën pamore përkthehet si epërsi dhe pushtet), por në një nivel me grupin tjetër në të djathtë, madje personi që po pjek mishin në hell dhe një figurë në këmbë qëndrojnë më lart se ai. Ky organizim kompozicional përshtatet me  marrëdhëniet brenda çetës (të cilat siç e pamë Spiro Xega i njeh mirë), ku kapedani në momente të caktuara kishte autoritet të padiskutueshëm, ndërsa në raste të tjera i nënshtrohej mendimit të përgjithshëm të komitëve. Pra, primo inter pares.  Këtë përshtypje e forcon edhe organizimi thuajse simetrik i tablosë me dy grupe kaçakësh në të dyja anët. Xega ka paraqitur  vetëm 11 kaçakë, ndonëse Gjerazi flet për 27 të tillë, por këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë pasaktësi: numri dihet se ndryshonte vazhdimisht në varësi të rrethanave, ose piktori e ka parë të arsyeshme që për shkak të kompozimit të paraqesë një numër të kufizuar komitësh.

Edhe vendosja e Shahinit në qoshen e tablosë dhe jo në qendër, (siç do të ishte e udhës në një pikturë romantike), nën siluetën e stërmadhe të lisit që e shtyp me peshën e tij pamore, lidhet me “rrafshimin” e hierarkisë në grupin e kaçakëve duke respektuar hierarkinë reale në bandë.

Mënjanimi i kapedanit kryesor lidhet edhe me mospërdorimin nga ana e autorit të mënyrave të njohura për ta kthyer një personazh në qendër të vëmendjes së tablosë: asnjëra prej figurave nuk po vështron nga Shahini, ndërsa ndriçimi nuk evidenton aspak atë si figurë kryesore.

Por, është interesant të vëmë në dukje se piktori, me vullnetin për të treguar gjithçka me vërtetësi, me disa detaje të thjeshta arrin të veçojë Shahinin si kapedanin kryesor, ndonëse ndan me një tjetër “gunën e parisë”. Së pari duke e vendosur në pozicion tërësisht ballor dhe të pambuluar nga trupi i dikujt tjetër (çka nuk ndodh me të tjerët), ndërsa ulja këmbëkryq (një zakon i trashëguar nga armiqtë e tij) dhe trupi i drejtë paksa i ngrefosur e bëjnë të duket më autoritar se të tjerët.

Po ashtu fakti se është i vetmi që mban faqore rakie në dorë (një privilegj që nuk u lejohet të tjerëve) si dhe paftën me katër gjerdanë (e cila përveçse zbukurim ishte edhe për t’u mbrojtur nga plumbat) provon statusin e tij të veçantë në bandë.

Pra, nga gjuha pamore e përdorur kuptojmë se  Shahini është njëri prej darkëtarëve (më i rëndësishmi vërtet), por asgjë më shumë. Është e vërtetë që qengji që po piqet është vendosur në planin e dytë, por ngjyra dhe vendosja më lart e kthejnë në një qendër vëmendjeje konkurruese. Kjo sepse hapësira termike ngjyrore e tablosë karakterizohet nga një ekonomi e theksuar kromatike ku ndryshimi i skajshëm i temperaturës midis nuancave të umbrave, të gjelbrave dhe të kaltrave të ftohta dhe ngjyrave okër e ngrohtë, kafe dhe portokalli e kthen qengjin që po piqet në hell në njërin prej personazheve thelbësorë për të kuptuar subjektin.

Për ta ndjerë më mirë këtë duhet të ndjekim prozodinë e përkorë pamore të Xegës, e cila përmban modulacione të mirëkontrolluara si grafike ashtu edhe kromatike, pa gjeste të vrullshme penelatash apo ngjyra të ndezura. Mbi të gjithë tablonë shtrihet një “filtër” i cili paqton sidomos pjesët në hije. Prandaj edhe grafikisht qengji është fort i dukshëm. Subjekti i tablosë sillet tërësisht rreth qengjit, pasi e gjithë ngjarja merr kuptim nëse lidhet me pritjen me durim të kaçakëve që të piqet mishi dhe të shtrohet darka. Madje edhe kaçaku në qendër, në njërën dorë pushkën dhe tjetrën hellin me kukurec që është drejtuar nga grupi i parisë, duket se po jep shenjën se darka do të fillojë pas pak. Pra, subjekti është ngrënia e darkës, që siç e theksuam më lart është një zgjedhje tipike artistësh realistë.

Detaji i qengjit

Pas shkoqitjes së subjektit të tablosë del qartë se qengji është detaji kyç për të shpjeguar subjektin e tablosë. Po ku e kanë gjetur kaçakët një darkë kaq të shijshme? Një variant të mundshëm na e rrëfen Gjerasim Qiriazi në librin e sipërpërmendur: “Atë ditë Shahini i urdhëroi katër veta të zbresin te një livadh ku po kulloste një tufë delesh dhe t’i zënë katër për drekë. Ai u tha: ”Bëni sytë katër dhe zgjidhni qengja! Ata shkuan vrap dhe i sollën. I prenë dhe i rropën shpejt e shpejt. Disa prenë heje dhe kërraba, disa të tjerë mblodhën shkarpa, kurse të tjerë e rregulluan vendin. Të gjithë ishin të gëzuar se do të hanin mish të pjekur. Pasi i rropën, i shkuan në heje, i lyen me dhjamë dhe i lidhën me zorrë, të cilat më parë i shtrydhën për t’i zbrazur pasi nuk kishin ujë për t’i larë. I ngulën kërrabat në dhé e mbi to vendosën hejtë. Pastaj katër veta i rrotullonin. Të tjerë i mblodhën rropullitë, i copëtuan, i shqyen zorrët e trasha dhe pasi i pastruan me dorë i vunë në një hell dhe pjekën kukurec, të cilin e mbanin për gjë shumë të shijshme. Njëri nga ata mori një mullëz, e zbrazi, ia shtiu një grusht kripë dhe e hodhi në prush. Kur u poq mirë, e mori anash që të mos ia merrte ndonjëri nga shokët dhe e hëngri. Ky kishte futur edhe një veshkë me dhjamë në prush dhe e ruante nga shokët. Para se të piqej mirë e mori nga prushi dhe e futi me nxitim në gojë nga frika se mos ia merrte kush. Edhe pse e përvëloi gojën, ai nuk e lëshoi, por, para se ta gëlltiste, hukati me të madhe. Derisa po piqeshin qengjat ata u mblodhën përreth dhe merrnin nga një copë zorrë të rreshkura, dhe pasi i palosnin, i hanin. Dy prej tyre e morën një lëkurë, e lidhën mirë me një spango anëve dhe e bënë rrëshiq. E morën rrëshiqin, zbritën në një përrua dhe mbushën ujë për të pirë.”[4]

A i ka ditur Xega të gjitha këto kur zgjidhte si subjekt darkën dhe kur pikturonte qengjin e grabitur në tablo? Sigurisht, e kush nuk i dinte bëmat e kaçakëve, por ai me një ndershmëri artistike të panjohur më parë në artin tonë pamor, i tregon gjërat pa na fshehur asgjë. Si piktor i mirëfilltë realist ai nuk pranon të pikturojë engjëj aty ku nuk sheh të tillë. Ndershmëria e tij artistike do të bënte të skuqeshin shumë nga artistët e mëvonshëm të realizmit socialist të cilët krijuan një realitet artistik hipokrit të mbushur me fakte e bëma të paqena.

A përputhet Shahin Matraku i Xegës me atë të Qiriazit?

Matrica realiste e kësaj tabloje lidhet jo vetëm me paraqitjen e saktë të marrëdhënieve hierarkike brenda bandës apo të një momenti krejt të zakonshëm siç është ngrënia e darkës, por edhe pamjen e jashtme të Shahinit. Nëse krahasojmë përshkrimin e Qiriazit me Shahinin e pikturuar në tablo vëmë re se përputhen. Duke e parë nuk e ke të vështirë të besosh se Shahin Matraku i tablosë ka zhvilluar me pengun e sapokapur bisedën e mëposhtme: “ [...] Shahini nxori një penë nga shoka dhe një copë letër nga jeleku. Pastaj tha: ”Shkruaj! Na dërgoni pesëqind lira; dhe u thuaj se në qoftë se brenda dhjetë ditësh nuk i dërgojnë paratë, do t’ua dërgojmë kokën tënde.” U përgjigja: ”Kot e keni se unë nuk kam para.”[…] Shahini m’u kërcënua me rrëmbim: ”Ti shkruaj çka themi ne; e sa për paratë, kjo është puna jonë.”[5]

Që Shahini nuk e kish me shaka na e vërteton një burim tjetër i besueshëm: “Nëse viktima dorëzohej ai lidhej dhe merrej peng. Zakonisht robi këmbehej me një shumë të caktuar nëse banditët gjykonin se ishte njeri me vlerë (Shahinit i kishin thënë se Gjerasimi ishte milioner anglez. shënimi im). Në raste të tilla njeriu i pafat detyrohej prej hajdutëve t’i shkruante familjes apo miqve se mbahej peng për shpërblim, në shumën që kish caktuar kapoja i bandës. Nëse paratë mbërrinin, pengu lirohej […]. Nëse familja […] e kishte të pamundur të mblidhte shumën e caktuar të parave […] atëherë ata (banditët, shënimi im) për të mos thënë gjithmonë i prisnin kokën njeriut të pafat të cilën e mbanin zakonisht me vete gjer në momentin kur ata do të shpërndaheshin për shkak të dimrit që po afronte.[6]

Për Gjerasim Qiriazin do të fillonte kështu kalvari i mundimshëm që zgjati gjashtë muaj. Ai përshkruan itinerarin e bandës nëpër fshatra si Osojë, Shipskë, Karbanjos, Gjinikas, Popqisht, Kucakë etj. duke ecur zbathur me këmbë të ënjtura nëpër dëborë, në shumë raste sylidhur, kryesisht natën, gjithmonë i uritur, duke fjetur ditën nëpër shpella, jashtë apo nëpër plevica dhe, gjithmonë duke nxituar për t’i shpëtuar ndjekjes së xhandarmërisë turke e cila e ndiqte për të liruar pengun.

Qiriazi e tregon Shahinin një analfabet harbut dhe mizor. “Atë ditë biseduam shumë. Shahini më rrëfente ndodhi të ndryshme. Ai përdorte aq shumë fjalë të ndyta sa s’mund të duroja.”[7]

Në libër Qiriazi tregon shumë fakte mbi dhunën që Matraku ushtronte në krahinë dhe frikën që ngjallte emri i tij. “Njëherë një oparak më pat thënë:” Shahini e ka Oparin në dorë; askush nuk guxon t’ia kthejë fjalën. As myftiut të Oparit nuk i shkon fjala sa Shahinit. Shahini shpesh tregon pushtetin e vet mbi popullin dhe bën si ia ka ënda. Kur të vijë koha e martesës, ai i thotë djalit:”Do të marrësh vajzën që të them unë;” Mjerë ai prind që nuk e jep vajzën aty ku thotë kapedani..”[8] Ai i rrah njerëzit, i vret, i tret, i plaçkit, por askush nuk guxon ta paraqesë në qeveri. [9]

Paraqitja realiste në tablo e Shahinit, pamja e tij e ashpër të bën të besosh pa mundim se Qiriazi thotë të vërtetën.

Me sa duket nami i bëmave të Shahin Matrakut kish mbërritur deri te Faik Konica i cili me satirën e tij therëse e përmend Shahinin në shkrimin Republikë apo Monarqi: “Në u - bëftë Shqipëria një republikë, po të marrim parasysh shkallën e stërvitjes së popullit është frikë se mos zgjedhin për prezident të Republikës njerës si Shahin Matraku dhe […vazhdojnë dy emra të tjerë]. Ç’do të ngjasë ahere? Ç’do të bëhet halli i Shqipërisë kur Prezident i Republikës te jetë nonjë egërsirë, nonjë gërxho pa kulturë, apo nonjë levantin finok dhe shtrembaluq i zjerë në tenxheren e mualemesë me salcën e rushvetit dhe të hafijellëkut? [10]

Është pra rezik i madh që prezidentët e parë të një republike shqipëtare mos jenë njerës të tipit Shahin Matraku dhe […pasojnë tre emra të tjerë] të cilët do ta bëjnë Shqipërinë qesharake dhe të përqeshur”. [11]

Kaçakët

Një element i padyshimtë realist është edhe zgjedhja e subjektit nga jeta e njerëzve të jashtëligjshëm. Duhet thënë se kur ka pikturuar kaçakët Xega e ka zbutur disi zellin e tij realist sepse krahasuar me kaçakët e Qiriazit ata paraqiten më të butë e më të shtruar. Kjo ndihet sidomos kur lexojmë pjesët ku Qiriazi rrëfen jetën e tij mes kaçakëve.

Ja si e përshkruan ai takimin e parë me ta: “[...] Ata zbritën në rrugë para nesh, e ndalën karrocën dhe më urdhëruan të zbres. Kur zbrita njëri nga ata më tha: Ku i ke paratë?” Biblat që kisha në valixhe nuk i prekën fare. Në një shportë gjetën pak bukë të bardhë dhe disa ushqime. Me të parë ushqimin, i flakën të gjitha gjërat e tjera dhe filluan të gëlltitnin ushqim.“[12]

Duke jetuar gjithë kohës midis tyre Qiriazi pa nga afër plot nga zullumet që bënin: “Nga pesëmbëdhjetë a njëzet cuba, e ndonjëherë edhe më shumë, u bien fshatrave, futen nëpër shtëpitë e të vobektëve dhe të vejave dhe ua rrëmbejnë të gjithë ushqimin që kanë mbledhur ata. Hanë e pinë çdo gjë që gjejnë përpara dhe përpara se të ikin i mbushin strajcat. Nuk e kam të lehtë t’i dëftej të gjitha poshtërsitë që ndodhin në Shqipërinë e mjerë. Të gjitha këto i them me lot ndër sy.” [13]

“Sa më shumë që i vështroja, aq më shumë më vinte keq për ta dhe për ata që vuanin për shkak te tyre. Thosha me vete “ janë rritur si bisha të egra ; për shkollë, kishë e xhami nuk dinin fare. Kurrë nuk kishin dëgjuar fjalë të mira : e sa për libra, kush e di a u kishte parë syri ndonjëherë ? Si mund të priten te korrat nga toka e pambjellë ? Ata nuk shoqërohen me askënd. Gënjeshtra për ta ishte mençuri, kurse vjedhjen e ushtronin si spartanët e lashtë. “[14]

Si misionar Gjerasimi nuk mund të rrinte pa u predikuar pengmarrësve të tij një jetë më të moralshme dhe më të ndershme. Ja dhe përgjigjet e tyre sipas rrëfimit të tij: “Të gjithë na mallkojnë; por ç’të bëjmë kur nuk kemi shtegdalje tjetër për të mbetur gjallë? A jemi të lumtur që jemi të këtillë? Ç’të them? Kanë ardhur ditë të liga. Zoti na shpëtoftë! Të gjithë jemi prishur në zemër, edhe ju të ndershmit, edhe ne cubat. Unë nuk shoh mënyrën si të shërohemi!” [15] 

“….u ktheva nga i pari dhe i thashë:” Nuk mund të gjeni ndonjë mënyrë e t’i shmangeni këtij mjerimi? Kësaj pune të ligë, plot rreziqe e dëme për ju dhe familjet tuaja?” Nga t’ia mbajmë?” më pyeti ai. “Mallkim i madh ju ka zënë që mendoni se nuk mund të bëni ndonjë punë tjetër veç kësaj” thashë. [16]

 

Kuadri historik

Po si shpjegohet ky dallim i madh midis perceptimit të kaçakëve të Shahin Matrakut dhe paraqitjes së tyre si komitë të pavarësisë duke i dhënë veprës një brerore të pamerituar romantike? Dukuria e kaçakëve duket se është tepër komplekse për ta përkufizuar me një të rënë të lapsit. Me siguri që ka qenë një përzierje trimërie, guximi dhe rebelimi ndaj pushtetit, ku peshë në zgjedhjen e tyre ka pasur pamundësia për të mbijetuar në një botë ku sundonte arbitrariteti dhe pushteti i më të fortit. Teksti i mëposhtëm mbase jep një përmbledhje të kësaj dukurie: «Fshatra dhe krahina të tëra të braktisura në mjerimin e tyre, të poshtëruara  dhe të imponuara në një skllavëri barbare […]imponuan mbi banorët të marrin të vetmet shtigje mbijetese, atë të arratisë së imponuar, të rezistencës për një liri të vështirë apo të hajdutërisë së moralshme…dhe pse jo të lavdishme!”[17] Ja përse në tablonë e Xegës me gjithë realizmin e spikatur ndeshim edhe breroren thuajse të padukshme romantike që u vihet nga fantazia popullore atyre që jetojnë me qefin nën kokë.

Edhe historiografia jonë e gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, për arsye ideologjike “pikturonte” engjëj aty ku nuk kishte të tillë, duke fshehur kështu dukurinë shoqërore të kaçakëve e cila ka qenë e përhapur në të gjitha trevat e pushtuara nga perandoria turke. Këtë e pohon edhe G. Kastelani:

“Fenomeni i hajdutëve shoqëroi pushtimin osman në vendet ballkanike pothuaj që prej fillimit të tij” –por ai mori përmasa numerike dhe u bë shqetësues në shekullin XVIII.”[18]

Në të gjithë Ballkanin, përveç Shqipërisë, historianë të ndryshëm vendas dhe të huaj e kanë studiuar me themel këtë dukuri.  Por historianët tanë më të shumtën e herëve kanë heshtur duke anashkaluar këtë pjesë të historisë tonë e cila përmban si rebelimin ndaj pushtuesit të huaj, ashtu edhe grabitjen e mirëfilltë për qëllime fitimi. Por kjo dukuri nuk do të merrte përmasat që mori nëse nuk do të ndihmohej sidomos nga terreni i ashpër malor i gadishullit ballkanik dhe kalimi përmes tij i disa linjave të komunikimit dhe nyjeve strategjike me rëndësi jetike për ushtrinë dhe shtetin perandorak osman. Historiani Irakli Koçollari evidenton zonat ku « fillonte pasiguria » dhe « mbaronte frika e pushtetit osman: “Këto qenë vendbanimet, fshatrat malorë bri apo pranë udhëkalimeve të njohura të cilat lidhin pjesë, krahina e zona të rëndësishme të Ballkanit. Pikërisht këto terrene me rëndësi të veçantë urbane, tregtare apo edhe strategjike u thirrën ato kohë “dervenë” dhe vendbanimet pranë tyre “dervenohoria.” [19] Shahin Matraku “operonte” në një linjë të tillë strategjike: në rrugën e Manastirit që të nxirrte në linjat kryesore të Ballkanit juglindor.

Të njëjtin mendim ndan edhe Ëilliam Plomeri në librin Diamanti i Janinës: « Këto territore ishin të përshtatshme për hajdutëri. Ato qenë larg kryeqytetit të Perandorisë, ndaj dhe rebelimet dhe kryengritjet ishin të shpeshta, grindjet të pandërprera dhe hajdutët shfaqeshin kudo.” [20]

Një tjetër studiues Bagally në librin e tij Balladat e kleftëve krahas faktorit terren në dobi të veprimtarisë së hajdutëve, zbulon edhe një arsye tjetër për shfaqjen e kësaj dukurie: «Këto tendenca i favorizonte edhe më shumë terreni i zonave ku ata vepronin, në Epir, Thesali, Pind, Shqipëri jugore dhe qendrore, Maqedoni dhe më gjerë. […] Jo pak nga këta banorë tepër të varfër, të ngulur në zona të ashpra dhe të egra, vuanin ekonomikisht e politikisht prej dekadash dhe shekujsh, njëlloj sa të rebeluarit që kishin dalë hapur kundër ligjit. Për vetë rrethanat e rënda ku ata jetonin dhe me kë bashkëpunonin, fshehur apo hapur, këta banorë morën, jo rrallë emrin hajdutë.[21]

Po i këtij mendimi është edhe Koçollari : « Kushtet e rënda ekonomike, ato të ashpra gjeografike dhe natyrore, organizimi specifik shoqëror që zhvillohej në rrethana historike dhe ambientale, duket që krijuan terrene të favorshme të tendencave për kusari, grabitje, plaçkitje të organizuara dhe të armatosura, vjedhje bagëtish apo rrëmbime e shkatërrime serioze ekonomike. [22]

Hobhouse na bën të qartë se për moralin aspak puritan të asaj kohe pjesëmarrja në këto banda nuk shihej si ndonjë shkelje e rëndë morali: “Disa nga këto fshatra u kanë takuar plotësisht këtyre bandave dhe fare pa u turpëruar ata bashkërisht kanë sulmuar territore dhe vendbanime të tjera. Dhe është krejt e zakonshme të dëgjosh shpesh në bisedat e burrave të thonë: » Kur unë isha hajdut… »[23]

Studiuesi Stavrianos nuk lë jashtë vëmendjes një element të kësaj veprimtarie të përhapur gjerësisht në Ballkan : « Ata (hajdutët, shënimi im) u bënë simbol  i rezistencës kundër shtypjes shoqërore dhe politike. Ç’është e vërteta ata i ofruan një alternativë individit që jetonte nën zgjedhën e pronarit ose të shtetit osman. Njerëz të tillë trajtoheshin përherë e më tepër si heronj në bisedat intime mes banorëve të këtyre rajoneve, brenda familjeve apo më gjerë. ‘Të jashtëligjshmit’ e armatosur qenë bërë një problem i madh për të gjithë Ballkanin.» [24]

Por Jelaviç bën kujdes të ndajë rebelët kryengritës nga hajdutët dhe kusarët e rëndomtë :« Padyshim në radhët e të rebeluarve kryengritës kishte edhe të dyshimtë, grabitës, kriminelë dhe vrasës ordinerë. Ky lloj kontingjenti njerëzor nuk kishte asnjë lloj ideali veç rrëmbimit dhe vjedhjes. [25]

Në librin e sipërpërmendur Irakli Koçollari përmbledh në mënyrë elokuente atmosferën e atyre kohëve: “Kjo ishte klima e përtymur, tronditëse, e frikshme, nën hijen, kërcënimin, të shtënat dhe bëmat e hajdutëve që kishin mbuluar ditët dhe rrugët, fshatrat, qytetet, limanet, kullotat dhe sanxhak pas sanxhaku kishin pushtuar pashallëqet me radhë, atë të Janinës, Peloponezit, Moresë, Rumelisë, Shqipërisë jugore, Maqedonisë, dhe më tej, në veri të Bullgarisë e Serbisë. Frika qe banori i përhershëm i këtyre anëve. Ligji ishte harruar prej kohësh dhe sundimtar i vetëm ishte antiligji dhe anarkia. Në këtë katrahurë ku derdheshin grupe komitësh dhe hajdutësh, hakmarrës dhe gjakësorë të të gjitha tipave dhe natyrave, në këto pashallëqe[…]të cilët e kishin kthyer vendin në tokë të djerrë […] grupe të dëshpëruar banorësh detyroheshin të braktisnin vatrat […] për t’i shpëtuar pasigurisë dhe rrezikut që kërcënonte jetën e tyre […].[26]

Naum Prifti na përcjell një këndvështrim të ngjashëm të prof. Skënder Luarasit : “Nga bisedat me profesorin formova ide më të sakta për të kaluarën e Kolonjës dhe për gjendjen e saj në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Qysh i vogël kisha dëgjuar në fshat rrëfime tronditëse për vjedhje, rrëmbime pengjesh, grabitje, vrasje në rrugë për plaçkitje etj. por asnjë nuk dinte të analizonte shkaqet e asaj plage shoqërore. Disa e shihnin si dhunë të pjesës myslimane mbi të krishterët e urtë, kurse e vërteta qe ndryshe. Hajdutët nuk bënin dallime, ata plaçkitnin ku të mundnin dhe jo pak familje myslimane pësuan drama të rënda familjare prej cubave myslimanë. […]pas fitimit të pavarësisë së Greqisë, Turqia nuk kishte më nevojë për mercenarë shqiptarë, prandaj i liroi nga shërbimet. Të mbetur rrugëve, pa zanat, pa të ardhura, vetëm me pushkë krahut, ata u kthyen në cuba. “

“Herë të thirrur hajdutë e herë kaçakë, herë brigandë e herë kusarë, piratë, komitë dhe herë dervenxhi apo armatoll, këta njerëz mbetën në memorien e popujve ballkanikë në rrëfimet gojore, në mitet, këngët dhe historinë e tyre, personazhe të parapëlqyer. Bëmat, aktet dhe emrat e tyre ruhen ende në kronikat e kohës dhe në dokumentacionin e kancelarive osmane. »[27]  Për fatin tonë edhe në një tablo ku kaçakët paraqiten bindshëm në mjedisin e tyre duke na i rrëfyer me thjeshtësi dhe vërtetësi. Pra, kompozimi i Xegës është edhe një ftesë këmbëngulëse për të rishqyrtuar ato anë të historisë tonë të cilat nuk i kemi hulumtuar sa duhet.

Përfundimi

Ç’mund të themi në fund të këtij shkrimi? A arritëm të provojmë matricën realiste të kësaj tabloje? Mendoj se realizmi gati mimetik i tablosë, vëmendja skrupuloze ndaj detajeve të sakta realiste: ulja së bashku mbi një shtrojë e Shahinit me Leftenar Nuriun,  paraqitja me besnikëri e hierarkisë  së bandës, qengji në hell, zgjedhja e momentit të darkës, mungesa e emfazës romantike, elementet realiste si zgjedhja e personazheve kryesore të tablosë te një shtresë e përjashtuar e shoqërisë, marrëdhënia subjekt – trup, organizimi i hapësirës dhe përfshirja e figurave në të, modelimi dhe paraqitja e kujdesshme e figurave, janë pa dyshim elemente që provojnë matricën realiste të tablosë.

Xega me ndershmëri dhe asnjanësi të admirueshme na ka treguar Shahin Matrakun dhe shokët e tij për atë që ishin. Ai nuk ka fshehur asgjë. “Fajin” e kemi ne që nuk kemi parë këtë tablo për atë që ka qenë gjithmonë, tabloja e parë realiste me temë historike në traditën tonë ku tregohen pa fshehur asgjë personazhe historikë të vendosur në mjedisin ku kanë vepruar në kohën e tyre.

Po nga vinte dëshira për t’ju vënë personazheve të tablosë breroren që vetë autori ua kish mohuar? Mos vallë sepse tabloja e Xegës duhej përfshirë në katekizmin pamor të periudhës së realizmit socialist duke shërbyer si parahistori e artit revolucionar? Përse i dhamë veprës së tij atë afsh vetpërgëzues kombëtar të cilin nuk e kishte? Dhe përse e përziem me retorikën himnografike të propagandës zyrtare duke gërmuar për një ikonografi patriotizmi që mungonte?

Një arsye mund të jetë zbrazëtia e dukshme e të dhënave mbi dukurinë shoqërore të bandave, krijuar nga lënia jashtë vëmendjes nga historiografia jonë e kësaj dukurie shoqërore, zbrazëti e cila është mbushur nga kultura rurale, këngët popullore, të cilat, ndonëse nuk mund të shpërfillen si burim informacioni, kanë me tepri si emfazën romantike ashtu edhe subjektivizmin artistik.

Është e vërtetë që për Shahin Matrakun në krahinën e tij këndohen këngë dhe rrëfehen mjaft histori ku nuk mungojnë teprimet apo nuancat romantike si në rastin e të dashurës së tij Silos apo momentit të vrasjes së tij me pabesi në teqenë e Vrëpckës në vitin 1909. Po a mjaftojnë këto për t’i dhënë vulën romantike kur aty nuk ka asnjë element të tillë duke shpërfillur dëshmitë e sjella nga personazhe të nderuar të kulturës shqiptare si Gjerasim Qiriazi apo Faik Konica?

Gjithmonë në këngë dhe rrëfenja flitet për ndjekjen të bandës së Shahinit nga turqit, dhe kjo është e kuptueshme, sepse ai kërcënonte një arterie të rëndësishme komunikimi që kalonte nëpër rrugën e lashtë Egnatia, nëpër Ohër - Manastir – Selanik deri në Stamboll. Mendoj se kjo kategori kaçakësh nuk mundet kurrsesi të përzihet me luftëtarë të nderuar të pavarësisë të cilët nuk kanë ushtruar zanatin e kaçakut e që nuk i kanë munguar  as trevës për të cilën po flasim. Nuk kemi dëgjuar kurrë që Mihal Grameno, Spiro Bellkameni apo të tjerë të kenë marrë njerëz peng e t’i kenë liruar më pas në këmbim të parave. Emri i tyre është i nderuar ndër të tjera edhe për pastërtinë e tyre morale të panjollë. Një dëshmi që edhe në kohën e socializmit shkencor kishte intelektualë që ishin në dijeni të këtij dallimi na e jep shkrimtari Naum Prifti: ”Profesori (Skënder Luarasi, shënimi im) nuk i shihte me syze romantike hajdutët dhe as nuk i quante me eufemizma komitë, si ideologët komunistë. Ai nuk i përziente hajdutët ordinerë me komitaxhinjtë, luftëtarë të ndërgjegjshëm kundër pushtimit osman.” Ashtu siç mund të pranohet që në vitet e fundit të sundimit turk disa nga këto çeta të jenë përfshirë në kryengritjen që shoqëroi vitet përpara shpalljes së pavarësisë.

Por syzet romantike aq në modë në kohën e socializmit shkencor, nuk munden sot të na pengojnë ta shohim tablonë për atë që ka qenë gjithmonë, kompozimi i parë mirëfilli realist i traditës tonë të pikturës laike dhe historike që “përshkruan me saktësi zakonet e epokës së tij, ku piktori dëshmon “vullnetin për të pasqyruar me anë të gjuhës artistike vetë realitetin nisur vetëm nga vëzhgimi skrupuloz i fakteve” dhe ku artisti merr përsipër “të bëjë portretin historik të mikut të tij më të mirë, njeriut të shekullit XIX”, qoftë ky edhe një kaçak i jashtëligjshëm.

Shënime

1- Gjerasim Qiriazi, Rrëmbyer nga Cubat, shtypshkronja Illiricum, f. 13, Zagreb, 1921.

2-Mevlud Matraku, Shahin Matraku, njëri nga bijtë e shpatës shqiptare.

3- Qerim Vrioni, Kristo Shuli - Një fotograf i vjetër nga Korça, gazeta Tribuna, 20. qershor 2008, Athinë.

4-Gjerasim Qiriazi, Rrëmbyer nga Cubat, shtypshkronja Illiricum, f. 30, Zagreb, 1921.

5- Po aty f. 13,

6- Irakli Koçollari, Policia sekrete e Ali Pashës, Adelprint, f. 65,Tiranë 2009.

7- Gjerasim Qiriazi, Rrëmbyer nga Cubat, shtypshkronja Illiricum, f.13, Zagreb, 1921.

8-Po aty. f. 27   

9-Gjerasim Qiriazi, Rrëmbyer nga Cubat, shtypshkronja Illiricum, f. 27, Zagreb, 1921.

10-Faik Konica,  Shqiptari i Amerikës, 3 nëntor 1923, cituar në Vepra 3, f. 290, Tiranë, 2000.

11-Po aty., f. 291.

12-Gjerasim Qiriazi, Rrëmbyer nga Cubat, shtypshkronja Illiricum, f.11, Zagreb, 1921.

13-Gjerasim Qiriazi, Rrëmbyer nga Cubat, shtypshkronja Illiricum, f. 26, Zagreb, 1921.

14-Po aty, f. 25

15-Po aty, f 57 - 58

16-Po aty, f. 58

17-Po aty.

18-G. Castellan, Histori e Ballkanit, f. 266, Tiranë, 1998, vep. e cituar.

19-Irakli Koçollari, Policia sekrete e Ali Pashës, Adelprint, f. 39,Tiranë 2009.

20-William Plomer, The diamond of Jannina – Ali Pasha, 1741 -1822, Londër, 1961, f. 35. vep. e cituar.

21-John W. Bagally, The klephtic Ballads, 1715 – 1821, Oxford, London, 1936, f 2, vep. e cituar.

22-Irakli Koçollari ,Policia sekrete e Ali Pashës, Adelprint, f. 40, Tiranë 2009.

23-John Hobhouse, A journey through Albania and other provinces of Turkey in Europe…,vep. e cit. James Caëthorn, Vol.I, Londër 1813, f. 149, vep. e cituar.

24-L.S. Stavrianos, The Balkans since 1453, London, 2000, f. 87, vep. e cituar.

25-B. Jelaviç, Histori e Ballkanit, f. 69, Tiranë, 2001, vep. e cituar.

26-Irakli Koçollari ,Policia sekrete e Ali Pashës, Adelprint, f. 149,Tiranë, 2009, vep. e cituar.

27-Po aty., f. 86-87,.

Caption: Spiro Xega, Çeta e Shahin Matrakut, 1930, bojë vaji mbi pëlhurë, 108 x 130cm, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë.

 

Milosao, GSH

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Comments

Submitted by f d (not verified) on

<p>Te me fal autori ne respekt te studimit te bere, vecse mua sot, dhe nuk e di pse me mbeti si klishe ne cipe te trurit, ishte nje fotografi e ekipit te &#39;Skenderbeut&#39; ne nje nga gazetat sportive, e cila do te mbetet ne arshiva : Ekipi ne uniforma te bukura me te kuqe te ndezur ne dy rreshta dhe para tyre me te bardhe presidenti i klubit Zeqo. Shume ngrefosur z.Zeqo, i vetem, para tufes se &#39;cetes&#39; Skenderbeu&#39;, i vetem edhe pse stemen e kemi dykrenore, ai ishte nje krenor, kokelart, gjoksperpara, egoist, ngrefatar, triumfator...por autorin e fotos nuk e mora vesh...Shume domethenese kjo foto sot, qe edhe Berisha para keshillit te tij te ministrave do ta kish zili t&#39;a bente...Shume domethenese kjo foto sot qe topat do qellojne 21 here me &#39;top lecke&#39;...Shume domethenese kjo foto e realizmit &#39;demokratik&#39; e &#39;kapitalistik&#39; qe do ta studjojne niperit e mi dhjetera vite me vone...E do te thone: Cubi Zeqo me 27 kapedane na bene name...</p>

Submitted by gorari (not verified) on

I nderuar autor shume nga ato qe shkruani jane te verteta, por kendveshtrimi juaj eshte pak i ashper kundrejt ketij trimi te kesaj treve.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.