Rustem Dashi: Nata e fundit në qelinë e Vilson Blloshmit

Janë mbushur 35 vjet nga dita, kur regjimi i Enver Hoxhës pushkatoi Vilson Blloshmin dhe Genc Lekën për “krimin se ishin poetë”. Historia e tyre është e njohur, por në Panoramën e sotme ish një dëshmi interesante, ish dëshmia e atij që ka qenë në qeli me Vilson Blloshmin, teksa ky i fundit jetonte orët e fundit në këtë botë. Dëshmitari quhet Rustem Dashi:
“Vilsonin e kishte prerë lodhja, qëndronte shtrirë. Kur i mpihej njëri krah Vilsoni më lutej ta ktheja në tjetrin. Bënte shumë vapë dhe trupi i djersitej. Flokët i binin vazhdimisht. Të dy supet i ishin rrjepur ngaqë rrinte vetëm shtrirë. Duart i mpiheshin dhe njërën prej tyre e kishte të paralizuar që nga torturat në qelitë e Tiranës. Gishta e duarve kishin filluar t’i nxiheshin. Kishte plagë tek supet, krahët dhe kofshët. Ishin bërë 35 ditë kur e kishin lidhur duar e këmbë dhe me helmetë në kokë. Porta e hekurit u hap me një zhurmë rrëqethëse. U dëgjuan zëra dhe biruca Nr 1. ku dergje Genci u hap. Pastaj u hap porta e madhe e cila është jashtë. Me sa kuptova aty po ndodhte diçka. Dëgjova vetëm hapat dhe asnjë zë. Mendova se mos kishte ardhur falja dhe Gencin e zgjidhën. U dëgjuan zëra dhe hapa që po afroheshin. Shuli i derës së birucës ku ishim unë dhe Vilsoni kërciti me një zhurmë po aq rrëqethëse dhe dera u hap. Përsëri mendova se duke ardhur edhe tek ne i kishin falur jetën dhe Vilsonit. Ai rrinte shtrirë dhe i përgjumur me kurriz nga dera. Sapo dera u hap, Vilsoni lëvizi.
-Rustem, foli ai, kush është?
Brenda u futën Selimi, hetuesi Lulo Ymeri, shefi i policisë Nazmi Kodra dhe përgjegjësi i birucave.
Shefi i hetuesisë i qeshur i tha Vilit: -Të pata thënë?! Ja fundi erdhi. Korridori ishte plot me policë dhe civilë. E ktheva Vilsonin dhe ia fërkova duart si zakonisht. Pastaj e ngrita dhe e mbështeta pas murit. Kur ata ia zgjidhën litarin nga këmbët, e duart ia lanë ende të lidhura u binda plotësisht se kishin falur. Unë shtanga, rrija pas murit dhe nuk guxoja të lëvizja as qepallat. Atë natë askush nuk fliste, vetëm heshtje. Kishin vendosur ta vrisnin?! Jo, jo. Kjo gjë s’kishte pse të ndodhte. Vilsoni nuk kishte bërë asgjë për ta vrarë. Ai kishte lexuar vetëm libra. E kapën për krahësh dhe e ngritën në këmbë. Kur e ngritën te dera i hodha xhaketën krahëve. Ai më pa në sy dhe pa iu dridhur qerpikët më tha:
“Rustem! Ma bën hamall shërbimin që më ke bërë gjithë këto ditë. Të lutem ma bëjë hallall”.
Un ngriva në vend, po e merrnin me duar lidhur prapa dhe me helmetën në kokë. Buza më dridhej dhe nuk arrita t’i them asnjë fjalë. Lotët filluan të më rridhnin faqeve.
“Rustem, po të lë një amanet”, vazhdoi Vilsoni. “Kur të dalësh nga burgu të shkosh në familjen time dhe t’u thuash se nuk i kam turpëruar. Akuzën nuk e pranova sepse nuk kamë bërë asgjë. Ne ishim bashkë në gjyq. Këto që po të them janë të vërteta, ti e di. Diana me gocën të shohin punën e tyre. Ky qe fati im. Me fatin nuk luftohet. Këto do t’ua thotë edhe Bedriu kur të lirohet por atë e kanë dënuar shumë. Edhe njëherë ma bëj hallall Rustem? Lamtumirë. Lamtumi...”
“Hajde tani bërtitën policët që e mbanin për krahësh.”
Comments
Rrenqthese, ata qe e vrane
<p>Rrenqthese, ata qe e vrane ate dhe gjithe Shqiperine jane akoma ne gjyqesor e ne ofiqe te tjera, kane bere pasuri te madhe</p>
Reflektim ! Por reflektimi
<p>Reflektim ! Por reflektimi nuk eshte nje pasqyre, qe e kthejme nga dielli kur te na teket, per te pare nje projeksion... Reflektim shpirteror, per ngasjet shpirterore, te kohes se 'shpirtrave te vdekur'...</p>
Add new comment