Për një rrugëdalje nga kjo gjendje e ekonomisë

Do të ishte aventurizëm dhe papërgjegjësi politike të deklarosh sot se vendi nuk po përballon një krizë ekonomike, vetëm për arsye se ka një rritje minimale të GDP (në se i besojmë INSTAT-it), pra ende nuk mund të quhet në recesion. Rënia (zvogëlimi ) i vazhdueshëm i ritmeve të rritjes ekonomike tregon qartë, për ata që duan Shqipërinë më shumë se pushteti i denatyruar (për të vjedhur), do të thotë se jemi në vështirësi. Këtë e sheh gjithsecili prej nesh në shtëpinë e vet, në treg, në rënien e konsumit dhe të shitjeve, shtrëngimin e kredive, rënien e investimeve vendase dhe të huaja, rritjen e borxhit publik dhe atij të qytetarëve, rritjen e përqindjes së bonove të thesarit në nivele rreziku për ekonominë.
Kemi theksuar këto përfundime për gjendjen e ekonomisë shqiptare dhe vetëm këto kohët e fundit eksponentë të partisë në pushtet si Bode dhe i “pavaruri” Fullani po e pranojnë në mënyrë të mjegullt këtë fakt. Edhe ndryshimi që i bëhet buxhetit në qershor e janar (e quajnë rishikim), flet për këtë, por njëkohësisht dëshmon aventurizmin berishian në planifikim për të mashtruar me shifrat në rritje. Vetëm kush përfiton, sigurisht në mënyrë të paligjshme, nuk do t’ia dijë për këtë. Çuditërisht mbështesin qeverinë dhe biznesmenët, që nga dritëshkurtësia e tyre nuk po e kuptojnë që në greminë ata do të zhyten përpara shumicës së qytetarëve. Ata duhej të flisnin, si kolegët e tyre në perëndim, sepse fitimet e tyre janë në rënie dhe ndjejnë mungesë likuiditeti, ka shtrëngesë kreditimi e shitjet po bien, çka rrezikon rrënimin e tyre nga dita në ditë deri në falimentim. Atje parulla është – rreptësi, kursim reforma strukturale dhe politika për rritje ekonomike-. Unë jam i bindur, se biznesmenët do të kujtohen kur të jetë vonë për ta, e jo vetëm për ta, por dhe për ne qytetarët, që mbështesim njërën palë për inat të kundërshtarit , duke i dhënë siguri se do të qëndroj në pushtet edhe me këtë rrugë pa krye.
Është jashtë çdo dyshimi se gjendja e krizës së thellë, që ka përfshirë ekonominë shqiptare, thellimi i saj dhe mungesa e një perspektive për zgjidhje, është rezultat i politikave të ndërmarra nga qeveritë. Ato përherë e më tepër janë vetëm në interes të një pakice e në kurriz të shumicës dërmuese të qytetarëve shqiptarë.
Siç kemi shpjeguar dhe në shkrimet e mëparshme të ilustruara me të dhënat përkatëse (respublica.al –rubrika opinione : datë 6 dhe 20 Prill e 4 Maj), rreziqet potenciale makroekonomike janë të lidhura me borxhin publik shumë të lartë e në rritje (me gjithë manipulimet qeveritare), rënien e kreditimit të ekonomisë dhe konsumit, mungesën e likuiditetit, rritjen e deficitit tregtar dhe rënien e investimeve. Krahas tyre janë dhe një sërë pengesash të varura (në mos të krijuara për përfitime) nga qeveria. Ato janë : mos zgjidhja e çështjes së pronës dhe përvetësimi i padrejtë i saj dhe pamundësia për kthimin në rastet e grabitjes; favoritizmi për vete e klientët e familjes; monopolet në fusha të ndryshme të ekonomisë e sidomos korrupsioni në ekonomi; likuidimi i pasurive kombëtare, si dhe mangësitë në energji, rrugë e të tjera. Pra kriza ekonomike shqiptare nuk është vetëm rezultat i krizës globale por dhe i keqqeverisjes shumëvjeçare.
Për të pasur zhvillim dhe rritje të ekonomisë duhet një hapësirë më e madhe për biznesin, e cila krijohet duke hequr pengesat në nismat e tij, luftë monopoleve duke i hapur rrugë konkurencës, që krahas liberalizimeve është në themel të ekonomisë së tregut të lirë, pa të cilën nuk do të kemi kurrë zhvillim. Po kështu, duhet një përmirësim i legjislacionit që lidhet me biznesin si dhe i strukturave zbatuese të tyre, sidomos për prokurimet e koncesionet, sipas përvojës më të mirë perëndimore, dhe sidomos gjithçka lidhet me transparencën (hapja e detyrueshme e zarfeve në publik) dhe parandalimin e ndëshkimin e korrupsionit.
Shqipëria ka nevojë për një reformim të ekonomisë së saj, nëpërmjet një sërë reformash strukturore, liberalizmit të tregut dhe të procedurave si dhe uljes së shpenzimeve shtetërore krahas investimeve publike, të cilat duhet të japin impakt në ekonomi, në punësim dhe në shërbimet ndaj qytetarëve, veç masave lehtësuese dhe incentivave që nxisin biznesin, për punësim dhe investime qofshin dhe të përkohëshme.
Jam thellësisht i bindur se veprimi i parë që duhet të kryhet është formalizimi i ekonomisë, domethënë, njohja vetëm e veprimtarisë ekonomike të dokumentuar, pra çdo veprim të kalojë nëpërmjet bankave dhe të caktohet një kufi përdorimi ”me para në dorë - cash” të themi 100000 lekë, si për biznesin ashtu dhe për qytetarët, çka do të thotë që mbi këtë sasi të jetë i mundur verifikimi i prejardhjes së parave. Krahas kësaj duhet të deklarohen dhe të regjistrohen gjithë pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme që e kanë detyrimin ligjor për këtë, të deklarohen e të depozitohen eventualisht në banka, këtu ose jashtë, pasuritë monetare si dhe të dihen e të përmbushen detyrimet financiare për to.
Kemi të bëjmë me hapin e parë drejt një amnistie fiskale reale e ligjore, e cila është më se e domosdoshme në stadin e sotëm, madje e vonuar. Kuptohet se kudo në botë, ky mos pagim i pjesshëm apo dhe tërësor deri më sot i taksave nga bizneset shlyhet me një detyrim monetar të arsyeshëm, mundet sipas rastit dhe kushteve aktuale tona. Kuptoj këtu, që për shuma të vogla, të themi deri në 200000 Euro të jetë 2%; deri në 500000 Euro 3%; 1-3 mln Euro 5%; mbi 3mln 7%. Flitet për vlera monetare e pasuri që legalizohet brenda dhe jashtë vendit. Mund të ketë dhe nivele më të ulta për shtetasit me banim jashtë vendit, por që duan të depozitojnë këtu vlerat monetare që posedojnë dhe të formalizojnë pasuritë e tyre.. Vetëkuptohet që individi bën një deklaratë formale që këto pasuri dhe vlerat monetare i ka fituar duke ushtruar biznese, apo dhe trashëguar, dhe shteti nuk ka të drejtë të bëjë asnjë investigim për këtë, “as sot e as mot”, sepse prandaj dhe quhet amnisti.
Përjashtohen nga e drejta për amnisti ata që për shkak të detyrave në administratën shtetërore i nënshtrohen deklarimit të pasurisë, dhe ky kontroll nuk kryhet për vetëm disa të përzgjedhur me short, por për të gjithë pa asnjë përjashtim. Kuptohet që pas amnistisë tatimet kontrollojnë një numër të madh biznesesh dhe individësh të cilët dyshohet se janë evazorë fiskalë.
Kam bindjen se një amnisti e tillë veç mobilizimit të këtyre fondeve dhe do jetë garanci për kredi, do të krijojë një mjedis normal për biznesin dhe veprimtari ekonomike të formalizuar, pra mundësi më të mëdha për zhvillim e rritje ekonomike. Shteti duhet të angazhohet publikisht që detyrimet për të, që eventualisht do të mblidhen, do të përdoren vetëm për investime publike me impakt në ekonomi.
Por, për të përmirësuar gjendjen ekonomike dhe kapërcimin e krizës që po përkeqësohet dhe po shtohen zërat për këtë, nevojitet edhe një reformë tërësore e sistemit financiar. Pra, përveç amnistisë fiskale duhet reformuar dhe sistemi fiskal i denatyruar nga kjo qeveri me mendësi komunisto-primitive, sepse për të pasur një ekonomi të zhvilluar është i rëndësishëm sigurimi i të ardhurave për buxhetin e shtetit, kusht themelor për të siguruar politika rritjeje të ekonomisë shqiptare. Me keqardhje vërejmë se organet e ngarkuara me këtë detyrë janë kthyer në struktura të politikës, në vende pune për militantët dhe familjarët e tyre, që ndryshojnë sa herë ndërron drejtuesi apo padronët e politikës.
Detyra e parë është zgjerimi i bazës tatimore, pra duhet një luftë pa dallime politike ndaj evazionit fiskal. Por krahas saj duhet ndryshuar pseudoreforma fiskale që rëndon të varfërit, pra thellon varfërinë, ka pakësuar likuiditetin dhe ka ulur konsumin e për pasojë ka thelluar krizën dhe nuk nxit prodhimin.
Reforma fiskale që propozojmë ka në themel dy veprime, deklarimin e të ardhurave personale nga të gjithë së bashku me regjistrimin e pronave si dhe ligjin për tatimin mbi të gjitha tëardhurat personale (jo vetëm mbi pagën) , dhe pa të parën nuk mund të zbatohet realisht e dyta.
Siç kemi folur në shkrimet e mëparshme tatimi mbi të ardhurat personale aplikohet mbi tërësinë e të ardhurave që ka një familje, domethënë paga e pensione, të ardhura të ndryshme nga pronat që zotëron (përfshirë dhe ato bujqësore), të ardhurat mbi investimet, fitimi nga kapitali dhe çdo e ardhur tjetër. Por, ajo që nuk thuhet kurrë ndër ne, është se nga tërësia e të ardhurave zbriten të gjitha shpenzimet që familja bën si kontributet për sigurime, çka jepet për bamirësi (ose një pjesë e saj), shpenzimet për mbajtjen e fëmijëve në shkollat publike, ato për kujdesin për të miturit dhe të sëmurët, pagesën e kredisë për shtëpi etj. Vlen të theksojmë se vende të ndryshme kane dhe ndryshime në shpenzimet që zbriten në varësi të nivelit vetë vendit dhe të familjeve apo profesioneve që ushtrojnë, ashtu siç kanë dhe një nivel të ardhurash nën të cilin nuk paguhet tatimi mbi të ardhurat personale.
Tatimi i shkallëzuar ka në radhë të parë synimin për të mbrojtur shtresat me të ardhura të ulta, si dhe të nxisë konsumin dhe investimet, pra tërthorazi shton fitimet e sipërmarrjeve dhe të pasurve duke minimizuar ndikim e tatimit më të lartë. Ndër shpenzimet që zbriten pjesërisht, janë dhe ato që lidhen me riparimin e banesave dhe ato për uljen e humbjeve termike e të tjera lehtësira, sepse janë të dobishme për bashkësinë.
Propozimi ynë është që një familje prej katër anëtarësh nuk duhet të paguaj tatim mbi të ardhurat personale në se ato janë nën 700000 lekë (~5000 euro) në vit. Nën këtë nivel ata do të duhej të ndihmoheshin nga shteti. Kur janë tre persona 550000 lekë; për 2 persona 400000 lekë; dhe kur është i vetëm 300000 lekë. Të ardhurat mbi këto kuota dhe deri në 3000000 lekë duhet të tatohen me 10%; të ardhurat nga kjo kuotë deri në 5000000 lek të tatohen me 20%; dhe mbi këtë kuotë me 30%. Këto kuota janë nën nivelin e vendeve të tjera por, që justifikohen me faktin që ne jemi në hapat e para të një shoqërie kapitaliste dhe familjet ende nuk po e krijojnë pasurinë jetësore më të domosdoshme.
Veç tatimit mbi të ardhurat personale çdo familje ka dhe taksa të tjera si ato lokale, taksa për trashëgiminë, taksa për pronat, të cilat në vartësi të nivelit ekonomik të vendit mund të jenë dhe ato të shkallëzuara (progresive). Për sa i përket tërësisë së taksave që një familje paguan, mendoj se nuk duhet të kalojë 30% të të ardhurave të saj.
Për sa i përket taksës mbi pronën ne mendojmë se ajo, në këtë stad të parë të aplikimit të saj të rregullt, të njehsohet mbi çmimin sipas vlerës reale (ajo që quhet vlera kadastrale) dhe sipas sipërfaqes në metër katror dhe numrit të banorëve në të. Propozimi ynë është që për shtëpinë e parë të jetë rreth 0,5 % të vlerës, por, për çdo banorë 20-30 m2 të llogariten me 0,2% ndërsa pjesa tjetër me 0,5%. Ndërsa për shtëpinë e dytë (në vende turistike) këto kuota të jenë 0,3% dh 0,5%. Këto vlera janë të diskutueshme dhe mund të përdoret përvoja e vendeve të tjera, duke konsideruar nivelin tonë, dhe se jemi vend në zhvillim, po kështu këto kuota mund të jenë më të vogla fillimisht, të diferencuara dhe në vartësi të nivelit ekonomik të taksapaguesve edhe rriten me kohë, duke parë dhe impaktin tyre në jetën e njerëzve dhe nëekonominë tonë. Por, të ardhurat nga kjo taksë duhet të përdoren ekskluzivisht nga komuniteti që e paguan.
Taksa e pronës mund të jetë në nivele edhe më të ulta kur ndërtesa përdoret për prodhim, kur janë objekte ndihmëse bujqësore etj. Mendojmë se një rëndësi të veçantë, duke konsideruar që 240000 ha tokë bujqësore nuk punohen, ka dhe taksa për tokën bujqësore. Më shumë se 70 vite më parë Mehdi Frashëri shkruante “se bujku nuk ka për ta punuar tokën për sa kohë që nuk ka taksa për të”. Veç saj taksa duhet të jetë në rritje kur toka vazhdon të mos punohet. Kujtojmë gjithashtu këtu, se ligji 7501 deklaronte se toka i merret atij që për 5 vite nuk e punon. Një masë më e lehtë dhe nxitëse mund të ishte që vitin e parë taksën do ta paguajnë vetëm ata që nuk do ta punojnë tokën.
Lidhur me tatimin për vlerën e shtuar (TVSH), mendoj se për të lehtësuar shtresat në nevojë, do të ishte e dobishme, pa ndarë nga masat e tjera që po propozojmë, që ajo të jetë 10% për turizmin dhe aktivitetet e tij, për medikamentet si dhe disa produkte ushqimore bazë dhe kryesisht importi: gruri, orizi, vaji vegjetal dhe sheqeri. Gjithashtu mendojmë se pagesa e TVSH-së si dhe akciza, të bëhet pas tre muajsh për sendet me shitje të shpejtë dhe pas gjashtë muajsh për të tjerat. Kjo do të lehtësonte së tepërmi bizneset në këtë kohë krize për likuiditet e shtrëngimi të kredisë.
Për sa i përket tatim fitimit të veprimtarive ekonomike është më se e domosdoshme që të rreshtohemi në nivelet që e kanë vendet që përparojnë dhe kanë nivel jo të ulët jetese. Siç kemi thënë ai është diferenca ndërmjet vlerës që realizohet në treg dhe tërësisë së shpenzimeve që një ndërmarrje kryen për qëllime që lidhen me prodhimin. Ligjet e vendeve evropiane, që kohët e fundit kërkohet të njësohen, janë një shembull i mjaftueshëm për të përcaktuar shpenzimet që njihen sepse lidhen me prodhimin dhe që ne nuk i njohim. Uljet e njëpasnjëshme në përqindje të këtij tatimi nuk sollën asnjë ndryshim në ritmin e rritjes së GDP-së, përkundrazi, ato favorizuan kompanitë e mëdha, që investojnë tashmë shumë pak dhe që fitimet i dërgojnë jashtë në Shqipërisë. Propozimi ynë është që fillimisht ky tatim të jetë 20%. Njëherazi duhet të hiqen çmimet e referencës për mallrat që vinë nga BE,ShBA dhe vendet e tjera me të cilat kemi shkëmbim të faturave origjinale. Gjithashtu duhet të përcaktohen qartë dhe realisht veprimtaritë ekonomike që do të kenë procedura të thjeshtuara tatimi, pra ato të biznesit të vogël, ashtu dhe ato aktivitete të mbijetesës (jashtë i quajnë shumë të vogla), që deri dhe përjashtohen nga tatim fitimi.
Ligjet për tatimin mbi të ardhurat personale, tatimin mbi fitimin ashtu dhe ai për deklarimin real e të ndershëm të të ardhurave duhet të jenë të qartë e të plotë, dhe të mos ndryshohen brenda pak muajve siç është bërë zakon ndër ne.
Me veprimet e mësipërme prapëseprapë nuk mbyllet reforma fiskale, sepse duhet të vendoset tatimi për trashëgiminë: 11% për pasurinë që kalon në shkallë të parë lidhjeje, 21% për shkallë të dytë dhe 39% në shkallë të tretë e lartë. Ndërsa për personat nën kontroll dhe të lidhurit me ta të verifikohet prejardhja e pasurisë që trashëgohet, ndërsa për dhurimet në këtë rast të jetë më e lartë (50-80%). Por dhe këto taksa së bashku me ato lokale mundet që për një farë kohe (lidhur me shëndoshjen ekonomike të shqiptarëve), të jenë edhe më të ulta. Ka dhe forma të tjera si p.sh. ne Francë ku trashëgimtarët në linjë të parë nuk paguajnë për një kuotë e taksa më tej rritet në mënyrë të shkallëzuar sipas përmasave të trashëgimisë. Në rastin konkret shqiptar ky tatim nuk duhet të zbatohet në rastin e kthimit të parë të pronës.
Për fat të keq në një pjesë të politikës, taksa është një “dhunë shteti”, për ta ajo duhet të pakësohet, e sidomos, të mos paguhet nga militantët, klientët e familjes. Shembujt e të gjithë vendeve të qytetëruara e të përparuara si dhe shembulli negativ shqiptar tregojnë të kundërtën. Shteti duhet të krijojë barazinë vetëm për detyrimin që të gjithë të paguajnë taksat që ju takojnë dhe të luftojë evazionin fiskal. Dhe këtu ne shohim rezervën më të madhe për rritjen e të ardhurave me propozimet tona, të cilat janë lehtësim për shumicën e popullsisë shqiptare. Njëherazi shteti duhet të përdori një sërë incentivash si për shembull për ata që zhvillojnë biznese familjare të vogla duke punësuar të tjerë, kur investojnë në teknologji e në energji të rinovueshme, kur ristrukturojnë banesën, kur zhvillojnë turizëm e të tjera raste me dobi të shpejtë për shoqërinë. Shteti në përputhje me ritmet e zhvillimit të vendit, rezultatet në luftën kundër evazionit fiskal, nivelin real ekonomik të qytetarëve, vendndodhjen, e rrethana të tjera, herëpashere bën ndryshime me synimin e vetëm: drejtësi fiskale dhe nxitje të ekonomisë, d.m.th. nxitje për investim e punësim.
Në Shqipëri ka dhe një dukuri tjetër absurde që lidhet me uljen e kontributeve për sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore dhe përballimin e tyre nga buxheti i shtetit ose në ngarkim të vetë personave, pra një ulje të standardit të jetesës sidomos për pensionistët apo ata me probleme shëndetësore, deri dhe në mospërballim të gjendjes. Në gjithë botën e qytetëruar ka disa tregues të këtyre kontributeve, ndërkohë ne vazhdojmë të ulim këto kontribute duke i përballuar nga buxheti, si në kohën e parë, në kundërshtim me çdo parim të sistemit kontributiv i cili duhet të jetë i detyrueshëm dhe duhet të rivendoset. Kjo duhet të ndryshojë. Sa më parë aq më mirë. Shteti, komuniteti kanë për detyrë njerëzore të ndihmojnë ata që janë në pamundësi, por jo të gjithë. Mjaftë me barazitizëm komunisto primitiv, shumë vite i kemi humbur për këto.
Propozimi ynë është si më poshtë:
shteti duhet të ricaktojë pagën minimale duke ruajtur atë neto të sotme (plus shtesën e premtuar dhe të rivendosë kontributet (që paguajnë punëdhënësi dhe punëmarrësi) aq sa duhen si përqindje, për të dy kategoritë. Ato duhet të jenë së pakut 27 % dhe 3,4%, të pagës bruto dhe kjo duhet të jetë paga minimale, e cila mund, në kushtet e krizës, të vihet fillimisht vetëm për buxhetorët. Mbi këtë pagë bruto minimale duke shumëzuar me 13-15 të jetë ajo e Presidentit të Republikës, paga më e lartë në strukturat shtetërore (për buxhetorët) nën të cilën, e shumta, sa e një ministri, duhet të jetë dhe ajo e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Për ata që do të çuditen për këtë propozim po i kujtojmë se drejtori i Federal Reserve në ShBA (FED) ka shkallën A-2 që i takon pagës së një deputy secretary d.m.th zëvendësministrit.
Porsa i përket sistemit të pagave, i cili pas një pafundësie ndryshimesh nga premtime elektorale të herëpashershme, është një xhungël e vërtetë dhe jo e harmonizuar, mendimi ynë është se ai duhet të rithemelohet nga e para sipas modeleve të përparuara dhe të qëndrueshme. Për ne i tillë është sistemi gjerman dhe afërsisht shkallëzimet e tij. Në atë ka dy kategori: punonjës të betuar-beamte (me status) dhe punonjësit e tjerë-arbaiter (3 pa të mesme, 3 me të mesme, 3 me arsim të lartë). Në ata me status hyjnë specialistët e ministrive dhe strukturave të tjera shtetërore dhe drejtuesit, nga ai më vogli (një shef sektori) e deri tek presidenti. Ata kane dhe klasifikime të përafërta për shkollat e larta, drejtësinë dhe ushtarakët e ndryshëm.
Në të gjitha vendet, përgjithësisht, për 25 vitet e para (për punonjësit) ka 1% shtesë vjetërsie për çdo vit pune për 25 vitet e para, ndërsa për drejtuesit rrogat janë fikse - konsiderohen të vendit të punës. Do mundohemi në një kohë të dytë ta paraqesim veçmas propozimin tonë të mbështetur në atë gjerman dhe atë amerikan (ai ka nëpunësit e lartë A; zyrtarët O dhe shërbesëtarët S). Këtu po mjaftohemi të theksojmë se kudo nëpunësi nuk mund të marrë në vit më shumë se dy rroga mujore për punë të tjera në shtet dhe se çdo klasë ka përgjithësisht deri 20% vështirësi të grupit.
Reformimi i sistemit të pagave dhe atij të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore është më se i domosdoshëm. Si kudo në botën demokratike pensionet me sistemin kontributiv duhet të arrijnë deri 70% të pagës neto, ndërsa shërbimet shëndetësore duhet të sigurojnë mbulimin e kostos për shërbim shëndetësor e medikamente në nivelin e shteti pavarësisht se ku kurohet pacienti.
Sot kudo me krizën që ka mbërthyer botën (përjashto Shqipërinë), ulja e shpenzimeve të shtetit është në radhën e parë të veprimeve urgjente, e përsërisim urgjente. Ulja e kostos së politikës dhe të administratës duhet të vazhdojë me strukturat ministrore e drejtoritë e shumta të tyre, në strukturat në bazë të aparatit shtetëror. Kështu ja vlen të shihet numri i deputetëve (dhe i shpenzimeve të tyre) të themi 100-120. Detyrimisht duhet që ministritë të kenë vetëm një zëvendësministër (përjashto të Brendshmen dhe mbase të Jashtmen). Unë nuk besoj se ka vend për shkurtime në administratë, madje në se sistemohen pagat dhe përfitimet-shtesa për nëpunësit e lartë, ka vend për të tjerë, sipas normave evropiane: në arsim, shëndetësi, polici e gjetkë. Po kështu duhet të rriten përqindjet e shëndetësisë dhe arsimit në buxhetin e shtetit, respektivisht në 4% dhe 5,4% të GDP-së, në se duam ardhmëri për kombin e përparim real të vendit dhe mirëqenie për popullin,
Po kështu ka ardhur koha për të mos e shtyrë, nga kundërvënia e politikës, Reformën e ndarjes së re territoriale. Propozimi ynë është: Qarqet (pra dhe prefekturat) të jenë 10, d.m.th Mirdita (mundet në tërësinë e vetë historike-autoktone) dhe Lezha i bashkëngjiten Shkodrës; Laçi e Kavaja shkojnë me Durrësin; Lushnja me Beratin dhe Fieri me Vlorën. Një studim më i thelluar dhe i hollësishëm i cili merr parasysh lidhjet tradicionale, rrugët e komunikimit dhe veprimtari të përbashkëta ekonomike-historike mund të tregoj komunat dhe mbase dhe fshatrat që mund të shmangin këto ndryshime. Është fjala për komunat e ish rretheve të sipërpërmendura e mbase dhe jo vetëm për to. Duhet gjithashtu që ky studim të reduktojë numrin e komunave në përputhje me ndryshimet demografike të ndodhura në vend dhe popullsinë rezidente. Sigurisht që studimi duhet të konsiderojë lidhjet tradicionale, rrugët e komunikimit, duke pasur një studim të veçantë për komunat malore e në zona të thella. Mendojmë se nuk duhet të ketë komuna me më pakë se 5000 banorë. Po kështu duhet të reduktohet numri i anëtarëve të këshillave të niveleve të ndryshme. i cili duhet të jetë nga 11 deri në 31 persona (për Tiranën).
Një masë tjetër urgjente mendoj se duhet të jetë ndalimi i investimeve për administratën. Përjashtimet të bëhen vetëm me autorizim të posaçëm të qeverisë.
Politikat shtrënguese janë vetëm njëra anë e veprimeve që duhet të kryejë qeveria shqiptare, ana tjetër janë politikat për rritjen e ekonomisë. Të parat ndër to, në kuadrin e reformave strukturale janë politikat liberalizuese reale d.m.th jo monopolizime, jo privatizime nën vlerë për vete dhe për miqtë, jo koncesione si favore për ti nxjerr në treg, por liberalizim të tregut, tendera ku zarfet hapen në publik, koncesione që pas afatit ligjor anulohen dhe në radhë të parë luftë korrupsionit. Pa këto masa zor se mund të mobilizohen energjitë ekonomike, monetare e njerëzore të vendit, zor se do ta kapërcejmë krizën. Vetëm disa nuk e shpëtojnë vendin.
Qeveria duhet të mundësojë përdorimin e kursimeve të mëdha të popullsisë, gati 7 miliard euro, për investime prodhuese, e jo për t’i përdorur bankat e huaja për të blerë bono thesari me fitime të larta e të sigurta, duke rritur borxhin publik. Kjo mund të realizohet për investime në energjetikë,me dy mundësi: ose krijimin e sipërmarrjeve publike-private, ku prania e shtetit jep siguri për privatin, për ndërtimin e HEC-ve si ai i Skavicës, apo ndonjë tjetër i bllokuar me pseudokoncesione; ose duke shitur 10-20-30 % të aksioneve të KESH-it, që vlen së paku, fillimisht, 5 miliardë euro, e duke i përdorur këto fonde vetëm për ndërtime burimesh të rinovueshme energjetike, pra të mos i falë hidrocentralet “për dy lekë”. Por, që këto veprime të mund të kryhen, shteti duhet të ndalojë politikën “ e sevapit” në dukje, për vjedhjen pa kufi të energjisë, sepse në fakt është favorizues e për disa në kurriz të pjesës tjetër të shqiptarëve, por dhe të atyre që vjedhin energjinë. Duhet të ndalohet edhe shitja e lirë të saj e blerja shtrenjtë. Për zgjidhjen e këtij problemi, shteti si para shumë viteve duhet të kompensojë rritjen e çmimit të energjisë, të themi për 300 kilovatorët e para për disa kategori buxhetore dhe ata që ndihmohen nga shteti.
Për Shqipërinë, bujqësia dhe blegtoria janë një pasuri e madhe kombëtare që dhe sot pas 20-të viteve të tranzicionit janë sot në një nivel shumë të ulët, për sa i përket konkurrueshmërisë dhe mbi të gjitha, nivelit të jetesës të familjeve në zonat rurale. Bujqësia vazhdon të ketë ritme më të ulta zhvillimi se ekonomia e vendit. Bujqësia është sektori i vetëm për të cilin buxheti i shtetit nuk ka pasur në këto vitet e fundit asnjë rritje e tij, përkundrazi vetëm shkurtime
Për qeverinë shqiptare sektori bujqësor nuk vlerësohet si konkurues për shumë fermerë dhe për pasojë 1/3 e tokës bujqësore (240mijë ha) nuk shfrytëzohet, një humbje e madhe kjo për ekonominë e vendit. Shfrytëzimi i saj do të jepte10-20% të GDP-së. Kështu Shqipëria është një vend importues produktesh bujqësore duke e thelluar më tej bilancin tregtar për ushqimet që arriti për vitin 2011 në rreth 570 milion Euro.
Ka mungesë të plotë të investimeve dhe të kreditimit të volitshëm për bujqit dhe blegtorët vendas; si dhe mos organizim të agrobiznesit, e sidomos të industrisë së përpunimit të prodhimeve të tyre, si dhe prapambetje në monitorimin veterinar e fitosanitar çka frenon eksportet; Qeveria aktuale e ka orientuar programin e saj për bujqësinë në programin e granteve për mbjellje ullinj e arrore, si një instrument shumë elektoral dhe nuk merret me prioritetet thelbësore, veçanërisht në fushën e kullim-ujitjes dhe marketingut. Në tërësinë e tyre këto pseudopolitika agrare flasin për braktisjen e bujqësisë.
Për të ndihmuar bujqësinë shqiptare, duhet njësimi i menjëhershëm i ligjeve për tokën të cilat nuk e mbrojnë atë por përkundrazi, kanë krijuar spekulime e padrejtësi.
Shteti nuk duhet të shesë më tokën, as ta japi me qira apo ta fali me 1euro që është veprim spekulativ, antishqiptar e i dënueshëm. Me ligj duhet të rregullohet përfundimisht shitblerja,tjetërsimi, ndërtimi në tokën bujqësore, ruajtja e fondit të tokës bujqësore, “legalizimi pa pagesë” e të tjera. Për të luftuar dukurinë e mospunimin të tokës, shteti duhet të stimuloi qiradhënien me mbështetje e lehtësi fiskale të dy palëve si dhe masat fiskale e sipërpërmendura në mënyrë që toka të punohet.
Për të mundësuar aktivizimin bujqësisë dhe blegtorisë në zonat malore që janë tejet të varfra, por që janë të lidhur me banimin në këto territor, pra me rruajtjen e mjedisit natyror ( florës dhe faunës), shteti duhet të ndërhyje për të lehtësuar jetesën në ato zona (arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë), por dhe për mbështetjen të diferencuar kur punojnë tokën, pemëtarin dhe mbajnë bagëti, dhe të ndihmoj për sigurimin e ushqimit në dimër.
Duke e konsideruar ndërtimin si një fushë të rëndësishme për ekonominë e vendit dhe zhvillimin e tij, vërejmë me keqardhje se ai sot është në kolaps. Monopoli në lejet e ndërtimit, ndërtimet pa leje e sidomos ato mbi tokën e zaptume dhe legalizimi i tyre në dëm të pronarëve, tjetërsimi më dhunë i territorit, puna e papërgjegjshme e shoqatës së ndërtuesve, e cila nuk kreu asnjë studim për nevojat e vendit për banesa, qendra tregtare dhe dyqane, si dhe ndërtime të mëdha tej nevojave të një familjeje, krijuan këtë gjendje. Veç të tjerave u ngurtësuan pa asnjë arsye e nevojë disa miliard të fituara në pjesën më të madhe me djersë.
Ne mendojmë se është i domosdoshëm partneriteti me grupet e interesit, për të gjetur urgjentisht zgjidhje, për të rigjallëruar ndërtimin. Për këtë duhet një plan kombëtar i planifikimit të territorit që do të vendos rregull, si edhe planet rregulluese të qendrave të banuara në gjithë aspektet e tyre. Gjithashtu duhet të mundësohet akses i plotë në strukturat përkatëse shtetërore e vendore përkatëse dhe marrëdhënie të rregullta me hipotekat, për të mos të bllokuar tregun e ndërtimit, sot në kohë krizë.
Vërejmë se ka ligje dhe procedura , si ato të prokurimit publik të cilat duhen rishikuar për të ndihmuar firmat vendase, apo detyrimi i jashtëligjshëm dhe absurd për të paguar tatim fitimin edhe për sipërfaqet e përfituara nga pronarët e truallit.
Për përparimin e një vendi ndërtimi i një infrastrukture bashkëkohore ka rëndësi të veçantë, kjo vlen si për infrastrukturën humane (shkolla spitale etj), ashtu edhe për atë ekonomike (rrugë, telekomunikacione, energji etj), të cilat krahas ndërtimit të banesave nga ana e shtetit, për ato sociale e për ata që kemi detyrime( nuk përfituan nga privatizimi), do të ishte një fushë investimesh publike me mbështetje për ndërtuesit vendas. Ndërkohë, duhet të punohet që të mbarojë Rruga e Arbërit, të kompletohet si superstradë korridori Hani i Hotit-Vlorë i pajisur me të gjitha mbikalimet në rrugët sekondare dhe daljet për plazhet dhe qytetet; rrugët Levan-Tepelenë, Tiranë-Elbasan, Lushnje- Berat etj. Nuk duhet më të vazhdojë politika e gabuar e fillimit të shumë rrugëve pa mbaruar të mësipërmet, as dhe ndërtime të parakohshme pa impakt në ekonominë e vendit. Këtu duhet të kujtojmë qeverinë se ndërtimi apo përmirësimi i rrugëve që dërgojnë në qendrat turistike (jo vetëm atje ku kanë vilat qeveritarët) dhe monumentet e vizitueshme do të ishte me dobi. Duhet sa më parë të krijohet Fondi Kombëtar i Rrugëve ku do të kalojnë fondet buxhetore, donacionet dhe të ardhurat e tjera nga ky aktivitet.
Një problem real dhe me përmasa që rëndon ekonominë shqiptare dhe të ardhurat e vendit dhe që penalizon brezat e rinj është ai i borxhit publik. Ne e kemi trajtuar këtë problem dhe gjendja e vendit mbetet po ajo “stable” = e qëndrueshme d.m.th pa ndryshime: pra me rrezik të lartë për investime dhe kreditorët, çka dëshmon se politikat ekonomike të qeverisë janë po ato pa asnjë përmirësim.
Rrethanat që kanë sjellë përkeqësimin në vlerat e borxhit publik shqiptar janë të shumta dhe e keqja është se qeveria vazhdon të jetë e papërgjegjshme duke e thelluar atë, duke mos qenë transparente duke vazhduar në marrjen e kredive me përqindje të lartë. Vetë tabloja e zymtë e ekonomisë tonë ndikon në rating-un e kredive dhe në vlerësimin që na bëhet. Duhet vepruar në dy drejtime siç dhe kemi thënë më lartë: ulja e shpenzimeve publike në mënyrë drastike dhe rritja e investimeve publike me impakt në ekonomi si dhe fund praktikës së investimeve të parakohshme ose me kredi të larta, vetëm për prerje shiritash elektoral. Është urgjente rritja e të ardhurave pa ulur nivelin aktual të jetesës dhe duke filluar me një plan afatshkurtër barazimin e shpenzimeve me të ardhurat pra moslejimin e deficitit buxhetor.
Duhet kërkuar që Banka e Shqipërisë të blejë bonot e thesarit (deri rreth 20% të rezervave valutore të shtetit) në nivelin interesit bazë , duke luftuar dhe spekulimet e bankave me to. Një gjë të tillë po e bën Federal Reserve e tashti dhe BE po e pranon. Krahas kësaj duhet të rivendosen marrëdhëniet me FMN dhe marrja e një borxhi prej saj, rreth 3-4 miliard euro siç kanë vepruar dhe vendet e tjera, për të shlyer kreditë e këqija të marra me papërgjegjësi deri më sot. Mbas këtyre veprimeve duhet të rishikohet politika e kreditit me nivelet e saja të larta të huadhënies.
E kemi përmendur disa herë që ulja e shpenzimeve nëpërmjet rishikimit rigoroz të tyre, pra e kostos së politikës, nuk ka asnjë vlerë po nuk u shoqërua me mëkëmbjen e financave publike, me reforma strukturale e liberalizim real të tregut dhe sidomos me investime publike të dobishme dhe masa mbështetëse e nxitëse të prodhimit. E rëndësishme është gjithashtu dhe shfrytëzimi i pasurive kombëtare e ato strategjike, që po falen (kundrejt shpërblimeve korruptive), pa to nuk do ketë kurrë përparim dhe opozita duhet të shprehet haptazi për rikthim të tyre kombit. Vetëm tërësia e këtyre masave, sa nuk është vonë, mund të na kthej në rrugën e përparimit.
E që të gjitha këto të ndodhin, duhet vullnet politik e rikthim në demokraci, si në shoqërinë shqiptare ashtu dhe në vetë partitë kryesore. Po përsërisim çka ka thënë një politikan “se pa parti të demokratizuara nuk do të ketë Shqipëri demokratike” e ne do shtonim as dhe përparim. Nuk mund të kapërcehet kriza vetëm në aspektet e saj ekonomike, ajo është e thellë për shkak të autoritarizmit ekstrem që sundon dy partitë kryesore (të institucionalizuar pas 21 Prilli 2008), pra, pa një kthim në demokraci pluraliste: votë të lirë e të ndershme,transparencë e pjesëmarrje. Vetëm atëherë do të mund të kemi dhe kryerjen e reformave që janë edhe kushte te Evropës. Ndër këto reforma nuk mund të mos veçojmë atë në drejtësi, përderisa mjaftë nga të këqijat që ndodhin në këtë vend ndodhin sepse askush nuk po ndëshkohet për to.
Por të gjitha këto reforma nuk mjaftojnë pa ndryshuar ne shqiptarët, që duhet të mos jemi njerëzit e mohimit por të punës, të vlerësojmë gjithçka nga rezultati e jo nga premtimi mashtrues, të votojmë jo kundër atij që nuk duam, por për ndryshim kur ka programe e njerëz që na bindin se mund ti realizojnë ato. Duhet përfundimisht të bindemi se vetëm me punë të vazhdueshme dhe reale, me arsimim të shëndoshë, respekt për njerëzit dhe tolerancë për tjetrin, që nuk mendon si ne, me respekt e bindje ndaj ligjit e rregullave demokratike të shoqërisë bashkëkohore do të ndërtojmë përparimin dhe mirëqenien për vete e fëmijët tanë. Ndryshe jemi të humbur.
Comments
johann efendi! jo te gjith
<p> johann efendi!</p><p>jo te gjith i ka ba gjenial perendia si ju. Vecse jetojne ketu e punojne ketu. Nuk behen me linke gjykimet por me vrejtje konkrete.</p><p>Keto qe thuhen ketu po i ve ne jete gjith Evropa.</p>
O saliberi ma spjego pak kete
<p>O saliberi</p><p><strong>ma spjego pak kete qe thua:</strong></p><p><strong>kete studim qe ka bere zoteria ka filluar ta veje ne jete europa,apo zoteria qe ka shkruar me lart ka bere kopjim te nje studimi te bere ne europe dhe po na e shet si te tijin.</strong></p>
o nik taqiku, po sa leke te
<p>o nik taqiku, po sa leke te japin qe te rrish gjithe diten para kompjuterit per te shkruajtur komente ne kete faqe interneti? ma thuaj sa te japin, se te jap une dyfish para dhe te garantoj qe nuk do t'i tregoj njeriu banon ne bathore.</p>
o nik taqiku, po sa leke te
<p>o nik taqiku, po sa leke te japin qe te rrish gjithe diten para kompjuterit per te shkruajtur komente ne kete faqe interneti? ma thuaj sa te japin, se te jap une dyfish dhe te garantoj qe nuk do t'i tregoj njeriu qe ti banon ne bathore.</p>
Arben, pse s'thua se
<p>Arben, pse s'thua se Shqiperia paska vajtur dem per nje kryeminister si ti! Thelbi i ketij shkrimi te gjate i permbledhur me pak fjale eshte ky: shqiptaret duhet te punojne me shume, te kursejne me shume, te vjedhin me pak, madje te behen me te mençur sepse jane ca si budallenj: vetem keshtu do te zhvillohemi edhe ne! Te me falin lexuesit per banalitetin, por kesaj i thone: "te kishte tezja koqe do t'i thoshin daje"! O rilindes i koheve moderne, zbrit me kembe ne toke. Shqiptaret nuk jane keq per teorira e aq me pak per te kopjuar modele te huaja. Te zgjidheshin problemet kaq kollaj do te mjaftonte te merrnim nje keshilltar amerikan dhe nje gjerman dhe u be puna. Shko e bej nje xhiro dhe kthehu ketyre aneve pas 100 vjetesh, se ke ardhur teper heret.</p>
Pikerisht. Shqiptaret jane
<p>Pikerisht. </p><p>Shqiptaret jane njerez si gjithe te tjeret. Arsyeja pse jane te varfer eshte se kane institucione politike te dobta, qe perqendrojne pushtet ne pak duar. Nuk eshte e rastit qe shqiptaret jashte fillojne e integrohen. Nuk ju mungon as inteligjenca as vullneti per te punuar. </p>
o Djema, Johannes dhe
<p>o Djema, Johannes dhe Relapso,</p><p>shume kollaj e quakeni ekonomine e nje kombi. Arbeni iu referua linqeve te juaja (by the way, me ato njoftimet ne FB vetem sa na kene care trapin, nuk ju lexon njeri) kur tha qe keto po ben Europa. Ju permendni emra te medhenj (ose pseudo-te-medhenj, se nuk eshte e qarte se ku do te jete rrugedalja nga kriza qe te themi qe Pauli pati fjalen e fundit) tek ai blogu juaj dhe mendoni se me kete thate ndonje cudi.</p><p>Te punosh me shume, te vjedhesh me pak, te kursesh me shume Juve ju duken banalitete?</p><p>Po atehere o ju jeni shoke me Fullanin dhe Olldashin, ose jeni djemte e Bllokut.</p><p>Sepse cdo shqiptar pak normal qe analizon vendin e tij here pas here nuk ka se si te mos jete dakort me ato pika per te cilat ju kritikoni autorin. Shqiperia sot eshte ne te njejten rruge te Greqise. Por duke mos qene faktor tek monedha Euro dhe duke mos pasur shifra biznesi (si e quani ju kete, GDP?) te medha sa edhe Greqija, akoma nuk quhemi problem tejmase i madh nga FMN&Co. Pavaresisht se po te Blogui i Mucit ke nje shkrim mbi FMN qe trajton situaten e keqe te vendit.</p><p>Autori nuk duhet te shpike ndonje sistem te ri demokratik/ekonomik per te mare lavderimet e Juaja. Ai ka si qellim te trajtoje problemet e jona si Shqiperi, dhe t'i sa me qartasi per lexuesin. Keni dicka per te shtruar? Shtrojeni pa fyer te tjeret, ju Punks!</p><p>Sa per ate frazen "Arben, pse s'thua se Shqiperia paska vajtur dem per nje kryeminister si ti!" une do te ju thoja qe vazhdoni mbani Berishen se do t'ia shihni hajrin! Qesh mire kush qesh i fundit. Problemi i shqiptareve te thjeshte eshte pikerisht se tipa si ju qe jane duke perfituar nga vjedhja berishiane nuk deshirojne qe asgje te ndryshoje. Kjo del qartasi nga inati qe ju shprehni.</p>
ju te respublica.al (gazetare
<p>ju te respublica.al (gazetare dhe komentues) dicka duhet ta beni mire, prederisa ATA paguajne nje si nik-malok-bathorja qe te rrije 24 ore para kompjuterit e te shkruaj anti-komente....</p>
ju te respublica.al (gazetare
<p>ju te respublica.al (gazetare dhe komentues) dicka duhet ta beni mire, prederisa ATA paguajne nje si nik-malok-bathorja qe te rrije 24 ore para kompjuterit e te shkruaj anti-komente....</p>
nik, nik, nik, ti nga
<p>nik, nik, nik, ti nga respublica s'ke me ik, deri sa saliu te behet zhapik, ose derisa une te kap e ta bej bythen me leshterik...</p>
O bathorist,thjesht nje
O bathorist,thjesht nje korigjim te vogel: me ate ambasaden pink qe thua zotrote merret holandezi,jo danezi. Sa per informacion per ty qe nuk e di ende: jane dy shtete ne europen e veriut,njeri quhet holande,tjetri danimarke! Dakort i nderuar? Skeni profesor gjeografie aty ne bathore o gjin, mark,bib,frrok,nik,gjel, kol,tom,lleshi???
pse e merrni mundimin te
<p>pse e merrni mundimin te replikoni me nik bathoristin - thjesht injorojeni!</p>
pse e merrni mundimin te
<p>pse e merrni mundimin te replikoni me nik bathoristin - thjesht injorojeni!</p>
A keni nevojë për një kredi
<p>A keni nevojë për një kredi për të filluar një biznes? A keni nevojë për një kredi për të paguar faturat tuaja? Ne aktualisht ofrojnë kredi arsimor, kredi biznesi, kredi në shtëpi, kredi bujqësore, kredi personale, kredi auto, etj Nëse keni nevojë për një kredi tregoni interesin tuaj kështu që ne mund të dërgoni detaje të mëtejshme për ju.<br /><br /> na kontaktoni përmes email clamsinloan@gmail.com<br /><br /><br /><br /><br />Oferta kredi</p>
FINANCIMI GARANTUAR: Biznes
<div>FINANCIMI GARANTUAR: Biznes dhe kredi personale!</div><div> </div><div> </div><div>Tired of kërkuar fonde dhe hipotekat? A keni qenë kthyer poshtë vazhdimisht nga bankat tuaja dhe institucionet e tjera financiare? A keni gjetur veten në borxh aq shumë nga disa Sharks kreditit? A jeni duke kërkuar për të cilët ju mund të besimit?</div><div> </div><div> </div><div>Pastaj Ne Oferta financave duke filluar nga $ 5,000.00 Min. në $ 10,000,000.00 Max. në 3.124% norma e interesit per anulon. Kredi për zhvillimin e biznesit e një konkurrues zgjerimin e buzë / biznesit.</div><div> </div><div> </div><div>Ne jemi të certifikuar, të besueshëm, të besueshme, efikase, të shpejtë dhe dinamik. Na kontaktoni Sot ..... Email:creditdoorlinks@hotmail.com</div>
Add new comment