VIPomania

Postuar në 11 Tetor, 2011 10:40
Fatos Tarifa

Më është bërë zakon kohët e fundit që, para se të shkoj në zyrë, të pi një kafe turke në kafenenë Friends Book House dhe t’u hedh një sy gazetave kryesore të ditës. Nuk jam dakord me ata që, për shkak të alergjisë që kanë krijuar ndaj shtypit, thonë se të gjitha gazetat “janë njësoj”. Jo, disa prej tyre, edhe pse fare pak, janë më të mira se të tjerat. Subjektet për të cilat shkruhet në to janë shumë të ndryshme dhe, fatmirësisht, në faqet e disa prej gazetave më të lexuara, sot gjen edhe lajme kulturore, pavarësisht se në shumicën e tyre mungon Kultura me K të madhe, pra lajmi i vërtetë kulturor, analiza e trashëgimisë dhe e vlerave kulturore, historia e zhvillimeve kulturore dhe vetë krijimtaria kulturore në formën e saj letrare. Këto i gjen rallë në shtypin shqiptar. Nëse ka diçka që shtypit të përditshëm shqiptar nuk i mungon kurrë, kjo është kronika e “VIP”-ave. Vërtet, pse ta fsheh? Një ndër gjërat më të habitshme që gjeta në Shqipëri, kur pas shumë vitesh shkollimi dhe pune në Shtetet e Bashkuara u ktheva në atdhe, ishte numri i madh i “VIP”-ave, pra i “personave shumë të rëndësishëm” (Very Important Persons). Emrat, fytyrat dhe bëmat e tyre i gjen thuajse përditë dhe thuajse në çdo gazetë. Shqipëria vazhdon të jetë një vend i varfër, por ama sot ajo është një vend i “VIP”-ave.

Çfarë e bën një individ të jetë VIP, pra një person shumë të rëndësishëm? Të tillë atë e bëjnë talenti i rrallë ose i veçantë, pozita e lartë zyrtare që mban dhe funksioni që kryen, kontributi i tij (ose i saj) në jetën politike, akademike, kulturore, artistike apo sportive (brenda dhe, sidomos, jashtë vendit), shërbimi ndaj interesave publike dhe atyre kombëtare. Pra, nëse disa individë konsiderohen, ose duhet të konsiderohen nga shoqëria (dhe nga media) si persona shumë të rëndësishëm, pyetjet që do të përcaktonin kriteret janë dy: (a) për çfarë janë të rëndësishëm dhe (b) për kë janë të rëndësishëm këta individë?

Në shtypin shqiptar shkruhet pak për individë vërtet shumë të rëndësishëm në fushat e veprimtarisë dhe të krijimtarisë së tyre profesionale e shoqërore. Fjala vjen, sa njihen dhe sa flitet për aftësitë dhe shërbimet e shquara në fushën e mjekësisë dhe të shëndetit të popullit të një mjeku të shquar si Fedhon Meksi? Sa njihen dhe sa flitet për mjeshtërinë dhe veprat inxhinierike të Egon Gjadrit, apo për studimet historike të Arben Putos dhe të Kristo Frashërit? Sa flitet për shërbimin ndaj interesave kombëtare të një topografi si Myslim Pasha? Po për koncertet e një muzikanti të talentuar si Aristidh Prosi? Këta individë dhe shumë të tjerë si këta janë VIP-at e vërtetë të shoqërisë shqiptare dhe pjesë e elitës së saj.

Por nuk mendojnë kështu prodhuesit e gazetave shqiptare. Këto janë “VIParizuar”, “blututhizuar” dhe “bigbradhërizuar” me shpresë se, në këtë mënyrë, do të mund të shiten më shumë. Deri diku edhe kanë “të drejtë”. Për shkak të rubrikave “VIP”, të cilat unë do t’i quaja “panaire kotësish”, një pjesë e tirazhit të gazetave blihet pikërisht nga vetë “VIP”-at, fotot dhe bëmat e të cilëve mbushin faqet e tyre, nga farefisi dhe nga tifozët e tyre.

Kam udhëtuar, kam parë dhe kam lexuar shumë deri më sot, lexoj revista dhe gazeta të huaja vazhdimisht, por mund të them se as në Nju Jork, as në Paris, as në Kinë (ku ka 231 miliarderë) dhe as në Beverly Hills apo në Silicon Valley, nuk ka më shumë VIP-a për frymë të popullsisë sesa në Tiranën tonë të varfër. Vetëm në Tiranë mund të ndodhë që dikush të bëhet një “Person Shumë i Rëndësishëm” me një videoklip të vetëm, me një dalje në skenë, me disa batuta idiote në “Big Brother”, ose edhe duke qenë një ushtar i regjimentuar i partisë së tij në Parlamentin e vendit.

Merrni në dorë thuajse cilëndo gazetë të përditshme (një ose dy prej tyre bëjnë përjashtim), siç bëra unë këto ditë, i shtyrë nga kurioziteti sociologjik, dhe do të gjeni shumë prej “VIP”-ave të këtij vendi në to, të njohur thjesht me emrat e tyre të parë: Poni, Xhemi, Rozana dhe Rezarta (apo Rozi dhe Rezi), Zajmina, Seldi dhe Sinani, Çiljeta domosdo (sikur të ishin Rihanna apo Beyoncé) dhe, po kështu, pothuajse të gjithë karakteret që disa prej jush mund t’i kenë parë në show-un “Big Brother”. Sikur këto apo këta të mos mjaftonin, “VIP”-ave të vendit u shtohen edhe disa të tjerë që na vizitojnë nga Kosova dhe nga Mali i Zi si, Big Mama, Shota apo Gjystja. Një pjesë e “VIP”-ave janë adoleshentë, ose sapo i kanë kaluar vitet “teen” të tyre. Dhe cilat janë bëmat e tyre? Getoari dhe Florenta u fejuan; Olsi u pa i shoqëruar me Najadën, ndërkohë që kjo e fundit mendohej se i përkiste Ervinit (të tre këta personazhe “të famshëm” të “Big Brother 4”). Dhe a doni të dini se si argëtohet Anjeza në pub? Po sesi Xheni ka shtuar në peshë, por përsëri s’heq dorë nga kënaqësia e ushqimit? Po që Lady Gaga ka kopjuar Bleona Qerretin? Po se sa qindra euro ka paguar Rezarta, stilistja, për një operacion në hundë? Askund në Francë, në Holandë, në Suedi apo në Hungari nuk e gjen këtë lloj “VIP”-i psikopatetik dhe këtë “VIPomani” të ushqyer nga shtypi shqiptar. Në shumë prej gazetave që botohen në Shqipëri u kushtohet më shumë rëndësi dhe gjen më shumë lajme mbi fejesat, pushimet në Antalia apo divorcet e “VIP”-ave të rremë, edhe të atyre që këndojnë nëpër dasma, sesa mbi veprën dhe jetën e personaliteteve vërtet të rëndësishme. të këtij vendi.

Publikuar në Mapo

Comments

Submitted by Migena Aleksi (not verified) on

Mendoj qe autori ka bere mire qe e ka prekur kete teme. Dhe ka bere akoma me mire qe nuk i ka futur te gjitha gazetat ne nje thes. Vetem se duhej akoma me shume saktesim. Nga gazetat kryesore te vendit, vetem Panorama merret me kete llumin e idiotesive qe permend autori. Gazetat e tjera kryesore ne vend, kam ketu parasysh Shekullin, Shqipin MAPO-n, (revista qe nje sukses i madh gjynah qe e mbyllen), nuk i kam pare tu kushtojne vemendje ketyre gjerave qe vec te tjerave japin mesazhe te gabuara ne shoqeri.

Edhe Gazeta Shqiptare ben mire qe se paku e ka ndare kete suplementin e ketyre nga pjesa tjeter. Po Panorama sidomos ne fundjave eshte nje degradim i vertete me kete histori pa kuptim

Submitted by Ola (not verified) on

Mendoj se artikulli reflekton nje realitet te turpshem dhe analizon jo keq situaten aktuale, por mendoj se do ishte me mire qe artikujt pasardhes ti kushtoheshin VIP-ave te vertete te permendur paksa ne kete artikull. Teper vend kane zene deri me tani "vipat".

Submitted by luan (not verified) on

Fenomen tipik shqiptar.Vetem ne Shqiperi ndodh qe gjerat me te zorshme per t'u fituar ne boten e qyteteruar,ketu fitohen me shpejt se c'do gje tjeter.FAMA DHE PARAJA.E per kete Shqiperia eshte ketu ku eshte.E ky fenomen nuk ndodh ne skajet me te humbura te vendit,por bash ne metropol e mediat i kushtojne rendesi.Edhe mijera vjet te kalojne  Tirana kurre nuk behet Hollivood.Eshte vetem nje imitim shume i keq,vulgar dhe katunaresk.

Submitted by a.nikolla (not verified) on

ca thu ti... zbuloi fatosi ujin e nxehte... vec showbizz nuk ka ne shqiperi e ska pse u kerkon llogari gazetave se edhe ato si showbizzi shqiptar jane : cope cope!!!
harron nje detaj te vogel qe gjithshka imponohet nga SHTERPESIA e pergjithshme e TV,Gazetave,nga cilesia e prezantuesve dhe opinionisteve ne tv,nga Ata qe si Fatos Tarifa ja fusin si Kau Peles... shkojne te gjitha ne funksion te njera tjetres... kopje te shemtuara te showbizz me te lodhur te huaj... nuk ka kritere e kode ne asnje fushe perfshi dhe gazetarine... atehere ajo koke at feste do!

Submitted by a.nikolla (not verified) on

ca thu ti... zbuloi fatosi ujin e nxehte... vec showbizz nuk ka ne shqiperi e ska pse u kerkon llogari gazetave se edhe ato si showbizzi shqiptar jane : cope cope!!!
harron nje detaj te vogel qe gjithshka imponohet nga SHTERPESIA e pergjithshme e TV,Gazetave,nga cilesia e prezantuesve dhe opinionisteve ne tv,nga Ata qe si Fatos Tarifa ja fusin si Kau Peles... shkojne te gjitha ne funksion te njera tjetres... kopje te shemtuara te showbizz me te lodhur te huaj... nuk ka kritere e kode ne asnje fushe perfshi dhe gazetarine... atehere ajo koke at feste do!

Submitted by dritan sula (not verified) on

Ndoshta ka nje ekzagjerim por ky eshte nje fenomen qe ndodh kudo ne bote. Nuk ka interes publiku per intelektualet, antropologet, mjeket e talentuar, etj ,etj. Duhet ta pranojme edhe pse nuk na pelqen.

Ja per shembull po te te vendosnin ty Fatos Tarifa as familja jote nuk do ta blinte gazeten!!

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.