Sa duhet të shqetësohemi për identifikimin e votuesve?

Në dy vjetët e fundit, Berisha ka rrahur me dhjetra herë gjoksin se është i gatshëm të pranojë çdo reformë zgjedhore të propozuar nga opozita e të aprovuar nga ODIHR-i dhe Komisioni i Venecia-s. Por nga një deklaratë në Top Chanel e Damian Gjiknurit, negociatorit të PS-së për reformën zgjedhore, mësuam se negociatorët e PD-së i kanë dërguar atij një e-mail, në të cilin thonë se mund të diskutojnë vetëm rreth rekomandimeve që gjenden në raportet e ODIHR-it për zgjedhjet shqiptare. Ndërkohë, Gjiknuri deklaroi se PS-ja ka sugjeruar të diskutohet edhe për një ndryshim të sistemit zgjedhor, për futjen e paisjeve që mund të identifikojnë zgjedhësit (për shmangien e votimit fiktiv) dhe për votimin e emigrantëve. Dhe ai dukej i shqetësuar për këtë “prerje në besë” nga kampi berishist, sidomos për paisjen që shmang votimin fiktiv. Më poshtë do të mundohem të jap një vlerësim sasior historik për këtë shqetësim të Gjiknurit.
Në zgjedhjet e para pluraliste, në vitin 1991, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesmarrja në votime ishte rreth 98%. Ndërkohë, i madh e i vogël në Shqipëri e dinte se një pjesëmarrje e tillë nuk mund të ishte reale – më shumë se 300 mijë votues ishin larguar drejt Italisë dhe Greqisë në eksodin e parë masiv të shqiptarëve pas hapjes së kufijve. Dhe nga shifrat e atyre zgjedhjeve - partia në pushtet rezultoi zyrtarisht e votuar nga rreth 60% e zgjedhësve - mund të hamendësohet se shumica dërrmuese e votave fiktive të mbi 300 mijë zgjedhësve që nuk ishin në Shqipëri në atë kohë u regjistruan padrejtësisht në favor të saj.
Qysh prej atij viti të largët, problemi i votave fiktive ka qenë pothuaj gjithnjë i pranishëm në zgjedhjet shqiptare. Ai është shfaqur si në format e tij më brutale, siç është për shembull mbushja e kutive me fletë votimi (pa regjistruar fare emra votuesish), ashtu edhe në forma më të buta, siç është për shembull votimi familjar, ku babai voton edhe për fëmijët e tij që mund të jenë emigrantë. Rasti famëkeq i Ruzhdies në 2009-ën, tregon se, të paktën në një qendër votimi, votimi fiktiv ka qenë deri vonë i pranishëm, si në format brutale të tij, ashtu dhe në ato të buta. Madje, sipas raportit të fundit të OSBE/ODHIR-it, votimi familjar vazhdon të konstatohet në jo pak qendra votimi.
Tabela A (shih më poshtë) hedh dritë në mënyrë sasiore mbi fenomenin e votimit fiktiv në Shqipëri në harkun kohor 2001-07. Kolona e parë përfaqëson numrin e votuesve të raportuar nga KQZ-ja si pjesmarrës në zgjedhje, ndërsa kolona e dytë përfaqson numrin e votuesve që kanë marrë pjesë realisht në zgjedhje, llogaritur nga një model statistikor i bazuar në një kampion përfaqsues kombëtar prej 4000 vetësh. Gabimi statistikor i modelit ka një marzh prej plus/minus 40 mijë votuesish dhe ka shpërndarje normale. Në një shqipe të thjeshtë, kjo do të thotë se, në qoftë se modeli llogarit një pjesmarrje prej 1.25 milion votuesish, shifra reale, me probabilitet 95%, ndodhet në intervalin 1.21-1.29 milionë.
Tabela A. Numri i pjesëmarrësve në zgjedhje
Zgjedhjet e vitit |
Pjesmarrja zyrtare |
Pjesmarrja e modeluar |
Vota fiktive |
(në milionë) |
|||
2001 |
1.31 |
1.16 |
151,000 |
2003 |
1.27 |
1.15 |
121,000 |
2005 |
1.39 |
1.28 |
109,000 |
2007 |
1.35 |
1.25 |
102,000 |
Krahasimi i pjesëmarrjes zyrtare me atë reale tregon se, në mënyrë të vazhdueshme, kemi patur vota fiktive, të cilat variojnë nga rreth 150 mijë në vitin 2001 në rreth 100 mijë në vitin 2007. Dhe për të hamendësuar se në favor të cilit kamp politik kanë shkuar këto vota fiktive, na vjen në ndihmë Tabela B (shih më poshtë). Në këtë tabelë kolona e parë përfaqëson rezultatin e raportuar nga KQZ-ja për partitë e djathta të marra së bashku, ndërsa kolona e dytë përfaqëson rezultatin e llogaritur nga modeli statistikor i sipërpërmendur. Si të djathta janë konsideruar ato parti që kanë qenë pjestare të koalicioneve të udhëhequra nga PD-ja, si dhe ato parti që, edhe pse jashtë koalicionit PD-ist, njihen tradicionalisht si të djathta. Kështu për shembull, Partia Agrare-Ambjentaliste është kosideruar e djathtë vetëm në vitin 2007, kur ishte në koalicionin e PD-së, ndërsa LZHK-ja është konsideruar e djathtë në 2005-ën, edhe pse nuk bënte pjesë në koalicionin e PD-së.
Tabela B. Rezultati në % i partive të djathta të marra së bashku
Zgjedhjet e vitit |
Rezultati zyrtar |
Rezultati i modeluar |
Diferenca |
2001 |
48.4% |
49.6% |
-1.2% |
2003 |
48.3% |
49.5% |
-1.2% |
2005 |
48.2% |
49.5% |
-1.3% |
2007 |
52.3% |
50.3% |
2.0% |
Nga krahasimi i rezultateve zyrtare dhe të modeluara të së djathtës, konstatojmë se, kur ajo ka qenë në opozitë, në mënyrë konsistente, ka arritur realisht një përqindje më të lartë se sa i “ka dhënë” KQZ-ja dhe anasjelltas. Konkretisht, diferenca mes të qenit në opozitë dhe pozitë ka qenë 3.3 pikë përqindje vetëm prej deformimit të rezultatit real. Kjo është një indicie se jo të gjitha votat fiktive të evidentuara në Tabelën 1 kanë shkuar në favor të pozitës (102 mijë votat fiktive të 2007-ës përbëjnë rreth 8% të totalit të votave). Por, sidoqoftë, mund të thuhet se pozita, pavarësisht e cilit krah, ka qenë më e favorizuara, përderisa përqindja zyrtare ka qenë gjithnjë më e lartë se përqindja e fituar realisht prej partive të pozitës.
Pyetja e parë që të vjen në mend pasi ke evidentuar ekzistencën e votave fiktive dhe efektin e tyre mbi rezultatin, është sesi ato mund të minimizohen deri në parëndësi. Kuptohet që vullneti politik i palëve do të ishte ilaçi më i mirë për shërimin e kësaj sëmundje të zgjedhjeve shqiptare. Për shembull, zgjedhjet e vitit 1992 kanë qenë më të mirat të mbajtura në Shqipëri, pikërisht sepse ekzistonte vullneti politik i palëve për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme. Por janë të pakta gjasat që të shohim një vullnet të tillë në të ardhmen e afërt. Si rrjedhojë, duhen hedhur sytë nga zgjidhje teknike që janë provuar edhe në vende më të pazhvilluara se Shqipëria, si për shembull, Kenia.
Një zgjidhje teknike për minimizimin e votave fiktive mund të jetë pajisja që identifikon zgjedhësin nëpërmjet të dhënave biometrike. Këto të dhëna i ka marrë faktikisht shteti ynë, kur na bëri kartat elektronike të identitetit. Një pajisje e tillë kushton rreth 70-80 dollarë dhe funksionon në bazë të skanimit të kartës së identitetit dhe shenjës së gishtit. Në këtë mënyrë, ajo identifikon rastet kur dikush voton në emër të një tjetri që nuk është fare në Shqipëri.
A do të arrijë opozita ta detyrojë Berishën të fusë këtë lloj pajisje në zgjedhjet e ardhshme? Kjo mbetet të shihet...
Comments
A do të arrijë opozita ta
<p>A do të arrijë opozita ta detyrojë Berishën të fusë këtë lloj pajisje në zgjedhjet e ardhshme? Sa te jesh ti bashke me ta,JO KURRE!</p>
Opozita po nuk e futi
<p>Opozita po nuk e futi pajisjen biometrike as ne 2013 , te shkoj te pirdhet andej nga ka ardhur se Saliu do i fitoje rehat fare edhe zgjedhjet e 2013, 2017, 2021, etj,etj deri sa te vdes prej zotit. Edhe me ato perparime qe ka bere mjeksia sot, ky psikopat mund ta thyej si pa dashje edhe rekordin e Enverit 41 vite ne pushtet.</p>
Add new comment