Kënga vetëvrasëse e demokracisë në Ballkan

Postuar në 09 Nëntor, 2025 12:42
Skerdilajd Zaimi

 

Mjaftuan disa sanksione të SHBA ndaj një gazsjellësi që lidhet direkt me Serbinë, që presidenti Aleksander Vuçiç të marrë ndoshta vendimin më të vështirë të karrierës së tij politike që nëse zbatohet siç po thuhet, do të ripërcaktojë ekuilibrat në rajon. Këto ditë Vuçiç ka qenë në qendër të vëmendjes për shkak të një deklarate të cituar gjerësisht se Serbia ka të drejtë të rikonsiderojë pozicionin e vet sa i takon sanksioneve ndaj Rusisë. Nga Kremlini ka patur reagime të nivelit të dytë mbi këtë zhvillim, ndonëse nga një person me rëndësi dhe pushtet real në Moskë, siç është zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zackharova, e cila ka ironizuar ndryshimin e qëndrimeve të Vuçiç.

Për ta kuptuar rëndësinë e promovimit të këtij ndryshimi që nuk ka sesi të jetë vetëm deklarativ, mund të shihet informacioni në agjencinë shtetërore “Tanjug” ku spikat këto ditë një seri takimesh me zyrtarë perëndimorë. 

Ministri i Jashtëm Gjuriç është takuar me ministrin Italian për Marërdhëniet me Parlamentin, Luka Çiriaini, kryeparlamentarja Brnabiç ka takuar zyrtaren e lartë të BE-së, Kaja Kallas, ndërkohë që presidenti Vuçiç ka zhvilluar një telefonatë me presidentin lituanez mbi “agjendën europiane”. Kaq ofrohet deri më tani dhe kaq mesa duket mjafton që kuptohet se kursi i Serbisë ka nisur të ndryshojë lehtësisht. Por nëse vazhdon, ky ndryshim është domethënës.

Një takim mes presidenti Vuçiç dhe ambasadorit rus në Beograd, Aleksandër Botsvan Kharçenko, ka trajtuar çështjen e gazit dhe energjisë por pa sjellë gjë konkrete. Vetë presidenti serb ka vënë një vijë të kuqe të qëndrimit të shtetit që përfaqëson që nuk ka ndërmend të shkelë më detyrimet ndërkombëtare.

Qëllimi ynë mbetet i njëjtë – të përmbushim tërësisht detyrimet ndërkombëtare ndërkohë që mbrojmë sigurinë energjetike, vendet e punës dhe investimet në Serbi në të njëjtën kohë

është shprehur ai.

Si do ta bëjë këtë Aleksander Vuçiç? Si do të mbrojë gjithë këtë infrastrukturë ekonomike që ka krijuar që funksiononte si e tillë në një oaz neutraliteti politik dhe ushtarak?

Askush nuk mund ta dijë, por për momentin, Aleksandër Vuçiç, që ka një presion të vazhdueshëm nga brenda vendit, që ka humbur një dorë në Bosnje me largimin e Dodik dhe që ka një krizë permanente diplomatike me Kosovën, ka vendosur të anojë në Perëndim, duke e shpallur si strategjik anëtaësimin në BE.

Patjetër që konsensusi në Perëndim për liderin serb priret të rritet në kontekstin ku po jetojmë të gjithë, ku çdo qëndrim antirus, çdo veprim që sadopak oksigjenon veprimin europian në Ukrainë, mbështetet dhe brohoritet, pavarësisht kostove sistemike që herët apo vonë do të paguhen. Në relacion me fqinjët, Serbia merr kështu një hapësirë veprimi dhe do të duhet të pritet për të parë sesi ky pozicion i ri do të rinegociojë marrëveshjet e miratuara me Kosovën p.sh. Që ka nevojë të përgatitet qysh tani për presione të reja. Presione që janë të larta sepse burojnë nga koniunktura, nga nevojat e ditës dhe jo nga ndonjë vizion.

Aleksander Vuçiç po provon se është një realist i ftohtë dhe i matur në një skenë që po ndërlikohet përherë e më shumë. Ai është një realist i ftohtë që ka kuptuar dhe theksuar shumë herë se Serbia është një vend i vogël; ai u poshtërua në SHBA duke pritur një takim me Donald Trump, ai drejton sot një vend që nuk begeniset si më parë dhe që vijon të mendojë se ka një rol mesianik; Vuçiç është i detyruar të pranojë sot një vendim që i zgjat mbijetesën dhe që nuk ka as luksin e spektaklit që dha fqinji dhe miku i tij Orban me presidentin amerikan.

Lojërat që po i imponohen sot rajonit janë me pasoja aftagjata; ato nuk konsiderojnë për asnjë çast demokracinë dhe lirinë, përkundrazi, ato po i injorojnë këto të dyja. Mjafton të shohim sesa pozitivisht vlerësohet Shqipëria, që është një shtet i kapur fund e krye nga krimi i organizuar, në një status quo të gjeneruar nga apatia, indiferenca dhe dorëzimi. Që janë në baticë të plotë në Ballkanin ku lumturia njerëzore nuk u akostua kurrë.

Kjo është një periudhë e trishtuar në historinë serbe dhe do të kujtohet si e tillë – si një periudhë e errët e ekzistencës sonë

thotë ish-rektorja e Universitetit të Beogradit, Ivanka Popoviç.

Një qeveri që aktron me levat e pushtetit, inskenon një mot politik të lirisë dhe një shoqëri që po mbytet në dëshpërimin për të ndryshuar diçka nga hipokrizia e përgjithshme. A nuk ngjajmë si dy pika uji në këtë pikë? A nuk duket se retë nuk duan të largohen më nga qielli gri i Ballkanit?

Dikush ka për të qenë patjetër i lumtur, ka arsye edhe për të qenë i gëzuar, por përmbi të gjitha janë disa që kanë Interes të shfaqen të tillë. Dhe ky entuziazëm i induktuar nga interesi është një provokim psikologjik që nuk adresohet më me asnjë instrument demokratik. Të njëjtat fytyra, të njëjtat fjalë, të njëjtat statistika, të njëjtat ngërdhjeshje. Çdo gjë shkon mirë, kemi ecur shumë.

Po ku është problemi atëherë?

Kjo lloj demokracie retorike në Ballkan sa vjen dhe i ngjan këngës hungareze të vetëvrasjes: E diela e dëshpëruar, e cila e ka vënë shoqërinë rajonale në një atmoseferë mbytëse dhe pa dalje. Pa shkak për ta shpjeguar depresionin, që është aty, si morsa e fundit. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.