Shqiptarët, ç'kanë qenë, si i kanë parë, ç'a janë, ç'a u pëlqen të jenë dhe të kenë qenë!

Postuar në 04 Maj, 2025 13:45
Skerdilajd Zaimi

 

Është shfaqur në një intervistë për emisionin “Arnautistan”, historiani Apollon Bace. Intervista është postuar me titullin: Epiri, pjesa më e lavdishme e historisë sonë. Që këtu, do të duhej që të mos vazhdohej më tej, por është kurioz fakti sesi një pjesë e akademisë së Shqipërisë konservon pikëpamje të vetat që u artikuluan dikur për qëllime politike. Edhe ashtu, me kujdes. 

Baçe thotë se në librin e ri për historinë e shqiptarëve, që duket se botohet njëherë në dy vjet për të zënë me punë të njëjtë historianët tanë, Epiri zë 115 faqe, nga dy faqe që zinte më herët. Çka sugjeron se përparimi i bindjes nacionaliste se Epiri është pjesë e historisë së shqiptarëve është bërë tezë zyrtare.

Baçe thotë se molosët, kaonët dhe thesprotët ishiin fise ilire. Mund të gjenden burime të shumta të antikitetit që flasin për termin Epir, për faktin se epirotët cilësoheshin barbarë dhe kjo mjafton për historianë si Baçe që të shpallin epirotët si Ilirë. Në variantin më objektiv dhe të guximshëm, është thënë se epirotët duke u cilësuar barbarë me gjasë nuk kanë qenë grekë, helenë, por që ata të ishin ilirë është diçka që nuk është pohuar. Edhe pse prirja ka qenë aty, dëshira.

Zoti Baçe ecën më tej kur pyetjes sesi është e mundur që nuk shkruhet gjë për shqiptarë në këto hapëisra për qindra vjet, i përgjigjet me masakrën e konsullit Pal Emili në vitin 67 p.e.s kur ai rrafshoi qytetet e Epirit dhe skllavëroi 150 000 njerëz. 

Edhe në Kartegjenë ishin 70 000. Ky është ndoshta rasti i vetëm në botë që ndodh një masakër e tillë. Pal Emilin e mbajnë për gjeneral të madh, por ai ishte një kasap

thotë Baçe.  

Ky është një pohim, apo përcaktim që është bërë ndoshta edhe nga Mit’hat Frashëri në shkrimet e veta, por nuk i qëndron dot shqyrtimit historik. Romakët vetë e quajtën Ilirinë jugut, Illyria Graeca, ndërkohë që më vonë helenizmi kulturor dhe institucional e konfirmoi këtë gjë me ndarjen e Epirus Veta dhe Epirus Nova që përkon me atë që më vonë do të njihej si Vija Jireçek.

Duhen lexuar patjetër 115 faqet e z. Baçe, por intervista dëgjohet keq. Shumë keq. Nuk duket se kemi të bëjmë me një akademik, por me një propagandues të shekullit të 19-të. Sepse nuk po bëhet edhe aq histori, por po ndërtohen rivendikime mbi bazë të yçklave historike. P.sh rasti i Dakëve mund të sillet këtu për analogji. Dakët ishin një popullsi në Ballkan që nuk ekzistojnë më. Ata zhvilluan tri luftëra me Perandorinë Romake dhe në fund u gjunjëzuan dhe dolën nga historia. U romanizuan ndonëse u përkisnin degës thrakase të gjuhës. Vetë thrakët nuk janë më në asnjë përfaqësim të sotshëm, ndërkohë që për Dakët ka patur dy emra. Ose tre. Daci, Daoi, Getae. Të tri emërtesa të sjella nga autorë grekë.

Pse nuk u quajtën Perandorë Epirotë ata që Roma i njohu si Perandorë Ilirë që ishin në të vërtetë nga rajone mbi Shkodrën e sotme? Nëse kemi të bëjmë me të njëjtin entitet? Nga ana tjetër, ky mëtim për autoktoni epirote të shqiptarëve të sotshëm, aty ku zhvillohet sipas Baçes historia jonë më e lavdishme, do të duhet të shpjegonte mirë se pse në Mesjetë, fise si mazrekët, malakasi identifikoheshin si Shqiptarë që migronin drejt Epirit për llogari të dinjitarëve bizantinë, ndërkohë që nëse do të kishim të bënim me të njëjtin entitet, nuk do të kishte arsye për të vënë dallim.

I vetmi element që bën kuptim në intervistën e z. Baçe, por që nuk artikulohet qartë është fakti se bota shqiptare, protoshqiptare në Ballkan padyshim që ka qenë e pranishme si shprehje etnike dhe kulturore në hapësira që preknin Epirin dhe territore të Ilirisë, por sesi ajo u restriktua apo zgjerua është çështje shumë e debatueshme. Teguesit e sotshëm që trashëgohen, ngjashmëritë flasin patjetër për një vijiueshmëri, por çështja është se historianë si z. Baçe mëtojnë ta ngrenë shqiptarinë në standard kulturor të rajoneve që në të vërtetë kanë qenë domen i gjuhëve dhe kulturave të tjera ku ne kemi aderuar, kemi marrë, huazuar dhe patjetër mbijetuar duke modifikuar elementë të shumtë. Pse nuk ka deri më sot një histori të migrimeve të brendshme në botën shqiptare? Një histori të besimit?

Pse nuk ka një histori të dallimeve sociale mes bregdetit dhe hinterlandit, shenjuar kaq kthjellët edhe më vonë në atë që u quajt Albania Veneta? Që ta kuptojmë më mirë dhe më saktë rëndësinë e asaj dukurie që Baçe kalon lehtazi me termin e bezdisshëm për të: AKULTURIM?

Edhe sot ka në Greqi emigrantë të shumtë shqiptarë. Por çfarë do të thotë kjo? Që nesër do vijnë Apollonë të tjerë e do thonë se nisur nga gazetat greke konfirmohet se Athina ka qenë shqiptare meqë aty raportoheshin rregullisht akte dhune nga shqiptarë?

Si ka mundësi që të kesh me vete një të vërtetë kaq të madhe siç pretendon se e ka z. Baçe dhe të mos dish ta akomodosh bindshëm në historiografi?

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Trashja e qitapit te pseudohistorise se Arnautistanit sipas epsheve te Apos apo fodulleve te tjere qe ka Albostani nuk do te ndryshoje aspak studimet e mirefillta qe Akademikeve boterore apo atyre rajonal.
Gjurmet e grekerve te lashte dhe atyre byzantine jane tashme dhe nuk mund te mohohen deri ne Mirdite e Dukagjin, ne rrenojat e kishave te ritit byzantin dhe pllakatat antike.
E sa per Ilirine, vetem nje cep i zones se Shkodres ishte i perfshire ne kete qyterim.

Ilire.... ku jane keto qyterime e civilizime? Ku i kane Aristotelet e Sokratet e Ptolomeot e tyre?

Apot e Shqiperise jane vene ne gare me injorantet e Prishtines si puna e Josip Buxhovit qe mburret me librat e tij qe ia kalojne veprave te Enver Hoxhes, te mbushura me idiotesira. Sa me i trashe libri aq me e rende eshte rrena.

Submitted by Aqif (not verified) on

P.S.
Postimi me siper ^ eshte i imi.
Me ardhjen e mbretit kukull Hashemit te Jordanise ( qe as arabisht nuk di mire), ardhja e palestinezeve ne Shqiperi eshte e vulosur, sic e vulosi edhe vizita e Rames ne Tel Aviv.
Mbas nje shekulli Arnautistani i Nanos do te behet gadishull arabik. Duhet te pyesim orakullin aka Nostradamusin shqiptaro- rumun Ben Kiqo Blush Silicin se si do te perfundoj ky shekull ne token Illyro Pidhazgo arabe .

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.