Unë jam qytetari, unë jam protesta!

Postuar në 21 Nëntor, 2014 05:43
Arian Galdini

Jetojmë në një Shqipëri politikanësh që kur janë në opozitë e derisa fitojnë pushtetin, premtojnë se do të hapin themelet e Shqipërisë së re. Por kur vijnë në pushtet shkatërrojnë ç’kanë bërë pararendësit, mohojnë çdo gjë të së shkuarës dhe hapin gropat e themeleve të Shqipërisë së re. Shqipërinë e re nuk e ndërtojnë kurrë sepse hapja e gropave u zë gjithë kohën e mandatit a mandateve. E gropat shtohen. Ndaj nuk kemi as Shqipëri të re, e as cikle zhvillimi. Kemi vetëm gropa themelesh që humbasin lejen e vlerën kur ndërrohen pushtetet, e kemi edhe cikle vetëhamëse. Dhe ndërkohë po bëhen 25 vite që unë qytetari përpiqem që të flas, por më mbyt politika. Thërras, këlthas, dal në sheshe, por mbetem në numër i paktë. Sa herë ne civilët kemi kërkuar që të bashkojmë zërin dhe protestën tonë në sheshet e Tiranës, aq herë ka ndodhur që kemi thyer turinjtë me zhgënjimin për shkak të pakësisë. Përjashtim ka bërë vetëm jehona e zërit tonë që u shpërnda me shpejtësi nga “Lugina e Frikës” e na bëri të panumërt, kur u tha se armët kimike do të na vrasin. Çdo herë tjetër, unë qytetari kam qenë vetëm e me një grusht të singjashmish duke protestuar për kauza e çështje të rëndësishme për të gjithë. Dhe politika ngërdheshej me mua, me ne të paktit. Madje politika ia ka dalë mbanë që të krijojë disa popuj në Shqipëri, popullin e vogël të qytetarëve dhe popujt e partive. Popujt e partive, edhe pse janë qytetarë si ne populli i qytetarëve, për shkak të rreshtimit dhe përkatësisë së tyre, njëlloj si politika, ngërdheshen e gajasen me dobësinë time, me dobësinë tonë. Nuk e kuptojnë se qytetari i dobët jemi të gjithë bashkë. Nuk e kuptojnë se qytetari i dobët është fitore absolute e popullit të politikës, përmbi të gjithë ne qytetarët, sido që të jemi vetërreshtuar ne, si popull qytetarësh apo popull partish. Populli i politikës është aq i vogël sa krahasueshmërisht me ta, edhe ne qytetarët ndihemi të shumtë në numër. Ama, populli i politikës na ka ndarë neve qytetarëve në qytetarë dhe partiakë. Është pak a shumë e njëjta gjë siç bënë holandezët me popullsinë e Ruandës para 2 shekujve, që për t’i sunduar i ndanë ne hutu dhe tuci. Ata ishin e njëjta popullatë, e njëjta etni, por kolonizatorët holandezë u treguan shumë të zhdërvjellët dhe ua mbushën mendjen se gjysma ishin hutu e gjysma tjetër ishin tuci. Dhe para pak vitesh, në Ruanda ndodhi gjenocidi më i tmerrshëm në historinë e vonë të njerëzimit, ndërsa gati një milion njerëz u masakruan me njëri­tjetrin për tre muaj. E patëm edhe ne një sprovë të tillë në vitin 1997. Dasitë dhe përkatësitë për pak na vendosën kundër njëri­tjetrit. Sot, politika na sundon dhe na mban në gjendje konflikti duke na theksuar dasitë, pikërisht sepse kështu na përçan e sundon më lehtë. Ndaj unë për vete sot dua si qytetar të bëj një thirrje. Të bëhemi bashkë, ta kuptojmë se jemi e duhet të jemi të gjithë bashkë. Ne qytetarët të mos u druhemi politikëve. Në datat 14 – 15 nëntor, një grusht i vogël civilësh, me apo pa politikë në prapaskenë, dolën në një protestë maratonë për t’i thënë një JO të madhe rritjes së çmimit të energjisë elektrike, rritjes së taksave, çmimeve, tarifave, pra për t’i thënë jo varfërimit dhe padrejtësive. Dy ditë rresht u pushtua bulevardi. Por as orët e gjata të protestës, as arsyet e protestës, as pushtimi i bulevardit përballë Kryeministrisë, nuk e shtuan numrin e qytetarëve në protestë. Unë protestova si qytetar. Nuk pyeta kush ishte organizatori, as kush kishte axhendë, e ç’ndodhte në prapaskenë. Protestova si qytetar. Dhe ishim jashtëzakonisht shumë pak. Tmerrësisht pak. Çka më thonë miq, është se ka shumë arsye pse njerëzit nuk kanë ardhur. Mund të jenë të gjitha këto arsye të drejta. Ama, mosprotesta jonë qytetare dje do ta mbushë sheshin me protestën politike nesër. Ndaj, mos u ankoni më pse nesër do keni 2 të këqija, edhe çmimet e taksat e larta, edhe protestën politike. Nëse dje, një nga arsyet që më është thënë, ka qenë prapaskena dhe “organizatori i politizuar”, po ju them se nesër do të jetë vetë politika në shesh. Unë për vete nuk i trembem as protestës qytetare me prapaskenë e “organizatorë të politizuar”, e as protestës politike. Unë jam i qartë në arsyet e mia pse duhet protestuar, e nuk pres as të më ndriçojnë e as udhëheqin, organizatorët e politizuar të protestës civile apo vetë politika drejtpërdrejt. Për mua çdo shesh ku protestohet me arsye e shkase të drejta është një shesh ku e ndiej se duhet të jem. E vërteta është se ne nuk jemi shumë popuj. Jemi të gjithë qytetarë të këtij vendi që meritojmë të qeverisemi mirë, përgjegjshmërisht dhe sidomos të mos varfërohemi e të mos bëhemi viktima të paligjësive, padrejtësive dhe arbitraritetit. Nesër më dt. 22 nëntor na ka thirrur Partia Demokratike në protestë. Unë qytetari protestues i kahershëm, nuk kam ndër mend të gjej arsyet e ndarjes për të mos u bashkuar me të gjithë qytetarët e opozitës në sheshin “Skënderbej”. Do të jem në shesh për të protestuar bashkë me çdo qytetar tjetër partiak ose jo.

 

 Arian Galdini

“PANORAMA”

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.