Tre parimet e z. Ali Ahmeti

Postuar në 20 Maj, 2013 03:21
Fitim Dika

Nëse ndokush do analizonte periudhën e pluralizmit politik në Maqedoni, periudhën shqiptare duhet ta ndajë në dy pjesë, ku e para përfshin vitet 1992-2001, dhe pjesa e dytë, periudha pas saj. Interesantja është se, nëse në periudhën e parë kemi disa parti politike shqiptare dhe disa personalitete me ndikim, në periudhën e dytë, kemi vetëm një personazh absolut, i cili, perveç disa humbjeve spontane në zgjedhjet presidenciale dhe lokale të vitit 2009, ka qenë çdoherë fituesi absolut. Ky personazh është z. Ali Ahmeti, ku suksesi i tij besoj se është më shumë nga figura mitike e tij dhe gjithashtu se nuk ka pasur nga ana tjetër kundërshtarë të konsoliduar mes veti. Politikani i vetëm shqiptar, që me një zotësi të paparë më parë nuk ka lejuar që partia e vet të përçahet, ndërsa në anën tjetër PDSH-ja ka njohur ndarje të njëpasnjëshme, ku persona brenda saj, më pas kanë krijuar partitë e veta, si z. Bardhul Mahmuti, z. Imer Selmani dhe në fund z. Rufi Osmani.  Kjo temë është e gjatë poaq sa periudha e saj, kështuqë unë në këtë shkrim do merrem me tri parimet bazë, që z.Ali Ahmeti përpara se të merrte pushtetin i premtoi përpara popullit shqiptar.
Edhepse konflikti  i vitit 2001, si çdo konflikt i armatosur, në fakt ishte për ndarje dhe shkatërrim të Maqedonisë, menjëherë pas përfundimit të saj, z. Ali Ahmeti, nga inicuesi i konfliktit u rikthye në patriot i Maqedonisë. Si tri parimet, që do udhëheqnin politikën e tij, ishin (janë) -a) Vetësiguria e shqiptarëve, -b) Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit,  dhe  -c) Integrimet Euro-Atlantike.
Këto pika mjaft demokratike dhe përparimtare, atëherë për të gjithë ne ishin si udhërrëfyes dhe besonim se brenda një kohe të shkurtër do e rikthente Maqedoninë në një vend të sigurtë dhe mbi të gjitha të dy etnive. Mirëpo sot, pas 12 vjet politikë të z. Ali Ahmeti dhe 10 vjet pushtet të tij absolut, Maqedonia është e fundit në proçesin e Euro-Integrimeve ku gjatë pesë vjetëve të fundit nuk ka bërë progres, shqiptarët poashtu si përpara keqtrajtohen, rrihen brutalisht dhe ç’ka është me e keqja, u montohen proçese gjyqësore si rasti i Sopotit dhe stërgjatet gjyqi ndaj aksionit Monstrum, ku nga shumë analistë pretendohet se është një Sopot i dytë. Dhe në fund, Marrëveshja e popullit 20%, nuk ka gjetur zbatim edhepse duhej të përfundonte dyvjet pasi Ali Ahmeti e dha premtimin, ndërsa sot kur shkruajmë këto reshta, marrëveshja është zbatuar vetëm pjesërisht në administrate dhe në ndarje territoriale, edhepse jo përfundimisht dhe tepër vonë për ta quajtur sukses.
Nuk ka nevojë të zgjatemi ne shtjellimin e këtyre temave, pasi çdokush që ka ndjekur sadopak situatën në Maqedoni mund të japë përfundimin sesa janë zbatuar në praktikë tre parimet e z. Ali Ahmeti. Dhe kjo ka vetëm një shpjegim dhe një përfundim, se klasa politike shqiptare në Maqedoni, por jo vetëm, është tërësisht e pafuqishme për zgjidhjen e problemeve madhore në vend dhe për atë edhe sot e kësaj dite, shqiptarët merren akoma me folklorizëm, pasi siç thuhet, metoda më e lehtë për të gënjyer popullin është nacionalizmi që nuk ka as projekt dhe as vështirësi për ta artikuluar.

Comments

Submitted by Shqiptari nga Shkupi (not verified) on

<p>Politika ne Maqedoni tregon me se mire sesa keq jane katandisur shqiptaret dhe ne fakt politika shqiptare ne Maqedoni. Une e pelqej situaten ne Shqiperi, edhepse edhe aty ka shume gjera per te mosdeshiruar, por perseri politikanet diskutojne per disa projekte si taksa progresive, rruget, rrogat etj.<br />E cuditshme, qe ne Maqedoni, as PDSH-ja dhe as BDI-ja nuk diskutojne gje, por vetem kush dhe si u ndertuan permendoret. Fajin per kete e ka normalisht Ali Ahmeti, por edhe Menduh Thaci, ku sic u potencua ne artikull, nuk ka nje opozite te konsoliduar.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.