Sikur Presidenti i Republikës të fliste

Do ishte shumë më ndryshe sikur Presidenti i Republikës të fliste ndonjëherë edhe për qytetarët e vet. Po kjo s’ka gjasa të ndodhë. Presidenti ynë ka një mangësi. Ai nuk flet. Ai nuk ka agjendë. Dhe po flasim për një agjendë civile, sepse sa herë që politika ka ndonjë nevojë, ai aktivizohet si me sustë. Do të ishte ndryshe, sepse qytetarët civilë të këtij vendi do të gjenin një partner te Kreu i Shtetit, për të diskutuar hallet e shoqërisë, e jo për të dëgjuar hartime bajate.
Për të gjithë ata që kanë probleme me kujtesën, më 20 mars një grupim i fuqishëm i shoqërisë civile protestoi përpara dyerve të Presidencës, duke kërkuar nga Kryetari i Komisionit të Sigurisë të merrte masa për parandalimin e krimit të pedofilisë dhe të abuzimit me të miturit. Rreth 300 njerëz, dhe njerëz me penë, firmosën peticionin drejtuar z. Nishani, po ky peticion që ju dorëzua institucionit në mënyrë zyrtare, humbi pa nam e nishan. Dhe që nga ajo ditë e deri më tani, rastet e pedofilisë kanë qenë të panumërta.
Po kujtojmë disa prej tyre sa për të freskuar ndjesitë e përgjumura: dy raste në Tiranë, një person 67 vjeç dhe një tjetër 58 vjeç u arrestuan për tentativë të kryerjes së marrëdhënieve seksuale me të mitur; një 59 vjeçar në Ndroq kreu veprime të shëmtuara me një të mitur; një student rrëmbeu një fëmijë 8 vjeç me qëllim trafikimi; një 53 vjeçar nga Korça i shkruan një letër dashurie një vajze 13 vjeç; një person 32 vjeç sulmon seksualisht një 12 vjeçare në mes të ditës në mes të Durrësit; një person 49 vjeçar ngacmon seksualisht një vajzë 12 vjeç; një pedofil shqiptar i dënuar me 20 vjet burg ekstradohet nga Italia; një pedofil 20 vjeçar arrestohet në Kavajë për kryerje marrëdhëniesh seksuale me dhunë me një të mitur; një person i dënuar për akte pedofilie arrestohet sepse nuk ishte kthyer në burg pas lejes së dhënë (kush i jep leje këtyre pedofilëve të dënuar?), dënohet një gjysh që u fikte cigaret mbesave në trup; një 33 vjeçar arrestohet se mbajti një natë një vajzë të mitur në Korçë; një person 69 vjeç merr peng një gjashtë vjeçare për pak kohë.
Dhe këto janë një pjesëz e rasteve që kanë ndodhur vetëm në periudhën e kohës nga peticioni deri më tani. Për këto raste dikush duhet të mbajë përgjegjësi që nuk ushtroi pushtetin e parandalimit. Kryeministri anglez mblodhi urgjentisht Këshillin e Sigurisë për shkak se një ushtar britanik u ther. Pra, nuk priti anglezi sa të thereshin me dhjetëra qytetarë që të kryente detyrën e vet funksionale. Por nëse shembulli reagues i anglezëve duket si diçka paranojake, le të kujtojmë rastin e protestës së aktivistëve kosovarë, shumë më të paktë në numër, kur një personazh i shoqërisë civile, znj. Nazlie Bala, u godit për shkak të detyrës. Edhe Presidentja, edhe Kryeministri i Kosovës dolën në konferencë për shtyp, menjëherë, duke dënuar aktin dhe duke marrë masa që ky akt të mos përsëritet më.
Por me sa duket, ne kemi një udhë shumë të gjatë për të bërë drejt qytetërimit, dhe në këtë rrugëtim, nuk kemi në ndihmë atë që duhej të ishte strumbullari i përpjekjeve të përbashkëta për evropianizim. Ja pra, ndodh që procesi i vetëzhvlerësimit nuk ndodh vetëm me monedhat. Gjithsesi, autoritetet duhet të reflektojnë edhe kur nuk kanë mundësi ta bëjnë këtë. Dhe koha do ta tregojë.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print)
Comments
Ai as nuk ka leje te flase
Ai as nuk ka leje te flase dhe as nuk ka shtylle kurrizore.
Add new comment