Shtetthi si shkarravinë neoliberale

Në funeralin e “mendimit dominant” ishin të gjithë, republikanë dhe demokrat. Të gjithë në heshtjen e vakisë kredhur ndërkohë që papa i zi mbante meshën e fundit, përpara se një mal i tërë me reforma ta mbulonin qivurin me brënda kufomën e paradigmës të mendimit ekonomik neoliberal.
“Falë votë së demokratëve dhe të republikanëve do të firmosim një ligj i cili parashikon rritjen në masën 2 % të taksave mbi të ardhurat e amerikanëve të pasur!” Amin! Një amin me vlerën e një ovacioni masiv, pikërisht nga ato salla e zyra që nën flamurin neoliberal, vetëm pak vite më parë, i premtonin botës anembanë, përfitime të pashtershme (a thua se ky glob i vogël në të cilin jetojmë është i pashtershëm në burimet e tij). Amin në New York! Amin në Paris! Amin në Milano! Amin, amin, amin.
Receta e mirëqënies, “më pak Shtet , më pak taksa, më pak rregulla”, përfundoi diku në një sirtar, si ajo receta e gjyshes për një gjellë që se pëlqente askush por që kurrkush nuk kish kurajo t'ia thosh të vërtetën në sy. Se helbete pleqve mund t'u mbetet hatri shumë shpejt. Kështuqë të gjithë kthyen faqe (dhe pse iu desh t'i hidhinin akoma një sy sa për të shkruar dy fjalë lamtumire për Zonjën e Hekurt, kalorësen e fundit të paradigmës tashmë të braktisur) duke u munduar të harronin sa më shpejt katastrofën e konsumuar me krizën e madhe të vitit 2008.
Manovra fiskale e Presidentit Obama, nën një devizë të re, atë të mbrojtjes të punëtorëve dhe të shtresës së mesme, nëpërmjet politikave në mbështetje të rritjes ekonomike tipikisht të majta, shënoi një ndryshim kursi. Një kurs i ri bazuar mbi rishpërndarjen më të drejtë të të ardhurave (equity) dhe rritje ekonomike, por jo pa goditur më parë majmjen dhe priviligjet që paradigma neoliberale kish krijuar për një përqindje të vogël të shoqërisë, duke kundërshtuar kështu trendin e rritjes të pabarazisë sociale.
Një manovër e cila bazohet mbi një të vërtetë të thjeshtë: kush dreqin do të konsumojë kur nuk ka me çfarë të blejë? Rritje të fuqisë blerëse të asgjesuar ndër vite, si pasojë e zhdukjes të kursimeve të pakta me një kërcitje gishtash nga përbindësha financiarë pjellë të revanshit neoliberal, dhe të aftësisë për të konsumuar. Me një llaf kapitalizmi i shpëtuar nga vetvetja, nga prirjet autodesktruktive të injektuara dhe më, në sajë të paradigmës neoliberale. Nga Ruzvelt tek Obama, fijet e historisë lidhen gjithnjë.
***
Ndërkohë, në kahun tjetër të Atlantikut, diku aty në një cepth të Europës ku gjithshka merr një tis mistifikues dhe epik, një tjetër kalorës në ethet e një deliri politik, në një shishe sjellë nga ujët e vakët të Adriatikut, gjen recetën e harruar që s'merret vesh si e pse u përfundoi përpara këmbëve të tij, një ditë të bukur vere. Kronikat e kohës thonë që në të vërtetë kjo recetë u soll nga një grup kalorësish në kthim nga disfata e rradhës në një ndër fushatat e shumta për të “marrë e plaçkitur” nga Perëndimi çka më të mirë ai kish për t'i ofruar një vendi të vogël e të harruar.
Thonë që formula magjike “më pak Shtet, më pak taksa, më pak rregulla” e magjepsi kalorësin dhe turrmën e tij. Të entuziasmuar siç ishin u turrën dhe pushtuan kështjellën duke marrë frerët e vendit në duar.
Pas 8 vitesh duket dalldisja nuk i ka kaluar akoma këtij kalorësi shtatanik sepse vazhdon të vërtitet nëpër randevu-ra dhe mitingje elektorale duke mburrur mrekullitë ekonomike, të arritura në sajë të fuqive mistike të formulës magjike. E ndërkohë që s'janë mbushur akoma 6 muaj nga funerali i paradigmës neoliberale, ai feston 8 vjetorin e mrekullimit ekonomik të vendit të vogël ballkanik. Paradigma e ringjallur në versionin më të keq të saj, mishëruar në një shëmbëlltyrë të vetvehtes version tallava.
* * *
Përtej fabulës, realiteti që përjetojmë është tragjik dhe pasojat e dritëshkurtësisë të një politikani në gjendje ekstaze e deliri të vazhdueshëm, janë më shumë se një akuzë politike. Janë krime ndaj të ardhmes, brezave të sotshëm dhe atyre që do të vijnë.
Më pak shtet, thotë ky. Por shteti i tij jo vetëm është zvogëluar por dhe është dorëzuar përpara egosit të unit, urisë të makutit, arrogancës të cubave e horrave. Këtë shtetthin që kemi ne sot, mund ta marrësh e ta futësh në oborrin apo sallonin e shpisë tënde. Ta ulësh në kanape e ti japësh një birrë duke i imponuar reforma ekonomike e fiskale. Madje është aq i vogël sa mund ta memorizosh në rubrikën e celularit tënd, ti biesh në mes të natës e ti imponosh ndryshim e sistemit të referencave, të akcizave dhe të taksave.
Më pak taksa, thonë dashët dhe grifshat e tij. Por ndërkohë ne jetojmë në një shoqëri ku ai që nuk kish, nuk ka dhe madje ka edhe më pak. Në një shoqëri ku papunësia është tashmë, në përfytyrimin e brezave të tërë, një status ontologjik i qënies njeri. Ne jetojmë në një vend ku ti mund të jetosh mbi naftë e krom e të vdesësh urie, ti dhe pjella jote, sepse shtetthi i shiti ato për dy pare.
Më pak rregulla, këlthet pjella e tij. Dhe ndërkohë ne jemi tashmë një shoqëri që qëndron vetëm falë një rregulli, atij të xhunglës. Rregullit sipas të cilit ai që mundet merr gjithshka dhe pikërisht sepse mundet mund të të shkelë e të nëpërkëmb dinjitetin pa i hyrë një gjemb në këmb.
Një shoqëri ku gjykatësi horr hyn në sallën e gjyqit veshur si të ish personazh i ndonjë filmi të Tarantinos, me këpucë më lëkurë gjarpri e brez me kafkë si metalar. Një vend ku mjeku, avokati, inxhinieri blen diplomën pasi ka gjetur vendin e punës dhe një ditë do të jemi të gjithë në duart e paaftësisë, paaftësi që do të na marrë frymën e shpresën, duke na lënë lakuriq përpara fatkeqësisë.
Ky është shtetthi i shpërfytyruar falë paradigmës të ringjallur ndërkohë që në perëndim po ti pyesësh për të, të tregojnë varrin e saj. Një model ekonomik i dështuar, një hibrid po aq i çuditshëm aq edhe qesharak, si ai flamuri i një kalorësi të përçartur, që rendet shkretëtirave të arsyes të përçudnuar. Ky është shtetthi neoliberal, një shgarravinë që kush e do mund ta marrë e të bëjë me të ç'të dojë, mjafton të na e heqi sysh. / DITA
Comments
This is very interesting,
This is very interesting, You're a very skilled blogger. I've joined your rss feed and look forward to seeking more of your wonderful post.
Also, I've shared your web site in my social networks!
Add new comment