Shqiptarët kanë kokën dhe kohën e tyre

Postuar në 25 Shkurt, 2013 04:20
Ilva Tare

Lajmi i dorëheqjes së Kryeministrit të Bullgarisë si pasojë e protestave te bullgarëve për mbifaturimet e CEZ, kompania që u largua nga Shqipëria pak javë më parë u prit me habi nëpër korridoret e Brukselit. Jo se zyrtarët europianë nuk janë mësuar me institucionin e dorëheqjes, por motivimi i largimit të Kryeministrit bullgar pasi nuk mund të shihte policinë si rrihte qytetarët në protesta ishte befasues për ata që e njohin Bojko Borisov-in dhe metodat e tij të pushtet mbajtjes.

Kur Borisov erdhi në Tiranë pak kohë më parë në një vizitë zyrtare shumë analistë e komentuan si izolim të Shqipërisë nga kryeministrat perëndimorë dhe frekuentim vetëm nga udhëheqësit problematikë me stilin e tyre autokrat. Ky qëndrim mund të ketë qenë i vlefshëm deri ditën e dorëheqjes se Borisov. Tani e tutje ai duhet vlerësuar si politikan që nuk lejon 21 Janar në vendin e tij dhe që pushtetin e lëshon kur populli i abuzuar nga zyrtarë të korruptuar është kundër tij. Kryeministri i Sofjes vendosi një standard për vendin e tij që edhe eurokratët më dyshues janë të prirur ta përshëndesin dhe ta mirëpresin, pavarësisht arsyeve elektorale që mund ta kenë provokuar dorëheqjen.

E ndodhur në Brukel për takime me zyrtarë të BE dhe analistë e ekspertë që mbulojnë Shqipërinë në procesin e integrimit u gjenda përpara pyetjes po në Shqipëri pse nuk u protestua kur patët të njëjtin problem me faturat e CEZ? Më duhet ta pranoj se nuk e pata të lehtë të përgjigjem. U justifikova me trashëgimninë komuniste dhe hijet e frikës që protestat në kohën e Hoxhës kanë lënë tek shqiptarët. U përpoqa të justifikoja mungesën e protestave me faktin se herë pas herë qeveria ka amnistuar ata që nuk paguanin, ndaj dhe nuk u ishin prekur xhepat direkt. Gjithashtu u thashë së një pjesë e vogël nuk e kanë marrë mundimin të paguajnë kurrë energjinë elektrike dhe as që e shohin si mall për të cilin duhet të paguash dhe se nuk ofrohet falas. Vazhdova me arsyetimin se në Shqipëri sindikatat dhe organizatat e shoqërisë civile janë të dobta dhe nuk arrijnë të mobilizojnë protesta e kështu me radhë. Asgjë prej këtyre justifikimeve nuk i afrohej një vendi që është në sirtarët e Bashkimit Europian si kandidat i mundshëm për tu integruar.

Mund të kisha listuar edhe shumë arsye të tjera përse shqiptarëve nuk u ndihet zëri kur autoritetet abuzojnë me ta. Një ndër ngjarjet me më shumë ndikim mund të ketë qenë bilanci i katër të vrarëve në 21 Janar. Apo edhe thirrje të tjera për protesta qytetare që përfundojnë me pak ose shumë pak pjesëmarrës si për dhunën ndaj grave apo fëmijët e vrarë për gjakmarrje. Mund të debatohet se ne shqiptarët jemi mësuar të nënshtrohemi dhe nuk dimë të rebelohemi. Të gjitha janë opsione që vlejnë për tu diskutuar. Por ndoshta një karakteristikë që fillimisht duhet pranuar dhe pastaj analizuar është edhe mungesa e solidaritetit mes njëri-tjetrit. A mendojmë ne si popull për të mirën e përbashkët? A shohim përtej derës sonë? A shqetësohemi kur fqinji nuk paguan dritat? A ngremë zërin kur hidhen nga ballkoni hedhurinat? A ndjehemi keq kur vidhet pasuria kombëtarë? Kur gjyqet shiten? Kur gjyqtarët blihen? Kur duhet të korruptojmë për të pasur një shërbim?

Në më të shumtën e rasteve, përgjigja është JO. Atëherë, duhet të kalisim durimin dhe të presim. Ndryshimi i mentalitetit të shqiptarëve të përdorur e keqpërdorur nga politika nuk do të ndodhë brenda natës. Nuk do të ndodhë as në të njëjtën kohë me bullgarët. Shqiptarët kanë kokën dhe kohën e tyre dhe ajo është zakonisht e mbrapshtë dhe e ngadaltë. Askush nuk mund të na e përshpejtojë zhvillimin dhe ndërgjegjësimin si shoqëri, aq më pak Brukseli dhe direktivat e tij dashamirëse ndaj një populli të vuajtur që nuk ka aftësi të ngrejë kokë as kur janë duke ja shtypur atë.

 

Botuar ne JAVA

Foto LSA: Nje prej protestuesve te 21 janarit, i denuar nga Gjykata

Comments

Submitted by Andreas (not verified) on

<p>Ne Shqiperi nuk ngre zerin njeri kur hedhin grate nga ballkoni e jo me plehrat!</p>

Submitted by Leonardo (not verified) on

<p>Sepse kemi këtë kokë dhe e masim kohën me këtë kokë jemi këtu ku jemi</p>

Submitted by Bard (not verified) on

<p>Ky protestuesi i 21 Janarit ne foto, ka mundesi te mos e shohim kurre me ne protesta, se nuk ka nge njeri te haje shkop kurrizit e plumba ballit, kur ai qe i therret te protestojne iken naten ne Lalz per te bere kompromisin e radhes per te ardhur ne pushtet, me ata qe shkaktuan 21 Janarin. Shpirtin e protestes e ka vrare Edi Rama qe i fut njerezit ne greve urie, i le 19 dite pa ngrene e pastaj u thote &quot;dilni se ashtu eshte nje muhabet&quot;. Njerezit nuk dalin kuturu&#39; per te protestuar, dalin me nje organizim dhe udheheqje qe ne kushtet e demokracise normale e ben opozita, por kjo opozite veç opozite s&#39;di te beje, prandaj rrime tani e pyesim nese do vije Ilir Meta ne koalicion apo jo, se kemi frike se s&#39;fitojme me gjithe zullumet e sistemit me te korruptuar ne Evrope.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.