Rritja ekonomike janar-mars 2014, 1.6%-1.9%

Para tri ditësh, INSTAT-i publikoi vlerësimin e tij për rritjen e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) të tremujorit të fundit të 2013-ës (tetor-dhjetor). Sipas INSTAT-it, rritja vlerës së shtuar bruto të këtij produkti gjatë tremujorit, e llogaritur me të njëjtat çmime të të njëjtit tremujor të një viti më parë (për të zhveshur efektin e çmimeve), ishte 1.1%.
Meqënëse ai tremujor ishte i pari nën qeverisjen e re, çfarë bëri apo nuk bëri qeveria gjatë tij mund të ketë ndikuar pak në rritjen ekonomike prej 1.1%. Ndërsa ndryshe qendron puna me tremujorin janar-mars – paketa e re fiskale dhe buxheti i ri i shtetit janë krijesat e kësaj qeverie, të cilat, së bashku me mënyrën se si ka punuar administrata e re, kanë ndikuar padyshim në vlerën e shtuar bruto të këtij tremujori. Por që ta marrim vesh se sa ka qenë rritja e saj në tremujorin e parë të këtij viti, do duhet të presim deri në fund të qershorit, kur INSTAT-i të publikojë vlerësimin për PBB-në. Sidoqoftë, një parashikim të përafërt mund ta bëjmë që sot, duke gjykuar nga të dhënat e eksporteve, indeksi i çmimeve të konsumit, dhe shpenzimet e Thesarit të Shtetit.
Rritja e PBB-së varet nga tri faktorë kryesorë – kërkesa konsumatore, kërkesa për eksporte dhe kërkesa për investime.
Për eksportet kemi të dhëna të drejtpërdrejta nga INSTAT-i për muajt janar dhe shkurt. Kështu, në shkurt 2014 eksporti i mallrave arriti vlerën 200 milionë dollarë, duke u rritur me 27,8% në krahasim me shkurtin e 2013-ës (rritje më të ndjeshme kanë patur eksportet e grupeve: "Prodhime druri dhe letre" me 53,6%, "Ushqime, pije, duhan" me 38% dhe "Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike" me 33,5%, ndërsa eksporti i grupit "Lëkurë dhe artikujt prej tyre" u ul me 4,1%). Në janar 2014, eksporti i mallrave arriti vlerën 180 milionë dollarë, duke u ulur me 1,5 % në krahasim me Janar 2013 (ulje më të madhe vjetore ka patur në eksportet e grupeve “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” me 19,8 %, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 17,8 % dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” me 11,5 %, ndërsa rritje vjetore pati eksporti i grupeve: “Prodhime druri dhe letre” me 48,4 % dhe “Ushqime, pije, duhan” me 22,2 %).
Duke kombinuar të dhënat e të dy muajve, rezulton se kemi patur një rritje 12% të vlerës së eksporteve gjatë dymujorit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nga të dhënat paraprake të Drejtorisë së Doganave, rezulton se kjo prirje ka vazhduar edhe në mars.
Për kërkesën konsumatore, kemi vetëm të dhëna të tërthorta nga INSTAT-i – Indeksi i Tregëtisë me Pakicë për tremujrin e parë publikohet në qershor. Një tregues i tërthortë për konsumin është Indeksi i Çmimeve të Konsumit (IÇK), i cili ka pësuar një rritje graduale nga 116.2 në fund të dhjetorit (në kulmin e sezonit të blerjeve), në 119.3 në fund të marsit. Po të zhveshim rritjen e çmimeve të pijeve alkolike dhe duhanit (që u ndikuan nga rritja e akcizave), rezulton se ky indeks është rritur me 2.4% gjatë tremujorit (ndërkohë që rritja është 2.1% krahasuar më një vit më parë). Kjo rritje tregon tërthorazi se ka patur një rritje të kërkesës konsumatore në tremujorin e parë të këtij viti. Ndërkohë, shpenzimet korrente të Thesarit të Shtetit kanë mbetur në të njëjtin nivel me një vit më parë, gjë që tregon se ato nuk kanë dhënë një stimul shtesë për kërkesën konsumatore.
Për investimet kemi të dhëna vetëm për ato publike – të pasqyruara në treguesit fiskalë të Thesarit të Shtetit (për investimet private do duhet të presim të dhënat e Bankës së Shqipërisë në muajt e ardhshëm). Investimet publike kanë qenë në nivelin $26 milionë dollarë në deri në fund të shkurtit dhe duke gjykuar në zërat e detajuara të pagesave të Thesarit mund të kenë arritur shifrën 40 milionë dollarë deri në fund të marsit. Kjo shumë është rreth 90 milion dollarë më pak se sa në tremujorin e parë të 2013-ës. Sipas Ministrisë së Financave, ky mosrealizim i investimeve është shkaktuar nga vonesat në shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për investimet e viteve të shkuara.
Meqënëse rritja e PBB-së ka një ndërvarësi statistikore me treguesit e mësipërm, zhvillova një analizë regresioni me një ekuacion statistikor që mat luhatjet kohore të PBB-së në vartësi të serive kohore të treguesve të mësipiërm. Nga kjo analizë rezulton se rritja e PBB-së në tremujorin e parë të 2014-ës ka qenë në intervalin 1.6%-1.9% (me siguri statistikore 95%).
Kjo rritje është premtuese edhe për tremujorin e dytë, meqë shlyerjet e detyrimeve të prapambetura ndaj bizneseve kanë përparuar në javët e fundit (Ministri i Financave raportoi se ka shkuar në 200 milionë dollarë shlyerja e tyre deri më sot, nga 350 milion që janë parashikuar për gjithë vitin). Kjo mund t’i hapë rrugë rritjes së investimeve publike, që ishin Thembra e Akilit të tremujorit të parë.
Add new comment