Por rruga nuk e zvogëlon distancën

Është një histori krejtësisht vetjake refuzimi që i kam bërë çdo lloj ftese për të vizituar Kosovën. E kam bërë për shumë arsye, por më së shumti e kam refuzuar vizitën atje deri më datën 12 dhjetor, sepse nuk doja ta prishja ëndrrën ose imazhin që kisha ndërtuar për atë vend nga ligjërimi ose më saktë nga metaligjërimi historik, intim, nga rrëfimet për atë vend prej ish-studentëvë të mi në fillim të viteve ’80. E kisha refuzuar edhe pse druhesha se mos takoja atje në Prishtinë atë ëndrrën e keqe që shihja çdo natë sidomos në fillim të viteve ’90, kur Shqipërinë e vizitonin lloj-lloj mashtruesish nga Kosova, lloj-lloj agjentësh të të gjitha shërbimeve. Kisha krijuar mitin e një vendi të dëlirë, me shqiptarë gjenuinë dhe për Prishtinën kisha krijuar imazhin e një qyteti të butë, të ngrohtë, europian, me njerëz të kultivuar, shkurt nuk doja ta prishja imazhin tim ndoshta edhe të gatuar keq për një pjesë të Shqipërisë që kishte mbetur padrejtësisht jashtë kufijve të saj. Gjithashtu, retorika folklorike, që u bë modë pas çlirimit të Kosovës dhe që shfaqej me thirrje patetike e me formula të shpëlara patriotike, më bënte që t’i rrija larg Kosovës e Prishtinës reale dhe të jetoja me imazhin apo me ëndrrën. Por kjo zgjati deri më datën 12 dhjetor. Bashkë me Andi Kananajn, Dorian Matlinë dhe Arbesën u nisëm në Prishtinë për të takuar miqtë dhe kolegët tanë gazetarë që kishin krijuar një projekt të suksesshëm dhe që po e zbatonin atë me efikasitet. Është fjala për Këshillin e Shtypit.
Mirë se vini në tunel
Ecim nëpër “Rrugën e Kombit” dhe shohim se automjetet janë të rralla, por rruga është dinjitoze dhe abuzimi me të ka qenë serioz i them Andit. Në fakt, të gjitha krimet janë bërë në emër të popullit dhe për të mirën e popullit. Komunistët, pasi erdhën në pushtet, i eleminuan kundërshtarët e tyre politikë duke i dënuar ata në emër të popullit. E vijuan aventurën e tyre të çmendur duke u betuar në emër të popullit. Sali Berisha e Lulëzim Basha e zgjeruan topikën e këtij përkushtimi dhe shënuan rekordin e korrupsionit të padëgjuar më parë. Por këtë nuk e bënë si komunistët me betimin në emër të popullit, por e bënë me një formulë edhe më të zgjeruar. Ata i shpërdoruan fondet, pra i tretën në erë plot 250 milion euro ne emër të Kombit. Dhe rruga është dinjitoze, por këtij entuziazmi folklorik që të kujton poezitë e kohës së komunizmit për urat e fabrikat i ka mbetur një shenjë dhe kjo është një parullë me drita në hyrje të tunelit, që shkruan: “Mirë se vini në tunel!”. Nuk ka gjë më qesharake dhe më makabre. Tuneli është një zgavër e thellë dhe e gjatë që shpon malin me një gjatësi mbi 5 km dhe kalimi nëpër të është i rrezikshëm potencialisht. Në një vend normal, parrulla do të duhej të ishte ndryshe, pra do të duhej të ishte paralajmëruese dhe t’u thoshte shoferëve dhe pasagjerëvë: Kujdes! Tuneli! Ulni shpejtësinë apo ndonjë nga ato këshillat që gjenden në kodin e qarkullimit rrugor. Mirëpo makabriteti që ka ai sllogan që të thotë “Mirë se vini në tunel” është edhe grotesk edhe cinik. Është njësoj si t’u thuash njerëzve: Mirë se vini në humnerë, në një vend me rrezik. Unë mendoj për ata të gjorët që vuajnë nga errësira, nga paniku. Mirëpo mbi këtë ndjesi reale, ka fituar një ndjesi folklorike absurde që e bën tunelin si një lëndinë dhe njerëzit i trajton si ato dhitë e malit që nuk duhet të kenë as kujdes as edhe pakëz frikë njerëzore. Mua më kujton diçka nga Hadi kjo parrullë dhe më duket sikur e shqipton ai rojtari i famshëm i Dantes te “Ferri” i Komedisë Hyjnore.
Në Prishtinë na pret Tinka Kurti
Kështu quhet gazetarja simpatike që ka organizuar takimet që do të zhvillojmë në Prishtinë. Edhe Prishtina ashtu si Tirana që ka Skënderbeun, për ata që vijnë për herë të parë e ka një shenjë, e ka një vend ku mund të takohesh: është Hotel Grandi, i famshëm për historitë dhe legjendat urbane, sidomos para dhe gjatë luftës në Kosovë. Tinka na shoqëron për në hotelin ku do të bujmë ato dy net. Është hotel “Prishtina”, një rezidencë e ngrohtë me dhoma të mobiluara mirë dhe me një shërbim shumë të mirë po ashtu. Sapo lëmë bagazhet, nisemi në takimin e parë. Tinka e ka lënë këtë takim në një bar simpatik, me emrin “Metro”. Aty do të presim gazetaren e njohur Arta Berisha, korespondenten e Top-chanelit, që ka hyrë në imazhin kolektiv me përfundimin e raportimit: “Arta Berisha, Top-Chanel, Prishtiiiin”. Bari dhe djemtë që shërbejnë ka një nur krejtësisht perëndimor. Qytetarët e Prishtinës që hyjnë aty, flasin me zë të ulët, dhe bie në sy sidomos pastërtia. Dhe ja vjen Arta. E gjatë, simpatike dhe e qeshur. Së bashku me Tinkën krijojnë një atmosferë të ngrohtë dhe shumë qytetare. Na tregojnë për përvojën e tyre dhe veprimtarinë e Këshillit të Shtypit, një organ vetërregullues i medies, që ka krijuar autoritet dhe që ndjehet në jetën mediatike të Kosovës. Arta na premton se do të vijë të na takojë përsëri dhe ne nisemi të takojmë një tjetër gazetare, Besën, kryredaktoren e revistës “Kosova 2.0”. Takimi do të zhvillohet në një bar tjetër, te “Nat’ e ditë” një librari dhe bar, por absolutisht më i plotë, më i bukur, më qytetar, më europain se simotrat apo sivëllezërit e tij në Tiranë. Aty sheh djem e vajza kosovare, por edhe nga gjithë bota. Të duket se je në një bar të Parisit apo të ndonjë kryeqyteti tjetër në Europë. Dhe qoftë këtu, qoftë edhe në baret më periferike, duhani ishte i ndaluar. Por ishte vërtetë i ndaluar. Askush nuk guxonte të tymoste. Një shenjë e lartë qytetërimi që vëllëzërit e Prishtinës e respektonin. Mua më kujtohen kafehanet e Tirarës dhe dështimi i turpshëm i të gjitha qeverive për të ndaluar duhanin në ambientet publike. Besa është shkolluar në Amerikë dhe revista që nxjerr ajo dhe stafi i saj është me të vërtetë e një cilësie shumë të mirë. Shoh numrin që i kushtohet tërësisht problemeve fetare në Kosovë dhe më gjerë dhe vërej se kam të bëj me një organ që ka një cilësi të lartë, nivel gjithashtu të lartë intelektual e profesional. Pasi shoh atë revistë i them me shaka Besës se tani po bindem që e kemi shumë të vështirë të bashkohemi, sepse kemi diferenca të thella kulturore dhe profesionale. Besa përfaqëson atë pjesë të elitës së të rinjve në Kosovë që kanë një formimi thellësisht perëndimor dhe që nuk janë pjellë e trashëgimisë neokomuniste. Nuk e di se me cilën pjesë të elitës së re shqiptare mund të përbashkohet Besa dhe kolegët e saj. Ajo na tregon për incidentin me disa radikalë myslimanë. Një numër të revistës thotë Besa ia kushtuam komunitetit LGBT dhe atë ditë që do të promovonim këtë numër lajmëruam se do të japim një party me këtë komunitet. Dikush e mori këtë njoftim tonin dhe e transformoi në një lajm hot: “Kosova 2.0” organiozon një Sex-party”. Kaq mjaftoi dhe një turmë fanatikësh u turrën në vendin ku do të organizohej kjo veprimtari. Unë dola dhe u përplasa me ta. Gjithçka u sqarua dhe vijoi normalisht. Unë mendoj se edhe në këtë pikë vëllezërit dhe motrat e mia në Kosovë janë dinjitozë. Më vjen mirë që nuk janë bërë pjesë e kulturës së gurit prapa ferrës, siç ndodh te ne, që bëhemi trima duke qëlluar me gurë nga ferra. Ngrihemi që aty dhe Arta me zërin e saj të fortë e tingëllues dhe me të qeshurën që nuk i ndalon kurrë, na thotë se tani do të takojmë Visarin, një gazetar tjetër që është vënë në qendër të një skandali. Visari shkruan për gazetën “Express” dhe është marrë në ndjekje penale pse ka publikuar një lajm të bujshëm: ai ka publikuar një dokument ku tregohet se zv/guvernatori i bankës së Kosovës ka blerë me paratë e Bankës disa video pornografike me formatin HD. Ky skandal hot ka ndezur opinionin në Kosovë dhe Visari është paditur nga i dëmtuari në prokurori. Kjo e fundit e ka thirrur atë, por unë thotë Visari kam edhe materiale të tjera kompromentuese që do t’i bëj publike në një kohë tjetër. Bari ku jemi futur ngjan me një bar irlandez, sepse burra e vajza pijnë birrë në këmbë, kërcejnë pa bërë zhurmë dhe megjithëse jemi diku në një vend të futur dhe në një lokal të vogël, askush nuk guxon të ndezë cigare brenda. Të gjithë dalin jashtë. Në Kosovë të paktën ky ligj funksionon. Mbarojmë edhe takimin me Visarin dhe po mednojmë që të gjejmë një vend për të ngrënë darkë sepse është tamam ora.
Kafet e rakisë.
Unë propozoj të shkojmë te “Kafet e rakisë” thotë Tinka. Ok, thotë Andi. Pse jo, thotë dhe Dori. Unë s’po merrja vesh asgjë sepse ishte hera e parë që po shkelja në Prishtinë. Nisemi për të “Kafet e Rakisë” dhe kalojmë nëpër pedonalen që është ndërtuar tani së fundi. Nuk ka gjë më të bukur se ajo pedonale. Një shetitore e gjerë, me pemë anash, një mrekulli e vërtetë. Ajo pedonale e bën edhe më të ngrohtë dhe më intime Prishtinën. Ne dikur kishim Bulevardin e Madh dhe e përdornim si shëtitore. është njësoj si të shetisësh në autostradë. Ndërsa në Prishtinë, një rrugë makine e kishin transformuar në një rrugë për këmbësorët, për njerëzit. Ishte një mrekulli. Ju lumtë! Në një nga rrugicat që ngjteshin lart fillonin disa lokale. Këto më thanë janë Kafet e Rakisë. Ato ishin disa bare të vogla, shumë intime, të ngrohta dhe me orendi artizanale të ruajtura bukur. Aty të serviresj një pjatancë e madhe me të gjitha llojet e mishrave dhe sallatë dhe, natyrisht raki, po me një shije tjetër, raki ftoi, dardhe, rrushi. Hymë në një nga këto Kafe dhe porositim. Në krah tonë janë dy vajza që pinë raki dhe kafe, që bisedojnë e këndojnë. Janë vetëm dhe askush nuk i bezdis. Ato u flasin të gjithëve, bëjnë shaka me të gjithë. Nuk pashë agresivitetin tipik të kafeneve shqiptare, nuk pashë atë shenjën e frikshme që nis me togfjalëshin “ç’ke që shikon”. Jo, pashë njerëz të qetë, vajza të çliruara dhe tepër moderne. Pashë një Prishtinë si ajo që kisha ruajtur në ëndërr. Këtu vjen edhe Boikeni, djaloshi nga Tirana që punon për “Vetëvndosjen”.
Një model i suksesshëm
Ditën tjetër do të takoheshim me kryetarin e këshillit të Shtypit, gazetarin e njohur Nehat Islami. Por kjo ditë shënoi edhe një rekord tjetër. Në takimet që do të organizonim në Prishtinë për të marrë përvojën që edhe në Shqipëri të organizojmë Këshillin e Shtypit, ishte parashikuar që të vinte me ne edhe kolegu im dhe kryetari i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Aleksandër Çipa. Mirëpo, për një arsye personale, nuk mundi të vinte që më datën 12. Na premtoi që do vinte më 13. Dhe në orën 9 e 30 minuta, më merr Andi në telefon nga dhoma e tij e më thotë që të dal ta pres Çipën. Ndërkohë ne akoma nuk ishim zgjuar. Takohemi me të, shkojmë në takimin me Nehatin dhe kolegët e tij dhe në orën 13 e 30, Çipa na thotë se do kthehem. Mirë i thamë është normale. Jo na tha do kthehm se më duhet të jem në Himarë sot. Si? Po nga Prishtina do të më duhet të jem në Himarë se nesër ka një veprimtari për tim atë. Babai i tij është poeti i shquar Lefter Çipa dhe Sandri ka një dobësi të madhe për të. Është një rekord që mund ta vendosë vetëm Sandër Çipa. Vetëm ai mund të udhëtojë brenda ditës Tiranë-Prishtinë-Himarë. Ndërkaq ne jemi njohur me përvojën e mrekullueshme të Këshillit të Shtypit në Prishtinë dhe Nehati një nga gazetarët e mrekullueshëm të Kosovës dhe një mik i shkëlqyer i yni, na fton për drekë. A do pimë verë a si është puna, bën shaka ai. Po ju nuk jini muxhahidanë, ec bre vlla mbushnai gotat, bën shaka Nehati. Dhe pas pak edhe unë duhet të ngrihem sepse më duhet të kthehem në Tiranë. Aty do të rrinë Vasilika, drejtuesja e projektit dhe Andi me Dorin. Në orën 15 nisem nga Prishtina për t’u kthyer në Tiranë. Jam i lumtur se pashë një Prishtinë ashtu siç e kisha në ëndërr, moderne të ngohtë dhe të qytetëruar. Pashë një Europë të vogël dhe nuk ndesha askund imazhin që përcjell media ndonjëherë ku myslimanizmi radikal përfillet si shenjë e parë. Jo, pashë motrën e bukur dhe të vogël të Tiranës sonë të shtrenjtë.
Add new comment