Planet Amerikane për Shqipërinë e pas-luftës

Postuar në 11 Janar, 2012 09:01
Malion Hoxhallari

Megjithëse kohët e fundit ka pasur një seri publikimesh mbi aktivitetin e misioneve aleate në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, pak ose aspak është shkruar mbi veprimtarinë e tyre gjatë periudhës së pasluftës.

Ndërkohë që forcat gjermane po përgatiteshin për t'u tërhequr nga Shqipëria, oficerët amerikanë të shërbimit sekret të kohës (OSS), të cilët ishin të atashuar pranë Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH-së që prej fundit të 1943, nisën nga puna për përpilimin e një plani masash që duheshin marrë menjëherë pas përfundimit të luftës. Pjesë nga ky plan është edhe dokumenti që po publikoj sot i cili është i klasifikuar “Sekret” dhe mban datën 18 shtator 1944.

Dokumenti, i cili është hapur ndaj publikut që prej vitit 2004, është i titulluar “Plan special për veprimtari të ardhshme të zbulimit sekret ne Shqipëri” (SPECIAL PLAN FOR FUTURE SI ACTIVITIES IN ALBANIA). Në këtë raport prej pesë faqesh, shkruesi [i cili besoj se duhet të jetë Harry Fultz] i parashtron eprorëve të tij në Washington masat e nevojshme që duhen marrë nga shërbimet inteligjente amerikane pas përfundimit të luftës në vendin tonë. Me të drejtë ai parashikonte se “pas largimit me forcë apo tërrheqjes së forcave gjermane, Shqipëria do të kalojë një periudhë të vështirë politiko-sociale, e cila do të shoqërohet me akte dhune ndërmjet partive kryesore politike në vend”. Gjithashtu ai shkruante se “rivendikimet territoriale greke dhe jugosllave ndaj Shqipërisë mund të çojnë në acarimin e marrëdhënieve deri aty sa të shkaktojnë edhe ndonjë konflikt mes palëve”. Si rrjedhojë, raportuesi dilte në përfundimin se “në këtë periudhë pasigurie, informacione sekrete të sigurta dhe asnjanëse në lidhje me çështjet e brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë, jo vetëm do të ndihmojnë në formulimin e politikave amerikane kundrejt Shqipërisë dhe vendeve fqinje, por edhe kundrejt fuqive të mëdha të cilat kanë interesa direkte ne këtë rajon”. Për pasojë, në fund të faqes së parë të raportit propozohet shtimi i veprimtarisë së zbulimit në Shqipëri si dhe dhënia e prioritetit maksimal mbledhjes së informatave mbi gjendjen politike në vend. Shkruesi përmend se “Departamenti i Shtetit do të ketë një nevojë speciale për informata rreth personaliteteve shqiptare te pas-luftës, formës së regjimit që do të krijohet, si dhe të marrëdhënieve që regjimi i ri do të krijojë me popullin, qeveritë e vendeve fqinje si dhe ato të Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik.”

Më tej raportuesi vazhdon duke dhënë një përshkrim të gjendjes së rrjetit agjenturor në Shqipëri [gjatë kohës së shkrimit të raportit], parashikimin e ardhjes së komunistëve në pushtet si dhe zgjerimin a operacioneve të seksionit të zbulimit sekret (Secret Intelligence) në vend.

“Pas largimit me forcë apo tërrheqjes së gjermanëve, është e sigurt se qeveria kukull do të shpërbëhet. Në rast se forcat aleate nuk do të jenë prezente në vend, atëherë situata do të degjenerojë në një luftë të vërtetë civile mes LNÇ-së (Lëvizja Nacional Çlirimtare) dhe forcave nacionaliste. Për momentin besojmë se edhe nëse do të organizoheshin zgjedhje të lira dhe të ndershme, personalitetet e LNÇ-së do të dominonin. Duket se ka pak mundësi që populli shqiptar të votojë për rikthimin në pushtet të Zogut.” Përsa i përket rrjetit të agjentëve ai shton: “Prej shumë muajsh SI (Zbulimi sekret) ka pasur një rrjet zbulimi që ka vepruar në Shqipëri. Përfaqësimi ynë ka qënë i dy llojeve: (1) personel i atashuar pranë grupeve guerrile rivale, nga të cilat vilnin informata (2) personel që ka vepruar i kamufluar pas vijave armike. Pjesa më e madhe e personelit të SI-së (Zbulimit Sekret) që kanë qenë të atashuar pranë fraksioneve politike në Shqipëri, nuk mund të përfshihen në operacione sekrete në periudhën e tranzicionit të pas-luftës pasi identiteti i tyre është i njohur [prej shqiptarëve]. Gjithsesi, këta persona do të jenë të nevojshëm për të grumbulluar informacione të hapura  mbi ekonominë, gjendjen sociale, e informacione të tjera të ngjashme për llogari të agjencive qeveritare aleate.”

Si rrjedhojë, raportuesi sygjeron se shërbimet amerikane duhet të dërgojnë oficerë të tjerë, të cilët nuk kishin shërbyer në Shqipëri gjatë luftës e për pasojë identiteti i tyre i vertetë do të ishte më i sigurtë. Ajo që të bën më shumë përshtypje është kërkesa e autorit për të infiltruar agjentë ilegalë në vendin tonë. Agjentët ilegalë apo NOC (Non-official cover operative) siç klasifikohen prej amerikanëve, veprojnë kryesisht në territore të klasifikuara “armiqësore” dhe pa mbulim diplomatik. Kjo do të thotë se në rast kapjeje të tyre, vendi dërgues mund të mohojë se kishte dijeni apo lidhje me agjentin në fjalë. Në faqen e tretë të raportit shkruesi thotë:

“Është e qartë se duhen krijuar legjenda që të lehtësojnë vendosjen dhe veprimtarinë e njerëzve tanë në Shqipëri. Kjo gjë mund të arrihet në dy mënyra. (1) Numri i shtetasve amerikanë me banim në Shqipëri përpara luftës ishte i vogël ashtu sikundër ishin edhe numri i sipërmarrjeve në pronësi të tyre. Gjithsesi kishte një numër të konsiderueshëm misionarësh fetarë dhe mësuesish pranë shkollave amerikane në Tiranë, Kavajë dhe Korçë sikundër dhe personeli i legatës. Ja vlen të theksohet se pas përfundimit të luftimeve, Shqipëria mund të mbulohet efektivisht nga një deri në tre prej këtyre personave dhe rrjetet lokale të cilët ata do të mund të rekrutojnë. (3) Në Shtetet e Bashkuara, Britani dhe Lindjen e Mesme, jetojnë shqiptarë të cilët u larguan prej vendit të tyre përpara apo pak pas pushtimit gjerman. Shumë prej tyre do të dëshironin të ktheheshin në atdhe pas çlirimit. Gjithsesi duhet thënë se bindjet e tyre politike janë aq të zjarrta sa që i bëjnë ata të pakualifikueshëm për të përcjellë informacion objektiv mbi Shqipërinë. Persona të lindur në Shtetet e Bashkuara nga prindër shqiptarë janë treguar më pak partizanë përsa i përket çështjeve të brendshme shqiptare, e për pasojë janë më të përshtatshëm për aktivitet operativ sesa persona të lindur dhe rritur në Shqipëri.”Në pikën c të faqes së katërt raportuesi shprehet se “ SI (Zbulimi Sekret) mund të përdorë Divizionin e Shkencës, Edukimit dhe Artit të Departamentit të Shtetit për të infiltruar agjentë në Shqipëri nën petkun e akademikëve.”

Ky dokument, si dhe shumë të tjerë të cilët po deklasifikohen dita-ditës, hedhin më tepër dritë mbi planet dhe veprimtarinë e shërbimeve amerikane në Shqipërinë e pas-luftës. Arkivat e miqve tanë përtej Atlantikut janë të mbushura me raporte që variojnë nga operacione të thjeshta për mbledhje informacionesh, deri tek ato më hollivudianet e dërgimit të grupeve diversante në brendësi të territorit shqiptar. Raporte të cilat nëse publikohen, do të qartësojnë disi ato vite të turbullta kur Shqipëria denjonte që t'i kundërvihej superfuqisë së botës perëndimore...

Comments

Submitted by Blerim (not verified) on

Gjithnje na ka dash Amerika. Por autori i raportit duhet te kete qene me dy fytyra, nje kopje te raportit ka shanse t'ua kete dergu edhe komunistave te Enverit.

Submitted by Niko Maloku (not verified) on

Dalngadale, po del ne shesh se regjimi i Hoxhes dhe ai vete  kishin te drejte kur flisnin per nderhyrjet e SHBA ne punet e brendeshme te vendit, jo vetem me spiunj, shume prej te cileve u denuan, por edhe me akte terroriste, qe do te dalin ne pah nga dokumente te tjera autentike amerikane.

Niko

Submitted by Anonim3 (not verified) on

Nenat amerikane qe ne djep i ushqejne foshnjat me dashuri per vendin e vogel te quajtur Albania, qe ndodhet diku ne Rusi ose ne Lindjen e Mesme.

Submitted by selua (not verified) on

Nqs shqiptaret kane ngelur ta mesojne historine nga njeri me mbiemer  Hoxhallari, ata jane ne piken me te ulet. Mos lexoni me keto budalleqe enveriste dhe nexhmijiste, dhe hiqini kapelen Fullcit se ai nuk kishe padrone, po ishte 100 karat burre, dhe e deshte Shqiperine si vendin e tij.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.