Party në Prishtinë

Postuar në 11 Shtator, 2012 05:15
Jan Wiele

Kjo pra na qenka liria? Më 10 shtator Republika e Kosovës merr sovranitetin e plotë: Një shtet i ri shikon përpara. Në të njëjtën kohë, shkrimtari me origjinë nga Kosova, Beqë Cufaj shtron një parabolë prozaike pesimiste mbi gjendjen në vendet e krizës, në të cilat angazhohen Organizatat Ndërkombëtare të Ndihmës: një libër mbi idealizmin e rrejshëm, planifikimet e gabuara, kaotike dhe festat në greminë. Si shkojnë gjitha këto bashkë? Një udhëtim midis fiktives dhe realitetit

Mbi sportelin për kontrollimin e pasaportave përshëndet nga kornizat e fotografisë një gjeneral brigade në veshje luftarake. Në murin me motive lulesh shkruan “Mirë se erdhët në Kosovë”. Gjenerali i brigadës është Adem Jashari, njëri nga themeluesit e UÇK-së, që u vra bashkë me pesëdhjete e gjashtë familjarë dhe miq në vitin 1998, nga ushtarët serbë. Që atëherë, ai për shqiptarët e Kosovës është hero i popullit. Sot, në aeroportin e pagëzuar me emrin e tij, aterojnë aeroplanë të linjave me çmime të ulëta.

Në aeroportin e një vendi, që aq shumë i ngjan Kosovës, fillon edhe romani i ri i Beqë Cufajt “Projekt@party” (Shtëpia Botuese Secession) dhe atë me një përshkrim, që në mënyrë të njëjtë ironike ilustron distancën ndërmjet gjermanit komod dhe vendit në krizë, i cili as dy orë të plota ajrore nuk është larg: një aeroplan me pllakatin e madh “Mmmh, Baden-Württemberg” ateron në një vend të huaj të botës, vend që në vazhdimësi të romanit do të quhet me “atje poshtë”. Në bordin e aeroplanit është ulur një njeri që ka përmbyllur gjithçka me jetën në Gjermani, dhe s’ka se çka humb më.

Kryeqyteti amorf

Gjendemi në një udhëtim të dyfishtë: Me imagjinatën e Beqë Cufajt jemi nisur në një vend, i cili shërben si shembull për historinë dhe të tashmen e gjithë atyre vendeve ku nga jashtë, si misionare apo kolonizatore, intervenon një qytetërim i përparuar në një “down nder” ose madje në një “Zemër errësire” të Conrad-it, siç mund të dekodohen ca aludime në roman. Disa ditë para 10 shtatorit, ditën kur vendi do ta fitojë sovranitetin e tij të plotë si shtet, me autorin Cufaj vizitojmë Kosovën reale.

Shikuar nga lart Kosova duket si një rrafshinë e gjerë, e verdhë në dritën e fundverës, një qetësim vizual shpirtëror pas fluturimit mbi kreshtat e fuqishme dhe peizazhet e vrazhda ballkanike. Nga vetura, mbi autostradën e sapondërtuar të qytetit, Prishtina duket si një mollok pompash benzine, qendrash tregtare dhe ndërtesash të papërfunduara. Për këtë pamje Cufaj thotë: “Sistemi është që nuk ka sistem fare”.

Cufaj, i lindur më 1970, në jug të Kosovës, ka shoqëruar dhe komentuar si shkrimtar dhe publicist në shumë mënyra historinë më të re të popullit të tij, veçanërisht atë të luftës deri tani të fundit në Evropë. Cufaj vetë njëherë shkroi: “Prishtina për të cilin zyrtarisht thuhet të ketë 200 mijë banorë, e që në të vërtetë mendohet t’i ketë 600 mijë banorë, me ndërtimet e saj të egra duket më amorfe se çdo qytet tjetër në Evropë”.

Në brendinë e qytetit dalin sheshit kontrastet e padurueshme brenda një hapësire fare të ngushtë: Në mesin e arkitekturës së gërryer të socializmit ballkanik qëndrojnë banka të mëdha me fasada të qelqta; rrugëve dominojnë karshi automobilave të vegjël të vendësve vetura të zeza të tipave “Nissan Pathfinders”, “Range Rovers” dhe limuzinat “Mercedes” me targa të OKB-së, EULEX-it, USAID-it dhe OSBE-së.

Nomadët globalë

Personazhi kryesor në romanin e Cufajt, është një nëpunës pranë misionit të Kombeve të Bashkuara: një profesor gjerman i shkencave humane, i cili ka marrë detyrën përsipër të organizojë ringjalljen e sektorit të arsimit. Nëpërmjet përvojës së tij ripasqyrohet se çka ndodh brenda një misioni të OKB-së dhe cilat mund të jenë efektet e tij. Përgjigjja del domosdo pesimiste: “Kjo përzierje e larmishme njerëzish nga kultura të ndryshme, qoftë në aspektin teorik apo praktik, ishte një çmenduri puro.

Në rregull synimi për të sjellë dy popuj me gjuhë krejtësisht të ndryshme që të jetojnë pa e vrarë njëri tjetrin brenda kufijve të njëjte, mirëpo si shpjegohet kjo, që po të njëjtit përgjegjës të kësaj ndërmarrjeje fisnike, diku tjetër paprekshëm, bëjnë po të njëjtën lojë vrasëse? Me aeroplanë luftarakë, me bomba, me topa dhe armë. Pa lënë anash në këtë drejtim teknologjinë e informimit. Nuk e kisha të plotësisht të qartë se çfarë roli kishim marrë përsipër”.

Romani lexohet lehtë e tretet rëndë. Që në titull manifestohet mllefi: Termet “Projekt” dhe “Party” janë diçka si esenca e përbuzjes ndaj nomadëve globalë të organizatave ndërkombëtare, të cilët kushedi si kanë përfunduar “atje poshtë” dhe sillen sikur të ishin në piedestal. Ata vallëzojnë, zbaviten, konsumojnë sende, të cilat vendorët as që mund t’i ëndërrojnë dhe rrinë ndër vete. Vetëm sa për t’u dukur sikur bëjnë diçka shpikin projekte e programe, zhvillojnë në shpejtësi ndonjë “Masterplan” për të cilin pastaj – siç thuhet në roman – ndonjë Kelly nga New York-u, eprore nga shtabi qendror i OKB-së, uron me komentin “Great”.

Për këtë libër Cufaj ka hulumtuar shumë vite, duke udhëtuar shpesh në Prishtinë, ku njeh plotë njerëz, vendorë dhe nëpunës të organizatave ndërkombëtare. Menjëherë pas përfundimit të luftës së Kosovës, ai qëndroi gjashtë muaj në Prishtinë, për të punuar si udhëheqës i fejtonit në riorganizimin e të së përditshmes “Koha ditore”. Gjatë kësaj kohe ai ka shkruar shumë për mirëkuptimin ndërmjet popujve, mirëpo shpejt duhej të konstatojë se “e gjitha nuk do të jetë aq lehtë”. Njëra nga fjalitë më të preferuara të Cufajt, është ajo e William Faulkner-it: “E kaluara nuk ka vdekur kurrë, ajo as që ka kaluar”.

Survejimi në “Tricky Dick”

Për drekë takojmë një mike të Cufajt, nëpunëse e Shoqatës për Bashkëpunim Ndërkombëtar. Ajo angazhohet për përmirësimin e punës pedagogjike të shkollave të Kosovës. Ajo është idealiste dhe raporton për sukseset e punës së saj. Një poete e re kosovare, të cilën Cufaj e ka ftuar në ndejë flet në të kundërtën për problemet e shumta që i ka për ta regjistruar të birin në një shkollë. S’ka transparencë gjatë dhënies së vendeve nëpër shkolla, privilegjohen ata që kanë “kontakte”. Restoranti në të cilin jemi duke ngrënë ka emër italian, po ashtu edhe menyja. Mysafirët duket të jenë të gjithë të huaj.

Në roman pinë dhe festojnë “ndërkombëtarët” në një estabilishment me emrin “Tricky Dick”. Patjetër një fiksion? Jo, thotë Cufaj, i cili flet përkryer gjermanishten, mirëpo shkruan në shqip, restoranti ekzistonte vërtet në Prishtinë. Mirëpo, emri i lokalit nuk aludon në truqet e ndyra të Richard Nixon-it, por në ato të të dërguarit special amerikan për Ballkanin, Richard Holbrooke, ndërkohë të ndjerë, i cili dikur negocionte me Slobodan Millosheviqin. Në internet lokali reklamon veten si “Prishtina First Expat Bar”.

Në vitrinën e lokalit shohim motivin e syzave, në njërën syze një gotë të mbushur me yje të flamurit amerikan dhe në tjetrën një sy të hapur. Motivi ka efektin e një metafore mbi misionin e survejimit, e cila mund të jetë menduar për afirmim, mirëpo që ndikon si vërejtje e fshehur për të huajt, e cila thotë: “Po survejoheni”!

Flasim për portretizimin e OKB-së në librin e Cufajt. Vërtet është kaq keq? Autori nënqesh: “Është roman”, thotë ai. Mirëpo pastaj bëhet puna serioze. “Vetëm si shembull”, thotë ai, ndër emisarët e OKB-së ka pasur edhe policë afrikanë të Mugabes. “Të Mugabes! Ata u dashka të sjellin demokracinë? Ose atëherë ajo letra e Brigit Bardo-së: Ju lutem shpëtoni qentë endacakë! Kafshët kanë vuajtur aq shumë gjatë luftës në Kosovë. Kafshët! Për diçka të tillë ka OJQ, të cilat dërgojnë nëpunës në Kosovë dhe mbledhin para nëpër Amerikë dhe Evropë. Dhe secili prej atyre idiotëve beson se duhet patjetër të shkruajë libër për Kosovën, vetëm se ka kaluar pak muaj këtu”. Cufaj mund të flasë me hidhërim. Në gazetën “Koha ditore” qysh para dhjetë vjetëve ai kishte shkruar: “Të rraskapitur nga jeta në UNMIK-istan”.

Gardhet e viktimave

Mirëpo, a nuk është përmirësuar dukshëm gjendja e republikës së re? Shëtisim rrugës “Nëna Tereze”, zonës prishtinase për këmbësorë. Këtu masat kanë festuar më 17 shkurt të vitit 2008, deklarimin e pavarësisë së Kosovës. Edhe Cufaj ishte aty. A do të ketë më 10 shtator edhe një festë të tillë. Atë ditë kur shteti do t’ia heqë vetes statusin me yll përsipër dhe do t’i japë fund mbikëqyrjes ndërkombëtare? Asfalti në fillim dhe në mbarim të rrugës deri atëherë nuk do të jetë mbaruar. Edhe këtu ndërtim i pafund. Cufaj thotë se kësaj radhe festa nuk do të ndiqet nga euforia e shikuesve nga e gjithë bota. Cufaj është kritik ndaj kastës politike, e cila tani rri ulur në parlament. Mbi ta shtohen akuzat për korrupsion dhe trafikim postesh.

Pse për shembull këtu ka pesë zv/kryeministra e jo një? “Shikoni Kosova është shtëpia më e varfër e Evropës. 72% e rinisë është e papunë”.

Shikimi përpara del konfuz kur e kaluara është omniprezente gjithandej. Në fund të rrugës mbërrijmë te një vend i rrethuar me tela, pranë së cilit Cufaj kalon me shpejtësi. Aty janë varur qindra fotografi viktimash të ekzekutuar gjatë masakrave serbe. Për shembull siç është rasti i Mejes, më 27 prill të vitit 1999, ku ushtria serbe në shenjë hakmarrjeje shoi tërë fshatin. Të dokumentuar janë 294 të vdekur. Janë portrete njerëzish të varur në gardhin metalik, të cilët zyrtarisht konsiderohen si të pagjetur. Nga lufta e Kosovës gjithsej 1800 veta konsiderohen si të pagjetur.

Gjithandej varre

Si figurë komplementare karshi misionarit modern, në romanin e Cufajt, ka edhe një vendës. Spektri i tij ndaj gjërave nuk është asfare më shpresëdhënës se sa ai i profesorit. Historia e përkthyesit Abe Beqiri tregon konfliktin e brendshëm të një njeriu, se çka do të thotë që brenda një konflikti etnik të punosh për ushtritë perëndimore dhe njëkohësisht duhet t’i mbetesh besnik thirrjes për mbrojtjen e familjes dhe atdheut. Ndoshta është Abe Beqiri një si ky Arbeni që vozit veturën tonë? Ne vetë tash jemi duke udhëtuar me një SUV, me një shpejtësi marramendëse drejt jugut të Kosovë, ku historia është edhe më prezente.

Mbërrijmë në Deçan, në vendlindjen e Cufajt: në pllakën e qytetit është shlyer varianti serbisht “Decani”. Rajoni i Dukagjinit ka qenë njëra nga fortesat e rezistencës shqiptare, një rajon i luftuar rëndë, ku UÇK dhe paramilitarët serbë zhvilluan luftë të ashpër guerile. Si shumë të rinj të asaj kohe që braktisnin Perëndimin për të luftuar kundër serbëve, edhe Arbeni, shoferi ynë, ka luftuar këndej. “Atëherë kam qëndruar dy vjet në pyll”, kjo është e gjitha çka mund t’i nxjerrim nga goja atij.

Atëkohë edhe Cufaj ishte në Perëndim. Ai mbetet atje. Në atdheun e tij, ai megjithatë është i rrënjosur thellë. Ai kurrë nuk ka fshehur mendimin e tij se në luftën e Kosovës dorasit ishin serbët e viktima shqiptarët. Edhe autori vetë ka përjetuar në lëkurën e vet se çka do të thotë përjashtimi dhe urrejtja në kohën kur në Universitetin e Prishtinës studionte letërsinë. Duke filluar nga viti 1991, shqiptarët, në mënyrë ofensive u përjashtuan nga institucionet. Nëpër ndërtesa lexoje pllakate të shkruara: “Ndalohet hyrja për qentë dhe shqiptarët”.

Cufaj nuk ka prekur kurrë armë me dorë. Shumica e atyre që e kanë bërë një gjë të tillë rrinë shtrirë nëpër varrezat, të cilat shfaqen gjithandej në çdo disa metra rrugëve. Në epitafe janë fotografi burrash me kallashnikovë, si zakonisht me ditëlindje të 1980 dhe me ditërënie ndërmjet vitit 1998-1999. Sado shpejt që udhëtojmë varret i kemi tërë kohën para vetes.

Në malet që fillojnë në Deçan, të cilat ndajnë Kosovën nga Shqipëria dhe këndej quhen “Bjeshkët e Nemuna”, vizitojmë një vend ku historia shqiptaro-serbe me përjashtime, ka pasur një kahe gotike: Jo vetëm se aty gjendet kisha e paprekur nga shkatërrimet e luftës, manastiri serbo-ortodoks i Deçanit me ansamblin e freskave të saj bizantine të mesjetës, porse aty kishte njerëz që i shpëtuan vdekjes. Njëri nga murgjit na rrëfen se si manastiri gjatë luftës pati shërbyer edhe si vendstrehim për të gjitha palët që kanë kërkuar ndihmë aty.

Shikimi i gurtë i murgut serb

Manastiri, i cili në vitin 2004, u shpall si trashëgimi kulturore botërore, para mureve të të cilit gjendet një pikëkontrolli e KFOR-it, megjithatë vazhdon të mbetet një gur që irriton, pasi që Serbia vazhdon ta konsiderojë si territor të vetin. Kur e pyetëm rreth pavarësimit të Kosovës, para se të thotë se deklaratat e tilla i ka të ndaluara nga hierarkia e kishës, murgu serb gurëzon fytyrën.

Natën e fundit në Prishtinë, sheshi i Nëna Tereze ka një atmosferë krejt tjetër; ajo është e gjallëruar me të rinj që hanë akullore, me burra pleq që kuvendojnë e rrinë ulur në bankat e sheshit, familje me karroca fëmijësh. Mund të ishte një mbrëmje verore krejt normale e një shteti jugor, mirëpo pamja nuk është reprezentative. Ndërmjet lëmshit të zërave dëgjohet dominueshëm gjermanishtja, e cila flitet nga kosovarët e diasporës që kanë ardhur këtu për të kaluar pushimet. Së shpejti ata do të kthehen sërish në München, Stuttgart, ku ka vite që jetojnë.

Gjatë darkimit në një restorant të njohur prishtinas me emrin “Tiffany's” i përjetojmë edhe një herë, në një hapësirë të ngushtë, kontradiktat e së tashmes kosovare. Në njërën nga tavolinat është ulur Ramush Haradinaj, nga disa i quajtur edhe “Rambo”, një ish-luftëtar i festuar i UÇK-së, i cili brenda viteve 2004-2005 kishte postin e kryeministrit (të dytë të radhës) të Kosovës në administrimin e UNMIK-ut. I njëjti që më vonë u akuzua nga Gjykata e Hagës për krime lufte. Ndërkohë ai është liruar për shkak të mungesës së dëshmive.

Për arsye se vendimi ende nuk është konfirmuar nga instanca e dytë, ai ende nuk ka të drejtë të zhvillojë aktivitete politike dhe ka ndalim të komunikimit të lirë. Si shumë të tjerë ai festohet si hero kombëtar, edhe pse në eter qarkullojnë akuza të rënda ndaj tij. Në rajonin ku ishim pasdite, prej nga vjen ai, gjithandej u ndeshëm me portretin e tij gjigant, të vizatur mureve të shtëpive. Gjatë qëndrimit të tij në burgun hetimor të Hagës, i është dërguar një libër me letrat e shkollarëve të klasës së pestë, të cilët pyesnin: “Rambo ku je”. Shumë njerëz besojnë se ai do të jetë kryeministri radhës në Kosovë.

Në tavolinën menjëherë pranë Haradinajt rri ulur një delegacion femrash e meshkujsh të rinj me shefin e reprezentantëve të misionit civil ndërkombëtar në Kosovë, Pieter Feith. Është një darkë lamtumirëse: Misioni i tij do të përfundojë më 10 shtator. Dëgjojmë se si u falënderohet bashkëpunëtoreve. Bien fjalë si “Without you we would never have succeeded” (Pa ju nuk do të kishim asnjëherë sukses). Cakërrojnë gotat me verë. Prapëseprapë: sa stabil është suksesi në Kosovë?

Para se të mbërrinim atje lexuam lajme lidhur me përforcimin e trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, ku vazhdimisht ka përplasje ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. Një nëpunëse gjermane e GIZ (Shoqërisë për bashkëpunim ndërkombëtar), një ditë më herët, na njoftoi për intervistimin e ca të rinjve kosovarë gjatë një festivali muzikor. Ata kishin thënë se po të kishin vërejtur se pas tyre gjendet një serb do ta kishin mbytur menjëherë.

Në fund të romanit të Cufajt vjen deri tek eskalimi i gjendjes. Misionarët e organizatave ndërkombëtare sulmohen me dhunë nga vendorët dhe detyrohen që të braktisin ikshëm vendin. Gjatë shikimit të nomadëve globalë që në realitet braktisnin restorantin dhe të cilët gjenden para largimit, në vesh i rri fjalia e Cufajt, që e tha ca orë më herët; “Në mesin tyre gjenden edhe ca, që qysh tani kanë drejtuar sytë ka Siria”.

(Me rastin e botimit të romanit “Projekt@party” të shkrimtarit Beqë Cufaj në gjermanishte, gazeta më prestigjioze gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» i kushtoi të shtunën që shkoi një portret dyfaqësh librit dhe autorit nga Kosova.)

 

Zëri

Comments

Submitted by Anonim (not verified) on

<p>Wow! Ky po që është LAJM i mirë për letërsinë dhe kulturën shqiptare! Përgëzime.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.