Nuk jeni për këtë punë, zoti ministër (letër e hapur për Ministrin e Arsimit dhe të Shkencës)

Postuar në 25 Mars, 2012 13:02
Eustrat Zhupa

Dalja juaj më e fundit në publik, zoti ministër, më ngacmon të hedh në letër dy mendime. Lexoj në komunikatat e ministrisë se ju qenkeni investuar personalisht për të bërë prezantimin e disa drejtuesve të ricikluar në universitete. A është vallë detyrë funksionale e ministrit të bëjë prezantimin e rektorëve dhe të zgjedhurve të tjerë? A nuk duhet të jenë këta të zgjedhurit e rinj të pavarur nga politika?

Mesa duket ju jeni lodhur nga qëndrimi në karrige dhe keni vendosur të dilni në skenë, por këtë e bëni në mënyrën më të mbrapshtë të mundshme. Eshtë evidente se ju ka ngelur ora në vitet e komunizmit. Ju vazhdoni të jepni udhëzime dhe mendje për tekstet dhe programet dhe hiqeni sikur jeni shumë i interesuar për arsimin, në një kohë që ligji nuk ju njeh të drejtën të jepni mendje dhe as të influenconi në çështje tekstesh ose në punë të tilla akademike, që duhet të jenë kompetencë eskluzive e universiteteve.

Lexoj në lajmet më të fundit të ministrisë se Z. Tafaj konsideron si sfidë cilësinë e studimeve në   të tre ciklet. Kjo për ju do ngelet vetëm një sfidë zoti ministër. Rezultatet e vlerësimeve të fundit tregojnë se universitetet shqiptare po shkojnë gjithnjë e më keq. Ata inxhinierë, që ju bëni sikur i pretendoni, nuk mund të dalin nëqoftëse në universitetet shqiptare futen studentë me pesa. Ato turma, zoti ministër, do futen "shul" e do dalin "lloz". Jam i bindur se nuk e vrisni mendjen shumë, por mos gënjeni popullin duke deklaruar se prisni të dalin inxhinierë, mjekë dhe shkencëtarë që të konkurrojnë me bashkëmoshatarët e tyre në botë, në një kohë kur mendimi i shumë drejtuesve në universitete është se këta të diplomuar u rrezikojnë vendet e punës. Do më ngelet gjithmonë në mendje një nga turpet e rektorit aktual të Universitetit të Vlorës, që me sinqeritet pohonte se nëqoftëse studentët diplomohen, pastaj do vijnë të na kërkojnë edhe punë. Ja ky është mentaliteti i disa prej atyre që ju zgjodhët në krye të universiteteve dhe që tani po i bekoni.

Midis të tjerash, dëgjoj se ju akoma vazhdoni me përrallat e Brain Gain, Ekselencë dhe parrulla si këto. Këtyre parrullave u ka dalë boja zoti ministër. Duhet të gjeni disa të tjera. Duke qenë se ju dhe zv/ministrat tuaj e keni për zemër ndonjë nga vendet fqinjë, pyesni njëherë për kuriozitet se si paguhen atje pedagogët e huaj. Pyesni njëherë homologët tuaj atje se çfarë kushtesh u ofrohen në universitetet publike atyre që ju pretendoni t'i merrni nga jashtë. Aty mund të kuptoni se parullat tuaja janë vetëm fjalë boshe.

Një tjetër propozim i juaji në daljet publike është përfshirja e profesorëve të huaj në mësimdhënie, por edhe e profesorëve shqiptarë në universitete të huaja.

Zoti ministër, ata të cilëve ju u keni dhënë titullin në Shqipëri me të famshmin Komision që drejtohet nga njerëz pa titull, nuk shkojnë dot në universitete të huaja, sepse nuk i pranon kush. Mbi të gjitha, këto janë arritje personale të secilit dhe nuk mund të bëhen me urdhër të peshkut. Aq më keq nëse ju mendoni se mund të vijnë profesorë të huaj në Shqipëri. Disa nga këta drejtues, që ju po i servirni arsimit shqiptar, nuk duan njerëz që kanë mbaruar jashtë. Nuk i duan sepse ndihen të rrezikuar. Nuk i duan afër sepse u dalin sheshit lakrat që kanë në tru. Për të ditur se si trajtohen pedagogët e huaj në këtë vendin tonë të përbashkët, zbrisni njëherë në Vlorë dhe pyesni rektorin se çfarë u bë me ata pedagogë që vinin në Vlorë dikur si të ftuar. Jam i sigurt se do të kuptoni që mesazhet tuaja aty transmetohen me zhurmë. Edhe për këto gjëra, midis shumë të tjerash, Universitetin e Vlorës mund ta konsideroni sot si një nga faktet me kokëfortë të dështimit tuaj politik.

Zoti ministër, mos u tregoni cinik në paaftësinë tuaj për të ndikuar pozitivisht në arsimin shqiptar. Do ju ftoja të largoheni sa më shpejt nga qeveria. Meqë në daljet tuaja publike shpreheni shumë i interesuar për të forcuar kërkimin shkencor, jepni shembullin personal. Në këtë mënyrë ndoshta mund të shpëtoni shpirtin tuaj, që për  shumë kohë do endet në kërkim të prehjes, pas mëkateve që ju i keni bërë rinisë shqiptare. Zgjohuni zoti ministër dhe veproni ashtu siç duhet, sepse hijet e mëkateve tuaja do ju ndjekin kudo dhe nuk do ju lenë të qetë.

Për të gjitha këto, kini guximin të më kundërshtoni zoti ministër. Nëse keni ndonjë gjë për të thënë, mos e mbani brenda. Në fund të fundit, bota kështu ka ecur përpara, me debate dhe me mosmarrëveshje. Nëse nuk keni gjë për të thënë, ju konfirmoni bindjen time se afati juaj si ministër ka skaduar prej kohësh, por mesa duket nuk ju ka ardhur radha për përcjelljen e fundit.

Në apelin tim për lustracion, zoti ministër, unë u lutem publikisht edhe atyre studentëve, që prej kohësh nuk po marrin përgjigje për kërkesat e tyre. Me këtë letër u kërkoj t'ju japin një dorë tani që jeni buzë greminës, së bashku me shpurrën tuaj të zv/ministrave dhe rektorëve. Eshtë një e keqe e domosdoshme dhe studentët duhet të jenë të sigurt se, kur ju zoti ministër, dhe gjithë ata që ju mbajnë ison, rrezikoni karrigen dhe interesat tuaja, bëheni më të arsyeshëm. Ju të dashur studentë keni shumë për të fituar, prandaj merrni në dorë fatin tuaj dhe pastroni plehrat që ndotin çdo ditë e më keq arsimimin dhe të ardhmen tuaj.

Comments

Submitted by Arsen (not verified) on

Autori! Po per ministrat e tjere cfare mendimi ke ?

Submitted by Drini (not verified) on

Eshte e pamundur qe ne te ashtuquajturat "universitete" shqiptare te dalin studente te kualifikuar.

Perderisa arsimi eshte privat dhe punon me fitim asnjhere nuk do te kete cilesi. Ne te gjitha shkollat e perendimit, arsimi eshte ceshtje e madhe dhe problemi kryesor eshte qe jane me humbje  te madhe ekonomike ne afate te shkurtra,por me fitim ne afate te gjata. Dalin prej tyre studente te afte qe me kerkimet shkencore bejne qe te kerkohen menyra te reja ne te gjitha fushat si ekonomi, mjeksi, ambient dhe ende alternative per energji. Keto qe thote ministri yne jane rregulla te dala prej ketej. Po eshte veshtire te zbatohen ne Shqiperi sepse jane te paret profesoret qe jane te thate ne mendime. Prandaj nuk pritet ndonje cilesi ne Shqiperi. Dhe tjetra duhet bere nje tentative sa njihen keto diploma ne perendim?Shoh neper te gjitha universitetet shqiptare mastera profesional dhe mastera shkencore.  Nuk ka mastera profesional, ketu quhen specializime pasuniversitare. Masteri eshte master!! te gjithe masterat jane shkencor. Po Shqiperia si Shqiperi koke me vete.

Submitted by Anonim (not verified) on

Siç jane universitetet private sot, ashtu do te jete Shqiperia neser .............

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.