Njerëz, kujdes! Ai mund të rikthehet

Postuar në 01 Korrik, 2013 05:56
Ilir Hashorva

Pa dyshim, Sali Berisha, qoftë në pozitë, qoftë në opozitë, është njeriu që dominoi politikën shqiptare në periudhën pas komuniste deri sot. Ai e dominoi atë me energji negative të jashtëzakonshme, ai pati zotësinë, apo paturpësinë, të kthente në favor të tij edhe faktet më komprometuese të bëmave të tij, ai shfrytëzoi naivitetin dhe kujtesën e shkurtër historike të shqiptarëve për t’iu paraqitur si Skënderbeu i dytë, si shpëtimtar i kombit, si hero i demokracisë, si burrë shteti. Ai bëri për vete gjysmën e popullsisë dhe armike gjysmën tjetër. Në këtë rast të dytë të dorëheqjes së tij (i pari ishte në vitin 1997), ai bëri që të disa të qanin, ashtu sikundër qanë Enver Hoxhën kur vdiq e të tjerë të ngazëlloheshin, ashtu siç u ngazëlluan kur rrëzuan monumentin e tij në qendër të Tiranës. Analiza e bëmave të Sali Berishës kërkon volume e volume, sepse e gjatë është edhe koha e veprimtarisë së tij dhe e ngjeshur është edhe kronika e veprimeve të tij. Në fjalimin që mbajti, një fjalim tipik i sekretarëve të Partisë së Punës, numëroi sukseset e viteve të fundit, por nuk tha asgjë për dështimet apo dëmet që i ka sjellë Shqipërisë, megjithëse nuk dihet nëse është i vetëdijshëm për to apo jo, pasi ai ka jetuar dhe jeton në një botë virtuale dhe në një botë të tillë ka bërë të jetojnë edhe pasuesit e tij fanatikë.

Unë do të analizoj shumë shkurtimisht vetëm katër veprime të Sali Berishës që, për mendimin tim janë nga më kryesoret e nga më negativet, me impakt për të gjithë vendin, duke lënë mënjanë veprimet e tij kundër shtresave të caktuara të popullsisë, kundër kundërshtarëve të tij politikë, kundër ish-pronarëve, kundër ish- të persekutuarve të komunizmit si dhe ato të korrupsionit familjar dhe shoqëror, për të cilat ai duhej të ishte larguar përfundimisht nga skena politike shqiptare, të paktën, që në vitin 2001. Këto katër veprime i përkasin periudhës nga viti 1992 deri në vitin 1998, kur dy vjet më pas Serbia do të sulmonte Kosovën për ta likuiduar atë e për të cilën ajo i kishte bërë përgatitjet vite më parë. Të para veç e veç këto katër veprime ndofta nuk kuptohen, por të para në mënyrë sinoptike, në mënyrë të përbashkët, dhe duke njohur edhe më mirë fakte të tjera të reja të bashkëpunimit të Berishës me Serbët, kthjellohen shumë gjëra dhe shikon që edhe ato veprime që duken të shkëputura të kenë lidhje me njëra-tjetrën dhe t’i ketë drejtuar i njëjti qëllim dhe e njëjta qendër.

Së pari në kohë, është shkatërrimi i të gjithë ekonomisë shqiptare, duke filluar nga viti 1992, kur Berisha erdhi në pushtet. Nuk mbeti fabrikë a uzinë, nuk mbeti serë bujqësore a kanal vaditës, nuk mbeti minierë a pus nafte, nuk mbeti institut studimi a projektimi pa u shkatërruar. Nuk e besoj kurrë se ajo që ndodhi ishte thjesht një reagim spontan i popullit ndaj asaj që qe ndërtuar më parë, apo se u prishën për t’u zëvendësuar me më të mira, siç thoshte Gramoz Pashkoja, autori i “Terapisë shok”, autori teorik i shkatërrimit. Ato u prishën me qëllim shkatërrimin e vendit. U shkatërruan fabrika të tilla si ajo e telave në Shkodër, apo ajo e veglave të preçizionit në Korçë me të cilat do të mburreshin edhe vende shumë të zhvilluara. Shkatërrimi i ekonomisë solli papunësi, varfëri dhe emigrim masiv. Asnjë shtet i përgjegjshëm nuk mund të lejonte veprime të tilla. Atë që do të bënte me forcë Serbia për të larguar shqiptarët nga Kosova, Shqipëria e bëri në këtë kohë, pra disa vite më parë vetë me qytetarët e saj.

Së dyti, është nxitja e popullsive së fshatrave, sidomos të zonave të veriut, por jo vetëm ata, për t’u dyndur, për të grabitur toka dhe për t’u vendosur në zonat e ulëta dhe sidomos në Tiranë. Flitet vazhdimisht për korrupsion të Sali Berishës. Mendoj se korrupsionin më të madh ai e realizoi pikërisht me rrethimin e qyteteve nga fshatarët të cilët i përdori për qëllimet e tij politike për marrjen e votave dhe ruajtjen e pushtetit. Fshatarët lanë tokat e tyre djerrë dhe u dyndën në qytete ku nuk ishin të përgatitur për të bërë asnjë punë. Kjo jo vetëm varfëroi fshatin dhe gjithë vendin, kjo jo vetëm që la boshllëqe në zonat kufitare, që për arsye të ndryshme nuk duhet të ndodhte kurrë, por shkatërroi edhe qytetet: rriti në to papunësinë, rriti kriminalitetin, krijoi probleme për arsimin dhe shëndetësinë, i dha qyteteve hijen e fshatit, shkaktoi armiqësi e konflikte midis pjesës së vjetër qytetare dhe të ardhurve fshatarë.

Së treti, është çështja e firmave rentiere. Ajo që ndodhi me ato firma ia kalon shumë më shumë ç’do fatkeqësie që ka kaluar Shqipëria gjatë shekullit të njëzetë. Sali Berisha i inkurajoi ato firma, inkurajoi edhe popullin të investonte në to dhe pastaj, pa pritur, urdhëroi mbylljen e tyre, pa dhënë asnjë garanci për ata që kishin investuar për të marrë paratë e depozituara, në një kohë që dihej që të gjitha paratë ishin në bankat e shteti. Sali Berisha herë thoshte se ato firma ranë e herë të tjera se i mbylli ai. E vërteta është se i mbylli ai. E keqja me firmat nuk ishte lejimi i tyre, siç gjoja pranon me hipokrizi si gabim të tijin Sali Berisha, por mënyra se si i mbylli. Një problem që mund të ishte midis privatëve, midis firmave dhe qytetarëve, Berisha e shndërroi në një problem midis qytetarëve dhe shtetit. Çdo gjë ndodhi e menduar me kujdes që të sillte reagimin më të ashpër të qytetarëve shqiptarë ndaj shtetit të tyre. Shqipëria, pas 4-5 vjet stabiliteti relativ, u kthye përsëri në gërmadhë. Shumë analistë e paraqitën problemin sikur disa mashtrues (pronarët e firmave) gënjyen një popull budalla, për t’u marrë kursimet, apo të tjerë se ajo që ndodhi ishte rebelim komunist dhe Berisha për të shpëtuar Shqipërinë nga gjakderdhja u tërhoq. Nuk është fare kështu. Berisha hapi depot e armëve dhe armatosi shqiptarët, i bëri ata të vrisnin njëri-tjetrin, ushtrinë e shpartalloi, institucionet e shtetit i shkatërroi, krijoi valë të reja emigrimi, vetë u largua përkohësisht nga politika, por u rikthye.

Së katërti, vrasja e Azem Hajdarit, të cilin, në mos e vrau vetë Berisha, ia përgatiti vrasjen. Azem Hajdari, jo se ishte ndonjë figurë e rëndësishme politike, por kishte popullaritet dhe Saliu e përdori vrasjen e tij në favorin e tij, ashtu siç u përdor në vitin 1924 figura e Avni Rustemit për kryengritje të armatosur kundër qeverisë. Ai ngriti popullin gjoja të revoltuar dhe me të sulmoi institucionet e shtetit të porsangritur, madje edhe me armë, duke i dhënë edhe një grusht të ri Shqipërisë, për të mos e lënë të merrte frymë pas tragjedisë së një viti më parë të mbylljes së firmave rentiere. Shqipëria mori grushtin e katërt.

Nuk them me siguri se të katër rastet ishin projektuar në Beograd dhe u vunë në jetë nga Sali Berisha në Shqipëri, se për këtë nuk ka ende fakte të pastra, por me siguri mund të them se të katër këto raste kanë shkuar në të mirë të Beogradit i cili kishte planifikuar dhe kishte përgatitur sulmin për likuidimin e Kosovës Shqiptare. Shkatërrimi i njëpasnjëshëm fizik dhe moral i Shqipërisë do t’i hiqte Kosovës një mbështetje tepër të nevojshme, jo vetëm në plan kombëtar, por edhe në atë ndërkombëtar. Ai shkatërrim nga vetë shqiptarët ishte dhurata më e mirë që mund t’i bëhej Beogradit. Të mos harrojmë se në fund të kësaj periudhe ishin bërë të njohura lidhjet e Sali Berishës me Serbinë dhe sidomos, veprimet e tij antishqiptare si marrëveshja me serbët për thyerjen e embargos ndërkombëtare të naftës dhe furnizimin e Serbisë nga Shqipëria, dënimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kundërshtimi i Marrëveshjes së Rambujesë, pa të cilën Kosova nuk do të ekzistonte sot. Duke pasur parasysh këto ngjarje dhe fakte që ndodhën të drejtuara nga vetë Sali Berisha nuk mund të mos mendosh se u bënë pa qëllim.

Pas shpëtimit të Kosovës në vitin 2000, shpëtoi edhe Shqipëria, veprimtaria negative kombëtare masive e Sali Berishës u pakësua, por ajo vazhdoi në mënyra të tjera.

Sali Berisha deklaroi se dha dorëheqjen nga të gjitha funksionet në Partinë Demokratike, por duke qenë se ai njihet si mitoman e si gënjeshtar patologjik, si një gënjeshtar që vepron pa vetëdije, si një gënjeshtar që gënjen edhe për gjëra pa pikë rëndësie, nuk mund të besohen plotësisht për ato që tha. Nuk do të ketë asgjë për t’u çuditur në qoftë se, pavarësisht se tha se do të jetë një anëtar i thjeshtë partie si të gjithë të tjerët dhe se do të mbetet vetëm deputet, do të jetë ai që do të zgjedhë pasardhësit dhe do të jetë ai që do të drejtojë në hije partinë. Mundet, gjithashtu, që vetë partia të krijojë ndonjë post enkas për të, për shembull, një post si President i Partisë që do të jetë edhe më i lartë se ai i udhëheqësit të partisë. Jo vetëm kaq, por mund të ndodhë edhe që më të mundshmit për postin e udhëheqësit të mos pranojnë t’i zënë vendin, sepse ashtu do të demonstrojnë servilizmin dhe besnikërinë ndaj tij, dhe, kështu, Sali Berisha i nesërm mund të bëhet personi që do të zëvendësojë Sali Berishën e sotëm. Ai mund të thotë në atë rast se nuk donte, por se e detyruan forumet e partisë të bëhej përsëri “lider”. Sali Berisha nuk mund të jetojë pa protagonizëm, ai nuk mund të qëndrojë në fund të sallës së mbledhjes e të dëgjojë të tjerët, ai do të qëndrojë në krye të saj për ta dëgjuar të tjerët e për t’i urdhëruar ata.

Në fjalimin e tij të dorëheqjes nga kryetarllëku i partisë, ai nuk paraqiti dorëheqje të parevokueshme, ashtu siç paraqesin përgjithësisht udhëheqës që nuk kanë ndërmend të kthehen më në postet që kanë pasur, por tha: “Kështu që, duke marrë gjithë përgjegjësitë që vërtet më takojnë, në një vendim të prerë, kam vendosur të jap dorëheqjen nga të gjitha funksionet e mia në forumet e Partisë Demokratike të jem thjesht njëri prej jush, anëtar i PD-së dhe deputet i saj, të punoj me përkushtim të madh së bashku me ju dhe lidershipin e ri, për të mbrojtur dhe promovuar si opozitë, vlerat dhe parimet themelore të programit tonë, për ta shndërruar atë përsëri në një program të shumicës së shqiptarëve. Ndaj dhe ju lutem të mos gaboni të merrni apo të konsideroni këtë fjalë si një fjalim lamtumire. I tillë ky nuk është”. Përgjegjësitë që thotë se merr dhe dorëheqja që deklaron, janë thjesht hipokrizi dhe demagogji.

Njerëz, kujdes! Sali Berisha mund të rikthehet.

Comments

Submitted by Lleshi (not verified) on

Ha.....ha.....ha....... Njerez mos e cani fare se ai nuk ka ikur kurre ! Njerez kujdes ai duhet futur ne burg per krimet e kreyra ! Njerez , ai nuk ka asnje mundesi te rikthehet sepse duhet te vuaje per krimet qe ka bere ! Njerez "revolucionin e heshtur" ky kriminel nuk duhet ta kuptoje si dobesi ! Njerez beni gati gijotinen si ne Francen e Robespierit apo ne Angline e Kromuellit !

Eshte permbysje epokale dhe jo "rrotacion" ! Ne qofte rrotecion , atehere Shqiperia , levizjen drejt perendimit e paska shtyre per me tutje perseri............

Submitted by voica (not verified) on

Z. Ilir.

Nuk kuptoj vetem se kur te ka "ngecur" ne mendje, ose kush t'a ka "sqaruar" idene se Revolucioni i '24-es ishte grusht shteti. Sepse pikerisht ketej lind mendimi tend qe paralelizon Avni Rustemin me Azem Hajdarin. Keshtu ftillohen gjerat?! Vrasje per vrasje?!

Uroj mos te jesh historian per nga profesioni.

Submitted by Lleshi (not verified) on

Ilir , nuk gabon ne asnje nga keto qe thua ! E gjitha eshte nje skeme e organizuar antishqiptare ! Dhe te them te drejten une nuk eshte se kam ndonje besim tek kasta "Rilehese" se pervec "lehjeve" do te na sjellin ndonje mbaresi ne cberjen e kesaj veprimtarie te thelle dhe afatgjate antishqiptare ! Pa per (Ri)lindje duhet mbjelle "fare e re"..............

Submitted by ILIRET (not verified) on

Nje pyetje qe doja t'ua beja te gjithe shqiptareve qe kane mundesi te perdorin logjiken:                                                     Ne se, nuk do te ishte Sali Berisha ne krye te shtetit shqiptar ne vitin 1996, kur lejoi skemat piramidale, por nje shqiptar i ditur dhe i pergjegjshem, a e imagjinoni se ku do te ishte Shqiperia sot ?

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.