Një përkthim i së të vërtetës mbi vjedhjen e Bankës

Disa ditë më parë analiza ime për të vërtetën e ndriçuar deri më tani mbi vjedhjen në Bankën e Shqipërisë mori komente kundërthënëse. Disa më thanë se e kisha tepruar me mbrojtjen e Guvernatorit, dhe në këtë logjikë e kisha quajtur të vogël vjedhjen e Bankës (?!), ndërsa disa të tjerë më vlerësonin për të kundërtën. Akoma: disa më kishin dhënë të drejtë, në ftesën time për të zgjeruar spektrin e verifikimit mediatik mbi fushën e veprimit të Bankës. Pse? Sepse ky fushëveprim është aq i gjerë, më thoshte dikush, sa vjedhja e Bitrajt përpjesëtimisht mund të ishte një gjë krejt e vogël në raport me operacionet e tjera që kryen Banka nën përgjegjësinë e Guvernatorit dhe ku potenciali për korrupsion, për ndërlidhje korruptive me politikën, ishte tepër i lartë. Nuk e mohoj që një analizë e stilit tim jo bërtitës, për më shumë rreth një ngjarjeje me dinamikë shumë të shpejtë, mund të krijojë komente kundërthënëse dhe të zhvleftësohet nga rrjedhja e ngjarjeve. Ka ndodhur dhe mund të ndodhë. Përpjekja për të ruajtur distancë emocionale nga ngjarja dhe protagonistët e saj mund ta ketë bërë të errët gjykimin që qëndron në themel të përfundimeve të caktuara në një analizë gazetareske. Ajo nuk është një punim voluminoz kërkimor ku ofrohen gjithë qasjet e ndryshme rreth një çështjeje të caktuar dhe trysnia e kohës dhe hapësirës së kufizuar në një gazetë bën që disa argumente të mos kenë vëllimin e duhur, ndërsa proporcioni në argumente mund të mos jetë më i përkryeri. Ndaj nuk paragjykoj askënd prej atyre që kanë dyshuar për integritetin e analizës, përfshi dhe të kompleksuarit, aktivistët sovranë të mediave të reja, punëtorët e grupeve të interesit mediatik ose politik që imagjinojnë ose nuk imagjinojnë se si shefat mund të shkëpusin ndonjë përfitim të gjithëllojshëm nga kufoma morale e Guvernatorit. Me këtë bindje vetëkritike më duket se nevojitet një përkthim më i qartë i argumenteve të mia të shkrimit të fundit. Po e bëj pa ndryshuar asgjë prej qëndrimeve të mia sepse s’kam asnjë motiv, duke iu mbajtur fort parimit të koherencës në arsyetimin publik, që më udhëheq. E kam thënë qartë në atë shkrim që në krye të herës se në çdo vend normal, Guvernatori do jepte dorëheqje, nisur nga përgjegjësia morale e tij. Por duke parë se ai s’po e bën këtë, sugjeroja që qasja mediatike ndaj përgjegjësisë së tij duhet të jetë institucionale, d.m.th. ligjore, krahas personalizimit dhe përmasës së kronikës të së përditshmes. Kjo qasje që e sugjeroja, siç po e tregojnë zbulimet e reja të mediave në këtë kah, po e rëndon më shumë pozitën e Guvernatorit, por dhe të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës. Pra shkrimi s’kishte kurrfarë qasjeje mbrojtëse, por përkundrazi. Në shkrim sipas optikës institucionaliste, jo personalizuese, vlerësohej puna e mediave që gjej rastin t’i përmend sot, si “Panorama” dhe Top-Channel në veçanti, që kishin nxitur afrimin e ILDKP-së dhe KLSH-së, nëpërmjet shpërfaqjes së problemeve në deklarimin e pasurisë së zotit Fullani, me auditin e brendshëm dhe të jashtëm të Bankës së Shqipërisë. Ndërkohë, shkrimi kishte një lloj vërejtje të lehtë për teprimin me “dritat e forta” mbi huqet me të vërtetë të tepruara të disa familjarëve të zotit Fullani, nëpërmjet rrënimit në instagramet dhe Facebook-un e tyre (të ngjashme dhe me huqe fëmijësh të politikanëve për shembull), si lidhje e shkurtër me fajësinë e Guvernatorit në grabitjen e fundit. Një vëmendje e tillë mediatike edhe mbi momente vërtet tronditëse të shpërfaqjes së luksit nga familjarët e zotit Fullani është plotësisht e drejtë, por ajo në respekt të kufijve të privatësisë duhet të jetë mbi të gjitha figurat që administrojnë pushtet publik. Ndërkohë projektorët në masë më të madhe do duhen vendosur dhe te pjesë të tjera të veprimtarisë së Bankës apo Guvernatorit, që mbase s’janë aq të thjeshta sa Instagrami apo Facebook-u, që ndikojnë fuqimisht në planin emocional te qytetarët. Kjo qasje institucionale, gjegjësisht ligjore megjithëse bezdisëse, megjithëse ngjan si pak si tepër e paanshme, është qasja e duhur. Për shembull, cila është rruga për t’iu përgjigjur thashethemeve mbase të themelta se përmasat e vjedhjes janë më të mëdha sesa 7.13 milionë dollarë? Si mund të vërtetohen thashethemet e tjera për operacione të diskutueshme me ndërrimin e valutës, apo për llogaritë e politikanëve jashtë vendit, që shpjegojnë mbështetjen politike ndaj Guvernatorit? Me gjyqe popullore që rrisin emocionet kundër Guvernatorit, apo me gjyqe morale që s’dihen nga kush bëhen? Gjyqet popullore janë plotësisht të domosdoshme dhe këtu përfshij dhe protestën që e quaj plotësisht të drejtë, pa hyrë fare në analizën e organizatorëve. Por a nuk duhet qasje tërësore, përveç përmasës emocionale që e kap kollaj vëmendja e reporterëve dhe më të thjeshtë? Qasja institucionale apo ligjore nënkupton më së pari zbulimin e zinxhirit të përgjegjësive për vjedhjen e thesarit nga niveli më i ulët te niveli më i lartë, përkatësisht Guvernatori dhe Këshilli Mbikëqyrës, siç e nënvizonte me të drejtë një anëtar autoritar i këtij Këshilli si profesor Adrian Civici. Zbulimi i konstatimeve të FMN-së për problemet në auditin e brendshëm dhe të jashtëm janë jashtëzakonisht të dobishme në këtë linjë mendimi, por mediat i bënë publike vetëm ditët e fundit, ndërkohë që FMN ka folur para pak kohësh. Ndërkohë, në debat do duhen përfshirë specialistë, ekspertë të së drejtës bankare, apo të financës bankare që gjenden në universitetet tona private apo publike, që kanë studiuar jashtë vendit, jashtë konfliktit të interesit apo rrjetës së blerjes së mendimit të lirë për t’i përngjitur debatit aktual cilësi dhe sistem referimi: ligjin dhe institucionet. Vjedhja e thesarit të Bankës ka potencialin të shndërrohet me të vërtetë në ngjarjen e shekullit për disa arsye të tjera. Shoqëria shqiptare, falë medias dhe ekspertëve (jo politikës që duhet t’i rrijë larg) duhet të fillojë të diskutojë më cilësisht rreth një institucioni kaq të rëndësishëm. Prokuroria, gjithashtu një institucion i pavarur, ka rastin ta demonstrojë pavarësinë e vet në një rast kaq të madh si ky, ku mund të ketë ndërthurje përgjegjësish të dy kaheve të politikës. Bashkësia ndërkombëtare që asiston Shqipërinë, gjithashtu ka rastin të përfshihet cilësisht në hetimin e kësaj ngjarjeje, mbase duke e ushqyer me hetimet e veta, në mënyrë që nëpërmjet ndjekjes së fillit të veprimtarisë kriminale financiare që u ngatërrua në repartin e stokut të Bankës së Shqipërisë, të shkojë deri te paratë e politikanëve që rrugëtojnë dhe jashtë kufirit për t’u ruajtur. Kështu do kuptohet më mirë raporti i politikës me Bankën e Shqipërisë dhe shumë çudira të tjera që s’dalin dot në Instagram. Nga një proces hetimi, debati, diskutimi publik që mund të rridhte kështu, me kaq shumë aktorë të brendshëm dhe të huaj, Shqipëria mund të merrte një dozë të madhe pastrimi publik, që do t’i vlente për një farë kohe. Më vjen keq që m’u desh ta përktheja shkrimin e fundit, ashtu si më vjen mirë që zhvillimet e ditëve që e pasuan më dhanë të drejtë. Përgjegjësitë e një autoriteti si Guvernatori i Bankës Qendrore duhen trajtuar me seriozitet, ftohtësi dhe këmbëngulje sipas ligjeve, duke e konsideruar si institucion kompleks veçse si individ, me ekspertizë krahas emocioneve.
"Panorama"
Add new comment