Nga Kuteli, në pritje të guvernatorit të ri

Në veprën e tij “Banka Kombëtare Shqiptare” botuar në 1936 Dh. Pasko në mbyllje shkruan: “Të kesh një monedhë të stabilizuar në kohët tona kur gjithë ato monedha janë shembur për shkak të krizës ekonomike të përgjithshme është një fakt evident që të bën përshtypje. Ky fakt përbën një krenari të vërtetë për udhëheqësit e Bankës Kombëtare të Shqipërisë”. Mitrush Kuteli planifikonte të shkruante dhe një Histori të Bankës së Shqipërisë pas luftës por duke qenë se iu kundërvu Jugosllavëve që herët dhe idesë së parifikimit të lekut me dinarin, u bë shpejt i padëshirueshëm dhe mandej u arrestua. Ndonëse ishte i pari shqiptar që kishte marrë titullin e doktorit të shkencave ekonomike me veprën “Sistemet e Bankave të Emisionit të Vendeve Ballkanike”.
Parifikimi do të sillte katastrofën e monedhës tonë. Mitrushi e shpalli këtë vendim dhe dha dorëheqjen nga Banka e Shtetit Shqiptar. Ai ishte gjithashtu i pari që denoncoi tradhtinë e Myfit bej Libohovës dhe prirjen e tij zullumqare për të përvetësuar një pjesë të mdhe të thesarit të shtetit nga afera me italianët. Ishte po ashtu i “krisur” në guximin e tij për t`ua hedhur gjermanëve dhe për të dalë jashtë Tiranës i maskuar ndërkohë që nazistët kërkonin ta varnin vetëm dhe vetëm për të shpëtuar kopjen e vetme të marrëveshjes për ruajtjen e arit nëGjermani. Nazistët synonin ta zhduknin kopjen shqiptare të akt-marrëveshjes por Dr. Pas (siç e thërrisnin asokohe) e kishte fotokopjuar dhe ruajtur atë. Në kohën e luftës vuri kokën në rrezik duke marrë rrugën për në Kukës dhe Koplik, dy pika të rëndësishme kufitare për të vulosur monedhën dhe ruajtur stabilitetin monetar. Regjimi komunist e thirri fillimisht si riorganizator të Bankës Kombëtare por shpejt e degdisi tej, burgosi dhe internoi kur pa qibrën e tij profesionale.
Sot kur ka kaluar më shumë se gjysëm shekulli nga ajo kohë, Banka e Shqipërisë ka disa muaj që është thyer në vëmendje. Fatkeqësisht jo për mirë. Skandali që dukej se do ishte një nga ato tre ditët e famshme që së shpejti lihet në harresë, në fakt tërhoqi jo pak vëmendjen e opinionit publik. Aktivistë të shoqërisë civile protestuan dhe mblodhën firma për ditë me radhë ndonëse hasën rezistencë të pazakontë nga ana e politikës. Sot një sërë funksionarësh të lartë të Bankës përfshirë ish-governatorin Fullani janë në ndjekje penale dhe ish-kryeinspektorja Golemi është në burg, dhe pavarësisht parimit të prezumimit të pafajësisë që qëndron deri sa të kemi vendim të formës së prerë, kemi një verdikt moral përsa i përket fajit që kurrsesi nuk mund dhe duhet të lihet pa fajtor.
Ndërkohëqë kanë aplikuar mbi 151 aplikantë për antarë të Këshillit Mbikqyrës dhe mbi 30 për postin e Governatorit, respektivisht në zyrat përkatëse të Kryeministrit të vendit dhe Presidentit të Republikës, këta të fundit janë ende të ndarë mes një governatori të huaj apo vendas, apo që duhet ëprzgjedhur nga 9-shja e antarëve të Këshillit apo jo domosdoshmërisht. Në një vend ku bihet dakord veç për mos të rënë dakord, kjo nuk përbën më as çudi dhe as lajm. E rëndësishme është që mos të kemi më nga ato tenderat që bëheshin me prokurim të drejtëpërdrejtë dhe ku vetëm ai i kateringut (ushqimit) ishte 65 milionë dhe ai i perdeve dhe grillave 150 milionë apo shpenzimet e fryra të qerave që nuk i gjen as në Manhatan apo City.
Apo kur u referohesh shifrave të tjera të fryra ku për shembull numri i punonjesve per vitin 2013 eshte ulur me 13 veta ndersa shpenzimet per pagat jane rritur me 27 milion leke, ndërkohë që nga 2010 ne 2013 jane punesuar 23 veta ne BQSH. Në vitin 2013 ky raport ishte 2 214 286 lekë/vit ose 184 524 lekë/muaj mesatarisht për të punësuar. Duhet thënë qëbanka ka një autonomi të sajën në përcaktimin e shpenzimeve dhe strukturës së personelit, duke shënuar kështu një institucion unik në kontekstin e tërësisë së institucioneve të Shtetit.
Ana tjetër e medaljes është politikat e mefshta të Bankës në drejtim të nxitjes së rritjes ekonomike ku Banka mban peshën dhe rolin e saj specifik në nxitjen që iu bën bankave të nivelit të dytë nëpërmjet politikave monetare. Por po t’i referohemi stokut të depozitave dhe kredive të bankave tregtare në raport me PBB-në, sipas edhe raportit të fundit të FMN-së “Shqipëria është e para përsa i përket nivelit të depozitave në raport me PBB-në, me 71% të PBB-së në Ballkan por ndër të fundit lidhur me kanalizimin e këtyre depozitave në ekonomi, me një tregues prej vetëm 38.9% (e fundit është Kosova me 36% dhe më mirë paraqitet Kroacia me 71%). Nga ana tjetër bankat e nivelit të dytë, ndonëse me tepricë likuiditeti si rezultat i rënies konstante të interesave të depozitave të kursimit, nuk e kanë reflektuar aspak këtë në rënien e normës së interesave të kredisë ku vetëm në muajin e fundit u shfaq një rënie e mekur e tyre ndërkohë që vazhdojnë të jenë po aq të shtrenguara përsa iu përket kritereve. Parë në këtë prizëm, sfidat janë të shumta përballë Governatorit dhe Këshillit të ri ku parësore mbetet rikthimi i besimit të publikut, rritja e transparencës, reduktimi i bonuseve dhe shpërblimeve të fryra, vendosja e kufirit mbi pagat dhe shpërblimet etj.
Ilir Kalemaj
“Gazeta Shqiptare”
Add new comment