Nga Kennan-i te Trocki

Rusia dhe Kina sot gëzojnë të njëjtin avantazh të madh strategjik përkundrejt ShBA-së, që Shtetet e Bashkuara gëzonin përgjatë 44 viteve të Luftës së Ftohtë. Bashkimi Sovjetik ishte asokohe superfuqia e të majtës, ashtu si e majta kuptohej globalisht që prej Revolucionit francez. Ishte shteti i angazhuar për promovimin e ndryshimeve revolucionare në të gjithë botën.
Shtetet e Bashkuara, për kontrast, ishin superfuqia e së djathtës. Ishte e angazhuar për ruajtjen e stabilitetit dhe vazhdimësisë së sistemeve qeveritare në botë.
Shtetet e Bashkuara e fituan Luftën e Ftohtë. Dëshira për qëndrueshmëri, paqe dhe vazhdimësi mes qeverive dhe popujve doli padyshim më e fortë se shkëndijat kalimtare të etheve revolucionare. Bashkimi Sovjetik në fund u lodh fizikisht dhe u izolua botërisht nga angazhimi i tij ideologjik për ndryshimet revolucionare.
Sot, megjithatë, rolet e dy fuqive të mëdha kanë ndryshuar. Që nga shfaqja e Madeleine Albright si Sekretare e Shtetit më 1997, Shtetet e Bashkuara gjithmonë e më shumë janë angazhuar ideologjikisht për përhapjen e ‘demokracisë të pudrosur të çastit’ për çdo komb të botës, përkufizuar dhe aprovuar nga Shtetet e Bashkuara. Rusia dhe Kina janë bërë fuqitë kryesore ‘konservatore’ apo ‘të djathta’ për ruajtjen e status quo-së.
Për ironi, angazhimi i Shteteve të Bashkuara për revolucion të vazhdueshëm në të gjithë botën është një ringjallje e koncepteve të diskredituara të Leon Trockit. Josif Stalin i braktisi idetë e Trockit më 1920, kur mori drejtimin e Bashkimit Sovjetik. Kjo i dha atij fleksibilitetin ideologjik për të krijuar Aleancën e Madhe me Shtetet e Bashkuara dhe Perandorinë Britanike që fitoi Luftën e Dytë Botërore-Lufta e Madhe Patriotike.
Por Nikita Hrushovi e risolli konceptin rrënimtar të Trockit: ai dhe pasuesi i tij, Leonid Brezhnjev, e thanë fare superfuqinë e tyre duke përdorur burimet për promovimin e revolucionit në të gjithë botën në zhvillim e sipër, që nga Egjipti në 1954 deri tek Afganistani më 1979-1987. Kjo çoi në kolapsin e sistemit sovjetik. Kjo gjithashtu i bëri qeveritë e tjera që të kërkonin mbrojtje nga përpjekjet për të rritur zjarrin e revolucionit brenda tyre, duke u kthyer kah Shtetet e Bashkuara për siguri, sipas termave të ShBA-së.
Sot, janë Shtetet e Bashkuara nën drejtimin e presidentëve nga të dyja partitë që kanë përqafuar idenë e gënjeshtër trockiste. Revolucion i Përhershëm deri sa të arrihet Demokracia Totale dhe Perfekte, është bërë politika bipartizane e Shteteve të Bashkuara. Kjo vetëm mund të përfundojë ashtu siç ka përfunduar: për Maximilien Robespierre-in në Revolucionin Francez dhe për Trockin në atë Bolshevik.
Është e përshtatshme që shumë prej atyre të gjeneratës së vjetër të neokonservatorëve amerikanë e kanë filluar jetën si komunistë entuziastë në vitet ‘30, ‘40. Neokonservatorët e sotëm janë në të vërtetë neo-trockistë që promovojnë entuziazmin e vjetër, dhe të destinuar për dështim nën një petk të ri.
Për kontrast, Rusia dhe Kina po udhëhiqen nga qeveri shumë pragmatike, që ndjekin rrugën e përfitimit dhe vetinteresit. Ato mbështesin dhe duan të bëjnë biznes me qeveritë dhe sistemet qeverisëse ekzistuese në të gjithë botën. Kjo i ka bërë ato fuqitë e mëdha të së djathtës të shekullit të 21-të.
Kjo është forca strategjike dhe psikologjike prapa suksesit të madh të Kinës në zhvendosjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian në Afrikë. Ndihma dhe investimet kineze vijnë pa detyrimet ideologjike destabilizuese dhe mundësisht revolucionare, që vënë në rrezik sistemet ekzistuese të qeverive në atë rajon.
Qeveritë e Kinës dhe Rusisë e urrejnë dhe e kanë frikë revolucionin dhe e shohin promovimin e pafund ideologjik të demokracisë alla-amerikane për vendet e tyre dhe ato përreth, si mbjellja e farave të kaosit dhe dezintegrimit. Demokracia punon shumë mirë në ato shoqëri ku lejohet të zhvillohet organikisht. Por, kur qeveri të tjera mundohen ta përshpejtojnë artificialisht rritjen e demokracisë, ose e ngucin nga jashtë triumfin e saj, sidomos kur arrijnë në përdorimin e forcës ushtarake për këtë qëllim, rezultati është gjithmonë një reagim i fortë kundër forcave të demokracisë. Ky reagim shpesh prodhon forca fashiste, represive dhe jotolerante. Dhe këto forca zakonisht fitojnë dhe marrin pushtet. Pastaj ato e imponojnë veten te shoqëritë në fjalë, duke vonuar çdo zhvillim demokratik për dekada apo brezni të tëra.
Përpjekjet e revolucionarëve francezë dhe Napoleonit për të eksportuar liri, barazi dhe vëllazëri në çdo cep të Europës, me ndihmën e shpatës dhe zjarrit, siguruan mbijetesën e perandorive tradicionale për 120 vjet të tjerë. Përpjekjet e Leninit dhe Trockit për të eksportuar socializëm dhe komunizëm nëpërmjet mjeteve të ngjashme, ishin edhe më katastrofike. Rebelimi ndaj tyre në Gjermani solli Adolf Hitlerin në pushtet.
Nuk është në interesin e Amerikës të ndjekë këto gjurmë – për ta thënë me fjalë të buta.
*Martin Sieff është kryeanalisti për Çështjet Botërore për The Globalist dhe autor i Cycles of Change: The Patterns of U.S. Politics from Thomas Jefferson to Barack Obama (Cikli i Ndryshimit: Modelet e Politikave Amerikane që nga Thomas Jefferson te Barack Obama).
Comments
Vetem se autorit i duhet te
<p>Vetem se autorit i duhet te marre seriozisht naivitetin e vet se interesi i SHBA-ve eshte eksportimi i demokracise ne bote dhe jo thjesht kapja e burimeve, tregjeve etj nga fuqite ekonomike qe qendrojne pas saj. Te pakten Trockit&Co nuk mund t'i hedhesh mbi supe interesa kaq meskine. </p>
I jashtezakonshem!
<p>I jashtezakonshem!</p>
Add new comment