Nënamerika

Postuar në 26 Korrik, 2013 05:11
Ervin Hatibi

Një nga keqkuptimet më madhështore në histori, një nga ato me përmasa kontinentale, ka qenë moszbulimi i rrugës së Indisë nga Kolombi – mbase moszbulimi më i suksesshëm i të gjitha kohërave. Amerika e zbuluar, në rrugë e sipër, rezultoi kaq e madhe, sa mundësitë për të vazhduar ta zbulosh gabimisht, mbeten të pafundme.

Ja ç’na rrëfen, fjala vjen, një bashkatdhetar, një që i ra shorti ta zbulojë Amerikën nga poshtë:

Dy vitet e para punova pa letra, fshehur. Punonja në kat të gjashtë po së prapthi, gjashtë kate dënë dhe! As e pashë diellin as më pa! Nuku se amerikanët janë të rreptë, po kisha akoma në palcë të dredhurat e Selanikut. Këtu, shokët e mij… ezmerë, – se mo na e marrin amerikanët për racizmë! – ata ezmerët dilnin e më blinin për të ngrënë, ata më mësonin zanatnë, gjuhën. Ja atje thellë, ku isha, e mësova gjuhën e vëndit, gurgull! Pas dy vjetësh, kur dolla mbi trotuaret lart, e mora vesh e xheç më ra dambllaja: gjuha që paskësha mësuar bilbil, nuk paskej qënë anglisht, o prefesor, po… spanjollçe oreee!!! Kur mos kem mamanë! Po si ore asnjëri nuk më tha, se ata hushkulurit ezmerë, kishin qënë nga Porto Rikua! Më shkuanë dy vjet. Fillova anglishten nga e para.

Se, në fakt, ka dy Amerika, si minimum, përherë: njëra poshtë, tjetra lart në qiell me rrokaqiej ëndërrorë – tjetra në(n) dhe. Rrëfyesi ynë është një ish i burgosur politik shqiptar, që nga nëndheu i burgut sikur ka gërmuar tunelin e arratisë dhe gërmo e gërmo, ka mbërritur deri në Amerikë, e ajo nuk i ka dalë krejt ashtu si ëndërronte. I ka hyrë nga poshtë, spanjisht, si e do rendi kronologjik, nga Amerika Latine, pra, në një farë mënyre, u bë një lloj anti-Kolombi, se po kërkonte Amerikën, Botën e Re, po në fakt, zëre se doli në Indi fillimisht, në Botën e Tretë emigrante.

E gjitha kjo vazhdon pastaj në një libër, në një libër me “Rrëfenja nga Amerika”.

Me titullin, “Rrëfenja nga Amerika”, lexuesi, (i cili automatikisht kthehet në lexonjës) pret të shfletojë ndonjë radhor të zverdhur të fillimeve të shekullit të kaluar, dalë nga shtypshkronja “Luarasi”, përmbi të ndodhurat e lëkurëkuqëve të tribuve, përmbi gjahun e tyre të bizonëve e karibuve, mistikën e shamanëve dhe tabuve… e gjitha kjo kthyer në shqip prej ndonjë toske “ende-më shumë-shqiptar-se amerikan” nga Detroiti.

Amerika, ajo me emrin aktual italian, është tepër e re dhe e urbanizuar për t’u futur në rrëfenja; nga Amerika mund të vijnë vetëm breaking news, rrëfenja jo… Ashtu si minareja që nuk hyn dot në thes, edhe rrokaqiejt nuk i mund t’i nxërë dot torba shajake e rrëfimtarit. Tentativa më e suksesshme që di unë në këtë drejtim, në të rrëfyerit shqip të Amerikës, ka qenë ajo e Martin Camajt në poezinë e tij “Fill i gjetun”.

Për ata që e kanë parasysh poezinë, autori kërkon të konvertojë një megapolis amerikan të muzgut me formula pagëzimi të një ligjërimi paraurban. Por, gjithsesi, që ky lloj stërqyteti të mund të rrojë gegënisht deri në fund të poezisë, në gegënishten shamanike dhe me pak oksigjen të Majëalpeve, autorit i duhet të sajojë një artific, konkretisht një black-out, një fikje të detyrueshme e të plotë të dritave qytetase, që mundëson një kthim pas në kohë dhe vend; që nxjerr prej amerikaneve “amvisa” që nisin e kërkojnë për llambat me vaj të kullave, deri sa agu të përndezë faqet e xhamta të “rrokaqiellëve”… Në një qasje tjetër, po me kahje gati të njëjtë, gati po kësaj pune i është futur edhe shkrimtari Pëllumb Kulla, me një emër krejtësisht të përkthyeshëm totemistik, që duket sikur vjen nga tradita e vendasve të lashtë të Amerikës (krahaso me Sitting Bull p.sh. apo Crazy Horse, ose personazhet në filmin “Vallëzon me ujqit.”) Projekti është jo dokudo. Gjithsesi, autori nuk na rrëfen krejt Amerikën. Atij i kanë interesuar vetëm ato copëra Amerike, ajri i të cilave rrethon kolonët shqiptarë të atjeshëm, personazhe të vërteta që i ka zili çdo letërsi, të cilat si miu kungullin kanë tërhequr e ndryrë nëpër kontinentin e largët të djeshmen e përbashkët me mëhallat e fshatrat e tyre ballkanomesdhetarë, kulinarinë, heronjtë variabël, parullat e socializmit, të folmet e veta me erëza pikante e beharna të vjetra orientale, përfytyrimet e tyre italo-televizive mbi të sotmen…

Për projektin e rrëfimit shqip të Amerikës në epokën e “globalizimit shqiptar”, autorit i janë dashur një palë shina. Njëri binar i tyre është optika e një shoferi taksie, kurbetçi korçar, i dalë jorastësisht nga burgjet e Enver Hoxhës (për të bërë kontrastin më të fortë me lirinë plus Tokën e Premtuar të Lirisë). Binari i dytë është “fonetika” e korçarçes. (për të hyrë me shenjat e popullores e informales, tradicionales e të qëmotshmes, në kontrastin e dytë me modernen, teknologjiken, amerikanen që përshkruhet nën këto shenja.)

Ndjeshmëria e autorit ndaj gjuhës është e tillë që nuk mund t’i lihet në shpjegim rastësisë. Vështroni kontaktin e tij me çudinë e gjuhës, në këtë copëz me personazh gruan korçare, dado të ca kalamajve amerikanë: “E tërë dita e sime shoqe me djemkat, në rrugë, në parqe e në shtëpi është e mbushur me “mos u lag”, “mos bërtit”, “mos kruaj hundën”. Mos-i është për Rezin vegla kryesore e punës dhe ajo e përdor atë dyqind gjer më treqind herë në ditë. Dhe ata kuptojnë. Ama, kur ajo pas dite i ve vogëlushët të flenë dhe nis e u rrëfen ca përralla që fillojnë “na ishte mos na ishte, në një kasolle të ngushtë me kashtë”, ata nuku marrin vesh asgjë. Fjalët e shqipes jo, po zërin e Rezit tim, që është muzikë e shkuarë muzikës, ata e kuptojnë. Ajo u përkëdhel leshkat me gishtrinjtë e saj, aq ëmbël, sa nuku dihet a u a ka përkëdhelur ashtu e ëma e tyre donjëherë. Dhe përkëdhelkat ata i kuptojnë. E vogëlushët mbyllën sytë e humbasën në kolovajzen me naishtemosnaishte e me kasolletëngushtamekashtë…”
“Kasollja-e-ngushtë-me-kashtë” e gjuhës shqipe do të vazhdojë të rezistojë edhe ndonjë stinë, deri sa ta shkelin shirat e ta rrafshojnë uraganet me emra komshinjsh të buzëqeshur vendas, si Katerina e Sandy. Pastaj të gjithë do jemi vetëm amerikanë.

Duke shfrytëzuar rrembin e suksesshëm gjuhësor diellor juglindor, që i jep tharm gazit më të thekshëm shqiptar në rrëfimtarinë e Kutelit të sagave të fshatit, e Nolit të Don Kishotit, e Nonda Bulkës herë-herë, e Dritëroit të intervistave, e deri në ekranet e popkulturës tek Doktori i “Fiks Fare”, Pëllumb Kulla nis ripopullon Amerikën me “Filadelfiotë, Vaterburas, Njuxhersjotë, Bostonianë, Detroitjotë, Çikagas”, riemërton “kodrat rreth Nju Jorkut”, “Qafë Kuinsin”, “korrijet e Stejtën Ajlandit”, “meratë e Bronksit”, “stanet e Nju Xhërsit”, “pllajat e Bruklinit”, edhe vetë “Manhattanë”. Aty sillen, veç amerikanëve joshqiptarë, edhe shqiptarët dhe qeveritë në mërgim të shqiptarëve,
mimetizmi i tyre kulturor e fetar, raportet e tyre me SIDA-n, demokracinë, racizmin. Kujt nuk i ka lexuar vetë rrëfenjat, këto ndërhyrjet çshenjtëruese tip “Qafë Kuins” mund t’i ngjajnë një llaf goje, një truk i radhës i një autori të njohur të humorit të skenave të varietesë.

Por, rrëfenjat e Pëllumb Kullës nuk janë letërsi për dialekt, si ajo e shkruara për të shfrytëzuar strukturat shprehimore, por edhe botëkuptimore të një të folmeje të caktuar dhe e lexuara jo më si letërsi, por si …antropologji (Kam parasysh Mustafa Greblleshin, Mithat Aranitin e ndonjë tjetër në personalizimin e katundarit tiranas.) Larg asaj, duke shkartisur brenda ngjyrës lirike teknikat e reportazhit dhe letërsisë udhëpërshkruese me një parodizim tip Woody Allen të historisë dhe miteve, me një kulturë kinematografike të dialogut, Pëllumb Kulla ka arritur të na japë një Shqipëri paralele ose një Amerikë të tillë, brenda së cilës endet Peçoja njujorkez, një binjak po aq naiv e romantik i Markovaldos së Italo Calvinos, me një familje krejt si e tij në “Stinët në qytete”, zhvendosur nga Evropa me Evropë brënda, në qytetin e “Seksit dhe qytetit”; një koleg, varianti soft, korçar dhe jo psikopat i De Niros në “Taxi-driver”…një përzierje e të gjithë kësaj…

Sa llafe të ndyra kishmë dëgjuarë për Amerikën! Po na kishnë thënë-o, se këtu n’Amerikë njeriu shfrytëzohet pe njeriut. Çne bre! Mbroçkulla! Këtu, or byrazer, ndodh e kundërta! – thotë taksisti ynë. Se Amerika është përherë dy, si minimum. Por, përherë ajo që lamë pas kur u nisëm, bëhet ajo ku dikur mbërrijmë.

Botuar në http://shenja.mk/index.php/feed/opinion-analize/3392-nenamerika.txt

Comments

Submitted by Miku (not verified) on

Ky liber i Pellumb Kulles ka shume sarkazem dhe ironi. Flet per brezin e tij ne Amerike. Ju sugjeroj ta lexoni eshte i lezetshem.

Submitted by Ermira (not verified) on

Për zakon mund ti quajmë rrëfenja humoristike, - thotë dhe kritiku Prec Zogaj në shënimet e tij në MAPO, në 27 mars 2011 për këtë libër, shënime që unë i kam ruajtur , nga që ky I Kullës,  është një nga librat e mi të preferuar, - Humori në to përzihet dhe nganjëherë dominohet nga  keqardhja, dhimbja, apo ironia e thellë. Ky do të ishte - dhe është në fakt-  romani i satirës me veset, me kufizimet, me zakonet, me dogmat, me tabutë, apo me  sjelljet qesharake kombëtare. Nuk i dallojmë kurdoherë, sepse na janë bërë pjesë e jetës sonë të mbyllur, madje  i konsiderojmë  edhe virtyte.  Por ato  zbulohen e spikasin si gjëra për t’u përqeshur  në dritën e hapjes dhe  ndërkomunikimit me botën.  Duke sjellë në fokus një copë  të Shqipërisë komike, Peçoja, alias shkrimtari, nuk lë jashtë  këtij  fokusi edhe anët qesharake të jetës amerikane, që dalin në pah  kryesisht  nëpërmjet përballjes, kryqëzimit dhe   kontrastit të keqkuptimeve, zakoneve, mënyrave të të jetuarit, psikologjive, rregullave.

Një veçori e rrëfenjave të këtij libri është se ato tregohen në të folurën e Devollit. Kjo është  padyshim një zgjedhje e shkrimtarit për t’u shtuar situatave komike të rrëfenjave  edhe ngjyresën e veçantë komike të  ligjërimit në dialekt. Shkrimtari e ka parë me vend të dyfishojë kujdesin në këtë pikë. Dhe aq ka qëlluar në shenjë, sa për një moment, po të provosh t’i lexosh në normën e letrare, të duket se rrëfenjat e Peços humbasin   me shumë se gjysmën e bukurisë.  E folura devollite, apo korçare  vjen në  këtë  rast  si një e folur e prerë, apo e lindur  për të  zbërthyer e shpalosur thelbin komik të shumë  prej dukurive të jetës njerëzore në përgjithësi dhe asaj shqiptare në veçanti.  Në ligjërimin e Peços, kjo e  folur  sikur ka në fomemat  dhe thekset e saj pabesueshmërinë  e nevojshme për të bërë humor. Në këtë të folur vishen me humor edhe gjërat më dramatike të botës, që ngjajnë sikur në dialektin e Peços nuk mund të tregohen si dramatike.  Kjo, sigurisht nuk është e vertetë. Në idiomën e korçares kemi  të shprehur monumente  lirizmi, melankolie, vuajtje apo epizmi, siç e shohim  jo vetëm në këngët popullore të  kësaj treve, por edhe në letërsinë e kultivuar të shkrimtarëve kombëtarë me origjinë prej andej. Por është  vetë kurdisja e komedisë si lëndë, që  nxjerr në pah aftësinë apo dhuntitë e  të folurës korçare për të bërë humor. Besoj se shkrimtari i talentuar arrin ta bëjë këtë me çdo dialekt apo nëndialekt.

Me gojën e Peços të rrëfenjave tona flet tradita, por flet parasëgjithash vetë shkrimtari. Ai dhe Peçoja janë  dyzimi i të njëjtit subjekt krijues. Peçoja është njeriu i humorit të tabanit. Ai i jep shkrimtarit larminë dhe gjerësinë e përjetimeve dhe përvojave jetësore. Nga ana tjetër shkrimtari i jep atij  vetëdijen artistike, pikëvështrimin e komediografit, sensin e masës dhe aq kulturë  sa të mos duket i sajuar, i tjetërsuar.  Kjo e Peços me shkrimtarin është një ortakëri letrare. Peçoja nuk do të ishte i suksesshëm pa shkrimtarin. Shkrimtari nuk do  të mund  të na i tregonte  kurrë  aq bukur rrëfenjat e këtij  libri pa “lirshmërinë”  e Peços.

Në qendër është  “ kolonia” shqiptare në SHBA me karakteristikat e saj të  veçanta, që  pasqyrojnë edhe natyrën e veçantë të  kozmopolitizmit amerikan në krahasim me shtetet e tjera, ku kanë mërguar në shumicë shqiptarët. Në Amerikën pa paragjykime  etnike apo fetare,  shqiptarët  i nxjerrin në pah më mirë dhe më lirshëm se gjetkë  “të përbrendshmet” dhe “ të përjashtmet” e tyre shpirtërore, zakonore, trashëgimore, psikologjike e tjera. Amerika në këtë kuptim duhet të jetë një “det”  veçanërisht i pasur  për rrjetën e një shkrimtari si Pëllumb Kulla.  Kjo rrethanë e favorshme i jep mundësi shkrimtarit të mos  lodhet e sforcohet  shumë në kërkimet  e tij.  Mënyra se si po përshtaten emigrantët shqiptarë të  paskomunizmit  me jetën amerikane futet në rrefenjat e Kullës  lirisht dhe bujarisht  me tërë çeljen apo shpërthimin e të qeshurës së çiltër. Por ky nuk është një libër për emigrantët shqiptarë të Amerikës, apo për  disa amerikanë shqiptarë në Amerikë. Është shumë me shumë se kaq. Është për gjithë racën tonë, për ca gjëra që na  shëmtojnë edhe pse  na bëjnë qesharakë para të tjerëve dhe për ca gjëra që na  kanë lënë prapa botës. Unë kisha një mendim  sikur do të gjeja në rrëfenjat e Kullës  një notë humori të  parodive apo skeçeve të skenës, nga ato me të cilat ky shkrimtar ka ushqyer nepër vite teatrin e komedisë dhe estradës në Shqipëri.  Dhe gjeta padyshim jehonën  dhe vazhdimin e  atij produkti realist dhe fin që është  humori  autentik i këtij shkrimtari. Por duhet ta them se rrëfenjat nga Amerika reflektojnë një përballje apo një raport të ri të këtij shkrimtari me kohën dhe bashkëkombasit e tij. Të duket se gjithçka që kalon para syve të tij zhurmon  nga kotësia, nga marrëzia, nga mburrjet boshe, nga  teatraliteti, nga djallëzia, nga naiviteti, nga lehtësia e rënies në robërinë e dogmave dhe tabuve të reja, nga gjithë sëmundjet e “shqiptarizmës”, që ai  i zbërthen një e nga një, pa tendencë, pa u dukur sikur është velur e neveritur, por duke nënqeshur, herë me gëzim, herë me një vuajtje të pathënë. Të duket se nuk krijon  dot më asgjë ky  vend, nuk krijojnë më asgjë bijtë e tij,  veçse gjëra qesharake, që vërtet të bëjnë  për të qeshur, por pa kaluar pak sekonda të fusin në shpirt një trishtim të  çuditshëm dhe të bëjnë për të qarë gjithashtu. Ndjenja të tilla kundërthënëse provokojnë rrëfenjat  “Paradë pasanikësh”, “Një përrallë shekullore rrëfehet ende në Kuins”, “Mblidhemi tok e bëhemi thumb”, “Hije në Filadelfia” e shumë të tjera. Shkrimtari merr ndaj lëndës së rrëfenjave  të tij atë që quhet  distancë përfshirëse. Ai vuan  me kotësinë dhe marrëzinë.  Libri i tij është një pasqyrë  për të parë shtrembërimet, një partiturë e autoironsië  së shëndetshme, një thirrje për të mbledhur mendjen se nuk kemi ardhur në këtë botë  vetëm për tu bërë qesharakë.

Duke patur ndërmend  një  mision civilizimi, autori nuk harron asnjë çast se në librin e  tij ai na fton për  të qeshur, për  të nënqeshur, për t’u kënaqur.  Grotesku vazhdon të mbetet mjeti i tij i parapëlqyer për të krijuar situata  humoristike me ngjyresa talljeje, ironie, sarkazme dhe satire. Di ta përgatisë situatën humoristike, por pa  humbur në zgjatje të panevojshme.  “Godet” në momentin e  duhur, duke  operuar shpesh me kontrastin, si formë e evidentimit të komikes. Kjo nuk është dhe nuk mund të jetë thjesht dhunti. Përdorimi i kontrasteve  kërkon  kulturë dhe njohje të gjerë të shumë realiteteve. Falë këtyre  cilësive libri “Rrëfenja nga Amerika”  na vjen si një  ngjarje për letrat shqipe të ditëve tona, - thote kritiku Zogaj.

Submitted by RP (not verified) on

Edhe kur nuk thote asgje,nje pene te mire eshte kenaqesi t'a lexosh.Padiskutim Ervin Hatibi eshte i veshtire t'a lexosh,njekohesisht i pasur me metafora ne çdo fjali.Ne fakt,per ashtu si e njoh une emigrimin,edhe kur e ke shtepine me qira tre kate mbi toke,njesoj je duke jetuar nentoken e atij vendi.Jo vetem ne Amerike,por kudo.Probleme gjen me gjuhen,me punesimin,me pershtatjen nderetnike.Me te veshtira jane maredheniet me veten,ose sinkronizimi me"oret"fiziologjike.Emigranti eshte si nje elektron qe luhatet mes dy orbitave,i destinuar te lere plotesisht njeren per t'i perkitur plotesisht tjetres,ndersa nuk ka forcen t'i perkase plotesisht asnjeres prej te dyjave.Ne mergim vuan gjithnje nje sens pasigurie,qe te ndjek si hije.Ndoshta ne gjume jo,se je aq i vdekur nga stresi i punes,por kur je i papune,nata eshte e pambarimte.Nuk e di sesi e ka perjetuar Pellumb Kulla"man-hatane" e emigrimit,por sensi i humorit nuk i thjeshtezon gjerat sidoqofte.Zakonisht brezi i pare i emigranteve shkon i humbur,perjashto ndonje rast te veçante.Megapolet&metropolet bluajne dhe ripertypin(si lopa)kultura dhe gjuhe se bashku,drama dhe komedira te perditshme me nje shpejtesi frenetike,dhe sakaq,pa filluar keto "protesten" e heshtur te njerezores qe fshihet me gomen e modernitetit,sakaq lopa i leshon ato si bajgen e stermadhe,duke kontribuar ne pleherimin e nje shoqerie te neserme,hibride dhe me fryte te pjekura ne ngjyre,por absolutisht jo ne shije.

Submitted by mhk (not verified) on

Ja dhe një libër për tu blerë rrugës tjetër për në Shqipëri.

Ervin Hatibi është i paparë. Për mërgimtarët e tjerë, ju këshilloj të lexoni reportazhet mbi mërgimin te revista Shenja, që e zbulova me rastin e artikullit.

Submitted by Emigranti i Larget (not verified) on

Te shkruarat e Ervin Hatibit kullojne mjeshteri fjale e pikojne mencuri idesh...Edhe pse per object ka nje liber qe dhuron gjendje humori, ironie e sarkazme, Hatibi ne ligjeraten e tij eshte pa pushim serioz: Si te dy pjeset e Amerikes qe gjen tek Kulla e Kulles apo ne bodrumet e saj! Eshte fjala qe shfaqet e pjekur si te jete shkruar e maturuar prej kohesh me pare, si edhe libri i Pellumb Kulles, ajo qe josh lexim te kendshem, por jo te lehte, dhe jo e jo te papergjegjshem: nuk eshte fjala thjesht per "humore qe te zgjasin jeten", por per jete qe meritojne humoret! Duket se nuk ka lehtesi me te lehte se te shkruash per shqiptaret ne Amerike, pra Amerika, ajo qe duket dhe s'duket, eshte skene e shkelqyer per pershfaqjen e shqiptaresise si aktrim njerezor, qe s'eshte e thene te jete gjithnje edhe human...urime Hatibi!

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.