Mikhail Gorbaçov: Si e rrëzova perandorinë sovjetike (I)

Në një intervistë për SPIEGEL, Mikhail Gorbaçov, sot 80 vjeç, diskuton ditët e fundit të Bashkimit Sovietik, pamundësinë e tij për të zgjidhur problemet brenda Partisë Komuniste dhe gjakderdhjen që vijoi dhe që e shqetëson edhe sot. Ai akuzon gjithashtu Vladimir Putinin që e ka çuar Rusinë “mbrapa në të kaluarën”. Eshtë një intervistë me katër pjesë që do të vijojë ditë pas dite.
SPIEGEL: Mikhail Sergejeviç, ju keni mbushur 80 vjeç këtë pranverë. Si ndiheni?
Gorbaçov: Oh, çfarë pyetje. Do duhej t’ma bëje se s’bën? Kam bërë tre operacione këto pesë vjetët e fundit. Kjo ka qënë goxha goditje për mua, sepse ishin që të gjithë operacione të vështira: i pari në arteriet kardiake, tjetri në prostatë dhe ky i fundit në shtyllën kurrizore.
SPIEGEL: Në Mynih.
Gorbaçov: Po. Ishte një proçedurë e rrezikshme. U jam mirënjohës gjermanëve.
SPIEGEL: Por tani dukesh mirë. Të kemi parë përpara operacionit.
Gorbaçov: Më thonë që duhen tre deri në katër muaj pas një operimi të tillë që të vazhdoj jetën normalisht. E mbani mend librin “Vertebra e Katërt” nga autori finlandez Martti Larni? Një libër i shkëlqyer. Në rastin tim ishte e pesta. Kam filluar të ec përsëri, por çdo fillim është i vështirë.
SPIEGEL: Dhe përsëri i jeni kthyer politikës dhe po dilni në faqet e para të gazetave. Përse nuk rehatoheni dhe të pushoni një herë?
Gorbaçov: Politika është dashuria ime e dytë, pas asaj për Raisan.
SPIEGEL: Gruaja juaj e vdekur.
Gorbaçov: Nuk do të heq dorë kurrë nga politika. Jam përpjekur tre herë, por s'ja kam dalë dot. Politika më vë në lëvizje. Nuk do e kem të gjatë nëse heq dorë. Gjithsesi, nuk e kisha menduar ndonjëherë që do të isha gjallë në 80 vjetorin tim. Isha pak a shumë mosha juaj kur u bëra sekretar i përgjithshëm.
SPIEGEL: 54 vjeç.
Gorbaçov: Në atë kohë isha sekretari më i ri i udhëheqjes së partisë në Stavropol. Dhe këtu, në Moskë, isha anëtari më i ri i Byrosë Politike kur [ish-Sekretari i Përgjithshëm Konstantin] Çernenko vdiq.
SPIEGEL: Në fakt, ju kishin përcaktuar si drejtuesi i partisë që prej një viti.
Gorbaçov: Çernenko ishte i sëmurë. Sidoqoftë, ata e zgjodhën përsëri në 1984, dhe pati zëra dhe përplasje në Byronë Politike. Ata i vendosnin njerëzit sipas dëshirës së tyre, edhe pse [Yuri] Andropov...
SPIEGEL: … sekretari i partisë i asokohshëm dhe drejtuesi i KGB-së për vite me radhë …
Gorbaçov: … kishte shkruar, në një letër drejtuar Asamblesë Plenare të Komitetit Qëndror, që ai mbështeste Gorbaçovin.
SPIEGEL: Mbase mund të na tregoni detajet e mbledhjes vendimtare të Byrosë Politike pas vdekjes së Çernenkos në mars të 1985-ës. Ironikisht, Ministri i Jashtëm [Andrei] Gromiko ju emëroi si drejtuesi i ri i partisë. Përse e bëri? Ai nuk ju ka pasur qejf dhe ju kishte zili. Dhe mbi të gjitha kishte edhe kandidatë të tjerë.
Gorbaçov: Sepse Gromiko ishte një njeri shumë i zgjuar dhe serioz. Përse më kishte zili? Nuk e di. Por ai i kishte dalluar shenjat e kohës. Kur Çernenko ishte i sëmurë, mua më thërrisnin shpesh të merresha me punët e Sekretariatit dhe Byrosë, dhe punët vajtën mirë, gjë që ra në sy. Për atë punë, Çernenko madje më ka ndihmuar. Ndërsa unë fitova shumë eksperiencë gjatë kësaj kohe. Nëse mund të ndryshoja diçka që Voltaire ka thënë për Zotin, do të thoja, se “nëse Çernenko nuk do të kishte ekzistuar, dikush do duhej ta shpikte”.
SPIEGEL: Ka pasur edhe rivalë të rëndësishëm, që nuk e donin Gorbaçovin.
Gorbaçov: Po, disa. Nga ana tjetër një grup drejtuesish zonalë të partisë, ndërsa Çernenko ishte ende gjallë, erdhën tek mua dhe më thanë: Rojtari i vjetër po përpiqet të vendosë në fron edhe një herë njërin prej të vetëve. Nëse e bëjnë, ne do t’i zhdukim. Unë u thashë: Mjaft me këto fjalë! Kur Çernenko vdiq dhe çështja e pasuesit duhej zgjidhur, u takova me Gromikon 30 minuta para mbledhjes kritike të Byrosë dhe i thashë: Situata është serioze dhe njerëzit duan ndryshime. Nuk mund të bësh asgjë me forcë, edhe pse është punë me rrezik, madje e rrezikshme. Le ta zgjidhim bashkë. Gromiko m’u përgjigj që ishte plotësisht dakort me mua. Ne folëm vetëm pesë minuta. Atë natë u ktheva në vilën time pak përpara muzgut – dhe bëra një xhiro me Raisan.
SPIEGEL: Nuk i keni diskutuar ndonjëherë çështjet e rëndësishme me gruan tuaj në shtëpi?
Gorbaçov: Duhet të dilje përjashtë. Gjithashtu ne kurrë nuk diskutonim gjëra me rëndësi haptazi tek vila. Kur po zbrazja apartamentin tim në Moskë, pasi lashë presidencën, punëtorët gjetën lloj-lloj përgjuesish nëpër mure. Doli që ata më përgjonin mua gjatë gjithë kohës.
SPIEGEL: Çfarë këshillash ju dha gruaja juaj atë natë?
Gorbaçov: Unë i thashë: Sekretari i përgjithshëm do të zgjidhet sot, dhe ka mundësi që do të më emërojnë mua. “Të duhet kjo gjë?”, më pyeti. Unë thashë: Ata kanë kaluar tre sekretarë të përgjithshëm në katër vjet. I shpjegova që nuk do t’i refuzoja, sepse njerëzit do e shihnin këtë si burracakëri politike.
SPIEGEL: Zoti Gorbaçov, na lejoni të zhvillojmë një eksperiment.
Gorbaçov: Nuk marr më pjesë nëpër eksperimente.
SPIEGEL: Ky i yni është plotësisht i padëmshëm. Tre deri në katër arsye përmenden për dështimin e perestroikës, rilindjes së Bashkimit Sovietik.
Gorbaçov: Mos thatë gjë “dështim”?
SPIEGEL: Po, por nuk duam të kapemi tek fjala. Mund të përdorim edhe ndonjë fjalë tjetër. Ne do t'ju japim arsyet dhe do t'ju kërkojmë një koment të shkurtër. E para: Ju trajtuat vetëm simptomat e sistemit komunist të sëmurë, por nuk vajtët në thelb të problemit, i cili qe paprekshmëria e tejzgjatur e monopolit të partisë mbi pushtetin dhe ekonomia e planifikuar. A ishte vërtet kështu?
Gorbaçov: Le t’i marrim me radhë. Do ta nisja perestroikën ekzaktësisht në të njëjtën mënyrë edhe sot. “Nuk mund të jetojmë kështu”. Kjo ishte motoja jonë. Pionieri i muzikës rock ruse, Viktor Zoi, këndonte “Dua ndryshime”.
SPIEGEL: Por ju nuk kishit konceptet për ato ndryshime.
Gorbaçov: Nëse do të kisha pasur ndonjë plan, do të përfundoja shumë shpejt në Magadan.
SPIEGEL: Kryeqyteti i gulagut Stalinist, 6000 kilometra nga Moska.
Gorbaçov: Që të dy ju e keni njohur mirë Bashkimin Sovjetik. E mbani mend çfarë lloj vendi ka qenë? Për të përfunduar në Magadan mjaftonte vetëm një shaka e vogël politike. Dhe unë duhej të kisha një plan dhe një grup mbështetësish? Së pari ne duhet të nxirnim njerëzit nga letargjia. Establishmenti i partisë nuk kishte nevojë për perestroikën. Të gjithë e kishin në vijë. Drejtuesi zonal i partisë ishte mbreti i zonës së vet, drejtuesi rajonal ishte një car dhe sekretari i përgjithshëm ishte praktikisht i barabartë me Zotin. Prandaj na duhej një glasnost – openness – në radhë të parë. Ishte rruga drejt lirisë. Më vonë ne patëm zgjedhjet e para të lira në Rusi që prej 1000 vjetëve.
Përktheu: Andri File
-Vijon nesër-
Add new comment