Me 'më të shquarit' nga Evropa 'dhe mbarë bota'...

Provoni të vizitoni faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave (www.km.gov.al). Bëni një kërkim në faqe në njoftimet për shtyp dhe lexoni lajmet për vizitat e k/ministrit jashtë vendit. Do gjeni shumë shpesh togfjalësh të tillë si "personalitetet më të shquara" ose "nga Evropa dhe mbarë bota", etj
Përpjekja për të theksuar se cilido që takohet me k/ministrin e Shqipërisë është "personalitet nga më të shquarit" apo ata që marrin pjesë në X takim janë njerëzit më të rëndësishëm "nga Evropa dhe mbarë bota" duket naive dhe komike, për të mos thënë që dëshmon edhe ndonjë problematikë jo pa rëndësi të personalitetit, megjithatë shkruesit e këtyre deklaratave vazhdojnë t'i hartojnë ato me thekse përherë e më të dukshme mbi fjali të tilla.
Ja psh si e paraqet faqja e Këshillit të Ministrave nisjen e k/ministrit në Strasburg për një aktivitet në KiE: "...Në këtë Forum marrin pjesë personalitete të shquara të politikës, ekonomisë, shoqërisë civile, drejtësisë etj nga Evropa dhe mbarë bota"... etj
E njëjta gjë ndodh edhe në sajtin e Kuvendit të Shqipërisë. Në një lajm që u citua disa ditë më parë edhe në ResPublica për një fjalim të k/parlamentares në Prishtinë, shqetësimi kryesor i shkronjësit ishte të theksohej që znj.Topalli po u jepte mënd "grave lidere nga e gjithë bota". Shkruhej në njoftim: "Në fjalën e saj përpara rreth 200 grave lidere nga e gjithë bota, Kryetarja e Kuvendit i bëri thirrje çdo gruaje, çdo nëne, çdo bije ..." etj.
Një sugjerim miqësor atyre që hartojnë këto njoftime zyrtare: A nuk do të mjaftonte të thuhej thjesht se cilët marrin pjesë në këto aktivitete ku ftohen edhe zyrtarët shqiptarë (pra, emrat dhe postet e tyre politike) pa këtë euforinë 'gjuhësore' patetike dhe disi provinciale që të kujton të tjera kohë?
Njoftimet e cituara:
http://www.km.gov.al/?fq=brenda&m=news&lid=17146
http://kryetari.parlament.al/?crd=0,64,2,0,0,14766
Add new comment