Me fjalimet e kryeministrit para nxënësve përgatiten kriminelët e nesërm

Edmond Dragoti, psikolog, ishte nga të parët që u kap në befasi, më saktë u shock-ua, nga fjalimet rreptësisht politike të kryeministrit përpara nxënësve nën 15 vjeç në një numër shkollash, ku ai shkon për të përuruar ndonjë rikonstruksion. Para tri ditësh, lexova një intervistë të Dragotit në të përditshmen Shqiptarja.com, dhe në të ai nuk nguronte ta denonconte këtë veprim të kryeministrit të vendit. I kërkova që ta rimerrnim këtë temë, dhe për kënaqësinë time pranoi. Ja chat-i me të:
Nano: Dragoti, lexova nje intervistën tuaj tek shqiptarja.com lidhur me inkursionin e kryeministrit nëpër shkolla. Dhe ishit kritik. I qëndroni ende mendimeve të shprehura në atë intervistë?
Dragoti: Patjetër! Rasti është kaq skandaloz dhe i pamoralshëm sa nuk mund të lëkundesh dot nga qëndrimi kritik ndaj tij.
Nano: Disa janë kapur pas shkeljes së ligjit në këtë mes, por ju ishit fokusuar tek një si impakt psikologjik tek fëmijët. Është më i rëndësishëm ky impakt, apo shkelja e ligjit me të dyja këmbët në këtë histori?
Dragoti: Është natyra e profesionit tim që më bën të jem i ndjeshëm ndaj dhunës psikologjike dhe abuzimeve me fëmijët nga kushdoqoftë, dhe aq më tepër në rastin kur kjo dhunë ushtrohet nga ai që e ka për detyrë t'i mbrojë ata, nga kryeministri. Aspekti ligjor është i rëndësishëm për çdo qytetar dhe për shoqërinë në tërësi, por ai psikologjik lë gjurmë të pashlyeshme në psikologjinë e fëmijës, në formimin e identitetit të tij, në psikikën ende të paformuar të tyre, në formimin e personalitetit të ardhshëm dhe në të ardhmen e vetë shoqërisë.
Nano: Në terma konkretë, si bëhet dëmi tek fëmijët në një rrethanë të tillë?
Dragoti: Në thelb, ekspozimi i konfliktit politik para fëmijëve, po aq sa çdo konflikt tjetër, u jep fëmijëve modelin e dhunës dhe abuzimit, u mëson atyre se në të ardhmen duhet të jesh i dhunshëm, që të arrish në nivelet e larta të shoqërisë dhe pushtetit. Dhe nga ana tjetër ushqen tek ta frikën ndaj autoritetit, respektimin e dhunës, suksesin nëpërmjet forcës dhe jo arsyes, nënshtrimin ndaj agresivitetit, etj. Ndërkohë që fëmijët, që ndikohen më shumë prej autoritetit të dhunshëm e konfliktual të kryeqeveritarit, kur të rriten do të sillen dhunshëm në shoqëri dhe do të abuzojnë në familje. Me pak fjalë, në këtë mënyrë, babai i qeverisë po përgatit kriminelët e ardhshëm të shoqërisë sonë.
Nano: Po bëj avokatin e djallit. Nuk ju duket se konkluzioni juaj i fundit është shumë i fortë, dhe disi i kërkuar?
Dragoti: Jo, jo aspak. Dhuna në familjen e sotme nuk është gjenetike, por është formuar në modelin tradicional të kulturës sonë autoritariste dhe ka gjetur terren në mungesën e drejtësisë sociale dhe abuzimin skandaloz të pushtetit. Po ashtu, prania e një autoriteti të lartë të pushtetit si kryeministri, ka efekte shumë të forta në psikikën ende të paformuar të fëmijëve. Dhe kur modeli që jepet është agresiviteti, forca, dhuna, manipulimi dhe abuzimi politik, deformimi i personalitetit të fëmijëve do të gjenerojë sjellje devijante në të ardhmen. Një nga Papët e mesjetës së hershme është shprehur "Më jepni fëmijët deri në 5 vjeç dhe do ta bëj gjithë botën kristiane". Mendoni ç’ndodh po t’ia japësh fëmijët një "të forti" abuziv, sa agresive dhe sa e korruptuar do të bëhej shoqëria jonë!
Nano: Një optikë shumë interesante. E dini? Më vjen mirë që "ju kam dhënë rastin" ta bëni këtë shtjellim. Apo janë gjëra që ju i keni thënë dhe herë të tjera?.
Dragoti: Ndoshta kam shprehur shqetësimin edhe herë të tjera, por nuk i kam thënë me kaq theks dhe alarm!
Nano: Po në psikën e prindërve të këtyre fëmijëve çfarë ndodh në të tilla rrethana. Nuk i kam parë të shqetësohen. Ç’dreqin mendojnë kur shohin fëmijët e tyre në ekranin e TV-ve si sfond e dekor të këtij show të dhunshëm?
Dragoti: Natyrisht, edhe prindërit, sado të formuar të jenë dhe sado përvojë të kenë, ndeshen vazhdimisht me presionin dhe dhunën mediatike të politikanëve agresivë, me manipulimin skajor dhe të paprinciptë të tyre, me korrupsionin e pandalshëm dhe të pacipë qeveritar, me padrejtësinë sociale të institucioneve të drejtësisë dhe ndihen të pambrojtur në këtë mjedis të ndotur shoqëror. Është ndotja e këtij mjedisi që shton stresin e përditshëm, rrit anksiozitetin e prindërve për pafuqinë e tyre për të mbrojtur fëmijët nga e keqja e kësaj shoqërie, nxit tek ta sjelljen e paekuilibruar dhe konfliktuale në familje dhe kudo, stimulon depresionin social tek individët që ndihen të pambrojtur nga pushteti i korruptuar dhe agresor i kësaj shoqërie.
Nano: Në të njëjtën mënyrë më bëjnë përshtypje dhe mësuesit. Nuk doli qoftë dhe njëri të thosh: "O jo, kjo s'ka kuptim, kjo s'mund të bëhet, zoti kryeministër". Pyetja ime në këtë rast është: Kanë frikë? Apo nuk ua thotë truri se në këtë çalltisje kryeministrore ka diçka që s'shkon?
Dragoti: Natyrisht, që kanë frikë se mund të largohen nga puna. Por nga ana tjetër, për të dhënë mesazhin e "të fortit" janë zgjedhur shkollat "e sigurta", pra ku punojnë mësuesit, që janë më pak mësues e më shumë partiakë.
Nano: Një pyetje e fundit, Dragoti. Por është një pyetje "një milion dollarëshe". Pse e bën kryeministri këtë? Nuk duket se mund të ketë ndonjë qar elektoral nga kjo punë. Përkundrazi.
Dragoti: Mund të ketë shpjegime të ndryshme, por unë besoj se ai është në një moshë delikate, në një andropauzë të vonuar, që shoqërohet me mungesa hormonale dhe me kthime të mundshme në të kaluarën e thellë, në fëmijërinë e hershme, kur fëmija nuk e njeh botën përreth, por vetëm veten dhe vazhdimisht prek veten për ta vërtetuar këtë. Edhe kryeministri ynë, me sa duket, nuk mendon se ekzistojnë të tjerë në këtë botë veç tij, dhe i jep të drejtë vetes për të bërë çdo gjë që mund t'i shkojë në mënd, sado absurde dhe perverse të jetë, sado foshnjore dhe pa mend të jetë. Duke e ndjerë veten "fëmijë' në ndjesinë e tij, ai ka filluar t’u drejtohet edhe fëmijëve. Duket si reminishencë abuzive dhe tepër e dëmshme për një autoritet që kontrollon ekuilibrin e një shoqërie të tërë.
Nano: Ju falenderoj për këtë bisedë!
Dragoti: Ju falenderoj dhe unë!
Intervistoi Mustafa Nano
Comments
Analize perfekte. Me pak

Analize perfekte.

Me pak fjale, Berisha eshte nje i semure.

Per mendimin tim,Saliu
Per mendimin tim,Saliu deshiron te terheqe vemendjen nga Krimet qe ka kryer dhe po kryen c'do dite dhe nga katastrofa e nje ekonomie te shkaterruar,duke spostuar debatin tek femijet e shkollave.Nuk ka per c'fare te flase tjeter.As per ekonomine,as per institucionet e pavarura dhe aq me pak deshiron te flase per 21 Janarin e Krimit Politik dhe Shteteror.Prandaj flet me femijet.
Te lumte Dragoti dhe ty Nano

Te lumte Dragoti dhe ty Nano qe i ke marre intervisten. A mund ta jepni sa me shume here dhe te ngrini shoqerine e mopakur civile shqiptare per te protesutar. Nga nejra ane ajo kuceder tmerron femijet dhe nga ana tjeter me ane te ReZart Tacit me shoke fut doren edhe me thelle ne pasurite kombetare duke e rrenuar e varferuar edhe me tej deri ne ekstrem popullin.

KJO ESHTE E PATOLERUESHME

Me pelqeu saktesia,

Me pelqeu saktesia, objektiviteti dhe fryma shkencore, analize rasti dhe jo thjesh revolte. Kete mendim kam, qe ka probleme te rikthimit me shume sesa te votimit per 2013, i kujtohet femijeria me mnugesa materiale, njerezore dhe shpirterore dhe del shetitje.

Add new comment