Mandatet e Dukës dhe mandata e futbollit...

Postuar në 10 Shkurt, 2014 04:38
Xhevdet Zekaj

Nuk ka kundërshtarë dhe ky fakt nuk ia rrit vlerat e rikonfirmimit për herë të katërt në krye të futbollit shqiptar. Përkundrazi, kandidimi i vetëm i Dukës për kreun e FSHF-së dëshmon për një "ujë që s'ecën" në futbollin tonë, pra që është kthyer në një "moçal", në të cilin mund të gjesh të gjitha mikrobet. Të shumta e shkatërruese, sa për të helmuar një sport të tërë, më të dashurin për shqiptarët. Ky lloj të vepruari në të shkuarën e njeriut që kërkon mandatin e katërt i ka ndërgjegjësuar rivalët e mundshëm të tij se ajo "kështjellë" në krah të Ambasadës Amerikane në Tiranë është e papushtueshme. Jo për mungesën e meritave apo alternativave, që shumëkush mund t'i ofrojë më me tepri se Duka, por për faktin se ky i fundit e ka çimentuar vit pas viti pozicionin e tij. I ka hedhur rrënjët aq thellë, nga klubi më i largët e më i dobët deri tek ai më i madhi. Dikujt duke i treguar "kërbaçin", dikujt tjetër "kulaçin". Por më shumë se kaq, strategjia e rikonfirmimit të sigurtë, çka tremb çdo lloj kandidati për t'i dalë përballë, ka të bëjë me amnistinë dhe mburojën që kreu i FSHF-së garanton për çdo lloj prapësie të presidentëve të klubeve, shumica e të cilëve dhunojnë e trukojnë rregullisht, javë pas jave. Dhe duke qenë se në këtë "ujë të ndenjur", që më lart e quajtëm "moçal", i pëlqen të qëndrojë edhe vetë Duka, atëherë është i kuptueshëm "shtrëngimi i radhëve" në kohë zgjedhjesh. Kjo do të thotë se të gjithë zyrtarët dhe ata që drejtojnë futbollin shqiptar janë të ngjashëm në sojin e tyre, sepse e tillë është "diktatura" e vendosur nga qendra deri në bazë. Në atë çark të mbyllur njerëzish është e vështirë të depërtosh, sepse aty luan para e madhe, shitet e blihet gjithçka, dhunohet e trukohet pa i hyrë ferrë njeriu në këmbë. Kësisoj, përfitimet e paligjshme shkojnë nga pak për të gjithë, ndërsa për ndonjërin që guxon të dalë kundër rregullit të "njëshit", ndëshkimi është i sigurtë. Denoncimet e fundit të Arsen Hoxhës dhe Dhori Priftit në media e dëshmojnë më së miri këtë gjë, zbardhin mënyrën se si funksionon kjo "mbretëri" me Dukën në krye. Zgjedhjet e radhës në FSHF janë më 28 të këtij muaji, por verdiktet janë krejt të lexueshme, të pritshme. Duka pa rivalë përballë do të mbajë karrigen që ka prej më shumë se një dekade, ndërsa garën e ka vetëm në një drejtim: të lobojë te sivetja e vet në krye të klubeve për të përzgjedhur në Komitetin Ekzekutiv të pëlqyerit prej tij. Andaj edhe ky organ vendimmarrës i futbollit tonë ka thuajse të njëjtët personazhe prej vitesh, me dorën lart, "të futur në allçi", që s'kundërshtojnë kurrë fjalën e "njëshit". Një tjetër "ujë që s'lëviz", një tjetër "moçal" i futbollit tonë, sport i cili shpenzon shumë para, por nuk prodhon asgjë: as tifozë në stadium, as spektakël dhe emocion, as elementë për kombëtaren, as përfaqësim sadopak dinjitoz në Kupat e Europës. Drejtuesit në vendnumëro, futbolli ynë në vendnumëro. Në këtë mund të përmblidhet e gjitha çka ndodh në sportin më të dashur për shqiptarët, por që ka humbur më shumë se kurrë besueshmërinë, adrenalinën, emocionin, antagonizmin, enigmën rezultative. Shumëçka është e parashikueshme, si për rizgjedhjen e Dukës president, ashtu edhe për rezultatet e skuadrave në kampionat, por pse jo, ndonjëherë edhe e kombëtareve kuqezi. Në këtë fotografim prej më shumë se një dekade të futbollit tonë nuk ka asgjë të re, asnjë frymëmarrje, asnjë shpresë për ndryshim. Prandaj mandati i katërt i Dukës është mandata e futbollit real. Që do të thotë se qysh ditën që ka shkelur në këtë sport në rolin e presidentit të FSHF-së, futbolli ka marrë të tatëpjetën, kurse trukimet dhe dhuna, cilësia e infrastruktura janë zi e më zi. Mandati i katërt i Dukës është thjesht një mandatë tjetër më kobndjellëse për futbollin dhe kjo thjesht pse kreu i FSHF-së nuk bën dot asnjë reformë nga pazaret pa fund që ka bërë me disa presidentë klubesh. Kësisoj, ky sport edhe në katër vitet në vazhdim do të mbetet "tërhiq e mos e këput", me dominim të standarteve të dyfishta, e mbushur me bastexhinj. Këta të fundit janë pikërisht ata që i sigurojnë mandatin Dukës, por realisht kanë lidhur këmbë e duar, i kanë zënë frymën futbollit tonë. Personalisht e kam ngritur zërin kudo dhe kurdo, sepse nuk mund ta ndiej erën e atij "moçali" që përmenda më lart, jo më të "lagem" prej tij, si shumë gazetarë që udhëtojnë e hanë bashkë me kombëtaren, edhe pse asnjë dritë nuk shihet në fund të "tunelit". Do të vazhdoj të këmbëngul në idenë e privatizimit e përdhunimit të këtij sporti nga Duka e bashkëpunëtorët e tij, që përcaktojnë rezultate teknike të ndeshjeve ndërkombëtare e kombëtare, që vendosin se kush fiton titullin, kush kupën, kush bie nga superiorja etj.

 

GSH

Comments

Submitted by Tani (not verified) on

<p>I sakte je prof.Zekaj, mendime te vlefeshme qe duhen degjuar. &nbsp;Kush nuk ka veshe te degjoje kembanat sot, neser do te degjoje mandaten e futbollit shqiptar!</p><p>&nbsp;</p>

Submitted by Tani (not verified) on

<p>I sakte je prof Zekaj! Cdo njeri qe ka pak mend mendon keshtu. Kush nuk degjon sot keto kembana, neser do te degjoje mandaten e futbollit shqiptar! Por neser do te jete vone...</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.