Lojrat me fatin

Postuar në 24 Tetor, 2013 15:27
Alqi Koçiko

Duhet pranuar se mjafton vetëm termi “aksion”, që ashtu si “fushata” e fjalë të tjera të ngjashme, të të ngjallet njëfarë alergjie. Për sqarim, njerëzve të këtij vendi nuk besoj se antipatia u vjen nga aksionet e dikurshme të detyruara vullnetare të diktaturës, por nga abuzimi i lodhshëm me këtë nocion gjatë epokës demokratike. Reformat, aksionet, fushatat e policisë për mbledhje armësh, “operacionet” kundër Lazaratit, uraganet e furtunat në drejtësi, shëndetësi, arsim etj, sidomos me ardhjen e një qeverie të re ose të një titullari rishtar dikasteri, e kanë bërë bajate këtë histori. Ndaj nuk është për t’u çuditur që ashtu si kafenetë e dikurshme reale, edhe kafenetë e sotme virtuale gëlojnë nga dyshimet, paralelisht përgëzimeve, për aksionin e ministrisë së Brendshme ndaj lokaleve të paliçensuara të lojrave të fatit. Por le të shohim disa detaje që i paraprinë dhe shoqëruan këtë aktivizim gjigand të policisë.

Fillimisht, ministri Tahiri deklaroi se humbjet e buxhetit nga mosarkëtimi i taksave nga këto lojra, kapin një shifër mbi 120 milionë dollarë vetëm për këtë vit. Shifra është domethënëse, aq më tepër për një qeveri që pikë të parë dhe më urgjenten e rendit të ditës, ka parametrat alarmantë financiarë që ka trashëguar. Realiteti “tjetër”, ai që dimë të gjithë, është gjithashtu për të vënë duart në kokë: Biznesi i lojrave të fatit që lulëzoi vitet e fundit, në shumë raste kontrollohet nga njerëz të ose pranë pushtetit të kaluar, duke paguar taksa minimale ose hiç fare, dhe kusuret i paguanin ata të “gënjyer” që hapnin lokale të ngjashme pa patur mbështetjen e duhur. Fakti që pas disa shkarkimeve të përveçme me akuzën e dekonspirimit të aksionit, Tahiri konkludoi se duhej shkrirë totalisht Antikrimi Ekonomik në të gjithë vendin, si sehirxhi (në mos i vajosur me bakshishe) ndaj këtij fenomeni, nuk ka nevojë për shumë koment.

Historia e bixhozit elektronik në Shqipëri, zuri fill rëndshëm pikërisht në kohët kur Greqia, por edhe Italia, nisën dhjetë e kusur vjet më parë t’i çmontojnë këto lokale, të alarmuara nga përhapja që kishin marrë. Sigurisht që makineritë e dala “jashtë loje”, ngjashëm me automjetet e përdorura të Europës, gjetën treg shitjeje në një vend si i yni që po përjetonte ca iluzione bumi ekonomik. Shkoi deri aty sa kafeneja, pasatempoja dhe biznesi më i përhapur ndër shqiptarë, u kërcënua seriozisht nga zllot makinat dhe llotot sportive. Logjika ngjan “e shëndoshë”: Pse të harxhosh paratë kot në kafe e raki, kur mund të provosh fatin? Dhe shumëkush nga ata që e provuan, janë shndërruar në robër të vesit, pa llogaritur tjetrën, që mjedise të tilla bëhen habitate natyrale të kriminalitetit. 

Thënë kjo, megjithë alergjinë ndaj aksionit apo fushatës (në vend të përkohshmërisë së të cilit qytetarët preferojnë gjithëkohshmërinë e ligjit që zbatohet prerë dhe verbër nga kushdo), operacioni i ministrit është për t’u përgëzuar, si sinjal lufte ndaj një gangrene që i shtohet si qershia e helmuar mbi tortën e hidhur, halleve dhe problemeve të këtij vendi. Por nuk mund të mos vihen re edhe disa anë që premtojnë kontradiktë. Kështu, përballë nevojës shoqërore për kufizimin, vendndodhjen e mirëpërcaktuar, liçensimin, taksimin e rreptë etj, të lojrave të fatit, vihet nevoja e buxhetit të shtetit për shumat e mëdha që vilen nga këto aktivitete. Ndaj duhet gjetur një e mesme që respekton të dyja nevojat.

Ama, nuk mund të lihen pa përmendur edhe disa dyshime që kanë hedhur skeptikët apo kritikët e kësaj qeverie. A është ky një operacion që synon pastrimin e tregut nga “operatorët” aktualë, për ta mbushur më vonë vakumin e krijuar, me biznese identike njerëzish pranë ose brenda PS-së? Me të njëjtën linjë arsyetimi, a do mbeten fjala vjen, spitalet, të pastruara nga aktivitetet ndihmëse jashtëspitalore, apo do rimbushen me bizneset e “këtyre” pasi të largohen “të atyre”?

Këtë dyshime i zbardh vetëm e ardhmja e afërt. Por operacioni me emërtimin që rrezaton vendosmëri, “Fund marrëzisë”, mund t’i çojë deri në fund përgëzimet e shumëkujt ndaj Saimir Tahirit, nëse ministri kryen edhe hapin tjetër. Moratoriumi i përkohshëm që pezullon veprimtarinë e kazinove deri në verifikimin e plotë të operatorëve të ligjshëm e të paligjshëm në treg, është e vetmja rrugë për të ndarë shapin nga sheqeri (për aq sa mund të përmendet sheqeri në rastin e bixhozit). Por nëse flitet për bashkëpunim e dialog politik e institucional, ndoshta duhet kërkuar bashkërendim me kryebashkiakun Basha, edhe për aksionin e harruar të këtij të fundit për mbledhjen në një hapësirë gjeografike të bizneseve të kumarit. Kjo, jo vetëm për Tiranën dhe gjithkund. Të paktën në këtë mënyrë, cilido shqiptar që ka vendosur të luajë me pasurinë dhe fatin e familjes së tij, të detyrohet të bëjë një copë rrugë të mirë drejt vesit, dhe jo të shitet që tek lokali në hyrje të pallatit.  

 

Revista Klan

Comments

Submitted by Arjana (not verified) on

<p>Makinat e lojrave te fatit,me se shumti kane qene ne perdorim nga inspektoret e antikrimit ekonomik prane Komisariateve te Policise ne rrethe.Inspektoret e antikrimit ekonomik,ne bashkepunim me inspektoret e Drejtorive te Hetimit Tatimor ne Qarqe,kane bllokuar kazinote,apex-a etj,makinat e kumarit te konfiskuara nuk i kane dorezuar ne Komisariatet e Policise apo ne DRTatimore,por i kane fshehur ne ambiente te ndryshme,deri sa jane paraqitur pronaret e tyre per te paguar rushfete te majme sepse kane qene nen presionin e konfiskimit dhe ndjekjes penale.Ne te shumten e rasteve kane rene dakort qe inspektoret e antikrimit te mbajne nje pjese te makinave te kumarit dhe pjesen tjeter ja kane kthyer pronareve.Makinat e kumarit inspektoret i antikrimit ekonomik i kane derguar ne pergjigjesi ne pikat e basteve sportive ne nje ndarje te veçante nga lokali.Çdo 4-5 dite kane shkuar ne lokalet ku kane pase makinat dhe kane marre parate e fituara.Ne qytetin tone,antikrimi ekonomik ka kontrolluar me shume se gjysmen e makinave te kumarit.Ky eshte shkaku qe aksioni &quot;fundi i marrezise&quot; nuk ka arritur te bllokoje as 1/4 e makinave te kumarit sepse kane qene te lajmeruar dhe nuk kane patur aresye qe te konfiskojne makinat e veta.Duke patur makinat ne pikat e basteve sportive,keta te fundit kane punuar pa regjistruar piken e basteve &nbsp;sipas detyrimit ligjor per lojrat e fatit,por nuk jane regjistruar as si tatimpagues per aktivitetin bar kafe.Ne pergjithesi pikat e basteve sportive nuk jane te regjistruar si tatimpagues sepse kane mbajtur me rushfete inspektoret e antikrimit ekonomik dhe inspektoret e DRTatimore dhe DHetimit Tatimor te Qarqeve.</p><p>Ne kete afere kane qene te perfshire qe nga Drejtori i Pergjithshem i Tatimeve deri te Drejtoret Rajonale te tarafit te tij.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.