Kush do ta besojë Bashën?

Postuar në 28 Korrik, 2013 03:35
Edmond Arizaj

Ai s’i ka më këmbët e gjata e muskuloze, siç i pëlqen ta përshkruajë ndonjëherë Artur Zheji. Ndoshta as krejt të shkurtëra si gënjeshtra, sepse kjo e fundit në zgjedhjet e Partisë Demokratike nuk ishte ekzkluzivitet vetëm i tij. Por gjithsesi, duart, duket se i ka të gjata. Për të marrë vota që nuk i takojnë. Edhe nëse nuk i ka ndyer duart vetë, pranimi i faktit, qoftë edhe dijenia, e bën atë njëlloj të fajshëm, si në 2011 kur u zgjodh kryetar i bashkisë, si në 2013 kur u zgjodh kryetar i partisë.

E, kjo fajësi, nuk është vetëm një kokëçarje për Lulzim Bashën, por një njollë e madhe që i ngjishet Partisë Demokratike, si grabitëse votash brenda shtëpisë së saj. E kush nuk do të dyshojë në çdo palë zgjedhje se PD do të jetë e qelibartë?! Kush do të besojë tashmë se Basha luan pastër?! Me zgjedhjet brenda partisë, me këmbënguljen për të zgjedhur Lulzim Bashën me çdo lloj çmimi, Berisha i ka bërë shërbimin më të madh Edi Ramës. Jo vetëm që partinë e tij, PD, e ndau dhe e përçau, por tashmë edhe nëse budallallëqet më të mëdha po të bëjë Rama në krye të qeverisë, kur të vijë puna në zgjedhje, PD me Bashën kryetar është e damkosur si manipuluese votash.

Kjo nuk është një dramë vetëm për këtë parti që përfaqëson gati gjysmën e shoqërisë shqiptare, kjo është dramë për krejt shoqërinë shqiptare. Papritur vetëm nga një lëvizje politike e çartur brenda të djathtës, kthehemi në një vend njëpartiak. Dhe nuk dihet përsa kohë. Mbi 80 mandate të besuar nga populli shqiptar për të majtën, disa deputetë të aleancës së djathtë të cilët fare mirë mund të kalojnë majtas, shtuar tani së fundmi dhe një Parti Demokratike, të cilës do t’i duhet shumë kohë të marrë veten, e më shumë akoma (Basha është i ri) të pastrojë njollën e manipuluesit, e bëjnë të majtën gati të pathyeshme.

Tashmë asgjë nuk është më në dorë të opozitës së ardhshme, qoftë edhe në dorë të popullit. PD, pjesë kryesore të saj, me gabimet e tyre, u kujdesën që gjithçka në këtë vend të mbetet në ndërgjegje të drejtuesve të majtë. Bashës nuk i beson më njeri, PD do ketë problemet e saj, populli po i zënë me hallet e tij, ndërkombëtarët shpresëtarë si përherë, do na duhet, të gjithëve bashkë, vetëm të lutemi që Rama me të tijtë të jenë vërtetë të pikuarit nga qielli, atdhetarët më të mëdhenj, punëtorët më të zellshëm, luftëtarët e paepur për drejtësi dhe prosperitet, armiqtë e vendosur të korrupsionit dhe krimit.

Vetëm kjo lutje ka mbetur për popullin shqiptar, përballë një politike që na siguroi pas 23 vjetësh sërish një rregjim gati një partiak, me një PD, që duhet të përgatitet për një opozitë shuuumë të gjatë dhe me një kryetar të sajin, i cili nuk dihet se çfarë mund të bëhet nëse Berishës i shkrepet për një moment të ndjekë rrugën e Fatos Nanos, e që në parti do të shihet si uzurpues. Kjo është situata e trishtë.

 

Shqiptarja.com

Comments

Submitted by Nderim Toci (not verified) on

<p>Lulzim Basha eshte nje genjeshtar patologjik.</p><p>Ka genjyer per gjithshka, duke nisur nga CV e vet ...</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.