Kush është Tomisllav Nikoliç?

Me Tomislav Nikoliqin si kryetar Serbia ka nisur një eksperiment politik. Dikur vojvoda i çetnikëve kërkonte – bashkë me mentorin e tij politik Vojislav Sheshel – që shqiptarët e Kosovës të infektoheshin me sidë. Kështu, sipas tyre, do të zgjidhej çështja e Kosovës. Një president të tillë e ka merituar Serbia që ende nuk është e gatshme të ndahet nga demonët e së kaluarës. Një president të tillë e ka merituar edhe Bashkimi Evropian me politikën e tij joparimore ndaj Serbisë.
Në çastin e triumfit të tij më të madh në karrierën e gjatë politike presidenti i ri i Serbisë u përpoq të luajë rolin e pajtimtarit; si me vështirësi ai tentonte të dukej i përzemërt. Tomislav Nikoliqi menjëherë bëri të qartë se vendi i tij nuk do të largohet nga shtegu proevropian. Ai nuk foli për ripushtimin e Kosovës, por për mbrojtjen e të drejtave të serbëve në Kosovë – e cila për Serbinë mbetet krahinë, për shqiptarët, për shumicën e pakicave dhe gati 100 vende të botës shtet i pavarur. Paksa me ton aventurier Nikoliqi premtoi se do të krijojë vende të reja pune dhe do të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, dy fenomene, sipas tij, të toleruara nga presidenti i deritanishëm Boris Tadiqi. Paralajmërimet populliste të Nikoliqit mund të duken atraktive në shtresat e varfra të popullsisë serbë. Por, ky politikan deri më sot nuk ka dhënë dëshmi se është demokrat që beson në shtetin juridik. Retorika e tij tingëllon e moderuar, po ashtu ai nuk kërkon më krijimin e Serbisë së madhe. Por Nikoliqi ende nuk është distancuar bindshëm nga e kaluara e errët serbe, ndërkohë që përpiqet të dëshmojë se e ka përmbyllur shndërrimin e tij prej ultranacionalisti në proevropian. Ndryshe nga presidenti i deritanishëm Tadiq, Nikoliqi kurrë nuk ka kërkuar falje për krimet e bashkëkombësve të tij.
Zgjedhësit serbë të dielën, duke votuar për Nikoliqin, vendosën të nisin një eksperiment politik. Ishte dëshpërimi për gjendjen e rëndë ekonomike që i shtyri jo pak serbë t’i japin votën Nikoliqit. Fitorja e tij e komplikon pozitën e Serbisë në politikën e jashtme dhe të brendshme. Presidenti i ri në vitet 90-të ka qenë një nacionalist i pëgërë dhe bashkëprovokator i luftërave në Ballkan, jo vetëm me retorikë primitive. Mentori i atëhershëm politik i Nikoliqit, i akuzuari për krime lufte Vojislav Sheshel, synonte të pushtonte më shumë se gjysmën e territorit të Kroacisë dhe kërkonte t’ua nxirrte sytë kroatëve me lugë të ndryshkura. Për të zgjidhur çështjen e Kosovës ai propozonte që shqiptarët të infektohen me virusin e sidës. Nikoliqi me vite të tëra e ka përfaqësuar këtë politikë. Tek në vitin 2008 ai themeloi Partinë Përparimtare Serbe (SNS), e cila befas proklamoi se e përkrah integrimin e Serbisë në BE.
Në politikën e brendshme të Serbisë tani kartat e lojës janë përzier rishtas. Me Nikoliqin si president Serbia gjendet para një kohabitacioni me president nga një parti tjetër dhe me qeveri që pritet të përbëhet nga partitë kundërshtare. Pas zgjedhjeve parlamentare të 6 majit demokratët e Tadiqit dhe socialistët e autokratit të dikurshëm Slobodan Milosheviqit u pajtuan të vazhdojnë bashkëqeverisjen. Por Nikoliqi sipas Kushtetutës ka të drejtë të propozojë edhe një funksionar të partisë së tij për krijimin e një kabineti të ri.
Boris Tadiqi, humbësi i madh dhe deri më tani i preferuari i Perëndimit, ka deklaruar se është kundër kohabitacionit. Zgjedhësit e dënuan Tadiqin jo vetëm për shkak të stagnimit ekonomik, por edhe për mungesën e gatishmërisë për të kufizuar ndikimin e oligarkëve. Ata u pasuruan gjatë sundimit të Milosheviqit përmes privatizimeve kriminale dhe arritën të ruajnë ndikimin edhe pas kthesës së ashtuquajtur demokratike në tetor 2000, duke financuar partitë politike. Me Tadiqin Serbia humb një president pak më racional se Nikoliqi. Përkundër të gjitha dështimeve Tadiq ka disa merita: ai arriti të përmirësojë imazhin e keq të Serbisë në botë dhe për dallim nga politikanët e tjerë pati guximin t’i ekstradojë në Hagë Radovan Karagjiqin dhe Ratko Mladiqin, dy fajtorët kryesorë për krimet masive në Bosnjë.
Bashkimi Evropian, i cili viteve të fundit ka zhvilluar një politikë joparimore ndaj Ballkanit dhe ka shpërblyer Serbinë me statusin e kandidatit pa ndonjë meritë, duhet ta masë Nikoliqin sipas veprave të tij. Që nga marsi Serbia ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ndonëse nuk ka bërë asnjë hap drejt pranimit të asaj që është evidente: pavarësia e Kosovës. Me vite të tëra Tadiqi është përpjekur t’i bindë bashkëkombësit e tij se anëtarësimi në BE dhe lufta për “rikthimin e Kosovës” janë dy postulate të përputhshme. Kjo politikë kundërthënëse nuk ka ardhmëri. Sa më shpejt që këtë e kupton Nikoliqi, aq më e lehtë do të jetë rruga e Serbisë drejt Evropës së civilizuar. Si lider opozitar Nikoliqi është treguar i pakompromis ndaj Kosovës. “Nëse na thonë se ne mund të hyjmë në BE, por Kosova nuk na takon neve, atëherë ne themi ‘jo, faleminderit, mirupafshim. Ne kemi rrugën tonë’”, ka deklaruar Nikoliqi. Se nga do ta çojë Serbinë kjo rrugë, mbetet e paqartë. Dikur Nikoliqi thoshte se Serbia mund të bëhet “krahinë ruse”. Sot ai propagandon anëtarësimin në BE, jo pse është demokrat dhe evropian i bindur, por pse e di se shumica e investimeve vijnë nga Perëndimi. Por ngjallja ekonomike mund të arrihet vetëm nëse Serbia bëhet shtet funksional dhe normal, i cili gjen paqen me vetveten dhe me fqinjët.
Nikoliqi është përpjekur viteve të fundit të duket sa më i afërt me popullin. Ai shpesh flet për nipat dhe mbesat e tij, tregon se si pjek raki në fshatin e tij të lindjes në Serbinë qendrore dhe si kërkon kërpudha. Si president ai nuk do të pranohet me lehtësi nga fqinjët. Fundja para dy dekadash ai si vojvodë i çetnikëve ka marrë pjesë në luftën kundër Kroacisë. Partia e tij e atëhershme (Partia Radikale) ishte shpesh më radikale se vetë Milosheviqi. Jo vetëm ndaj fqinjëve. Në fund të viteve 90-të Nikoliqi u zgjodh zëvendëskryeministër, kur regjimi ngushtoi lirinë e shtypit dhe futi nën kontroll universitetet, të cilat ishin qendra të opozitës antiqeveritare. Për shkak të punës së tij të dikurshme si shef i varrezave në Kragujevc, Nikoliqi nga mediat serbe është përshkruar si varrmihës i demokracisë. Nikoliqi ka kandiduar dy herë – më 2004 dhe 2008 - kundër Tadiqit në betejën politike për të marrë postin e kryetarit të Serbisë. Dhe ka pësuar disfatë. Për shumicën e serbëve ai nuk ishte i pranueshëm derisa fliste për Serbinë e Madhe dhe lavdëronte kriminelët e luftës, duke i quajtur heronj. Tek pas disfatës së dytë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008 Nikoliqi ra në konflikt me partinë e tij radikale për shkak se mbështeti afrimin me BE-në. Për pasojë ai u përjashtua nga Partia Radikale dhe themeloi Partinë Përparimtare Serbe. Pas metamorfozës së tij Nikoliq madje u prit në Bruksel. Kur gazetarët ia kujtojnë atij të kaluarën e tij dhe pallavrat e përgjakshme për Serbinë e Madhe, ai reagon me nervozizëm. Për të larguar vëmendjen nga ky kapitull ai më shumë flet për gjendjen e rëndë ekonomike në Serbi, ku rroga mesatare është rreth 350 euro dhe papunësia ka arritur në 24 për qind.
Koha Ditore
Comments
Enver Robelli si Chak Norrisi
<p>Enver Robelli si Chak Norrisi i din krejt! Enver Robelli ta shtin mizen me notue ne tegull. Enver Robelli din me shkru serbisht me shkronja shqip. Enver Robelli mundet me tu ba edhe Chak Norris vec me e libvrit gishtine vogel te kenmbes. Nuk po vazhdoj se Enveri mundet edhe mu zhduk!</p>
Add new comment