Kujtesë për z. Rafaele Nigro

Postuar në 19 Nëntor, 2011 02:32
Dashnor Kokonozi

Titulli intervistës së z. Raffaele Nigro  në  GSH të 16 Nëntorit «Agolli e Kadareja të heshtur në ’90, s’flisnin kundra», më tërhoqi vëmendjen sepse, duke qenë se punën e përkthyesit në atë mes e bëja kryesisht unë, nuk kujtoj  asnjë rast, që atyre t’u jenë drejtuar pyetje të natyrës politike,  ndërkohë që nuk di që ata të kishin ndonjë detyrim t’i rrëfenin Nigros opinionet që kishin për regjimin. Bisedat rrihnin në terrene kryesisht letrare.

Më tej, shumë shpejt u binda se viktima e vërtetë e intervistës së tij isha unë vetë, që citohesha sikur kisha thënë se në Shqipëri hahej mirë e jetohej mirë. Ishte me të vërtetë diçka tronditëse për mua. Nuk di kurrë ta kem katandisur bisedën me të huajt në një vulgaritet të tillë, as atëhere e as sot, kur për shumë vetë gjysmë shekulli diktaturë paraqiten si një mungesë e thjeshtë ushqimesh.  Në vizionin tim puna e ushqimit ishte vetëm pjesa  e dukshme e një tragjedie shumë më të thellë dhe është absurde të mendosh se pas ngjarjes së ambasadave mund të gjeje ende një shqiptar që të shprehej në atë mënyrë.

Jo vetëm në atë kohë, por që në fillim të viteve shtatëdhjetë kur me shokët e mij me naivitet sajonim lloj-lloj arsyesh  për t’iu afruar turistëve të ndryshëm në plazhin Durrësit për t’u shprehur një sërë opinionesh, kurrë nuk di ta kem banalizuar bisedën në atë fare feje, kemi a nuk kemi të hamë.

Shumë kohë para se të vinte Nigro në Shqipëri transmetoja dy herë në ditë kronika për Radion Viktoria në NY dhe në regjistrimet e rastit, mund të mësohet diçka tjetër nga ajo që po shoh në GSH. Ruaj edhe sot e kësaj dite si gjësendi të shtrenjtë për mua,  kartolinat me falenderime, madje edhe librat me dedikim,  që më dërgonte Indro Montaneli për informacionin e saktë që merrnin prej meje njerëzit që më dërgonte në Tiranë. Të asaj kohe janë edhe vizitat në Shqipëri jo vetëm të dhjetëra e dhjetëra gazetarëve të tjerë, spanjollë, francezë etj., por edhe  të një numri eurodeputetësh si Maria Antoneta Maçioki apo miku im i ndjerë, shefi i të gjelbërve në Parlamentin Evropian, Alesandro Langer, por në librat e tyre emri im përmendet në një kontekst krejt tjetër.

Ndërkohë dijeni kanë  edhe gazetarë më të rinj , si Novella Topi e ANSA-s, që më pas më lidhi me RAI-n për transmetimin direkt të njoftimit tim për shembjen e bustit të E. Hoxhës në radiot publike italiane, por me dhjetëra herë kam përkthyer edhe për Carlo Bolinon, F. De Tomasson e shumë  të tjerë, që edhe ata mund të dëshmojnë për bisedat që bënim deri në të gdhirë duke ecur nëpër rrugët e Tiranës.

Isha korrespondent i Shqipërisë për La Gazzetta del Mezzogiorno, shumë kohë para se të lindte GSH, shkruaja reportazhe për Ilustrazione Italiana, isha bashkëpunëtori i shqiptar i revistës Europa Ritrovata,  dhe organeve të tjera të shtypit italian, në të cilat mund të verifikohen opinionet e mija të asaj kohe.

Jam duke kërkuar në  internet dhe shoh se në vizitën e parafundit në Shqipëri, Z. Nigro deklaron se unë rrija i  heshtur dhe nuk shprehesha nga frika e spiunëve që na rrethonin. Edhe një gjë e tillë nuk di të jetë e vërtetë. Unë e dija mirë cilët ishin spiunët, por dija gjithashtu edhe tronditjen dhe alarmimin që pësonin të huajt po t’i vija në dijeni për një gjë të tillë, ndaj  përpiqesha t’u jepja në dorë elementë të tjerë për të dekoduar atë realitet hermetik. Në rast se ndonjë herë i kam bërë shenjë që të mos e zhvillonim më tej ndonjë bisedë të nisur në makinë, këtë e kam bërë jo më shumë nga frika e shoferit, siç thotë ai,  se nuk besoja se niveli i Sigurimit ishte i tillë që edhe shoferët t’i kishte poliglotë, por sepse në atë kohë midis përkthyesve qarkullonin fjalë se makinat që na jepnin në përdorim ishin të pajisura me mikrofona.

Për të tjerat, ndihem shumë i habitur, në mos i fyer dhe dua të besoj se gjithçka është çështje kujtese. Sikundër problem kujtese është edhe thënia e tij se erdhi në Shqipëri si gazetar. Për vizitën e tij në Shqipëri ai mori një ftesë prej meje, me autorizimin e Lidhjes, meqë rastësisht dëgjova  në një radio italiane që kishte  botuar një roman me subjekt shqiptar. Meqë Shqipëria ishte një vend i bojkotuar vetë Nigro më tha se në Francë kishin shprehur pakënaqësi për atë vizitë të tijën në vendin e fundit stalinist të Evropës. Më vjen  mirë që ai i mban ende të ngushta  lidhjet më Shqipërinë, ndërkohë që unë nuk e kam atë mundësi, por kjo nuk do të thotë se në mungesën time aty,  mund të taksohem për shprehje që nuk janë fare në natyrën time.

Comments

Submitted by A.G (not verified) on

<p>O Dashi mos e ca koken, keto jane te zakonshme si ne anet tona dhe tek komshijte. Botuesit percaktojne edhe problemet qe duhen trajtuar ne intervista, libra, kujtime e tjere, pavaresisht se mund te shkelen ca te verteta , subjektive ne fund te fundit sipas memories se gjithesecilit dhe interesave te cdokujt. Ende do te degjojme edhe shume te tjera. Nese keni ndjekur ndonje interviste te autoreve qe bene me shume dambe-dambe ne panairin e librit te para do koheve, do keni gjetur mes tyre edhe ndonje aresye per &quot;te shitur me shume&quot; duke futur dhe disa gjera per te cilat ka &quot;etje&quot; lexuesi, pra ka &#39;&#39;mexhite&#39;&#39; per te harxhuar. Me kollaj akoma flitet per &quot;llogoristet&quot; qe kane vdekur, se mund te krijosh historira per te &quot;eger&quot; qe t&#39;u rritet respekti per ta &quot;te buteve&quot;. Akoma jemi yrrja-byrrja...</p>

Submitted by Vali (not verified) on

<p>E bleva linrin e Nigros ditari i Shqiperise. Aty ai thote gjera te tjera per kokonozin. Me siguri Gazetat shqiptare e kan manipuluar intervisten per arsyet qe i din ajo vete.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.