Kriza po sulmon ethosin e Perëndimit

Postuar në 14 Dhjetor, 2011 03:07
David Brooks

Pse kombe si Gjermania dhe SHBA janë të pasura? Kryesisht nuk është sepse ato kanë burime të pasura natyrore – shumë kombe i kanë ato. Kryesisht është për shkak të zakoneve, vlerave dhe kapitalit social.

Është sepse shumë njerëz në këto vende, siç edhe nënvizon Arthur Brooks i American Enterprise Institute, besojnë në një formulë morale të thjeshtë: përpjekjet duhet të çojnë në shpërblim sa më shpesh të jetë e mundur. Njerëzit që punojnë shumë dhe sillen sipas rregullave duhet të kenë një shans për të arritur mirëqenie. Paratë duhet t’u shkojnë njerëzve në bazë të meritave dhe iniciativës. Vetëkontrolli duhet të shpërblehet, ndërsa përtacia dhe vetëkënaqësia, jo. Institucionet e komunitetit duhet të ushqejnë përgjegjësi dhe drejtësi. Ky ethos (tipar dominues) nuk është një pronë gjenetike e pandryshueshme, e cila pakujdesshëm mund të merret për e mirëqenë. Është një strukturë sociale e çmuar, që mund të sulmohet dhe degradohet. Pikërisht tani, ky ethos po sulmohet nga të gjitha anët. Njerëzit po shohin se si lobistët po i devijojnë paratë në bazë të lidhjeve; ata po shohin se si traders-at bëjnë miliona falë manipulimeve afatshkurta; shohin se si qeveritë po vjedhin nga brezat e ardhshëm për të shpërblyer votuesit e sotëm. Rezultati është një krize legjitimiteti. Loja është e manipuluar. Besimi social është tkurrur. Përpjekjet nuk ia vlejnë më. Makineria e prosperitetit po ngadalësohet. Megjithatë, sulmi ndaj këtyre vlerave vazhdon, sidomos në Europë. Përgjatë dekadave të fundit, kombe të ndryshme europiane, si Gjermania dhe Holanda, kanë luajtur sipas rregullave dhe kanë praktikuar qeverisje të mirë. I kanë shtrirë këmbët sa kanë pasur jorganin, kanë ndërmarrë reforma të vështira, kanë rritur konkurencën dhe përforcuar vlerat. Tani këto kombe po kritikohen sepse nuk duan të nxjerrin nga balta kombe si Greqia, Italia dhe Spanja, të cilat nuk i bënë këto gjëra, të cilat morën hua të mëdha që po zgjedhin të mos i ripaguajnë. Llogaritet që kostoja e këtyre ‘nxjerrjeve nga balta’ të jetë shumë e madhe dhe mund të jetë më e madhe se sa kostoja e dëmshpërblimit që pagoi Gjermania pas Luftës së Parë Botërore. Gjermanët po kritikohen se nuk duan të nxjerrin nga balta Greqinë, ku edhe sot shumë njerëz nuk janë të gatshëm të paguajnë taksat e tyre. Ata po kritikohen se nuk duan të shpëtojnë Italinë, ku perspektivat për një rritje në të ardhmen janë akoma të pasigurta. Po u kërkohet të shpëtojnë kombe me sektor publik të pafundmë dhe demografi të tmerrshme. Po u kërkohet të mbulojnë probleme ekonomike thelbësore me një mal parash. Është e vërtetë që gjermanët përfituan jashtë mase shumë nga eurozona dhe nga flluska e Europës Juglindore, dhe që bankat gjermane dhe franceze janë shumë larg të qenit të pafajshme. Është e vërtetë që pasojat për botën mund të jenë katastrofike nëse eurozona kriset. Është e vërtetë që në kohë krizash bën gjëra që nuk do i bëje në rrethana të zakonshme; bën gjëra që dhunojnë vlerat e tua të përditshme. Por duhet ta simpatizojmë kombin gjerman. Ata nuk po tregohen egoistë duke insistuar për reforma strukturore në këmbim të shpëtimit. Ata nuk janë pengje të një ideologjie strikte. Nuk janë të trullosur nga ndonjë bestytni gjysmë e çmendur Weimar-eze për inflacionin e shfrenuar. Ata po mbrojnë vlerat, doket dhe kontratën sociale mbi të cilën është bazuar prosperiteti i Perëndimit. Gjëja më e frikshme është se shumë prej njerëzve që po kritikojnë Gjermaninë duket se janë shumë pak të angazhuar me formulën përpjekje-shpërblim, themelin e kapitalizmit. Në një anë janë teknikët, të cilët janë të pavëmendshëm ndaj vlerave. Për ata, çdo gjë që nuk mund të numërohet dhe modelohet është një parëndësi primitive. Në anën tjetër janë njerëzit që e shohin krizën europiane nëpërmjet prizmit të ndonjë lufte kozmike klasash. Nuk ka rëndësi mënyra se si njerëzit po sillen, por nëse ata janë një kam apo nuk-kam. Burden of proof (Barra e provës) është kundra atyre që kanë. The benefit of doubt (një gjykim i favorshëm në mungesë provash) është me nuk kam-ët. Çdo kundërshtim për rishpërndarje pritet me furi. Mësimi i vërtetë nga kriza financiare është se, në kulmin e krizës, ti bën atë çka duhet të bësh. I nxjerr nga balta bankat. I nxjerr nga balta qeveritë e dobëta europiane. Por, në të njëjtën kohë, ti mbërthen fortë politika që forcojnë hallkën thelbësore midis përpjekjes dhe shpërblimit. Dhe, sapo kriza të kalojë, lëviz për të riparuar legjitimitetin e sistemit. Kjo nuk ndodhi pas krizës amerikane të 2008-ës. Njerëzit që e shkaktuan krizën kur nuk dhanë llogari. Kur nuk pati një strategji daljeje për të çliruar borxhin e madh që ishte grumbulluar.  Problemet strukturore që rënduan ekonominë, kurrë nuk u adresuan. Dhe si rezultat, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vuajnë një krizë të tmerrshme besimi që po ngadalëson rritjen, kufizon veprimin e qeverisë dhe i shpërndan politikat tona në drejtime të çuditshme. Sfida e Europës nuk është vetëm tejkalimi i kolapsit financiar, por tejkalimi i tij në një mënyrë të tillë që nuk helmon fidanishten e prosperitetit. Cilat vlera do të shpërblehen dhe riforcohen? Do të jetë përpjekja, prodhimtaria dhe vetëdisiplina? Apo do të jetë keqqeverisja, tani e përgjithmonë?

Marrë nga New York Times

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.