Kriza, erdhi apo iku?!

Postuar në 18 Nëntor, 2013 05:39
Adi Darsi

Nga shtatori e tani politika shqiptare dhe raporti i saj me zhvillimet ekonomike i kanë ngjarë një teatri absurd. Një shumicë qeverisëse që e ka fituar këtë të drejtë juridikisht që më 24 qershor dhe praktikisht dy muaj më parë në artikulimin e saj publik fliste nga mëngjesi në darkë për krizë të thellë ekonomike, për rrënim financiar, gropa të mëdha në të ardhurat buxhetore e të tjera si këto. Përballë saj, një opozitë që fliste për financa të shëndosha, për rritje ekonomike, klimë shumë të mirë biznesi, taksa të ulta etj etj. Palët bënin secila ekzaktësisht të kundërtën e asaj që kanë si rol në skenën politike. A ishte ky thjesht një moskuptim? Jo. Shumica vijonte lojën politike për të përgatitur zhvillimet e së ardhmes, opozita që efektet e humbjes i ka ende “të ngrohta” vijonte të sillej si të ishte në pushtet duke mbrojtur ata arritje të cilat politikisht për të nuk kanë më vlerë.

 

Nëpër vende!

“Më e keqja kalon më 2013-ën”. Deklarata e kryeministrit Rama në takimin me deputetët e tij erdhi veç tjerash edhe si një komandë “Nëpër vende!” Tashmë shumica do të sjellë në publik historitë e saj të suksesit dhe opozitës do t’i mbetet të flasë për rrënim. Televizionet do të përcjellin çdo ditë një seri të telenovelës. Fjalia që erdhi si një befasi në artikulimin kryeministror të Ramës, në fakt ishte paralajmëruar pak ditë më parë nga drejtuesja e doganave. Ajo ishte e para që çeli serinë e sukseseve të qeverisjes së majtë. Dy-tre ditë më pas ndonëse me të njëjtat tonë foli edhe drejtuesja e tatimeve e cila tha se nëntori do të ishte muaji i “zbritjes në terren” pasi kishte konstatuar se kishte shumë biznese të paregjistruara! Ndërkohë boksimi i shtetit me lojrat e fatit vazhdon, paçka se ende nuk është e qartë nëse ndeshja do të përfundojë me pikë apo me “nokdaun”. Zhurmës mediatike të fillimit për shkarkimet e administratës, kur në të vërtetë ajo që ndodhte ishte shumë pak, ja ka zënë vendin heshtja që mbulon një çmontim të vërtetë të saj. Përballë, një opozitë që bën betejën e saj. Denoncon publikisht “skandalet” e qeverisjes.

 

Doganat “plot fitorje”  

Sihariqi erdhi nga doganat. Në tetor u mblodhën  mbi 20 milionë dollarë më shumë. Nëse ecim me këtë trend, i bie 250 milionë dollarë në vit. Nuk është pak. Krahasuar me 2012 jemi më mirë. Edhe më mirë nëse krahasohemi me 2005, pale po të marrim guximin e të krahasojmë shifrat me 1939. Ç’po ndodh? Ja doli kaq shpejt drejtuesja e re e doganave? Nëse po, atëherë ç’duhet “Crown Agents”? Thua të jetë kaq rozë situata? Dogana do arrijë sukses sa herë të rriten importet e eksportet (INSTAT para pak ditësh ka raportuar 15 për qind rritje eksportesh për shtatorin). Doganat do grumbullojnë më shumë të ardhura kur të administrojnë si duhet së pari mallrat e akcizës. Të bësh punën është detyrim dhe lavdërimi për këtë nuk ngjit shumë. “Suksesi” që arrihet kaq lehtë po aq kollaj mund të bëhet flakë kashte. Një trembje “postzgjedhore” nuk përjashtohet. Hallet janë po aty. Standardet europiane e kanë ndryshuar konceptimin për doganat. Ata gjithnjë e më shumë kanë atributet e kontrollorit dhe më pak të një agjenti fiskal. Problemet nuk janë të pakta. Kontrollet në shumë raste janë vetëm sa për emër. Se nëse malazezët ndalojnë kastravecat shqiptarë në kufi, çfarë duhet bërë me produkte të tilla si mishi që vjen nga Amerika Latine apo qumështi e biskotat që hyjnë në tregun tonë pasi janë ricikluar nja tre apo katër herë: A ka vend për sihariq?   

 

“Sukses” dhe në tatime

Pa zgjatur as dy ditë, drejtuesja e tatimeve që ka qenë në shënjestër të sulmeve pasi mori atë post, dilte në komunikimin e saj të parë zyrtar e kënaqur me ecurinë mujore të punës. Plani mujor i të ardhurave u realizua sipas saj 106 për qind. U mblodhën 12 milionë dollarë më shumë se një muaj më parë. Tejkalim rezulton të jetë shënuar edhe krahasuar me tetorin 2012. Një deklaratë tipike burokratike tatimesh. E reja në të është se u zbulua një skemë mashtruese me TVSH-në që së bashku me evazionin e zbuluar shkon 8 milionë dollarë. A duhen marrë kaq seriozisht këto miliona të pare? Sigurisht që jo. E para është ajo që publikisht e tha në emër të partisë së tij ish zëvendësministri i Financave Florion Mima: Plani për mbledhjen e të ardhurave u ul me një akt normativ. Nëse marrim për bazë programet e mbledhjes së të ardhurave me buxhetin 2013 të programuar nga demokratët, si në tatime edhe në dogana ka mosrealizime. E dyta, të mbledhësh 8 milionë dollarë më shumë, për buxhetin e shtetit nuk do të thotë asgjë.  

 

Po me krizën c’bëhet?

A kemi qenë në krizë? A jemi në krizë? Nëse po, kur hymë? Nëse jo, çfarë emri t’u vëmë treguesve ekonomikë të përkeqësuar? Bankat nuk po kreditojnë. E para, se kanë frikë ta bëjnë diçka të tillë, e dyta vetë bizneset nuk është se shohin ndonjë optimizëm në tregje. Frika e bankave vjen nga rritja e nivelit të kredive të këqija që sa vijnë e bëhen më shqetësuese për krejt ekonominë. Qeveria rriti huamarrjen e brendshme 250 milionë dollarë dhe normat e interesit në vend që të rriteshin, ranë. Përfaqësuesit e biznesit kërkojnë çdo ditë që qeveria t’u kthejë borxhet që ka. Këtë rekomandon edhe FMN-ja. E gjithë sipërmarrja është futur në një rreth vicioz borxhesh. Të zhytur në borxhe, sipërmarrësit pak e kanë mendjen tek puna apo zgjerimi i investimeve. Të gjithë janë futur në fazë “kursimesh”. Janë rritur depozitat por jo interesat e tyre. Banka e Shqipërisë raporton rënie të konsumit (klimë kursimesh pra) por edhe rënie të investimeve private. Nuk bëhet fjalë për vende të reja pune. Nuk ka se si të pritet ndonjë rrije pagash. Është krizë apo janë efektet e krizës që po përjetojnë vendet përreth nesh, emri ka pak rëndësi. Ajo që shohin të gjithë është se kohët e optimizmit kanë ikur. Dhe ai për fat të keq nuk kthehet as me deklarata e as me fermane të qeverisë.    

 

Përballë realitetit

Dalja nga situata nuk është më thjesht një efekt psikologjik. Kryeministri Rama, kur flet për ekonominë ka më shumë parasysh “arkën e shtetit” që tani nuk është më bosh. Ashtu i takon të flasë. Por ekonomia është shumë më tepër. Qeverisë i takon tani t’i dalë zot situatës. Përgjigjet e para konkrete do të vijnë me përgatitjen e projekt buxhetit të vitit 2014. Aty do të projektohet suksesi apo dështimi në dogana e tatime. Aty do të shohim nëse biznesi do t’i marrë borxhet e veta. Aty do të shohim se me çfarë mendjeje do të trajtohet borxhi publik. Buxheti i parë është sfida e parë e kësaj qeverie. Fakti se do të kemi një program me FMN-në në fakt nuk është asgjë e re. Ka 20 vjet që ndodh. Nëse themi se është buxheti më i madh në histori, nuk kemi thënë asgjë të re. Është koha për të thënë se përse është më i vogël nëse duam të balancojmë financat. Nëse themi se jemi në një vit me rritje ekonomike, asgjë nuk kemi thënë. Barrën e rritjes e ka biznesi i cili pret po nga buxheti të dijë se çfarë do të bëhet me taksat. Sipërmarrësit, vetëm pasi të lehtësohen nga borxhet dhe nga taksat, do të jenë të çliruar për të menduar për më shumë investime e punësim. A do të ndodhë kjo?                

 

Revista Klan nr.844

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.