Krimi komunist dhe dekoratat

Krimi komunist vazhdoi panderprerje që pas Konferencës së Mukjes e deri në vetëkapitullimin e sistemit diktatorial. Unë së bashku me shumë të tjerë, patëm fatkeqësinë të jemi deshmitarë të gjallë të atij kobi, që si rrufe ra në familjet tona. Brenda një nate, më 27 shkurt 1951 (jo në kohë lufte dhe revolucioni, por në periudhë paqeje dhe nën një pushtet të konsoliduar), hijet e zeza eleminuan 22 intelektualë nacionalistë, pa zhvilluar proçes gjyqësor dhe pa provuar asnjë lidhje me akuzën, vetëm e vetëm për terror, si kurban per servilizëm ndaj baba Stalinit. Kaq e turpshme dhe skandaloze qe ajo masakër, saqë Ramiz Alia, për t'i treguar shqiptarëve dhe botës së lirë se komunizmi në Shqipëri po fillonte të merrte “fytyrë njeriu”, urdhëroi Plenumin e Gjykatës së Lartë që të shpallte të pafajshëm 22 intelektualët e masakruar! Vendimi u muar më 8 Gusht 1991. Ky qe rasti i parë që komunistët shqiptarë pranuan publikisht krimin e tyre! Aplikimi i krimit komunist, si metodë kriminale-mafioze-terroriste, për të fituar dhe mbajtur pushtetin, eleminoi elitën intelektuale shqiptare, shkatërroi institucionet fetare, i mori jetën në tortura rreth 6000 shqiptarëve, burgosi 30.000 “ armiq” dhe internoi 60.000 te tjerë. Familjarët e tyre u përbuzën, u poshtëruan, u diskriminuan dhe u quajtën “të prekur”! “Të prekur”? Po prej kujt? “Të prekur nga murtaja komuniste”. Po, krimi komunist ishte një murtajë, një sëmundje shfarrosëse me virus politik, që aplikoi klika kriminale e Enver Hoxhës, Mehmet Shehut “and company”, për të ndërtuar gjoja (sepse edhe ata e dinin që ishte utopi) shoqërinë komuniste, në themel të së cilës duhej të qëndronte “njeriu e ri”. Gjë që do të realizohej në luftë të pamëshirëshme dhe të vazhdueshme me ‘mbeturinat e shoqërisë së vjetër kulako-borgjezo-kapitaliste’!
Ato krime të gjithë i jetuam dhe një pjesë e madhe e popullit shqiptar i provoi mbi supe. Brezat e ri që lindën rreth viteve '90, arritën t'i njohin sipas tregimeve të prindërve të tyre, arkivave të shtetit apo dëshmive autentike në publikimet që bënë dhe vazhdojnë të bëjnë ata që i vuajtën direkt në burgjet komuniste. Sot pas 23 viteve të kapitullimit të diktaturës komuniste dhe të përpjekjeve të shoqërisë shqiptare për konsolidimin e demokracisë, po përjetojmë një situatë vertet të paparashikuar dhe të koordinuar sipas një propogande mediatike të mirëmenduar, e cila tenton ta bëjë ujkun qingj, ose më qartë, po kërkon të bindë brezat e rinj “se edhe në qoftë se ndonjëherë diku në Shqipëri paska patur krim komunist (pasi minareja nuk futet në thes), ai krim është bërë vetvetiu, pa urdhërdhënës. Si pasojë askush nuk mund të mbajë përgjegjësi!
Për të arritur në këtë konkluzion makiavelist, personazhe me të kaluar të errët në aparatin shtypës të diktaturës së Enver Hoxhës, duke përfituar nga mangësitë e demokracisë së brishtë shqiptare, po publikojnë libra, artikuj si dhe po organizojnë programe televizive për të paraqitur sesi ujqërit komunistë nuk paskan pasë qenë bisha që u ushqyen me gjakun e pafajshëm të shqiptarëve, por në realitet, paskan pasë qenë qingja, që ngjajnë me ujkun rastësisht… Ata, udhëheqësit komunistë, urdhëruesit dhe zbatuesit e genocidit, paskan pasë qenë një lloj qenieje njerëzore e veçantë, vertet të ashpër me armikun e klasës, por me “shpirt babaxhani, kryefamiljarë të dashur, me moral të pastër, me shije letrare, poetike dhe sentimentale, të ditur, strategë dhe burra shteti…etj.,etj.”. Kurse me krimin komunist ata s’kanë të bëjnë fare, atë e kanë bërë vetë shqiptarët (pra populli)!
Trashëgimtarëve të ish-kupolës komuniste, përgjegjëse për krimet më mizore ndaj popullit shqiptar, sot pas 23 viteve ndërrim sistemi, nuk u mjaftojnë pozitat e larta që zotërojnë në sferat e pushtetit, nuk u mjafton pasuria që ata gëzojnë, pensionet e majme që marrin etj., por duan më, duan më. Po çfarë pra duan!? Ata duan moralin, të rifitojnë moralin e humbur, që sipas tyre, do të arrihet duke vlerësuar dhe respektuar “titujt që i dhuruan njëri-tjetrit” në kohën e diktaturës, marrjes së dekoratave të reja në demokraci si dhe duke ringritur monumente në kujtim të krimeve të bëra dhe të “meritës së madhe” së veprës për transformimin e Shqipërisë në varrezë bunkerësh dhe “njeriun e ri” shqiptar në qenien më mjerane në botë. Çfarë kuptimi tjetër, për një shoqëri demokratike, mund të kenë dekorimet që u janë bërë kohët e fundit gjerarkëve të kupolës komuniste?
Le t'i rendisim: I jepen tituj ‘Qytetar nderi’ kryekriminelit Mehmet Shehu dhe ndihmësit të tij Feçorr Shehu; i akordohet titulli ‘Nderi i Kombit’ gjeneralit komunist terrorist Rahman Parllaku, ringrihet vend dhe pavend fotoja e diktatorit dhe së fundi, dekorohet per merita në luftën NacionalÇlirimtare Shoqja Vito Kapo…
E thënë troç dhe shqip, kjo do të thotë përbuzje e kujtimit te atyre martrirëve që u masakruan dhe vuajtën nga diktatura e Enver Hoxhës; do të thotë përdhunim dhe poshtërim i shtresës së ish të përndjekurve politikë që kontribuoi aq tepër në konsolidimin e demokracisë. Në diktaturë humbëm njerëzit më të dashur dhe pësuam vuajtjet e ferrit dantesk, sot pas 23 viteve në demokraci, po përpiqen të na vjedhin dinjitetin dhe moralin dhe kjo nuk duhet lejuar! Është koha, që të gjithë forcat përparimtare; shoqatat, institucionet, religjonet, partitë, intelektualët me bindje liberale, mediat progresiste etj., të reagojnë të bashkuar ndaj kësaj përpjekjeje të mbarsur me moral pervers që po kërkon t'i serviret dhe në një fazë të dytë, t'i imponohet brezit të ri. Helmatisja e brezit të ri me ideologji primitive dhe reaksionare që himnizon kriminelin dhe krimin, përbën aktin më të turpshëm dhe më të papranueshëm për një shoqëri demokratike. Indiferentizmi ndaj kësaj çështjeje, duhet konsideruar tradhëti ndaj idealeve të atyre që dhanë jetën dhe u sakrifikuan për liri dhe demokraci;(kujtojmë ata mijëra të rinj që vdiqën në luftë kundër okupatorit gjatë Luftës së Dytë Botërore si dhe ato mijëra të tjerë që u përsekutuan nga diktatura komuniste).
Duhet ta dini se historia, për kriminelët që bënë krim dhe genocid ndaj popullit të vet, është e pamëshirshme; ajo për ta nuk rezervon vend tjetër, veçse koshin e madh të plehrave.
O nostaslgjikë donkishoteskë të diktaturës komuniste! Lërini ata kriminelë aty ku janë hedhur nga historia. Mos i ngacmoni me dekorata dhe tituj të rinj dhe mos u bëni merak, se në kohën e sundimit të tyre kanë marrë aq shumë sa nuk ua zë më gjoksi…Lërini në punë të tyre, të gëzojnë njëri-tjetrin “të shtrënguar në unitet të çelniktë, si në bironë politike” dhe mos ja vështirësoni ecjen përpara shqiptarëve të stërvuajtur, duke i ngarkuar artificialisht me emocione imorale të së kaluarës diktatoriale! Na lini edhe neve të qetë në vuajtjet dhe hallet tona që s'kanë të mbaruar...Shqiptarët sot kanë nevojë më fort se kurrë, për forcim të unitetit kombëtar dhe jo për përçarje për “mullinjtë e erës”.
Add new comment