Krimi ka mbushur të gjithë zbrazëtitë e krijuara nga shteti

Postuar në 01 Mars, 2013 03:59
Armand Vinçani

Krimi i organizuar apo i paorganizuar krijon rrjete të caktuara në infrastrukturat e shoqërisë dhe e gërryen atë përbrenda deri në atë shkallë ku efikasiteti i demokracisë e promovimi i saj në një sistem akoma të quajtur post-komunist fillon e vihet në dyshim.

Është shumë e rëndësishme që diskutimi të fokusohet në përcaktimin e premisave që i japin shtytje krimit që ka marrë përmasa të tilla në Shqipëri. Si kudo, edhe tek ne baza e tyre duhet kërkuar në fenomenet shoqërore dhe zhvillimet politike. Nuk mund të ketë faktor me determinues i shkaqeve sesa dobësia e institucioneve të shtetit, të cilat fatkeqësisht në Shqipëri konsiderohen prona të partisë në pushtet e kontrollohen prej saj.

Përvoja botërore tregon se vendosja e një regjimi që kontrollon të gjitha shtyllat e shtetit, shpie domosdoshmërisht në rritjen e krimit. Kjo sepse një shtet i tillë krijon kushtet e favorshme për një konfuzion shoqëror, revansh politik, demagogji në rritje e kaos ekonomik.

Në këto vite të demokracisë, shembujt janë të shumtë dhe vërtetojnë katërcipërisht se shteti shqiptar nuk ka qenë në gjendje në asnjë rast të mbrojë qytetarët e tij të cilët shpeshherë i kthehen vetëgjyqësisë e akteve vandale. Me fjalë të tjera, krimi në Shqipëri ka mbushur të gjithë zbrazëtitë e krijuara nga shteti në sigurimin e normave më minimale të rendit publik e sigurisë sociale.

Çfarë mund të pritet kur vetë shteti përfshihet në krime dhe ekzekuton qytetarët e tij për kundërshtime politike apo ekonomike? Një ambjent i tillë i politizuar në ekstrem shkatërron totalisht marrëdhëniet mes shoqërisë civile dhe grupeve politike. Përderisa në vendin tonë parimi themelor i demokracisë, ai i funksionimit të shoqërisë civile si element i kontrollit dhe balancave ndaj shtetit, nuk funksionon është mëse e qartë se dhuna e krimi do të dominojnë jetën e përditshme në vend.

Janë me qindra krime monstruoze që kanë ndodhur deri më sot dhe shteti asnjëherë nuk e ka treguar seriozitetin e tij për të trajtuar këtë plagë të madhe sociale që po venit e vë në dyshim kulturën, edukatën, civilizimin dhe qytetarinë tonë si komb. Është e pamunduar të shikosh e dallosh sot në Shqipëri ekzistencën e dy nocioneve: atë të shtetit dhe pushtetit. Pushteti është kthyer në shtet dhe anasjelltas. Ky binom që nuk ekziston formalisht, është shndërruar në një bumerang, në një makinë propagandë, e cila po rrit prodhimin e saj skarco sa më shumë afrohen zgjedhjet e qershorit.

Në anën tjetër është mëse e qartë se një pushtet i korruptuar e ka të pamundur të luftojë krimin e rivendosë rendin publik. Në një vend ku rrjetet e korrupsionit janë instaluar aq thellë krimi bëhet i disponueshëm në treg dhe mund të shkëmbehet për motive mbështetjeje. Pushteti i sotëm nuk është asgjë më pak se sa një oligarki që kujdeset vetëm për sigurinë e transaksioneve të tij.

Rrënjët dhe shkaqet e niveleve kaq të larta të kriminalitetit nuk mund të zbulohen e luftohen duke mallkuar e denigruar opozitën orë e minute. Kjo strategji i ka lënë fushatë të hapur krimit të të gjitha llojeve. Çdokush e di mirë se në Shqipëri shteti aktual nuk është në gjendje të bëjë diçka. Ai është i paralizuar me të gjitha strukturat e tij, që në vend të ishin krejtësisht të pavarura janë kthyer në vegla të bindura të vullnetit politik. Për sa kohë këto rrënjë nuk kërkohen tek papunësia, ekonomia e rënduar (kjo për shumicën, dhe jo oligarkinë), varfërinë ekstreme të shtresave të caktuara, përhapjes së drogës, korrupsionit të organizuar, erozionit shoqëror, krimi do të vazhdojë të mbushë faqet e shtypit dhe ekranet e mediave të vendit.

DITA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.