Kosovarët nën presion që të mos i japin dashuri atdheut të tyre

Postuar në 27 Janar, 2013 10:51
Halil Matoshi

Elitat kulturore dhe politike në Shqipëri, por edhe ato kosovare nuk kanë lënë mashtrim e ligësi pa bërë, që trysnia të jetë aq e madhe mbi qytetarët e kfjelltë, që të mos i japin dashuri dhe besim atdheut të shqiptarëve kosovarë – shtetit të Kosovës. Sepse në këtë fazë, kur qytetarët do të lidheshin me shtetin, me konstitucionin e tij kushtetues dhe ligjet, me simbolet dhe konstitucionin shpirtëror (kujtesës kolektive) do të zbehej krejt nacionalizmi etnik dhe do të niste të forcohej patriotizmi ligjor dhe ai etatist, pra, do të niste deetnizimi i shtetit dhe solidarësia qytetare ndër kosovarët

Kur në mjesin e 21  janarit 2013 xhandarët serbë e zunë n’zgabim Preshevën, të fjetur dhe pa ëndrra, duke ua “vjedhur” një gur përkujues (si një epitaf varreze), u pa ashiqare se Qeveria e Serbisë po e shfrynte dufin për fillimin e fundit të shtetit imperialist serb në veri të Kosovës! Prandaj shumë i dëshpëruar se nuk po mundet ta ndajë tokën e Kosovës me Tiranën, kryeministri serb ua përplasi për fytyre politikanëve kryesorë të shqiptarëve në Tiranë, Prishtinë, Shkup e Luginë të Preshevës mosguximin për ta mbrojtur shtetin e Kosovës, që, sipas tij, është i rremë, sepse askush nga shqiptarët nuk po e dashka!?
Kur i ke parasysh politikanët shqiptarë që kohëve të fundit po nxjerrin flakë nga gojët si kuçedrat e përrallave të moçme shqiptare, për bashkim kombëtar, njeriut normal i vjen për të vjellë, madje për të pëlcitur nga inati që, varg e vi po bien në kurthin e “vozhdave” të nacionalizmit egalitar serb – duke ua kthyer shpinën interesave të shtetit të Kosovës!
E tash çka? Nuk është jo fundi i botës, ka gjithnjë boll hapësirë midis dy ekstremeve për gjithçka, pos për gërvallje të luftënxitësve të kafehaneve të Tiranës dhe Prishtinës...
Sepse, është kod biblik se ai që vringëllon shpatën – nga shpata vdes!
Prandaj, politikanëve shqiptarë po u soset koha, ajo nuk punon më për ta!
Ata duhet ta zbërthejnë mesazhin me kast të Daçiqit e të mos bien në kurthin e teorisë së tij të lojërave. Nga kjo shejë e keqe buron edhe apeli qytetar për këta liderë.
Ata duhet  të bëhen njerëz të ndershëm e politikanë të zgjuar e të përgjegjshëm, sepse mund t’i rrënojnë fatet e miliona njerëzve!?
Kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, Berisha dhe Thaçi, duhet t’u thonë ndër sy atyre politikanëve në Luginë të Preshevës se nuk ka bashkim kombëtar, në kuptimin e ndryshimit të kufijve, se ky opsion është mbyllur me pavarësimin e Kosovës, nuk ka ndarje të Kosovës dhe zhbërje të saj. Ata duhet t’i realizojnë të drejtat e tyre civile dhe të njeriut në Republikën e Serbisë me demokraci e jo me nderveprime nacionaliste.
Kush duhet t’i thotë Berishës se fjalimet e tij që nga festa e 100—vjetorit krijuan këtë ambient të pasigurt e përplot klithje barbarësh, që sot po ulërijnë anembanë Kosovës, në Kllokot e Prizren, në Viti e Fushë-Kosovë, në Gorazhdec e Syriganë të Skënderajt!?
Nacionalizmi si paranojë kolektive dhe patologji shoqërore përhapet si murtaja – pra merr përmasat e një epidemie. Kjo murtajë po reflekton edhe në Maqedoni, atje nacionalistët e rinj kërkojnë rrënimin e muzeut të UÇK-së, ndërkaq që simptomat  e kësaj epidemie u ndien edhe në Vojvodinë, ku vandalë serbë kanë dëmtuar një pllakë përkujtimore për  hungarezë e gjermanë të vrarë nga partizanët serbë pas Luftës së Dytë Botërore!
Atje ku secili mësyn kultet e secilit, në mungesë të shtetit ligjor, anarkia po zë rrënjë!
Natyrisht se Serbia ka vepruar me inat në Preshevë, pra me metoda ballkanike, por shqiptarët e Luginës (ata janë direkt të prekur nga ky akt) duhet të kërkojnë zgjidhje demokratike dhe evropiane dhe t'i shmangin retorikat luftënxitëse.
Kurse kosovarët duhet t’i ndalojnë forcërisht revanshizmat joracionalë, përndryshe çdo veprim me reciprocitet, siç po stëreksploatohet ky term, nuk i dallon ata nga klerofashistët e Serbisë, por i bën identikë, të njëjtë, kushëri në botëkuptime!?
Liderët e Luginës duhet me urgjencë t'i drejtohen Brukselit e përmes tij edhe Beogradit zyrtar edhe për çështjen e lapidarit, dhe të gjejnë një modus të përbashkët (një modus Strasbourgian!) për trajtimin e historisë, kujtesës dhe konfliktit atje.
Gjithmonë duke pasur parasysh kontekstin e fashizmit të Milosheviqit dhe rezistencës antifashiste në vetë Serbinë, por edhe në Luginë të Preshevës. Ai lapidar edhe mund të kthehet herët a vonë në origjinë, por kjo nuk i zgjidh problemet e qytetarëve etnikë shqiptarë në Republikën e Serbisë. Serbia hala ka probleme me defashistizimin e shoqërisë serbe, prandaj edhe me de-etnizimin e shtetit përkatësisht modernizimin dhe evropianizimin e tij. Fundja të tilla probleme me perceptimin e shtetit po ka tërë Ballkani Perëndimor, i cili shtetin ia dedikon dhe rezervon në pronësi ekskluzive kombit etnik, e jo shtetasve të lirë e të barabartë.
Tirana dhe Prishtina duhet po ashtu të reagojnë me mençuri dhe maturi diplomatike e jo të qesin kashtë në zjarr. Çdo akt hakmarrës brenda Kosovës është kundër idesë së qytetërimit perëndimor, atje ku vendet e kultit, varrezat dhe kryqet janë shenjtëri dhe të paprekshme.
Shtetarët seriozë e nxjerrin mendjen lart mbi fjalët, e pastaj flasin fjalë që meritojnë vëmendjen e të tjerëve, vetërespektin dhe respektin e të tjerëve. Politikanët  me etikë nuk i ulin fjalët tek pluhuri, nuk lejojnë që ato të ngrihen pastaj në qiell si ulërima. Disa politikanë shqiptarë kanë probleme serioze me makinën logjike dhe vetë gjuhën që përdorin, kur donin që të apelonin shqiptarët për kujdes: "Ruane gjakftohtësinë!" – thoshin këta shqipfolës.
Aristoteli thotë se njeri është "zoon politicon" - kafshë politike. Porse sipas Jahjagës, Ali Ahmetit e do tjerëve, kafsha politike shqiptare është (u dashka të jetë) gjakftohtë - si mizat ose buburrecat.
Logjikisht shqipja e njeh vetëm trajtën: mendjen e ftoftë e gjakun e nxehtë. Se njerëz jemi, jo insekte!?
Në anën tjetër, një portal lajmesh, Presheva.com. informonte publikun me këtë titull: “Në Viti rrënohet lapidari partizano-çetnik!?”
Kjo është avari e makinës logjike, sepse partizanët ishin palë ndërluftuese me çetnikët, tjetër gjë është integrimi i çetnikëve pastaj në pushtetin e partizanëve fitues të luftës.
Ndonëse si përkrahës i  teorive moderniste për kombet si “bashkësi të përfytyruara” kam
mirëkuptim për ndjenjat patriotike të njerëzve, të cilat nga elitat politike dhe kulturore duhet të kanalizohen drejt, e jo në shterim koti të energjive përmes nacionalizmit dhe revanshizmit. Sidoqoftë, në hapësirat gjeografike shqiptare mbretëron koncepti gjerman  për “kombin kulturor” – kombin e gjuhës, koncept ky që krijon një mendësi kolektive që kapet pas një definicioni të Stalinit për kombin.
Duke e kombinuar këtë definicion me krejt shkollën albanologjike (historia dhe politika kundrohen si albanologji) dhe interpretimin ideologjik të historisë, së këndejmi këto elita shqiptare po e krijojnë një ambient të përshtatshëm për veprime revanshiste ndaj “të tjerëve”, por që në thelb është bumerang shkatërrimtar ndaj shtetit kosovar.
Me “kombin unik shqiptar si prononcim politik”, po manipulojnë dendur këto elita të verbëruara nga nacionalizmi si paranojë kolektive që shpreh paaftësinë për hapje, demokratizim dhe  modernizim. Thirrjet për  “bashkim kombëtar” nga shumica  e liderëve politikë, të majtë e të djathtë, pushtet dhe opozitë, kanë legjitimuar veprimet e sotshme vandale – mësymjen e varreve dhe caranëve me epitafe të njerëzve që kanë jetuar dikur kendej pari, me  shqiptarët ose pranë tyre!?
Ata që rrënojnë përmendoret dhe objektet e kultit të atyre që perceptohen të dallueshëm nga “ne”  shndërrohen në “argat të djallit” ndoshta edhe pavetëdijshëm,  njëherësh  dëshmojnë skajshmërisht mungesën e patriotizmit ligjor dhe ndershmërisë njerëzore e  qytetare.
Mësymja ndaj tjetrit, të vdekur, mëton përuljen e krenarisë të të gjallëve, thyerjen dhe nënshtrimin, dhe kjo  shëmti po rikthehet në skenë në dekadën e dytë të shekullit XXI.
Tashmë ekzistojnë fakte se këtë metodë morbide dhe barbare e aplikonin shërbimet e fshehta të Serbisë, për t’i demonizuar shqiptarët.
Mirëpo në rrethanat e sotme kjo është vështirë e dokumentueshsme, sado që Agjencia Kosovare e Inteligjencës e ka hedhur një mundësi të tillë.
Fatkeqësisht kjo tuebamësi kriminale njihet si patriotizëm tek një dorë e shqiptarëve të Kosovës - me u marrë me botën e të vdekurve. Madje një politikan në Prishtinë me gojë të vet e tha në TV se “nuk ka rrezik nga të vdekurit – por nga të gjallët”, si dikur klero-fashistët serbë që thoshin ‘vetëm shqiptarët e vdekur janë shqiptarë të mirë”.
Historia po çohet lugat! Po e shihni ndër varreza e përmendore, qofshin ato “tonat” apo “të tyre”, qoftë se i përdhosim “ne” apo vetë “ata”. Njësoj e trishtueshme...
Kësi ambienti me lugetër kanë krijuar elitat pushtetore ballkanike, që vuajnë nga hiperprodhimtaria e historisë dhe japin shumë pak bukë goje për  shtetasit.
Në ndërkohë që qytetarëve të tyre ua kanë vjedhur liritë dhe shpresën për mirëqenie, duke i shndërruar qytetarët (edhe ashtu të paemancipuar) në vjedhës të druve në malin e kojshisë (apo pronës publike) për mbijetesë. Pra, duke e shndërruar qytetarin në vrasës ose viktimë të fqinjëve hakmarrës e të mjerë ballkanikë. E tillë ishte vrasja në Ponesh afër Gjilanit. Për çfarë politike mund të flitet në këtë rast, pos për zgjim të lugetërve mesjetarë që grabisin, poshtërojnë dhe vrasin fqinjin e parë!?
Dhunë joracionale që t’i fyen ndjenjat njerëzore dhe qytetare!
Në këtë vazhdë, në Viti, ndodhi tradhtia ndaj shtetit të Kosovës, ku njerëzit e morën ligjin në dorë, duke rrënuar një lapidar krejtësisht të parëndësishëm partizanësh komunistë nga Lufta e Dytë Botërore, ku kishte dhe disa emra shqiptarësh, derisa policia kosovare bënte sehir, ose edhe më keq, solidarizohej me shtetngrënësit. U tha pastaj se u pezulluan disa policë – por kërcënuesve ndaj shtetit nuk u bënte  vër çerpiku!?
Sepse vendi është zhytur në pellgun e paligjësisë totale.
Qyshdoqoftë, Daçiqi e dha një mesazh të mirë për liderët kosovarë, se brenda një shteti të organizuar sovran duhet të respektohen ligjet e atij shteti.
Me këtë ai e ka pranuar të drejtën që Prishtina zyrtare ta përdorë dhunën legjitime shtetërore në zbatimin e ligjit në veri të Kosovës  “ ...dhe s’ka çka të pritet më”.
Rezoni i Daçiqit për Preshevën duhet t’i shërbejë Thaçit që t’i ndalë me dhunë po ashtu legjitime përdhosësit e përmendoreve nëpër Kosovë, por t’i ndalë edhe njerëzit që janë në anën tjetër të ligjit në veri të vendit. “Situata e sigurisë është e qetë. Mendoni se ajo mund të varet nga një lapidar? Do të ishte një shtet i shkretë sikur të varej”, ka thënë Daçiq për Preshevën.
E vandalët kosovarë vërtet po duan ta japin një imazh se shteti kosovar është i shkretë!
Sidoqoftë, rrugëdalje hala ka - me u përgjegjë me demokraci dhe zgjidhje evropiane ndaj metodave policore dhe ofertave për zgjidhje territoriale.
Me Raison d’Etat - jo me pushkalla e llafe të kaçakëve të para 100 vjetëve...
Por ç‘e do plako, kur Serbia po i mëshon Kosovës n’zgabim, sepse shteti i ri dhe i  zaptuar nga një klasë politike dhe kulturore injorante por mujshore, nuk ka arritur të krijojë  patriotizëm etatist për t’i evituar rreziqet dhe kurthet për shtetin dhe për t’u mbrojtur nga lugetërit e identiteteve vrastare, që duan ta rizgjojnë historinë, ta bëjnë atë që të ulërijë, sepse vetëm në ulërima Serbia del fituese.
Ajo është e humbur, por humbjen e saj po duan ta zbusin nacionalistët shqiptarë që konceptualisht po bëhen aleatë me Beogradin zyrtar, duke e mbajtur me uzdajë se  hala ka gjasa!?
Pyetjes se përse Serbia e lejon flamurin e Shqipërisë në Preshevë dhe e ndjek me përbuzje flamurin kosovar, asnjëri s’i përgjigjet në tërë arealin politik dhe kulturor shqiptar. Nacionalistët e paemancipuar shqiptarë, si të thuash, po i japin të drejtë Daçiqit kur thotë se nuk ekziston shteti i Kosovës, se është shtet i rremë.
Shqiptarët e Kosovës edhe ashtu të zhveshur nga mirëqenia dhe modernizimi, asgjë tjetër nuk kanë para shpirti në pronësi të tyre pos shtetit kosovar, sado i brishtë, pa sundim të ligjit, dhe i korruptuar deri në palcë.
Ama kaja belanë, shtet është!
Dëgjon nëpër televizionet  kombëtare në Prishtinë e Tiranë, dijetarë hallvaxhinj dhe politikanë mahallash tek e cilësojnë flamurin e Kosovës “një leckë” dhe institucionet shtetërore nuk reagojnë sipas ligjit. Pushtetarët kosovarë duan ta zhvatin Kosovën, resurset e saj materiale, por nuk e duan atë!
Ata dalin të fryrë me garda e fanfare, si njerëz të fuqishëm me demek, të veshur me pushtet, por nuk e duan vetë idenë e shtetit që i ka sjellë në kësi pozicioni të privilegjuar.
Nuk ia duan simbolet, flamurin dhe hymnin, nuk ia respektojnë Kushtetutën dhe ligjet, ia përqeshin traditën gjuhësore dhe tërë arealin kulturor të gegnisë, pa e mësuar kurrë drejt shqipen standarde të toskërisë.
E po, zonja e zotërinj, kjo është tradhti ndaj shtetit!

Koha Ditore

Comments

Submitted by Jabanxhiu (not verified) on

"Cmimi i lirise eshte syceltesia e perjetshme" Thomas Jefferson

Submitted by Anonim (not verified) on

Pasi Halil Matoshi ka mbetur të qajë hallet e shqiptarëve dhe ResPublica pa shkrime origjinale nuk di ku më poshtë mund të shkojë populli shqiptar. A pak po na terrorizon ky njeri në Prishtinë që po ja jepni megafonin edhe në Tiranë? Aq keq kenu mbetur pa shkrime sa po merrni shkrime të Kohës Ditore- kësaj gazete që është ndërtuar nga paratë e marra nga qeveritë e jashtme (mbi 2 milionë euro) në emër të Kosovës por që kanue shkuar në blerje të pasurisë personale të familjes Surroi? Hajt edhe mos e botoni komentin dhe tregojeni cenzurën që mbretëron në mediat shqiptare. Eh more Muç që edhe ti bëhesh si këta tjerët nuke  kisha besuar!

Submitted by Anonim (not verified) on

kini nje cik meshire per ne lexuesit ,pavaresisht se mesazhet e matoshit mund te jene ne te njejten gjatesi vale me ato tuajat. mengjes,dreke,darke doza te forta matoshi,n.spahiu, e ca te tjere te te njejtit mendim.perse paraqiten para publikut vetem mesazhet filoserbe te ketij grupi qe nuk do te identifikohet si shqiptar?

ore kaq ta dhembin matoshovici,ata qe flasin shqip jane shqiptare.  ne qofte se ai do te identifikohet me identitetin shteteror ,le te mbaje ate qe kishte deri para 10 vjeteve ,ate serb.

shteti dhe kombi nuk jane e3 njejta gje.ky tipi e di shume mire (besoj)por ne menyre te ndergjegjshme eshte bere pjese e kolones se 5-te.

serbet dhe greket ,ne pamundesi per ta penguar ceshtjen shqiptare me force(ku deshtuan),po provojne  mundesine e vetme qe kane ,ate te copetimit te ceshtjes shqiptare dhe principatizimin e trojeve shqiptare.

prandaj kane mobilizuar nje grusht njerezish pa identitet kombetar me qellim krijimin e kombit artificial ''kosovar''.

plani serb i matoshit(i nxitur ne heshtje nga berisha e lubonja) do te deshtoje sepse shqiptaret po zgjohen tashme.

Submitted by Mali i Zi (not verified) on

e more hailil se here eshte tentu tjetersimi i kosovareve por prap se prape shqiptare kane mbetur dhe do mbesin

Submitted by fkpartizoni (not verified) on

"...nuk u bënte vër çerpiku"... hahaha, i papame eshte ky...

Submitted by Sulo (not verified) on

Gjate festes se Vitit te Ri ,nje prej te pranishmeve i tha salles dhe teleshikuesve:Gezuar gjithe shqiptaret Vitin eRi.Ky nuk eshte nje urim per ty Matosh se ti nuk je shqiptar"Matoshi mbeti si i dhje..

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.