Katër mrekullitë e zgjedhjeve

Postuar në 08 Dhjetor, 2013 11:30
Halil Matoshi

P { margin-bottom: 0.08in; }

E para mrekulli është se trupi elektoral kosovar i përzdritur e dha votën e tij ndëshkuese në këtë balotazh, duke i “pensionuar“zyrtarët që ishin në pushtet në 20 komuna. E dyta mrekulli është Gjakova. Atë e “shkelën” butësisht takat e një femre, duke i dhënë Kosovës një eveniment: një grua për prefekte, për të parën herë në historinë e zgjedhjeve. E mrekullia sensacionale, e treta, është përmbysja e rezultatit të thellë në Prishtinë dhe fitorja e Shpend Ahmetit të Lëvizjes VV ndaj liderit të LDK-së, Isa Mustafa. Mrekullia e katërt natyrisht është shteti ose dalja në pah e dorës së shtetit të organizuar
Zgjedhjet e 3 nëntorit 2013 (me balotazhin e 1 dhjetorit) së pari dëshmuan emancipim qytetar dhe së dyti dëshmuan interesimin e shtetit për ta ndreqë veten, më në fund.
Këto zgjedhje, ndonëse me pak parregullsi, ndaj të cilave Kosova është bërë thuajse imune, megjithatë ishte një proces normal zgjedhor. Procesi është i rëndësishëm për vendin edhe për shkak të përmirësimit të imazhit të një shoqërie dhe shteti, por edhe për faktin se u votua në tërë territorin kushtetues të vendit.
Kosova përfundimisht mund të thuhet se e ka dhënë votën ndëshkuese ndaj pushtetit të deritashëm, ngase në 20 komuna janë mund pushtetarët e PDK-së (Ferizaj, Lipjan, Gjilan, Viti, Mitrovicë, Malishevë), të AAK-së (në Gjakovë, Pejë e Rahovec) dhe të LDK-së në Prishtinë e Kamenicë, hiç Novobërdën ku kandidati i LDK-së është mundur nga kandidati i listës 'Srpska" në mënyrë jo fort të lavdishme, sepse atje duket se zgjedhjet i ka fituar “Crveni Krst” (Kryqi i Kuq) i Serbisë!?
Zgjedhjet vendore të 3 nëntorit 2013 dhe balotazhi i 1 dhjetorit, sefte dëshmuan emancipimin e trupit elektoral kosovar (përzdritjen qytetare), ndërsa klasa politike në të shumtën e rasteve (përjashto Mimoza Kusari-Lilën dhe Shpend Ahmetin e ndonjë tjetër) është po ajo e vjetra që pak ka mbledhur mend.
Shumica prej tyre flasin të njëjtën gjuhë arrogante, retorika boshe e premtime pompoze, diku – diku edhe shfryrje nacionaliste.
Elektorati kosovar në shumicën e komunave e dha votën ndëshkuese dhe “pensionoi” bartësit e pushtetit paraprak në njëzet komuna kosovare.
Kjo realisht është mrekullia e parë e këtyre zgjedhjeve që qet në pah edukimin e qytetarit për ta ndëshkuar keqqeverisjen dhe partizanët rrahagjoksa.
Ky balotazh dëshmoi trendin e rritjes së LDK-së dhe rënies rapide të PDK-së, ndonëse partia në pushtet ka arritur që ende të jetë e para në vend, por me një diferencë lehtë të përmbysshme. AAK-ja në anën tjetër ka humbur më së shumti pushtet, ndonëse sërish me votë popullore ka dalë partia e tretë në vend.
Humbja e katër komunave është humbje në substancë e pushtetit dhe kjo vjen si pasojë se Ramush Haradinaj u dogj duke iu afruar shumë kryeministrit të stigmatizuar, Hashim Thaçi. Dhe për këtë ai nuk do të mund të thotë se është zënë n’zgabim.
Edhe ky faktor dëshmon për një momentum të ri në trupin zgjedhor kosovar që votoi kryesisht kundër pushtetit të PDK-së dhe ‘satelitëve’ të saj të njëmendtë apo hamendësuar.
Porse, ashiqare humbësja e madhe del të jetë Lëvizja VV, së cilës ia shëroi plagët Prishtina!?
E mira tjetër e madhe që sollën këto zgjedhje është se Gjakova në mënyrë meritore e bekoi të parën femër për prefekte në historinë elektorale të Kosovës, Mimoza Kusari-Lilën të AKR-së, e cila, së bashku me kandidatin tjetër të kësaj partie, Agim Bahtiri, që e fitoi aksidentalisht Mitrovicën, e mbajtën AKR-në e shkapërderdhur në skenën politike.
Kjo është mrekullia e beftë që na përgatiti sovrani.
Themi se fitorja e AKR-së në Mitrovicë të jugut është aksidentale duke pasur parasysh faktin se ka fituar një kandidat anonim, një njeri që vjen nga biznesi dhe premton “Lugina Silikoni” në rajonin më të varfër të vendit, me të njëjtën logjikë si të shefit të tij Behgjet Pacolli, i cili hyri me pompë në pushtet duke premtuar se do ta lulëzojë këtë vend të shkretë, duke investuar kodra parash!?
Por edhe pse Pacolli participon në pushtetin e Thaçit (zëvendëskryeministër dhe ka disa ministra e zëvendësministra) e thasët e tij me para nuk i shijoi dot as votuesi i tij dhe hiç se hiç Kosova.
Për këso profilesh politikanësh pompozë gjithnjë duhet pasur një dozë skepse dhe mëdyshje. Ata vetëm e rrisin pasurinë e tyre personale, derisa votuesit e tyre zgjatin qafen e lodhur dhe shohin me lakmi se mos vërtet ata do ta shkrijnë lekun e tyre për byrekun e qytetarëve.
Gjë që nuk po ndodh dhe as që ka me ndodh ndonjëherë.
Robin Hud-i është vetëm një përrallë për netët e gjata të dimrit.
Mirëpo, kosovarët tashmë shpejt do të kenë mundësinë ta prekin mrekullitë e premtuara të Pacollit apo do të ndihen të mashtruar duke e prekur kujtimin për një ëndërr të bukur dhe fluide.
Pacolli s’do të ketë më në duar letrën sipas së cilës, i duhej dhënë një mal votash për pushtet që ai të japë një mal me para, për ta nxjerrë popullin e tij nga mjerimi.
Qe, tash e ka pushtetin faktik në Gjakovë dhe Mitrovicë, në dy komunat më të braktisura e më të lodhura që duken katërmbëdhjetë vjet pas luftës si të bombarduara dje, le të dëshmojë sot filozofinë “me dhanë”!?
Porse befasia sensacionale megjithatë ndodhi në Prishtinë.
Me shumë obligime që ka marrë (profesor universitar, kryetar partie dhe reformator, kryetar aktual komune dhe kandidat për një mandat të ri në Prishtinë), i stërngarkuari Isa Mustafa nuk arriti ta mobilizojë trupin elektoral të Prishtinës si më 3 nëntor dhe ai pas një urimi rutinë për Shpend Ahmetin, i kthehet drejtimit të partisë, të cilën arriti ta ringjallë duke e flijuar veten…
Humbja e PDK-së në Mitrovicë dhe Ferizaj është e krahasueshme me humbjen e Mustafës në Prishtinë, por megjithatë Mustafa mund të lavdërohet se e ka rritur numrin e votave në këto zgjedhje për 17. 810, kurse Thaçi e ka zvogëluar për 21. 920 vota nga viti 2010.
Humbja e këtij të fundit në Mitrovicë dhe Ferizaj është dërrmuese, sepse nga këto dy qytete nxirret pushteti i SHIK-ut për t’u zhvendosur në periferi, si në Rahovec p.sh.
Në Prishtinë ka humbur LDK-ja kryeneçe dhe babaxhane, kurse zgjedhjet dëshmuan se PDK-së po i rrëshqet pushteti nga duart.
Fitorja e VV-së në Prishtinë, ndërsa, që ka dalë si humbëse e madhe në tërë Kosovën, duke rënë në kuotën prej rreth 7 % nga kuota prej gati 15 për qind të votës popullore që e kishte në zgjedhjet kombëtare të 2010-s, duke humbur plot 27. 686 vota, është sensacionale, por edhe paradoksale.
Sidoqoftë Shpend Ahmeti do të vlejë si pasqyrë pikante ku do ta shohin vetveten komunarët tjerë për mirë a për keq.
A do të bëjë Shpendi mrekulli në këtë qytet kaotik e të kapur nga mafia?
Duhet të mbash pak shpresë e më shumë skepsë …
Kjo pasqyrë ka me e nxjerrë në shesh më në fund fytyrën e vërtetë të Lëvizjes VV, e cila, duke qenë e ulur në fron në kryeqytet dhe duke qenë se në retorikat e saj transparenca është shumë e dendur, gati në përmasa të një beje, detyrohet të tregojë se për çka angazhohet dhe cili është modeli i saj qeverisës, pra kush është vetë ajo, sepse kundër kujt dhe çkahit është, tashmë publiku e di.
Mbetet të shihet se si do t’i akordojë intencat programore sociale (të majta) p.sh. qasjen ndaj privatizimit dhe mbrojtjen e prodhimit vendor, me  retorikat e ultra nacionaliste kombëtariste, që në thelb janë politika të djathta?
A do të moderohet kjo lëvizje duke u imponuar si parti moderne e ta pranojë tregun e lirë (neoliberalizmin) dhe solidarësinë qytetare (unifikimin e kombit brenda territorit kushtetues) dhe cilin flamur do ta mbajë Shpend Ahmeti në zyrën publike, në komunë?
Përmbysja e rezultatit në Prishtinë nga Shpend Ahmeti i VV-së dëshmon problemin themeltar të LDK-së: Shpërpjesëtimin e madh mes asaj që ishte dikur dhe kësaj që është, pas vdekjes së liderit Ibrahim Rugova. Mosfunksionimi i disa segmenteve në Komunën e Prishtinës dhe “vrimat e zeza” në qytet diti t’i përdorë mirë kandidati i VV-së. Duket se LDK dhe Isa Mustafa në Prishtinë e humbën simpatinë e qytetarëve përkatësisht rinisë së Prishtinës (veçmas votuesve që dalin për herë të parë në një proces zgjedhor) me njëfarë komoditeti të rremë, të stilit “me duar në xhepa”, por lidershipi i tij ishte edhe objekt të kritikave të medieve më të fuqishme. Klimën anti PDK dhe anti Qeveri po aq sa e krijoi (shpesh edhe me përplasje me rendin) VV-ja e kanë krijuar edhe mediet dhe opinionistët kritikë e kjo, në rrafshin e votës popullore po i shkon në konto LDK-së, kurse VV-së iu shpërblye në rrafshin e pushtetit vendor në Prishtinë. Shpend Ahmeti mendoj se është kryetar i një sinergjie mes elektoratit të VV-së që u dëshmua stabil në Prishtinë, e që është rreth 20 % e trupit elektoral, por ai e ka riorganizuar edhe elektoratin e ish-FER-it duke marrë votën e shoqërisë civile në Prishtinë dhe të PDK-së, që kishte një disponim anti LDK.
Nëse Ahmeti vërtet arrin ta ndreqë këtë qytet, yrneku i tij mund të përhapet në tërë vendin. Nëse ai dështon ose mban kontinuitetin shpejt do ta humbë ndikimin dhe simpatinë.
Por ai që nesër do të ballafaqohet me një shumicë të LDK-së në Asamblenë Komunale në njërën anë dhe me struktura të nëndheshme, por shumë të fuqishme (mafioze) në qytet. Prandaj zor të pritet mrekullia nga Shpendi. Natyrisht se ai do t’ua dhurojë prishtinasve një performancë ndryshe, të një njeriu dhe zyrtari normal.
Ai, maspari ka me i realizue premtimet metaforike apo simbolike: Ka me e shitë veturën “Audi C7” të kryetarit të Komunës dhe ka me e rrënue mbindërtimin e familjes së tij;
Qytetarët do të kenë rast ta shohin ndonjëherë (rrallë) në autobusët urbanë, por edhe në këmbë dhe nuk ka me vjedhë asnjë cent nga paraja publike. Kjo është mjaft për fillim.
Për të tjerat duhet pritur, sado që me skepticizëm.
Duhet pritur se me çfarë ekspertësh apo eksponentësh politikë (militantësh) do ta mbushë komunën, në postet politike, nëpër drejtori etj.
Në anën tjetër humbja e garës për Prishtinën zotit Mustafa ia zvetënon aurën prej reformatori dhe “shpëtimtari” të LDK-së, i cili do të hyjë në garë për zgjedhjet kombëtare i lënduar në “thembrën e Akilit”. Ai si kryetar i LDK-së paradoksalisht i ka rikthyer pesë komuna të humbura në zgjedhjet e 2009-s, duke e krijuar një momentum të ri psikologjik të kthesës në trupin elektoral kosovar pro LDK-së, sepse vota popullore dëshmoi se ajo perceptohet si e vetmja alternativë dhe mundësi për ta çuar në opozitë PDKJ-në. Humbja e Prishtinës duket se e bën të lëndueshëm, por ia lehtëson frymëmarrjen në drejtimin e partisë në kahun e duhur, ai do të ketë më shumë kohë për reflektim, inicim të thellimit të reformave në këtë parti dhe përgatitje për zgjedhjet kombëtare. Qysh sot, Isa Mustafa duhet të mendojë për një strategji për zgjedhjet kombëtare, duke prodhuar përditë lajm të mirë për publikun. Ai do të duhej të ndërrojë ende veset dhe maniret e shumë zyrtarëve të LDK-së, duke reflektuar rreth trajtimit të tjetrit, si konkurrent të respektueshëm politik, sesi duhet të qeverisë opozitën, qysh të mësojë nga kritikat e kritikët, e jo nga përkëdhelësit poltronistë që ia bëjnë qefin; Qysh ka me e josh rininë e Kosovës, punëtorët, pensionistët, intelektualët dhe të deklasuarit e shoqërisë, artistët e shkrimtarët - si rastin e Abdullah Konushevcit, i cili vdiq në shtrëngesa financiare, si i papunë, pa bukë dhe ilaçe, e në anën tjetër edhe Mustafa, edhe ministri i Kulturës, e do tjerë, vdekjen e tij e qanë me lot, duke u kujtuar se ai paskësh qenë intelektual e artist i përmasave të mëdha, që ia ka dhënë një copë të shpirtit dhe trupit këtij vendi etj.
Çka ka të re me i afrue shtetndërtimit Mustafa dhe LDK-ja, simbolikë të fortë nacionaliste dhe retorika boshe për bashkim me Shqipni apo politika realiste e moderne, kosovacentriste, por të hapura e dorë miqësore ndaj të gjitha kombeve, përreth e në rajon, por edhe gjerësisht në botë, veçmas ndaj sponsorëve të lirisë së Kosovës. Mustafa duhet të mësojë nga strategjia e Edi Ramës dhe fitores së tij ndaj oligarkëve demokratë, që për habi, shumica e lidershipit të LDK-së ngjajnë në ta, duke harruar se trupi elektoral ndryshon edhe bindje e besim, pra mendësi politike e shoqërore, por ndryshon edhe në substancë, sepse në këtë trup hyjnë disa dhjetëra e mijëra të rinj në çdo palë zgjedhje.
Me urtësi e analizë të zhveshur nga emotiviteti Mustafa do ta venerojë se partia e Ibrahim Rugovës duhet të mendojë edhe për një lidership të ri të partisë që ai drejton, e ndoshta edhe të nisë "ndërtimin" e ndonjë lideri të ri. Kjo parti simbolikisht ka nevojë për Shpend Ahmetin, e jo patriota arkaikë, romantikë të vonuar si qifti i Eqrem Kryeziut që në fjalorin politik në kohërat moderne e globaliste operon me vëllezërit Frashëri dhe me sulltanë e kryengritës, me partizanë e gjermanë etj.
Cezarit ç‘është e tij – Zotit ç‘është e Zotit: LDK-ja nuk mund të qeverisë vendin drejt një bote në lëvizje, që po ndryshon përditë me mendje të mykura nga historia!?
Mustafës i duhet që në partinë e tij të instalojë mendësinë e re, për ta shlyer vetë vragën e humbësit dhe adhuruesve të LDK-së për t’ua ringjallur shpresën.
E rivali i madh i saj, PDK-ja, duhet të “paçllaiset” para ligjit së pari, së dyti patriotizmin e vet mujshor ta shndërrojnë në patriotizëm kushtetues-ligjor për t’u rikthyer në skenën politike, e cila po ndryshon për të mirë.
A nuk ishte ky sinjali që dha trupi politik kosovar në këto zgjedhje?
Dhe natyrisht mrekullia e katërt është “dora e shtetit”, jo ajo dora e fortë që e shquante në zgjedhjet e 2010-s kur vetë shteti (institucionet e tij) u shndërruan në ‘ispatë’ neutralë në mos në të përfshirë vetë në fabrikimin industrial të votës, duke e degjeneruar trupin zgjedhor dhe duke e deformuar vetë shtetin që po rrëshqiste në autoritarizëm, për ta shfaqur kështu sy bote e me spektakël, dështimin e shtetit për pushtet personal.
Por kësaj here shteti u pa, u rreshtua me qytetarin duke i ndenjur gatitu detyrës dhe obligimit kushtetues, paralajmëroi dhe aty-këtu veproi, prandaj kosovarët dolën me faqe të bardhë.
E tash, vetëm duhet që publiku të shohë “live” ndëshkimin e abuzuesve me votën e lirë, që kësaj here nuk bën të falen.
Sepse falja e tyre është tradhti ndaj shtetit.
Kur ke përballë dhunën legjitime të shtetit, natyrisht se gjasat për me u koritë janë më të vogla, sepse nuk të lë!
Forca e shtetit të mbron nga koritja!?

Comments

Submitted by Vetvetja (not verified) on

O Matoshi, a e shpike kombin kosovar? Mbaj mend se do ngjallet prape Milloshevici e do e beje nje rruge andej nga kasollja jote. Te shohim pastaj cfare kombesie do shpikesh. Palaco!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.