Jack Sparrow dhe ne, njerëzit e se nesërmes

Jack Sparrow! Po po, Jack Sparrow dhe aftësia e tij për t'iu përshtatur rrethanave në mënyrë instiktive. Mjeshtër i improvizimit si pasojë e një energjie të pashterueshme. Elastik në mënyrën e të menduarit po aq sa në atë të vepruarit.
Ky personazh i fantazisë që aq shumë dëfren me bëmat e tij ndër episodet tashmë të shumtë të sagës më vjen ndërmend pareshtur në këto ditë kryeqytetase. Është e pamohueshme që “aventura” jonë në këtë njëzetvjeçar, tentativa e popullit shqiptar për të hedhur themele të shëndosha mbi të cilat të mund të ndërtohej një sistem demokratik vertetë funksional është shpërfytyruar në një makth ndërgjeneracional.
Brezi im, brezi i cili mendohej se do të shijonte i pari frytet e stërmundimit historik me të cilin u mbyll shekulli i Njëzetë, e gjen tashmë vehten pjesë të kataloguar si brez i tranzicionit nga një sistem në tjetrin. Imazhi i klesidrës është i gjallë në imagjinatën time dhe ai i busullës po ashtu. Sytë të gozhduar presin që rëra të derdhet përfundimisht nga njëra enë në tjetrën dhe shigjeta të tregojë më në fund një drejtim.
I dashur Jack! Mua më duket se anija jonë gjendet e zaptuar nga një grup arrivistësh dhe aventurierësh të pashpirt. Një grupim njerëzish të cilët përbëjnë tashmë një kastë të konsoliduar dhe të gjithpushtetëshme. Një grupim i cili lëvron në shumë fusha, nga ekonomia deri tek arsimimi dhe sporti dhe që nuk e ka për gjë të ndryshojë kurs nisur nga interesa prej burrecësh dhe larosh. Këta nuk janë personazhe të fantazisë dhe ndaj nuk kanë as edhe një grim prej karaturës tënde, fatkeqësisht!
Ndër faqet e tij të shumta E. Sutherland (White-Collar Crime, 1949) rrëfen histori aventurierësh të kësisoji të karakterizuar nga po kjo grykësi dhe ambicje e sëmurë. Është po kjo grykësi, mungesë etike dhe amoralitet në zanafillën e katastrofave financiare që tronditën tregun botëror dhe pasojat e të cilave ndihen tashmë në xhepat dhe portofolet e mbanë Europës dhe Botës anembanë.
Është pikërisht ky modeli që mesa duket frymëson shumë prej këtyre aventurierëve të veckël në përmasa dhe në shpirt që gëlojnë në gjirin shoqërisë shqiptare. Një model ky të cilin po mundohen të na e shesin si model ngadhënjyes, ndërkohë që ne shumë mirë e dimë i dashur Jack që nuk është kështu. Ky model është i dështuar tashmë për të mos thënë i tejkaluar.
Por ajo që më shqetëson më shumë Jack është fakti që në këtë vendin tonë, në këtë anijen tonë të vogël, nuk po investohet aspak mbi të ardhmen dhe mbi ngritjen e një modeli rrënjësisht të ndryshëm nga ky model dështakësh. Nëpër auditoriumet, nëpër klasat ku mbrymen shpirtrat që do të mbushin hapësirën e së nesërmes nuk flitet aspak për të, për të nesërmen.
Jack, sinqerisht adhuroj fantazinë tënde dhe përçapjet e tua të paepura për t'ia dalë mbanë gjithsesi dhe me çdo kusht. Por ti i dashur pirat nuk ke problemin që kemi ne, njerëzit e përbotshëm të cilët duhet dhe kanë nevojë t'iu përgjigjen disa pyetjeve me rëndësi jetike për egzistencën tonë si specie, qënie dhe qytetërim. Ti je pjellë e fantazisë tonë si shprehi e një dëshirë për të dalë pak nga konteksti i përditshmërisë: pak dëfrim dhe ushqim për fantazinë tonë.
Problemi ynë o pirat është që ne kemi një të nesërme dhe pamundësia për ta parashikuar atë me saktësi kërkon prej nesh që ne të stërvitemi dhe të përvetësojmë njohuri të mirëfillta. E nesërmja na vë detyrimisht përpara çështje dhe pyetje që janë të lidhura ngushtë më shpirtin, moralin dhe etikën. Fantazia, aftësia për t'iu përshtatur rrethanave, aftësia për të improvizuar janë cilësi të një shpirti virtuoz.
Për të qenë pak më i qartë: që të mund të luash një pjezëzë si “Impressions” - John Coltrane me po atë zhdërvjelltësi dhe mjeshtëri duhet të jesh John Coltrane apo të jesh ushtruar me po atë përkushtim muzikës sa dhe ai.
Pikërisht këto janë vlerat që çdo shoqëri e cila shpreson dhe dëshiron të ketë një të ardhme sadopak të begatë duhet të kultivojë dhe mbi të cilat duhet të investojë. Përkushtim, pasion dhe dituri.
Të përshëndes i dashur Jack! Mirë u pafshim në aventurën e radhës, nëse do ketë një të tillë.
Add new comment