Imazhi i Kosovës

Postuar në 27 Gusht, 2013 05:23
Arbër Zaimi

Para disa ditësh F. Lubonja shkroi një shkrim ku shtronte pikëpyetje mbi politikanin R. Haradinaj, dhe strukturës së pushtetit të njohur e të panjohur që organizohet rreth tij. Artikulli i Lubonjës i dha nisje një serie të gjatë artikujsh të tjerë, ca që pretendonin të përgjigjeshin, ca që shanin, e ca që pohonin, po asnjëri prej tyre i vlefshëm për t’u përmendur (në fakt as për t’u lexuar). Shqetësimi më i shpërfaqur tek artikujt që merrnin përsipër t’i përgjigjeshin Lubonjës, ishte fakti se me të tillë artikuj Lubonja përlyen luftën e drejtë të shqiptarëve të Kosovës, për çlirim nga Serbia. Të shqetësuarit i brente fakti se Lubonja po i shkatërronte imazhin kësaj lufte të drejtë, duke ndihmuar kështu në mënyrë indirekte serbët.

Është e çuditshme se si pikërisht ata që janë “mbrojtësit më të zellshëm” të imazhit si koncept operativ politik, rezultojnë në fakt, thuajse paradoksalisht rrënuesit më të mëdhenj të po të njëjtit koncept.

Kështu, edhe pse “kundërshtarët” e Lubonjës u duk sikur s’lanë gjë pa thënë në mbrojtje të imazhit të luftës, harruan të flisnin për faktin e ditur (por të heshtur), që një pjesë e mirë e “gjeneralëve” apo e “shefave” të pasluftës, kanë ndërtuar perandori financiare gjysmë të ligjshme, duke i justifikuar veprimet e veta dhe jetën luksoze gjer në pështirosje me legjitimitetin që ua solli lufta e fituar (shpesh të mbështetur nga të njëjtët apologjetë që kundërshtuan Lubonjën). Pra duke e shndërruar imazhin e luftës për çlirim, dhe vetësakrifikimit absolut nga ana e shqiptarëve që deshën t’i shpëtonin shtypjes serbe, në një projekt ku çliruesi rrezikon veten, po jo për të tjerët apo për lirinë, thjesht për t’u pasuruar. Vetë fakti që mund të shtrohet pyetja se “si i bënë gjithë këto pasuri këta djem të guximshëm të ardhur nga familje të varfra?” lë të kuptohet që imazhi i luftës është dëmtuar tashmë tepër, dhe jo nga “të jashtmit” si puna e Lubonjës.

Kur përmendet nëpër media imazhi i luftës, ky njësohet me Thaçin, me Haradinajn, me Grabovcin, me Lushtakun apo me Veselin e të tjerë si këta. Ndoshta kjo ndodh edhe për shkak se mediat kontrollohen në masë të madhe prej financave e pushtetit që zotërojnë zotërinjtë në fjalë. Ndoshta ndodh për shkak të shkëputjes së medias nga etika e nga profesionalizmi i saj. Ama rrallë ka ndodhur të shfaqet edhe një tjetër imazh i luftës. Ai i ish-luftëtarit të UÇK që i zhytur në varfërinë e në mjerimin e Kosovës së pasluftës, nuk vjedh e nuk dhunon, por nis të mbledhë kanaçe. Ose imazhi i dhjetëra ish-luftëtarëve të UÇK-së që kanë vrarë veten vitet e fundit, të përballur me vështirësitë ekstreme ekonomike që kanë kapluar vendin e qeverisur nga ish-gjeneralët.

Sa herë që Lëvizja VETËVENDOSJE! organizon protesta, qofshin kundër politikave ekonomike neoliberale që e kanë katandisur Kosovën në një vend ku 40% e popullsisë është e papunë dhe 80% është në regjim të përditshëm urie, qofshin kundër imponimit ndërkombëtar dhe negociatave me Serbinë (ish-xhelate), të cilat e kanë prurë shtetin në mosfunksionim dhe demokracinë e kanë shndërruar në farsë, po këta politikanë e sejmenët e tyre e kanë akuzuar se po prish imazhin e Kosovës. Ata pretendojnë se punojnë e lodhen fort për imazhin, investojnë miliona euro në “state-branding” për t’i mbushur mendjen investitorëve të huaj e për t’i mbushur mendjen shteteve të tjera që ta njohin Kosovën.

Por, sipas të njëjtit parim janë po këta kampionë të imazhit që e shkatërrojnë atë. E shkatërrojnë përshembull imazhin e shtetit funksional dhe të demokracisë, kur përsërisin secilin votim të parlamentit që nuk i plotëson “urdhrat” e tyre. Nëse parlamenti rezulton se voton ndryshe shijeve të tyre, atëherë nuk e kanë për gjë ta përsërisin votimin disa herë. Duke ia humbur çdo vlerë kuvendit dhe asaj pak demokracie përfaqësuese që lejohet në Kosovë.

Para ca javësh, djemtë e shefit të grupit parlamentar të PDK-së, ish-luftëtarit Adem Grabovci rrahën disa policë, meqë i ndaluan për vozitje me shpejtësi. Po të njëjtët, para ca ditësh u kapën nga policia teksa bartnin me vete një arsenal armësh, në bagazh të veturës. Kuptohet që s’u hyri gjemb në këmbë, se ishin djem të Grabovcit, i cili sipas telefonatave të përgjuara nga prokuroria e EULEX-it dhe të publikuara në youtube, është “shef i shefave”, i përfshirë në kupolën e pushtetit me Thaçin e Veselin. Familja Grabovci është shpërfaqja e vërtetë e atyre që përfituan nga lufta në Kosovë. Është imazhi i qartë i luftës si aset individual. E këtë imazh e kanë të qartë të gjithë, edhe vetë ndërkombëtarët, apo negociatorët serbë, që e dinë mirë se me kë kanë të bëjnë. Ndërsa ushtarët vetëvriten apo mbledhin kanaçe, populli i papunë e që rron me më pak se 30 cent në ditë është imazhi i protektoratit, i politikave të statukuosë, i privatizimit, i negociatave, i shtypjes që vijon të jetë aty, pavarësisht çlirimit.

 

Revista KLAN

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.