A fshihen problemet me taksat në Itali pas shtetësisë shqiptare të Ezio Greggios?

Pati efektin e një surprize lajmi se komediani dhe prezantuesi i njohur italian Ezio Greggio mori nënshtetësinë shqiptare së fundi, përmes një dekreti të Presidentit të Republikës Bujar Nishani.
Për banorët e një vendi të rritur dhe “ushqyer” me televizionin italian, Greggio është një emër që të imponon jo vetëm të qeshura të shëndetshme, por edhe respekt: Aq më tepër pastaj, kur fytyra e përgjithmonshme e emisionit “Striscia la notizia” në Canale 5, prezantues emisionesh të tjera, protagonist komedish, regjizor etj, fillon të frekuentojë edhe Shqipërinë.
Ftohet në disa puntata të “Fiks Fare”, dhe nëntorin e kaluar në festivalin e filmit TIFF nderohet me çmimin e Mirënjohjes, “për promovimin e aseteve kinematografike në Shqipëri, me qëllim sjelljen e produksioneve të huaja që janë të interesuara për shfrytëzimin e peizazheve dhe studiove shqiptare”.
Deri këtu mirë. Por pakkujt mund t’ja merrte mendja se dashuria e re shqiptare e zotit Greggio do fuqizohej aq shpejt, sa në përmasat e një orteku do kalonte menjëherë tek nënshtetësia, si të thuash, “kemi dy muaj që njihemi, a martohemi bashkë?”.
Është e vërtetë që mjaft të huaj janë dashuruar me këtë vend, madje kur kemi qenë në kushte e rrethana ku e ku më të mjeruara, si llafi që bie, zonja Edith Durham me Shqipërinë ende nën otomanët, në fillim shekullin e kaluar; për të mos folur për ambasadorët që vijnë me mendësitë dhe pasaportën e vendit të tyre, por kur largohen u mbetet vetëm pasaporta, se ikin si “shqiptarë të thekur. Por edhe ky është një proces, dhe kërkon njëfarë kohe. Ç’ne kjo urgjencë me zotin Ezio?
Pas propozimit të ministrisë së Kulturës, në shtator 2014, Presidentit nuk iu deshën më shumë se katër muaj për ta dhënë nënshtetësinë. Për kriteret dhe arsyetimin që ka bërë ministria mbi figurën e Greggios, edhe mund të qëndrojë propozimi i këtij dikasteri.
Por kreu i shtetit ka shkelur të paktën pikën 7 të nenit 9 të ligjit për shtetësinë, ku thuhet se personi duhet të ketë banuar ligjërisht për të paktën 5 vjet në territorin e vendit, për ta marrë nënshtetësinë. Dikush mund të thotë, epo le ta mbyllim njërin sy, se qar kemi nga njerëz të talentuar si z.Greggio. Padyshim, por prapë pikëpyetja e urgjencës mbetet.
A është ai për shembull, ndonjë talent në futboll që duhet sa më shpejt ta marrim në kombëtare, sa kohë është në formë? Apo në ndonjë sport tjetër?
Përtej shakasë, unë njoh gazetarë nga Kosova, miq të mitë me banim të përhershëm dhe punë në mediat e Tiranës, që kanë hequr picirin për të marrë pasaportën. Nuk e di si mund të ndihen ata kur dëgjojnë raste si ky, por padyshim do jenë penduar që nuk u bënë humoristë. Sepse vetëm me humor mund të përballohet kjo tendencë kundër rrymës, ku shqiptarë në vite çfarë s’kanë hequr për të marrë dokumente italiane, por ja, vjen një italian i famshëm që ua bën mendjen çorap.
Sidoqoftë, gjasat janë që çështja të jetë pak më e thjeshtë, dhe jo kaq e çuditshme sa duket. Dihen publikisht problemet që z.Greggio ka patur me zyrën italiane të taksave e tatimeve. Ai figuronte rezident i principatës së Monakos (Monte Karlo) për dhjetë vjet (2001-2010), dhe kur u kthye për të bërë deklaratat e veta tatimore në shtetin italian, u desh një seri negociatash me tatimet për të rënë dakord për shumën që duhej të paguante në shtet, nga taksat e munguara.
Në fakt, teknikisht u sqarua se shumën prej 20 milionë euro taksa të papaguara do ta paguante kompania irlandeze që ruan të drejtat e imazhit për të, “Wolf Pictures”, pasi ka qenë një gabim interpretativ i saj, që u bë shkas për këtë borxh të akumuluar.
Sa për ilustrim të çështjes, shumë personazhe të famshëm italianë kanë pasur e kanë probleme të ngjashme taksash, dhe dihet që kanë zgjedhur rezidenca të huaja për të shmangur detyrimet: Kështu ka ndodhur me rezidencën britanike të Valentino Rosit; me këngëtarin Ticiano Ferro të cilit i kërkohen 4 milionë euro nga shteti, duke lënë mënjanë historitë e hershme të Maradonës, Sofia Lorenit apo Luçiano Pavarotit.
Marrëveshja e Ezio Greggios me fiskun italian u bë korrikun e kaluar. Dhe vetëm një muaj më pas, ministria jonë e Kulturës mbështet një kërkesë nënshtetësie drejtuar Presidencës?!
A ka pra, një “sfond ekonomik” kjo histori dashurie greggiano-albanese? Ajo që mund të thuhet sot, është se nuk është aspak çudi. Nëse një aktor francez i përmasave të mëdha (jo thjesht për fizikun) si Zherar Depardje, merr nënshtetësi ruse në shenjë proteste për të mos i paguar taksat e urryera Parisit zyrtar, duke bërë mijëra kilometra; pse një mik dhe personazh i adhuruar i yni, të mos hidhet gjysmë ore më tutje, këtej Adriatikut?
"Dita"
Comments
Interesant qe Kocikut i ben
<p>Interesant qe Kocikut i ben pershtypje qe njeri qe nuk ka ndenjur 5 vjet ne Shqiperi (sipas ligjit) i jepet nenshtetesia, nderkaq nuk e preokupon ana tjeter e te njejtit lajm per kryepeshkopine Shqiperise i cili ka 23 vjet ne Shqiperi, e megjithese nje klerik me personalitet boteror te njohur dhe doctor i shume universiteteve europiane e amerikane, ende i refuzohet shtetesia shqiptare nga gjithe presidentet shqiptare (nuk i eshte mohuar kjo kerkese shtetesie as krereve te Al-Kaides)</p>
Add new comment