Filtrimi i së djathtës

Në një shkrim të botuar në Gazetën Tema në Dhjetor 2010 me titull "Domosdoshmëria për një politikë të re", si konkluzion e kam mbyllur në këtë mënyrë: "Partia Socialiste ka kryer ciklin e saj të rigjenerimit, ajo ka filluar ciklin e zgjerimit të saj. Problemi nuk qëndron te e majta, sepse ajo nuk ka ndryshuar ideologjinë, vetëm e ka reformuar atë. Problemi qëndron tek e djathta që nuk ka bërë riciklimin e saj dhe si pasojë nuk ka shumë hapësirë për t'u reformuar. Si në shumë vende të Evropës Lindore, partitë me peshë në elektorat të dala mbas sistemit komunist, kanë pasur një cikël 10-15 vjet dhe pastaj kanë rënë në nivelin e 2-5% të elektoratit.
Çfarë të ardhme ka PD-ja dhe e djathta në përgjithësi? Duke mos pasur ndryshime elitash drejtuese në partitë e të djathtës, e vetmja mundësi mbetet kalimi i drejtimit të këtyre partive në "duar të sigurta", me komandim. Nëse një gjë e tillë ndodh, shumë shpejt do sjellë një shpërbërje përfundimtare të kësaj partie. Kjo duhet të jetë një këmbanë për të gjithë ata që kanë bindje vërtet të djathta, që shkatërrimi i të djathtës do sjellë një qeverisje nga e majta për një kohë të gjatë. Pra, e humbura e vërtetë është e djathta shqiptare, janë shanse të humbura për të marrë drejtimin e vendit, shanse që s'i ka pasur asnjëherë këto tre dekada. Elita politike dhe intelektuale e të djathtës (jo vetëm me emër) duhet të fillojë procesin e riorganizimit, që një proces i pashmangshëm të mos ta gjejë të papërgatitur. Periudha e tranzicionit ka shërbyer si rrjet filtrimi për politikën shqiptare dhe atë mbarë kombëtare. Shumica e kësaj elite politike, janë në pritje të gjatë dhe shpresojnë që kjo epokë 3 dekadash të kalojë vetë, por ajo do të bëjë një gabim të madh nëse rri e pret. Mosveprimi është më i dëmshëm se veprimi gabim. Koha ka treguar që mosveprimi në dekada, ka çuar atje ku kthimi në rrugë të drejtë duket i pamundur.
Dua ta vazhdoj këtë argument gati një vit mbrapa, i nisur nga disa shenja që janë dhënë kohët e fundit për një organizim të ri politik, ndoshta disa të tillë. Në Shqipëri ka disa parti që me status e quajnë veten parti të djathta dhe të djathta të qëndres. Faktikisht shumica e partive të vogla të djathta, si shumë të tjera të majta, janë parti-individ, ku perveç kryetarit të partisë, të tjerët as që njihen si figura politike që përfaqësojnë këto parti. Duke patur si simbol individë, këto parti nuk kanë mundur dot të ndjellin elektorat aq më pak ata që nuk janë të angazhuar në formacione politike. Pa aftësia e partive-individ për të krijuar një elektorat të mjaftueshëm, ka bërë që shumë ide të djathta të bien në vesh të shurdhër, që po të ishin të nisura nga parti me elektorat të madh, do kishin ndikuar drejtpërdrejt në politikën shqiptare, në zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë. Pak ditë më parë, presidenti i Shqipërisë la të kuptohet që e ardhmja e tij politike do vazhdojë të jetë në krahun e djathtë, por kjo nuk do jetë e mundur duke u rikthyer në Partinë Demokratike. Mendoj që kjo deklaratë, më tepër se një lajm sensacional që u mirëprit nga PS-ja si shpresë për përçarjen e të djathtës, duhet të mirëpritet më shumë nga ata që aspirojnë për një të djathtë të vërtetë. Jo për faktin se Bamir Topi është personi më i djathtë në Shqipëri apo se ai është shpresa e vetme e të djathtës, por për faktin se me një nismë të tillë i hapet një garë reale kompetitive çdo partie tjetër për t'u përmirësuar, për të rishikuar komplet sjelljen e tyre politike këto dy dekada. Është gabim kur krahasohet “ndarja e së djathtës" me ndarjen që ndodhi në PS dhe krijimin e LSI-së. Ndarja e të majtës erdhi si pasojë e prishjeve të aferave dhe interesave individuale, ndërsa me sa u la të kuptohet nga intervista e presidentit, një ndarje politike e tij dhe mbështetësve të tij do jetë më shumë për kontradikta ideologjike dhe vizioni politik se sa e nisur nga "interesa personale". Edhe pse për momentin duket se më e dëshpëruara, dukshëm dhe haptazi, është PD-ja, jo më pak të dëshpëruar do jenë disa parti të tjera të djathta, sepse një parti potencialisht e fortë e djathtë, do të thotë dy gjëra për to: ose shkrirjen e tyre dhe humbjen e statusit parti-individ, ose futjen e tyre nën çadrën e saj për të bashkuar forcat me të, që jo detyrimisht do kenë rol drejtues kryesor në këtë parti. Mendoj që kjo e dyta do jetë shumë e vështirë për t'u përtypur nga individë me ego të madhe. Si çdo gjë, edhe egoja ka një çmim dhe vetëm një parti ka mundësi të paguajë, dhe ajo është PD-ja. Por unë mendoj se një rikompozim i të djathtës do jetë në dobi të kësaj të fundit për vetë faktin se do krijojë një garë kompetitive për të gjitha partitë e djathta për të përmirësuar politikat e tyre drejtuese. Në ditët në vazhdim do dëgjojmë deklarata, komente, intervista që do kenë si qëllim kryesor denigrimin, ngjyrimin apo shtrembërimin e figurës së presidentit dhe çdo personi publik që do lakohet si i mundshëm për të qenë pjesë e kësaj partie apo e këtyre partive. Një fushatë e tillë ka kohë që ka filluar dhe do ketë një intensitet më të lartë në ditët në vazhdim. Aleanca e PD-së me LSI-në, e miratuar në heshtje nga PR-ja (e djathtë), ua ka hequr të drejtën morale këtyre partive për të bërë moral dhe etiketuar dikë si të majtë. Hedhja poshtë e shumë principeve të djathta, vetëm e vetëm për të "kënaqur" një parti të majtë siç është LSI-ja, ua ka hequr të drejtën ideologjike këtyre partive për të mbajtur flamurin e të djathtës. Në një demokraci të konsoliduar, ideologjia është ajo që përcakton të majtën me të djathtën, në Shqipërinë e sotshme pragmatizmi përcaktohet nëse është i majtë apo i djathtë. Nëse një luftë e brëndshme e një partie të madhe si PD-ja, bëhet midis ithtarëve dhe militantëve, nuk është e largët dita që militantët ose do largohen ose do bëhen ithtarë. Një alternativë e re në të djathtën shqiptare, do t'u japë mundësi që militantët të rishikojnë pozicionin e tyre, ndërsa ithtarët do mbetën idhtarë.
Comments
Jam i bindur se Bamir Topi do
<p>Jam i bindur se Bamir Topi do jete ne gjendje te rikompozoje te djathten. Ne rradhe te pare sepse eshte, me merite, politikani me popullor ne Shqiperi. Dhe e dyta sepse sot praktikisht e djathta nuk eshte fare e perfaqesuar. Sot ka vetem nje Sali qe gjendet kudo. Eshte e kot tanime te flasesh se cperfaqeson ky Matrapaz sepse ate e dine te gjithe. Nersa Bamir Topi respektohet nga nje mase aq e gjere qytetaresh te ndershem sa do jete ne gjendje te kete me shume mbeshtetje popullore se SaliPDja.</p>
Add new comment