Festat fetare

Ka diçka që shkon tek festat fetare ndër shqiptarë. Dhe, ka diçka që nuk shkon. Ajo që është mbresëlënëse dhe padyshim se vlen për të gjitha religjionet me të cilat bashkë-jetojmë ndër shekuj, është solidariteti dhe petku festiv me të cilin anëtarët e akëcilës përkatësi fetare urojnë njëri-tjetrin, e që shënon atë kurorëzim të tolerancës fetare për të cilën edhe bota na njeh dhe respekton. Kështu ishte dje për Kurban Bajram, kështu do të jetë nesër për Krishtlindjet katolike apo ortodokse.
Deri këtu jemi në rregull dhe nuk ka dyshim që si krerët fetarë ashtu edhe ata politikë, e pse jo edhe të bizneseve të fuqishme, me siguri që në këto raste ndalen më shumë se kurrë të mendojnë dhe ndoshta edhe reflektojnë për shkurtgjatësinë e të qenit në këtë botë dhe paqartësinë e përjetësisë që i pret përtej saj.
Ajo që nuk është në rregull dhe do të duhej që të shërbente për reflektim, e pse jo edhe diskutim, është sesi krejt apelet dhe thirrjet, cytjet dhe joshjet që të tregohet më shumë zemërgjerësi, humanizëm dhe gatishmëri për bamirësi, sa çel e mshel sytë, posa të kalojë itinerari i festave fetare, jo vetëm që veniten, por zhduken si të mos kishin qenë kurrë. Sërish dhe këtë mund ta themi nga ky mëngjes i kësaj fillimjave dhe deri tek festa tjetër do të kthehemi në realitetin e përditshmërisë pothuajse të llahtarshme.
Duke filluar nga klithjet e borive neurotike të rrugëve, përmes skenave trishtuese të lypësve rrugëve e shesheve të vendbanimeve të bijave e bijve të shqipeve të malit, deri tek brutaliteti e amoraliteti, perverziteti e fatalizmi me të cilin njeriu e lufton njeriun, klani- klanin. Pa hedhur shikimin anash e aq më pak drejt qiellit dhe pafundësisë për të cilën, ja, vetëm një ditë më parë të gjithë luteshim për paqe e mirëqenie, vëllazëri e mirëkuptim.
Kjo mungesë qëndrushmërie e reflektimeve të thella shprehet në format e saj më të ndryshme, por në pah nxjerr sidomos atë honin e madh të shtirjes sidomos të politikanëve tanë. Sepse askush nuk do ta pranojë e lëre më të thotë që dallimet sociale në shoqërinë dhe nëse doni edhe shoqëritë shqiptare janë aq të mëdha, aq radika1e saqë është zor t’ua gjesh shoqet në Europë.
Janë me mijëra e mijëra familje shqiptare, të cilat pos që jetojnë me nga më pak se 1 euro në ditë, në të njëjtën kohë edhe janë pa as edhe më të voglën perspektivë afatshkurtër, afatmesme apo afatgjatë. Për vete dhe fëmijët e tyre.
Apo nuk tregojnë për mjerimin social ndër ne kronikat televizive, reportazhet e gazetave të shumta në periferitë të ndryshme, tregimet në tavolina pune e ushqimi tek ne që kemi me bollëk.... etj. etj. Apo nuk do të duhej të ishin alarmantë numrat e vetëvrasjeve ndër të rinj apo edhe familjarë që kryesisht e bëjnë atë hap për shkak të mjerimit social që i rrethon. Apo nuk e tregojnë jo pak raste të kalimit në ekstremizmat fetarë të cilit religjion qofshin ata pikërisht nga tundimet që mbyllja shoqërore u bën.
Feja në këtë rast kudo në botë dhe e cilitdo grupim të jetë luan një rol të madh. Krerët fetarë në këto raste luajnë një rol jetik për mirëkuptim, por edhe thirrje për më shumë besim dhe me këtë edhe moral.
Shoqëria dhe shoqëritë shqiptare në Ballkan nuk janë laike. Ato janë besimtare dhe ajo që shqiptarët i bën të paarritshëm për shumicën e kombeve tjera në Europë është pikërisht toleranca e jashtëzakonshme që ata kanë për fetë tjera.
Nuk ka një parakusht më të mirë sesa pikërisht kjo tolerancë të shfrytëzohej edhe në përmasa tjera të mbajtjes dhe ruajtjes së elanit dhe shtimit të besimit e vizionit për një të ardhme më të mirë. Për një të ardhme më normale, sidomos për brezat që vijnë.
E dini pse krejt debatet dhe sprovat për shushuritje e klithje ndërfetare kanë dështuar gjithmonë dhe sidomos kohëve të fundit kur u hap frika e madhe që ato do shndërroheshin në fenomen të përditshëm, i cili do të mund të gatuante konflikte të papara?
Është thjesht bazamenti dhe jetëgjatësia prej qindra e qindra vitesh ajo që jo vetëm i ka rezistuar, por edhe do t’i rezistojë çdo sprove për përçarje ndërfetare. Prandaj duhet parë me goxha relaksim çdo tentativë për radikalizim fetar.
Dhe prandaj mbetet ajo që sidomos Festat Fetare e kanë si petk më vete: thirrjet për më shumë humanizëm e tolerancë, gatishmëri për ndihmë e bamirësi... të mos harrohen pas festave!
Comments
Puna z. Cufaj eshte se,
<p>Puna z. Cufaj eshte se, pikerisht sic thoni ju, thirrjet e politikaneve per me shume tolerance e bamiresi, humanizem e vellazeri, jane te shtirura. Po si mundet ndryshe qe kryetarja e parlamentit, pikerisht pas thirrjeve te tilla, i fut thumba kryetarit te opozites e kongresit te tyre, duke perdorur pikerish emrin e festes, Kurbanin, si elementin gjuhesor te talljes se saj.</p><p>Jozefina, e lideret tane te tjere, qe na kujtojne se festa e Kurban Bajramit eshte festa e sakrifices dhe se ne jemi nje popull qe jemi sakrifikuar nder vite dhe e kuptojme mire kete feste, jane dyfytyresh, sepse jane keta lidere qe po vazhdojne te na sakrifikojne e te na bejne Kurban ne, endrrat tone, te ardhmen e femijeve tane, ne altarin e babezise e interesave meskine te tyre.</p><p>Urimet e tilla te shpifura te politikaneve tane te degjeneruar preferoj te mos i degjoj per dite Barjami se rrezikoj ta nxjerr gjithe ckam ngrene ate dreke te madhe...</p><p>ps. edhe Edi Rama hyn tek politikanet e siperpermendur...</p>
Add new comment