A duhet t’i përgjigjemi me izolacionizëm izolimit europian?

Me si po vijojnë gjërat, marrja ose më saktë mosmarrja e statusit të vendit kandidat për në BE nga Shqipëria nuk është më një moment cilësor por sasior. Në atë se numri por bëhet zotërues. Fatkeqësisht është një numër i kahjes negative: sapo hymë në herën e katërt të refuzimit i cili ka gjasa, gjithashtu për fat të keq, të bëhet sivëlla me numra të tjerë pasues. E mira është se dy refuzimet e para ose më saktë shkaqet e tyre nuk i mbajmë mend, por dy të fundit po. I treti ose i parafundit për shembull kishte të bënte me votimin e tri ligjeve në parlament të cilat kërkonin shumicë të cilësuar, pra edhe vullnetin e opozitës. Gjë që nuk ndodhi. Që nuk do të thotë megjithatë se edhe po ta kishim plotësuar këtë kusht, statusin do ta kishim marrë. Sepse nuk e morëm edhe pse e plotësuam. Hera e katërt e refuzimit, që ishte dje, ditën e shtatëmbëdhjetë të dhjetorit, erdhi pas hezitimit të disa prej vendeve anëtare Holandës, Danimarkës, Gjermanisë e të tjera. Të dy refuzimet e fundit i bashkon megjithatë një gjë: është refuzuar e njëjta forcë politike në dy pozicione të ndryshme; njëherë në opozitë e herën tjetër në mazhorancë. Partia Socialiste nuk e dha konsensusin parlamentar kur ishte në opozitë dhe e mori atë bujarisht kur erdhi në pushtet nga opozita e re në formën e një rezolute parlamentare proeuropiane. Kjo kundrakohë mund të jetë asgjë më shumë se simbolikë, por megjithatë e bart një shpjegim të europianizmit si vullnet për pushtet dhe si vullnet i brendshëm.Refuzimi që mori dje Shqipëria shtrihet megjithatë përtej dualitetit pozitë-opozitë në Shqipëri, edhe pse kryesisht ky establishment politik ka prodhuar ndër vite pozicionin ku ndodhemi sot në raport me Europën. Ky pozicion është ai që komuniteti ndërkombëtar e quan shpesh klimë mosbesimi mes palëve. Kjo atmosferë cinizmi e përplasjesh ka pllenuar demonë të tjerë antieuropianë si korrupsioni, kapërcimi i ligjit, zgjedhje problematike, shkelje të të drejtave të njeriut e ndonjë tjetër. Një motiv i dytë refuzimi mund të jetë një testim i mazhorancës së re. Ka njëfarë naiviteti kur statusi apo rankime të tjera në skakierën europiane lidhen me popullin shqiptar dhe me atë se sa proeuropian është ai. Shtyllat e europeizmit janë në fakt ngritja dhe funksionimi i shtetit ligjor dhe shtetit të së drejtës. Sondazhet që na dëshmojnë ne si proeuropianë entuziastë nuk na ngrenë pikën në tabelën e vlerave. Në këtë plan mazhoranca e re është para provës së madhe të ligjshmërisë dhe të së drejtës në raport me të cilat ajo është kapur në revansh, mjaft të kujtojmë protestat europiane në rastin e kalimit të kompetencave të hetimit të korrupsionit Gjykatës së Krimeve të Rënda. Duket se skeptikët e BE duan të shohin nëse këto shenja bëhen trend, gjë që do na largonte edhe më shumë nga marrja e statusit.Këta skeptikë në BE në raport me Shqipërinë shpjegojnë në fakt një moment skepticizmi të gjithë superstrukturës së Unionit Europian. Greqia duket si gabimi më i madh, një fqinj i Shqipërisë në gjeografi dhe binjak në një kulturë semi-orientale që bën strehë te limontia sociale dhe te glorifikimi i pranisë së shtetit. Vende të tjera të kulturës mesdhetare janë gjithashtu nën një barrë problemesh ekonomike. Ky skepticizëm megjithatë nuk përligj përfilljen e Serbisë, e cila është një hap para Shqipërisë në kuadrin europian. Te ky rast mund të gjejnë ngushëllimin dy rryma mendimi: asaj sipas së cilës në Europë ka albanofobi dhe se serbët po shpërblehen nga një Europë anti-amerikane për pamundësinë për t’i mbrojtur nga një Amerikë proshqiptare në vitin 1999. Jemi të fundit megjithatë, dhe ka nga ata që në dëshpërim e sipër bëjnë thirrje për një izolacionizëm ndaj Europës. Kjo nuk do t’i shëronte ato plagë nga të cilat vuajmë, përkundrazi do t’i shtonte ato.
Nga Gazeta "Mapo"
Comments
Une nuk e shoh tragjike
<p>Une nuk e shoh tragjike shtyrjen e dhenies se statusit kandidat Shqiperise. Madje une mendoj se ky refuzim duhet te behet mesim. Shqiptaret nuk duhet te enderrojne se me hyrjen hipotetike ne Europe, pas 10 ose 20 vjetesh problemet e tyre do te zgjidhen. Nuk eshte aspak e vertete. Europa gjithmone e e ka pare Shqiperine me syrin e njerkes. Prandaj shqiptaret duhet te perpiqen ta ndertojne Europen ne vendin e tyre. Pra me pare te civilizohen dhe te sillen si europiane. Te respektojne ligjin, te duan punen, te jene kritike dhe syhapur ndaj klases politike, te mendojne jo vetem per veten e tyre, por edhe per te miren e perbashket. Hyrja ne Europe u perdor nga PD-ja si shkop magjik. Por jo. Shqiptaret duhet ta kuptojne se qe te hysh ne Europe, duhet ta ndertosh ate me pare ne vendin tend. Kroatet psh, popull me kulture dhe vend i perparuar, ishin dyshues dhe skeptike ndaj anetaresimit te tyre ne BE. Ndersa ne lepihemi si lypes. Te shkaterrosh vendin tend dhe te propagandosh se do hyjme ne Europe, eshte me se paku çmenduri. Nuk po them tradhti kombetare. Si perfundim shqiptareve duhet tu spjegohet se kur Shqiperia te behet Europe, atehere do te te na pranojne ne BE. Dhe me koken lart.</p>
Le te kthehemi nga
<p> Le te kthehemi nga Russia. E pate c'beri per Ukrainen? Muzhiku rus nje therrmie na ka . Me kot shpresojme nga "kurva e motit", Europa. Pa lidhuni me rusine dhe per dy trevjet, Shqiperia behet tamam bace me lule... Vetem atehere na luten per ne BE...</p>
Vete titulli eshte i
<p>Vete titulli eshte i pakuptimte dhe si pyetje eshte idjote.</p>
Add new comment